E enjte, 25.04.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Editorial

Korr Ovacione nga publiku ndër skenat europiane dhe lihet në harresë në Atdheun e saj, në Shqipëri

E merkure, 25.07.2007, 06:25 PM


Nga Mërgim Korça

I ballafaquar me një realitet të pakëndshëm nuk rri dot pa reaguar.
Ësht’e qartë se t’i jepet një tridhjetëvjeçareje titulli Nderi i Kombit, (veç ndonji rasti flijimi skajor në mbrojtje të Atdheut ose interesash të ngjashme), as që mund të pretendohet. Por, kur një qytetare shqiptare, me krenarín’e saj kombëtare ve kusht që kur t’a paraqisin të theksohet se është shqiptare, në mos gjë tjetër, flet për atdhedashuri të sajën të shquar. Kaq sa i takon asaj.
Kurse, sa u takon specialistëve muzikologë si edhe drejtues të Teatrit të Operas e Baletit (TOB) të vëndit tonë mëmë, ata heshtin rreth saj ! Qëndrim ky që mendoj se nuk i nderon aspak..
Hyjmë tashti në temë dhe konkretisht edhe një herë rreth këngëtares lirike të njohur si Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho.
Gazeta "La Marseillaise" e qytetit të Marsilles, me gërma kubitale e fillon faqen e saj të datës 3 Janar 2006 me titullin:

Fotografia ne gazete
Opera Phocéen paraqet një Traviatë tejet klasike.

Sopranoja e re shqiptare Ermonela Jaho triumfon në rolin e një Violete të jashtëzakonshme.

Vazhdojnë komentet: Sopranoja shqiptare e mbajti mbi supet e saja peshën e së gjithë shfaqjes … Ishte një surprizë qiellore paraqitja e kësaj Traviate 2005 me garancí nga më klasiket … Zëri i saj ishte i fuqishëm dhe me një timbër të bukur, solemn si edhe të gdhëndur në regjistrin e ulët. Ajo mishëroi me një pjekurí mahnitëse e marramendëse sa i takon vërtetësísë, por edhe me intensitet gjithë pasionin si edhe njësimin me rolin nga më prekësit që ka krijuar Verdi … Ovacionet Jahos më se të merituara. I nënshkruan këto pohime kritiku muzikor Patrick di Maria.
Kurse gazeta e qytetit Marsille L’Hebdo në krye të shkrimit rreth shfaqjes La Traviata, vendos dy pohime të regjizorit të dëgjuar francez Jean Claude Auvray, njerin para shfaqjes e tjetrin mbas saj. Para fillimit të shfaqjes ai shprehet për gazetarët "Violeta ime e fundit". Kurse në mbarim pohon:
"Këtë Violetë (Ermonela Jaho) nuk do të doja t’a humbisja !" Dhe këngëtares i lutet duke i thënë … Traviatë me Violetë tjetër unë nuk ve në skenë. Ma jep fjalën që kudoqofsh do të pranosh e do të vish ta interpretosh këtë rol për mua ?
Kam nëpër duar edhe dy gazeta të tjera të cilat shkruajnë në sintoní të plotë me njeratjetrën përsa u takon vlerësimeve të sipërpërmendura lidhur me triumfin absolut të këngëtares shqipare në rolin e Violetta Valerísë, të La Traviatas së Giuseppe Verdit.
Për të kuptuar tashti se ky qëndrim indiferent i drejtuesve të T.O.B. Shqiptar nuk është as rastësí e as mosdhënje rëndësíe pa të keq, duhet të kthehem disa muaj mprapa kur sopranoja shqiptare Ermonela Jaho debutoi e pati një sukses të jashtëzakonshëm në interpretimin e rolit të Mimísë nga opera La Bohème të Giacomo Puccinit në Detroit. Për mua qe ballafaqimi i parë me atë emër këngëtareje. Interpretimi i saj, i shkëlqyer qoftë nga ana vokale e gjithashtu edhe aktoriale, më entuziazmoi aq shumë sa që me t’u kthyer në shtëpi i hodha në letër si mbresat e gjithashtu edhe ndjenjat që ngjalli tek unë ajo këngëtare shqiptare, (të cilën unë e mendova si bijë familjeje shqiptare nga diaspora amerikane). Shkrimin e botoi Gazeta TemA e Tiranës e gjithashtu u postua edhe në internet. Këtu tashti edhe befasía e madhe e ime. Mbas dy ditësh marr dy mesazhe elektronike nga Italia, një nga Gjermania si edhe dy nga Tirana. Prej tyre mësova sëpari, se sopranoja nuk ishte nga familje e diasporës por vajzë shqiptare e shkolluar profesionalisht në Tiranë, dhe në vazhdim pastaj ajo kish studjuar dhe kryer pesë vite specializim në konservatorin nga më me emër të botës, Konservatori Santa Cecilia i Romës.
Nga Italia dy të njohur të mi shkruanin :  prof.Ardian Ndreca " ty të ka befasue mënyra e interpretimit të asaj kângtares shqyptare t‘cillës nuk i a paske pasë ndie zânin mâ parë.  Për mue, megjithse nuk jam ndjekës i muzikës lirike, êmni i saj âsht shum i ndigjuem se ajo ka bâ êmën këtu n’Europë ". Kurse Jozef Martini, njohës i lirikës, shprehej " gëzohem që ty të ka befasue mënyra e interpretimit të asaj kângtares shqyptare t’cillës un që e ndjek muzikën lirike, êmnin e saj e kam shum të ndigjuem se ajo ka bâ êmën këtu n’Europë". Kurse nga Berlini, miku im Ylli Rusi, e shtronte edhe ai problemin pak a shumë kështu … fakti se si e ke gjykuar ti këngëtaren shqiptare të njohur tashmë n’Europë, Ermonela Jaho, më gëzon e më tregon se edhe atje, në Amerikën e largët, vazhdoke dhe e ndiqke muzikën lirike siç merreshim së bashku dikur në kohën e rinisë tonë … Të tre këta mesazhe, me pohimet e tyre, (pavarësisht se ma vinin në dukje injorancën time totale sa i takon njohjes së brezit të ri të këngëtarëve lirikë shqiptarë), më gëzuan jashtë mase duke ma rritur krenarínë kombëtare. Mirëpo mesazhi që më dërgoi miku im si edhe muzikologu i shquar prof.Ramadan Sokoli nga Tirana, jo vetëm që më hapi një dritare të re por edhe më dëshpëroi pa masë. Ai shkruante … me lajmin që m’dhé për sopranon shqyptare m’ké gzue shum. Ktu nuk ia kena ndigjue êmnin, (ka këndue m’duket vetëm nji herë), por ishalla ajo tash përparon e na nderon nepër skenat e botës … Kurse mesazhi q’e lashë qëllimisht si të fundit, edhe ky nga një mik imi nga Tirana, thoshte … qofsha gabim, por e kam dëgjuar si thashethéme që kur ajo sopranoja që shkruan ti ka interpretuar një rol në opera (këtu në Tiranë), në skenë i dhanë në dorë një letër fyese ku e ftonin të largohej nga Shqipëria se nuk kishin nevojë për të; kishin soprano të tjera … Mos ma merr për kapital, por kështu kam pasë dëgjuar.
Jam i bindur se kushdo që njihet me ngjarjet : komentet e gazetave franceze që mund të hetohen pa vonesë lidhur me suksesin e fundit të Ermonela Jahos në Marsille nga njera anë, si edhe heshtja totale rreth saj nga ana e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, nga ana tjetër, e bëjnë lexuesin shqiptar (e më gjerë) së pakut, të mos ndjehet i qetë.
Në vazhdim, ndonëse duke mos dashur në asnjë mënyrë që lexuesi të ndikohet nga unë si edhe konsideratat e mia, e ndjej detyrim etik të jap një pamje më të zgjeruar rreth personalitetit të kësaj këngëtareje shqiptare mbështetur veç në dokumenta të biografísë së saj artistike. Repertorin e saj lirik prej 25 operash, (që kam mundur të qëmtoj unë e që sigurisht e kanë mundësinë ta plotësojnë shumë më mirë drejtuesit e TOB-it), sopranoja shqiptare Ermonela Jaho e ka kënduar në skenat nga më në zë të teatrove lirike europiane duke filluar nga Auditoriumi i Santa Cecilias në Romë e pastaj me radhë në Teatrot Lirike të Milanos, Fenices të Venezias, Dante Alighierit të Ravennas, Comunale të Bolognas, Malibranit prap të Venezias, Verdi të Triestes, Zandonai të Ravennas, Comunale të Modenas, etj. etj. në Itali për të vazhduar pastaj se si në Wexford të Anglisë shfaqjen B.B.C.-ja e ka transmetuar direkt në televizionin anglez ! Me ovacione e ka pritur sopranon shqiptare publiku i Grand Theatre of Ginevra në Zvicër , e pastaj në Capitol de Touluse në Francë e po aty edhe në Phocéen të Marsilles, në Grandi Maestranze të Sevillës në Spanjë, ose në Baüerische Staatsoper të Gjermanisë, në Barcelonë të Spanjës, në kryeqytetin e Perusë Lima, etj. T’i shtonim kësaj liste edhe koncertet e dhëna e drejtuar nga shkopi i dirigjentëve me emër në botë, (e doemos edhe t’i analizonim shfaqjet në tërësí si edhe interpretimet e sopranos shqiptare në imtësí, veç të kishim pretendimin e të zëvëndësonim punën që bëjnë specialitët e TOB-it në Tiranë, punë e jonë e cila do të paraqitej fare e zbehtë dhe e shplarë duke e përqasur me punën profesionale-shkencore që bëjnë ata specialistë në këtë fushë të tyren. Por me që ata heshtin, na bije barra ne diletantëve, të japim mendimet tona me ç’rast e përgëzoj zotin A.Mile i cili e dha një informacion nga shtypi francez lidhur me suksesin e Traviatas në Marsille).

Mbyllja e qarkut.
Në vijim të hyrjes së shkrimit si edhe mbas informacionit që shkëmbyem me lexuesin, desha të bëj disa përqasje, para mbylljes.
Dikur, gjysëm shekulli të shkuar, por jo aq larg në vite sa të jetë harruar fama e saj, na ishte një farë Maria Kalogeropoulos e cila e kishte mbaruar Konservatorin e Athinës e askush nga specialistët dhe drejtuesit muzikorë grekë nuk e pati në llogari. Kjo e detyroi që iku e shkoi në Itali dhe mbas debutit të parë në vitin 1947 me Giocondan e Ponchiellit në Arenën e Veronas, ajo u dashurua me Venezian si edhe Teatrin Fenice të saj sa që përgjatë më se një dhjetvjeçari ajo iu kthye herë mbas here qytetit me lagunën e tij të përmëndur. Tashmë, Maria Callasin, e duartrokisnin me minuta të tëra me skenë të hapur. Ajo pastaj pushtoi skenat e teatrove më me emër europiane e në vijim edhe botërore. E doemos përgjatë të gjithë këtyre sukseseve që i bënte publike shtypi italian e pastaj edhe botëror, Greqia (atdheu i prindërve të saj), po ajo Akademi e po ata drejtues muzikologë që dhjetë vite më parë e kishin nëpërkëmbur, mburreshin tashmë me bijën e tyre që u desh të nderohej më parë nga të huajt ! Vokali i saj ish ai i një sopranoje kolorature që shtrihej i pastër e me tone të sakta e të prera si me thikë deri në tonalitetet e mexo sopranove. Kurse arti i saj interpretativ skenik, thonë specialistët e kësaj fushe, ishte i pakrahasueshëm. Atë e kanë drejtuar dirigjentët më me famë të botës si Giancarlo Menotti, Claudio Abbado, e shum’e shumë të tjerë.
Fillojmë nga përqasjet. Kur e dëgjova sopranon shqiptare Ermonela Jaho për të parën dhe të vetmen herë deri sot, me rastin e debutimit të saj në Teatrin e Operas të Detroitit në rolin e Mimisë të La Bohèmë të Giacomo Puccinit, u befasova si edhe u entuziazmova aq shumë sa që nuk ndenja dot pa e bërë një analizë të çfaqjes (me aq sa isha unë në gjëndje ta bëja) por doemos duke e përqëndruar vëmëndjen time tek primadonna e mbrëmjes. Mbas botimit të shkrimit mësova se sopranon shqiptare Ermonela Jaho as që e njihte kush në Atdheun e saj, gjë që nuk mund të thuhej për publikun europian. Ja pra edhe përqasja e parë me Maria Callasin.
Lidhur me vokalin e saj qeshë shprehur … me aq sa jam unë në gjëndje të gjykoj. Mimíja – Ermonelë p.sh. nuk e interpretoi rolin e saj vetëm edhe thjeshtë e mbështetur në rregullat e teknikës vokale por ajo shpalosi një ekspresivitet shkalle vërtet të lartë me përzgjedhje si edhe personalitet të shquar artistik. Ajo shfaqi një delikatesë të lartë sa u takon dritë-hijeve vokale. Diapazoni i saj i shtrirjes vokale ishte shum’i gjerë duke shkuar nga frekuencat karakteristike të mexosopranove e deri lart tek ato të sopranove të koloraturës. Tek zëri i saj unë shqova si dhuntí të posaçme ngjyrën e zërit të saj, i ndritshëm dhe diellor në notat e larta, kurse me një bronxim të vyer në notat e ulëta. Një zë i plotë, kurrë i mprehtë, i çjerrë apo i tërhequr. Zëri i saj ish vazhdimisht i pasur me dritë-hije edhe ngjyrë. Vokali i Ermonela Jahos, për mendimin tim, është shëmbëlltyrë e vokalit të Maria Callasit. Ja edhe përqasja e dytë.
Sa u takon dirigjentëve, Giancarlo Menotti i madhërueshëm si edhe Claudio Abbadoja hyjnor, e kanë drejtuar edhe shqiptaren Ermonela Jaho sikurse Maria Callasin. I zura në gojë vetëm këta të dy si përqasje sepse shtati i tyre artistik ësht’i tillë që vetëm këngëtarë kalibri madhor këndojnë nën drejtimin e tyre. Nuk është edhe kjo përqasje e tretë me Maria Callasin mjaft befasuese ? Me që flasim për dirigjentë nuk mund ta hesht faktin se kur ra perdja e aktit të katërt të La Traviatas në Phocéen-in e Marsilles, dirigjenti me famë në botë Alen Guingal që i ka drejtuar Renata Scotton, Placido Domingon etj. i përlotur ishte shprehur … kjo është Violetta që më emocionon.
Në vazhdim, sa për të mos e lënë në harresë si rastësí, shqiptarja Ermonela Jaho ka kënduar në mënyrë të përsëritur në Fenicen e Venezias. Me aq sa kam mundur unë të hulumtoj dhe mos e paça gabim, ajo ka kënduar jo pak por tridhjet’e dy herë në skenën e atij teatri publiku i të cilit në Itali shquhet si shumë sqimatar ndaj interpretuesve. Dhe shqiptarja jonë ka patur sukses mbas suksesi n’atë teatër. Kjo përqasje me teatrin e doemos me publikun e tij, ku Maria Callasi ka kënduar në mënyrë aq të përsëritur, a nuk është edhe ky kuptimplotë ?
Nisur nga të gjitha faktet, konsideratat si edhe përqasjet, nuk kam se si të mos i uroj kësaj shqiptares së re, por tashmë të madhe, një karrierë akoma edhe më të shkëlqyer në vazhdim që mbas pushtimit të skenave emërmëdha të Europës, ashtu si ka filluar t’i pushtojë ato amerikanet, pikësynimin e saj ta ketë Metropolitanin e New Yorkut ! Kësisoji, (edhe në vazhdofshin muzikologët shqiptarë për pak kohë akoma t’a shpërfillin), do të kemi kënaqësín’e madhe që vetë Shteti Shqiptar ta kuptojë se sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ambasadorja e shtetit shqiptar në të gjithë botën !

Detroit, Janar 2006



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora