E shtune, 20.04.2024, 11:04 AM (GMT+1)

Kulturë

''Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis''

E shtune, 18.04.2009, 09:50 PM


“HISTORIA DE VITA ET GESTIS SCANDERBEGI EPIROTARVM PRINCIPIS”

Rizgjon surpriza,në origjinal i librit të Marin Barletit i shtypur në Romë
Qytetërimi ilir kishte filluar shkrim-këndimin me alfabet, në një hap me të gjithë Mesdheun

Këtë kopje të rrallë, në latinisht e ka Biblioteka e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër; libri me sa duket ka ardhur fillimisht në Shkodër në odise-rrugëtimin e gjatë, përmes një librarie antikuariatesh nga Italia. Në këtë origjinal të botimit të Romës, fillim i shek. XVI, ka një vulë mjaft interesante; letra/karta e shtypshkrimit, e parë në dritën e diellit është e stamposur me një figurë shqyt që inkuadron një kurorë mbretërore! Kjo mbase mund të kishte qenë Kurora Mbretërore, për Gj. K. Skënderbeun si “Mbreti i albanëve dhe epirotëve”, e premtuar nga Papa Piu II dhe e parapërgatitur për t’u sjellë në Durrës në vitin 1464, sëbashku me Festen e Kardinalit për kryepeshkopin Pal Ëngjëlli (?!); në faqen e fundit të Librit XIII, paraqet alfabetin latin, një pjesë kjo që nuk ishte botuar në përkthimin shqip, bazuar në botimin latinisht në Gjermani në vitin 1537.

Përse dhe në cilin vit u botua u botua libri i rilindësit evropian Marin Barleti, “Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarvm principis”?

Në gazetën Shkodra, datë 2 dhjetor 1999, studiuesi shkodran Agron Luka, publikoi një studim, me të njëjtin titull të këtij paragrafi, të cilin e kishte sinjalizuar dhe e kishte diskutuar me prof. I. Zamputi dhe prof. Dh. S. Shuteriqin, së paku qysh nga viti 1983. Në publikimin e vitit 1999, studiuesi pati fare pak mundësi ta konsultonte këtë origjinal, me sy të lirë në Bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Sigurisht atë kohë nuk ishin mundësitë e sotme kompjuterike. Në vitin 2002, me kërkesën e dr. Moikom Zeqos, ish drejtor i MHK, ky studim dhe disa të tjerë u fotokopjuan për arshivën e këtij institucioni. Në studim, kundërshtoheshin pikëpamjet dhe interpretimet e disa autoriteteve se, ky libër, të cilin ne e kemi bërë si zakon ta quajmë shkurtimisht “Historia e Skënderbeut”, ishte shkruar për t’i nxitur alban/shqiptarët për kryengritje të reja antiturke të panumërta, në lidhje me disa premtime për organizimin e një Kryqëzate të Re, nga Vatikani etj! Studiuesi A. Luka solli argumente dhe fakte bindëse duke vërtetuar të kundërtën, se në kohën konkrete nuk kishte asnjë lloj shprese të tillë, as në situatën politike dhe as në vetë shkrimin dhe bindjen e M. Barletit. Këtu, për lexuesit sa më shkurt, po rikujtojmë vetëm pohimin e përfundimin e Barletit, kur sapo e kishte filluar librin: “...në Albani/Epir nuk gjen as vend, as trup, as frymë, as zë të lirë.
Dhe ka pllakosur një mjerim i tillë, sa që bëj çudi se me ç’mënyrë do të mund t’ia dalim ne e t’i durojmë këto të zeza. Prandaj nuk do të thosha ndoshta më kot se, Epiri vdiq bashkë me kryetrimin, qoftë sepse kështu e desh rregullsia e fatit, qoftë sepse e tillë qe burrëria dhe kësmeti i jonë” . (M. Barleti, HS, bot. shqip, 1967, Libri I, f 50-51. Për një sqarim të vogël dhe për mos ngatërresë: botimi HS ka XIII kapituj, të cilët në gjuhën e asaj kohe quheshin edhe si libra, pra botimi kishte XIII Libra). Qëllimi kryesor i M. Barletit dhe i të gjithë bashkatdhetarëve që e kishin nxitur, ndihmuar, përkrahur dhe që madje i ishin lutur, për ta shkruar këtë libër, ka qenë për t’a përjetësuar në histori tërë epopenë e lavdishme dhe qytetërimin alban-epirot sëbashku me heroin e tyre, si një detyrim për qytetërimin progresist rilindës evropian dhe pastaj për një sërë qëllimesh e detyrash të tjera fisnike, që ky kolos ia linte porosi brezit të pasardhësve. Ndër këto, M. Barleti njihet edhe si filluesi i shkencës albanologjike. Me gjithë gjendjen e rëndë, M. Barleti ishte optimist se ky popull kaq i lashtë, megjithatë nuk do të zhdukej por do të mbijetonte.
Në pjesën tjetër, studiuesi A.Luka diskutoi në lidhje me vitin e botimit të HS. Simbas pikëpamjes së  autorëve F. Pall, F. Noli, S. Prifti, Dh. S. Shuteriqi etj, vepra HS mendohej se ishte botuar midis viteve 1508-1510. F. Noli e mendonte në vitin 1506, ndërsa studiuesi shkodran autoritet, M. Prendushi e linte të hapur çështjen e vitit të botimit, duke theksuar se data nuk mund t’i vendosej arbitrarisht, përderisa vetë botimi nuk e përmbante. Studiuesi A. Luka, duke hulumtuar brenda rreshtave, në të dy botimet e njohura të M. Barletit (RrSH dhe HS), solli  citime të disa pasazheve, të cilat i kishin shpëtuar vëmendjes analizuese të studiuesve të deriatëhershëm. Në këtë mënyrë ai solli disa arsyetime që e lëkundnin dukshëm çështjen e botimit të HS më 1508-1510, dhe ndoshta e spostonin disi përtej vitit 1514.
Për lexuesit e sotëm, përsëri ne po  risjellim një paraqitje të përmbledhur: Në HS, në faqen e fundit, të Librit XIII, f 494, M. Barleti  pohonte se, ai kishte shkruar më përpara, një “libërzë” për rrethimin dhe pushtimin e qytetit të Shkodrës nga Sulltan Mehmeti II, në vitin 1504; Në f 248, të HS, Lib. VI, M. Barleti pohonte se “në ushtrinë e Gj.K. Skënderbeut, kishin shërbyer me nam, trimëri e lavdi, në kohë të ndryshme, shumë nga bashkëqytetarët e tij shkodranë, të cilët edhe ai vetë i kishte njohur”. Një ndër këto rezultonte se kishte qenë  Frat Bartolomeu, njëri nga më të shquarit udhëheqës të qëndresës së lavdishme të Shkodrës më 1478-1479. (Krhs, RSH, bot. 1982, f 57; bot. 1967, f 52). Me këto pohime, nuk vihej në dyshim se HS ishte shkruar mbas RrSh, pra mbas vitit 1504. Çështja tashti mbetej se kur dhe sa vjet mbas 1504, kishte filluar t’a shkruante dhe t’a dërgonte për botim, M. Barleti librin HS?
Në HS, f 51, Libri I, në Parathënie, M. Barleti, shkruante: “Ka shumë vjetë tanimë që unë, - ju them sinqerisht të vërtetën – po e bëj zap këtë dëshirë për të shkruajtur, po hedh poshtë lutjet e shumta të miqve, të cilët ma kërkonin këtë me ngulm... megjithëqë që nuk pushojnë së botuari çdo ditë (më falni për shprehjen) fjalime të reja dhe kujtime të panumërta, gjer në shpërdorim...”. Kështu, sipas këtij pohimi, dilte menjëherë arsyetimi logjik: sa vite mbas 1504, duheshin kuptuar këto “shumë vjet”, në të cilat Barleti e kishte bërë zap dëshirën për të shkruar? Mund të quheshin “shumë vite”, dy vitet e Nolit, apo ato 4 vitet deri te 1508-ta?! Kronologjia e vitit 1508, ishte nxjerrë nga autori rumun F. Pall, sipas kësaj të dhëne të Barletit: “Tani siç marr vesh, pasi himariotët thirrën me dëshirën e tyre nga Apulia, trupat dhe flamujt e spanjollëve kanë njohur një prijës dhe kanë filluar një mënyrë jetese më të kulturuar”. (Shih, HS f 97, Lib. II; F. Pall, “Marino Barleti, uno storico umanista”, Bucaresti 1938, f 12) Pra këtë ngjarje a kryengritje antiturke, F. Pall e datonte si e ndodhur në janar 1508. Mirëpo nëqoftëse kjo ngjarje rezultonte kështu, duhet të logjikojmë se jemi vetëm te Lib. II, f 97 dhe nuk duhet të harrojmë se kemi përpara edhe plot XI libra/kapituj, plot 397 faqe të tjera! Përse Barleti duhej t’a vinte këtë të dhënë kronologjike midis rreshtave dhe nga ana tjetër nuk vendosi asnjë të dhënë tjetër kronologjike?! Me këtë rast, vepra po shkruhej e po botohej pjesë-pjesë, d.m.th libra-libra?! Por, kjo kronologji e vitit 1508 nuk ishte aq absolute, pasi nuk dihej se kur i kishte rënë në vesh ky lajmi Barletit, flakë për flakë, apo më vonë.
Pastaj kishte mundësi që kjo lëvizje himarjote të kishte ndodhur edhe më vonë dhe me atë kuptoheshin pak a shumë një formë venomesh. Gjithsesi, arsyetimi na çonte te konstatimi se edhe sikur rasti të merrej i mirëqenë, vepra nuk ishte mbaruar më 1508, por ishte në proçes shtypshkrimi. Duke e konstatuar këtë një seri autorësh e kishin korrigjuar F, Pallin, duke ia futur aforfajt 1508-1510. Siç e thamë, nga 1508, duheshin edhe XI libra të tjerë, që ishin edhe më të gjatët e më të vështirët. Edhe vetë ajo “mënyra e filluar e kulturuar e jetesës” e presupozonte një farë kohe apo jo. Në vitin 1508, kur ta zëmë se, kishte filluar së shkruari Barleti, vërehej se nuk gjendeshin as fjalime as kujtime të botuara, të cilat ai i kishte përmendur. Këto do të fillojnë nga 1510 e përtej, me shkrimin dhe botimin e Gjenealogjisë së Gjon Muzakës. Por, kishte edhe një arsyetim, M. Barleti nuk kishte përse t’ia kushtonte veprën pasardhësit nipit të Skënderbeut, Don Ferrante Kastriotit, kur deri më 1514 ishte gjallë vetë i biri  Gjon Kastrioti! Me këtë rast nipi tjetër Gjergji i Ri, nuk përmendej sepse jo vetëm që kishte dezertuar, por edhe se kishte vdekur. Për të hedhur në diskutim edhe një hipotezë alternative, studiuesi  A. Luka kishte gjetur dhe krahasuar dy episode në veprën “Rrethimi i Shkodrës”, bot. 1504 dhe në “Historia e Skënderbeut”, pa datë botimi.
Të dy këto episode lidheshin me Sulltan Bajazitin e II, 1481-1512. Në RrSh, f 54, shkruhej: “Mehmeti II ishte i jati këtij Bajazitit II, që sundon sot” dhe kjo ishte fare normale, sepse Bajaziti II ishte gjallë. Ndërkaq në veprën HS, f 56, Barleti shkruante: “Kulti i rreptë i dervishëve, në kohën kur mbretëronte Sulltani Bajaziti II, duke dalë nga rruga e tyre dhe duke bërë krime në shumë vende, për këtë u zhdukën dhe u shfarosën krejt prej tij”. Kështu, meqenëse këtu flitej për Bajazitin II dhe në kohën e shkuar, duhet t’a kemi parasysh se Bajaziti II, kishte vdekur më 1512. Meqenëse këtu me këtë episod,  jemi  te libri I, si arsyetim kronologjik do t’i binte që libri të ishte futur në shtypshkrim, përtej 1512 dhe ndoshta edhe përtej 1514! Vepra HS, nuk pati datë botimi! Ky libër ishte një ndërmarrje krejtësisht private, ajo i kushtohej “Princit shumë të ndritur të Epirotëve Donferrand, nipit të Skënderbeut”. Pra nuk kemi asnjë lloj kushtimi ndaj ndonjë personaliteti të lartë të Romës dhe as të Vatikanit! Të vërejmë se, libri RrSh, i kushtohej Princit Leonard Loredanit, Dogjës së Venedikut dhe vetë Senatit të Venedikut! Pra ka një dallim të dukshëm, apo jo!  Përse ky mister pa datën e botimit në HS, kur te Rrsh, data shënohej e saktë, 10 janar 1504?!
Prof. Dh. S. Shuteriqi mendonte dhe e shprehte hapur se, HS, në Romë qe futur në një lloj indeksi çensurues nga Vatikani! Analizuesit që ne i sipërpërmendëm, shpreheshin se shënimi në fund të librit: “Impressum Romae per B.V.” duhej shpjeguar, “Shtypur në Romë prej Benetus de Vitalibus”, ku për inicialet B.V. mendohej se duhej të ishte po i njëjti botues që kishte shtypur librin “Rrethimi i Shkodrës”. Dhe, përse botuesi duhej me iniciale, kur te RrSh prezantohej me emër të plotë?! Mos kjo B.V. mund të ishte edhe “Biblioteca Vaticana”?

Nga erdhi ky libër origjinal në Shkodër dhe çfarë surprizash na ofron ai?

Ky libër origjinal i botimit të Romës, në fillim të shek XVI, aktualisht është fond i Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, me Nr. Inv. A/5398, në Shkodër. Edhe më përpara ka qenë fond i Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër, sikurse shihet edhe nga disa vula të asaj biblioteke, me të njëjtin Nr. inv. A/5398. Kapakët e kopertinës  kanë një mbështjellje të rëndomtë dhe të pakujdesshme. Do të ishte e nevojshme që t’i bëhej një restaurim, nëqoftëse ata janë të origjinalit ose përndryshe duhet menduar për një kopje të ngjashme me origjinalet e tjera. Në faqen e brendshme të kapakut  të përparëm, ka një fletë të shkruar të ngjitur, nga ku ne informohemi se, kjo kopje origjinale, në rrugëtimin e saj, ka ardhur nga Italia, duke pasur si stacion një librari antikuariatesh. Fleta shkruan:  LIBRERIA ANTIQUARIA DI DARIO GIUSSEPE ROSSI CORSO, 33-40. Kjo fletë adrese është një stampë e porositur shtypshkronje, e cila iu ngjitej si duket librave të kësaj librarie. Mirëpo për fatin e keq, kësaj adrese i mungon informacioni se cilit qytet i përkiste kjo librari dhe se në çfarë vitesh kishte funksionuar.
Gjetja e kësaj adrese fillimisht, për të synuar pastaj në ndonjë hetim edhe më të thellë, detyrimisht duhet kërkuar nga ndonjë lidhje me specialistë italianë në Itali. Pasi ka mbërritur në Shqipëri, kjo kopje origjinale, sikundër vërtetohet nga disa vula, ka qenë pronë e një biblioteke, e cila në vulat e saja shënohet: si “BIBLIOTECA MISS. VOL. ALB.”, pra “Biblioteka e Misionarëve Vullnetarë Albanezë/Shqiptarë”. Nga sa na kumton ish bibliotekari, enciklopedia e gjallë, prof. W. Kamsi (i cili e ka blerë këtë libër nga një person civil), kjo bibliotekë, ka qenë një organizim i  misionarëve vullnetarë katolikë shëtitës nëpër malësitë e veriut, me një fillesë qysh nga një kohë e hershme e shek XIX e deri aty te viti 1914. Në frontespicin e njohur tashmë, ky botim, në pjesën e djathtë poshtë, ka një vulë e cila sado me mjaft vështirësi na lejon të shprehemi (me dyshim ?) se është një shqiponjë biqefale me një kurorë mbretërore në mes dhe me një yll të Davidit në mes të trupit të shqiponjës. Sigurisht se kjo vulë do të kërkonte një teknikë më moderne. Në qoftë se kjo vulë nuk rezulton e ndonjë kronologjie të vonë të shek XIX, atëherë mbetet e hapur edhe hipoteza se mbase i përkiste një libri e vule të ish pasardhësve Kastriotë. Le të qëndrojmë edhe pak te kjo faqe.
Siç njihej me kohë, në krahun e majtë të minigrafikave, ka dy shqiponja të puthitura. Specialistët heraldistë italianë kishin shprehur një mendim se kjo paraqitje e përzgjedhje ishte bërë nga ilustratorët e shtypshkronjës, nga improvizimet e formatet shtampë që kishin ata dhe nuk kishte lidhje me ndonjë përzgjedhje të vetë porositësit të librit, me këtë rast Barletit. Një vërejtës e kishte menduar si një kopje nga një punim në dru, si një ish ilustrim i një skene homerike ku përplaseshin dy shqiponja. Dr. M. Zeqo te gazeta “Koha Jonë”, 1999, kishte shprehur një opinion se kjo  shqiponjë duhej të ishte një nga heraldikat më të hershme e origjinale të familjes Kastrioti, sipas përzgjedhjes e dëshmisë së vetë Barletit. Më së fundi, edhe pse e kishte konstatuar qysh nga vitet 70-të, A. Luka është shprehur se ndoshta kjo lidhej si një shqiponjë e fisit alban-epirot, në objektet shtiza me shqiponja me derdhje, të cilat te M. Barleti në disa raste na paraqiten në bashkëshoqërimin si dy objekte të veçanta: si “flamurë e shqiponja” (shih HS, f 93; f 408) krahas asaj ndarjes antike në flambularë-bajraktarë (HS, f 184 etj). Në krahun e djathtë, shihet edhe mirënjohura ulkonjë e Romës me dy binjakët Remin dhe Romulin, e cila ishte mjaft mirë e njohur edhe në Iliri, jo vetëm nga monedhat e shumta romake, por me gjasa edhe nga legjendat më të hershme persiane, për Kirin e Persisë, të cilin gjithashtu e kishte ushqyer një bushtër-ulkonje. (Kjo kërkon një trajtim më vete). Karta/letra, me të cilën është shtypshkruar në latinisht libri i M. Barletit, sipas një opinioni të shprehur nga vizitori dr. Musa Ahmeti, ka gjasa se mund të jetë disi më e vjetër se sa koha e shtypshkrimit.
Bazuar në pamjet në dritën e diellit, ne na ka rezultuar se të gjitha letrat janë të stampuara, dhe ndër të gjitha aty dallohet një figurim në formë shqyti që inkuadron një kurorë mbretërore. Këtë për t’u siguruar ne e kemi fotografuar me aparat dixhital. Nisur nga ky fakt, ne mendojmë se, kjo kartë/letër është e porositur posaçërisht dhe gjithashtu , fillimisht mendojmë se letra nuk mund të jetë shumë kohë më e vjetër se sa shtypshkrimi, në një përmasë kohore të ekzagjeruar.  Gjithsesi, kjo do të kërkonte një ekspertizë të specializuar, sepse nuk mund të vendoset kështu, si i thonë “me tahmina e badihava”!
Duhet sqaruar në Itali me specialistët e botimeve mesjetare, nëse ka pasur ndonjë kartë/letër tjetër format të kësaj natyre në Romë(?) Ndërkaq, në pritje të këtij sqarimi, ka edhe një mendim tjetër hë për hë, më shumë se sa një hipotezë e thjeshtë. Sipas mendimit të studiuesit Agron Luka, kjo mund të ketë qenë Kurora mbretërore për Gj. K. Skënderbeun si “Mbret i Albanëve dhe Epirotëve”, e premtuar dhe e parapërgatitur për t’u sjellë në Albani, në Durrës më 1464, nga Papa Piu II, sëbashku edhe me Festen e Kardinalit për kryepeshkopin e Durrësit Pal Ëngjëlli. Nën këtë Kurorë, ka edhe një figurim tjetër që kërkon një trajtim të veçantë dhe të kujdesshëm, për të mos u shprehur me ndonjë gafë para kohe. Për çështjen e akordimit të kurorës mbretërore “de jure e de facto”, nga vetë Papa Piu II, autori Agron Luka, në vitin 2008, ka publikuar një studim të veçantë, të cilin “Shoqata Atdhetare Dukagjini” dhe “Shoqata Integrimi në Evropë” ia kanë dërguar personalisht Papa Benediktit XVI dhe specialistëve të Arkivit të Vatikanit dhe kanë marrë një përgjigje inkurajuese. Le të shpresojmë në një zbulim dhe një sqarim definitiv, mbasi na është komunikuar edhe një afat deri në vitin 2012. (shih Përgjigjen e skanuar;
Studimi mund të ripublikohet mbas këtij anonçimi). Ky botim, në fund, në faqen ku përfundojnë komplet të XIII librat/kapitujt, sikurse edhe mund të konstatohet nga skanimi, ka të regjistruar edhe germat e alfabetit latin, paraqitje kjo që nuk ka figuruar në botimet e përkthimit shqip. Në libër ka edhe tek-tuk ndonjë mbishkrim me dorë nga përdoruesit, siç duhet të jetë i vonë një datim i vitit 1508, i shkruar me dorë. Duke gjykuar disi, për arsyen e vendosjes së alfabetit latin në fund, ndonëse duket si pa lidhje, mendja na shkon pak më larg, në vitin 1367, kur: “Magister Johani, doktor në gramatikë, deklaron, se premton dhe detyrohet kundrejt presbiterit Andre të Shën Palit dhe Pultit, se do t’ia mësojë nipin e tij Nikollën, të lexojë e të shkruajë mirë, sipas mënyrës tregtare, dhe do t’i mësojë atij Donatin dhe Katonin që të dijë t’i përkthejë...”. (Acta et Diplomata, II, 233, sipas origjinalit latinisht) Dhe është shumë e qartë se ky djalosh shkruan albanishte/shqipe me germa latine si “shkrimin tregtar” dhe më pastaj mësohet të përkthejë nga latinishtja në shqip. Po kështu për të rikujtuar: “Dhe sado që ata albanët kanë një gjuhë tjetër fare të ndryshme nga ajo latine, megjithatë ata kanë në përdorim, si edhe në të gjitha librat e tyre alfabetin/shkronjat latine”. (Rel. i Kryepeshkopit të Tivarit, më 1332, “Bur. të Zgj. për Hist. Shqip.,
Vëll II, 1962, Dok. Nr. 68, f 111). Për t’a përforcuar, po kujtojmë faqen 222 të HS, ku Barleti e nënvizonte termin “Qytetërimi Alban” ose faqen 255, ku e nënvizon fjalën “në gjuhën albanese”. Ka ardhur koha që disa tabu, të thyhen, sepse qytetërimi ilir, alban, dardan e epirot, të cilët lidhen në një etnos, sadokudo me objekt të kufizuar, në monedha, terrakota etj, siç mendon studiuesi A. Luka, e kishte filluar shkrim-këndimin me alfabet, pothuajse në një hap bashkëkohor me të gjithë Mesdheun. Do të ishte e pafalshme të na humbë “sy ndër sy e ndër duar e turi”, karta e identitetit tonë të lashtë!

Nga Agron Luka, studiues Historie
dhe Magister Amir  Ballaj
Drejtor i Bibliotekës Shkencore
Universiteti “Luigj Gurakuqi”
Shkodër



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora