Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Vargje me nuansa shpirtërore ekzistenciale

| E diele, 19.04.2009, 06:11 PM |


VARGJE  ME NUANSA SHPIRTËRORE EKZISTENCIALE

(Shqipe Hasani, “Premtim i lënë peng”, botues “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës”-Dega Prizren, 2009).

Nga Bilall MALIQI

Krijimet e vargjeve poetike shumicën e krijuesve i lidhin ashtu forcërisht me gjetje të temave aktuale të kohës që jetojmë e të cilat krijuesi i ndan në motive frymëzimet, duke i “stërpikur” aty këtu edhe me figura  stilistike e letrare.
Shqipja  i shtriu krahët edhe gjithandej trojeve të cunguara shqiptare jep një mesazh dhembjeje për këto ndarje me kufij korbziu e erëzeze.
E kjo Shqipe që përmes vargjeve shtriu rrjetin e saj edhe përtej kufijve të nëpërkëmbur  duke paraqitur kështu një itinerar vargërimi për krahët e shkëputur të shqiponjës.
Është kjo Shqipja-poete që i takon brezit të krijuesve të viteve të 90-ta, e që deri tani ka arritur rezultate të lakmueshme në fushën e krijimeve poetike.

Kush është Shqipe Hasani?

Shqipe Hasani lindi në Prishtinë.Mbaroi Fakultetin dega Gjuhë e Letërsi Shqiptare në Prishtinë.Aktivitetin letrar Shqipja e filloi dhe e zgjeroi nëpër revista duke filluar nga ato për fëmijë e për të rritur: “Pioneri”, “Jeta e re” etj.
Në saje të vlerave artistike poezitë e Shqipes u përkthyen edhe në disa gjuhë të huaja: në anglishte, kroatishte, turke etj.Përpos me poezi Shqipja merret edhe me krijime në prozë e novela.Krijimet e saj janë shpërblyer disa herë me çmime e mirënjohje të ndryshme.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Dhe është autore e katër veprave letrare:

“Shiu i vetmisë”-“Pena” (1997)
“Qielli i varreve”- “Rilindja” (1990)
“Akuareli i dhembjes”-“Flomed” (2008)
“Premtim i lënë peng”-“L.SH.K” (2009).

Simbolika

Për ta kuptuar simbolikën dhe figurativitetin letrar brenda vargjeve poetike të krijueses Shqipe Hasani medoemos duhet ndarë e shtjelluar temat që i trajton përmes vijës së artit të të shkruarit e vargërimit varësisht cilit ligjërim poetik i rreket.
Për të hyrë pra në vijën vështrimit në mënyrë sipërfaqsore të poezive të librit që tani e kemi në shqyrtim “Premtim i lënë peng” takohemi me një laryshi temash e motivesh të cilat puthiten me nuansa shpirtërore ekzistenciale të varura në cepin e kohëve.

“Në emër t’Atdheut
Rrëfehem arbërisht
Unë poetja”

A nuk mjaftojnë këto vargje në formë formule që ta kuptojmë forcën shprehëse të shqipes dhe porosinë se secili krijues kudo qoftë  (është fjala edhe për  krijuesit matanë sinoreve) të pushtuesit, të rrëfehen arbërisht aty ku jetojnë dhe  të komunikojnë me Atdheun përmes vargjeve.
Është motivi patriotik më i theksuar në këtë libër.Autorja i përzgjedh me sukses temat nga historia duke iu përmbajtur realitetit e ndërton një galaktikë artistike dhe letrare.Duke i shfletuar poezitë e këtij vëllimi ndeshemi me mesazhe të forta që janë krijuar nga inspirimet e vargëruara dhe ku përjetimet e autores dalin thellësisht nga shpirti i saj.

“Maja e këtij shekulli
Le të preket nga poezia”

Kjo është një shembull shtesë sepse me anë të vargjeve preket shekulli, preken të mirat, të këqiat në mënyrë direkte a indirekte.Pra është poezia ajo që përmes rremave vargërore jep mesazh të qartë shoqërisë, ambientit ku jetojnë shqiptarët.Por jo vetëm maja e këtij shekulli por edhe më tutje të vazhdojë poezia të jetë zëdhënëse e kompletuar e asaj çfarë ofron koha…
Në patriotizmin e paraqitur nëpër vargjet e saja Shqipja shetit kështu me mall edhe në Çamëri e cila mjerisht sikurse Kosova Lindore, Ilirida, Ulqini etj., mbeten padrejtësisht jashtë kufijve e që poetja flet me dhembje përtej detrave që flasin shqip.Kështu rrëfehet Shqipja me anë të vargjeve:

“Çamërisë t’i shoh diellin
Buzëve të çara
Të kërkoj pak liri
Në logun e Kosovës”
(Përtej kufijve Çamëri)

Me forcë krijuese Shqipja formoi individualitetin e saj në fushën e vargjeve poetike.Ajo sikur në librat paraprak përsëri dëshmoi se e ka këtë forcë shpirtërore që të përballet edhe në përjetime të jashtëzakonshme që kanë ndodhë para do kohe në çdo cep të atdheut deri tani të përvuajtur, e dikund ende ndodhin ku këtë realitet poetja e sheh shumë mirë, por edhe të tanishmen-përditshmërinë tonë e cila përballet me sfida të shumta.

Rrëfime poetike

Shqipe Hasani dëshmon përmes vargjeve se është njohëse e historisë së bujshme të popullit shqiptar ku nëpër etapa rrugëton deri te finalizimi i asaj  sakrifice të shumë dëshmorëve.Këtë e dëshmon se pas njëqind shekujve i erdhi aroma lirisë së shumëpritur, dielli pas njëqind shekujve  lëshoi rrezet e arta edhe mbi nënqiellin e Kosovës, jep mesazh të qartë, të ndalet edhe plaga shekullore e mërgimit dhe tashti të krijohen kushte për t’u kthyer që t’i kontribuojnë atdheut.Kjo shumë qartë paraqitet përmes vargjeve poetike:

“Pas njëqind shekujve
Trëndafilat çelin me kohën
Të shpërblyerit t’i pagëzojë
Gjaku i lirisë
Gjëmon atdheut”
(Diell pas njëqind shekujve)

Të njejtit stil me porosi e motive patriotike janë edhe poezitë: “Përmes emrit dhe gjakut”, “Kosovë më bën dritë”, “Hartë e përthyer atdheu”, ”Ku ikën shpirtëvrasësit”,”Pritje e gjunjëzuar” etj., dhe të motivit të gurbetit:”Ruaje këngën në mëgrim”, “Kujtime për mërgimtarin”, ku secila poezi në brendinë e saj ruan figurshmërinë dhe mesazhin varësisht cilit motiv i drejtohet autorja.
Në disa nga poezitë të cilat të prekin thellësisht në shpirt, autorja paraqitet me ofshamat e saja të cilës ia imponoi padashtas fatëkoha me një bardhësi të njollosur në shpirt.P.sh: “Mos më pagëzoni ogurzezë”, “Pak buzëqeshje”,”Këmbanat e mbrëmjes”,” “Zhveshur drei në lëkurë”, “Skenar i çarçafit të zhgarravitur” etj., ku japin qartë tërë atë përpjekje të autores të paraqes atë çka e mundon në shpirt përmes vargjeve të këtyre poezive.
Prej gjithë kësaj që u tha deri tani mund të themi se poetja  Shqipe Hasani me këtë libër vetëm e ka dëshmuar veten se me sukses di ta ruaj vlerën e shkrimeve të saja dhe ta forcoj vargun me qëllim që ta avancojë nivelin e shkrimit edhe në veprat e ardhshme…