Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Një mbrëmje e paharruar: sukses i merituar i sopranos shqiptare

| E merkure, 25.07.2007, 06:01 PM |


Ermonela Jaho në rolin e Mimísë të operas Bohème të Puccinit.

Nga: Mërgim Korça

Teksa spektatorët e Operas Detroitit dora, dorës mbushnin sallën, porsa uleshin lexonin të shkruar mbi perden e skenës pohimin e ftohtë, të egër apo daç edhe të frikshëm për këngëtarët lirikë : Bohema ësht’ajo shkall’e karrierës që të çon: 

- Në Akademí  
- Tek dhoma mbretërore
- Në morg!

Së bashku me gruan vajtëm t’a shihnim këtë kryevepër muzikore të melodramit italian të shekullit XIX-të se një mik i yni tenor na ftoi e na tha se në rolin e Mimí-s (primadonnas) do të debutonte këtu në Amerikë një soprano shqiptare.  Emocione nuk kisha fare.  Kjo doemos jo për fajin e sopranos po për mosdijen nga ana e ime se në fushën e belcantos një soprano e re shqiptare kish filluar të afirmohej me autoritet.   Emri i saj nuk më thosh akoma asgjë.  
Njerëzit kishin zënë vëndet.   Asnjeri më s’pipëtinte.   Sa vinte e po zbehej   ndriçimi.   Dirigjenti nxitoi tek podiumi ndërsa një duartrokitje e filluar si e ndrojtur e përfshiu të gjithë sallën. Ngrihet perdja.   Parasysh na shfaqet skena e zakontë e papafingos pariziane që ç’prej të largëtit 1 shkurt të vitit 1896 paraqet skenën e parë të aktit të parë të operas Bohème të Giacomo Puccinit me libret të Giuseppe Giacosas edhe Luigi Illicas.  

Filloi Marcello, piktori duke pikturuar e duke kënduar:
Ky det’i Kuq më zbut’edhe ngrin,
sikurse rrëké më lëshon mbi trup.
Për t’u hakmarrë, e mbys një Faraon!
(I drejtohet Rodolfos)
Po ti ç’bën?

Rodolfo :
Në qiejt’e përhímë
shoh Parisin që tymos
nga mijëra tymtarë …

Që në batutat e para të saj, muzika, ajo vetë mahnitëse e Maestro Puccinit, e luajtur me një profesionalitet shkalle mjaft të lartë nga orkestra e Operas Detroitit, e pleksur edhe me faktin që teksti i dëgjuar prej meje me qindra herë përgjatë dhjetëvjeçarëve të shumtë, e hoqën si me dorë indiferentizmin tim të fillimit.
Kësisoji, tek rridhnin ëmbël e të kënduar vërtet mjeshtërisht motivet pucciniane të vargjeve të melodramës herë nga Rodolfo, i pasuar nga Marcello e pastaj, dora, dorës edhe nga Colline edhe Schaunardi, erdhi edhe çasti kur duke kërkuar çelësin q’i kishte humbur Mimísë, Rodolfi i a prek dorën e saj të ftohtë.   Në atë çast ai e shpalos zërin e tij të ngrohtë me një mjeshtërí e cila nuk mund të shpërfillej duke e kënduar arjen e famëshme :

Sa dorë e ftohtë,
Lejomëni t’ua ngroh.
Ç’kuptim ka kërkimi,
n’errësirë nuk gjëndet.
Po për fatin e  mirë,
është natë me hënë,
e këtu hënën …

Kush jam ?
Jam një poet.
E çfarë bëj ?
Shkruaj...

Tek e këndonte këtë arje me një teknikë, timbër, ngjyrë si edhe volum të lakmueshëm tenori hungarez Attila Fekete, (i cili kishte patur suksese që nga Europa e deri në Japoní), filluan të më djersinin duart :  a thua bashkatdhetarja ynë, Mimíja e sontme, do t’ish e atij niveli ?  

Sapo e mbaroi tenori kalimin:
Tani që më njohët,
flisni ju, de !  Flisni.
Kush jeni ?  Ju lutem flisni.

nëpër sallë ushtoi një zë skajshëm i ëmbël, ku fjalët e vetparaqitjes sikur rrëshqisnin përgjatë një shtrese prej kadifeje :

Po, më quajnë Mimí,
po emrin e kam Lucía.
Historia ime ësht’e shkurtë:
mbi beze a mëndafsh
qëndis në shtëpi ose jashtë…

Sa më gjatë vazhdonte arja, aq m’i magjepsur bëhej publiku.   Ermonela Jahua e kish pushtuar sallën!   Ai n’ato çaste varej nga buzët e Mimísë shqiptare !    E tek Mimía i këndoi vargjet e fundit të arjes :

Më pëlqejn’ato gjëra,
që kanë t’ëmbël magjepsje,
që flasin për dashurí, për pranvera,
për ëndërra … edhe me sy hapët,
ato q’e kanë emrin poezí…
Ju më kuptoni?

salla si me komandë, shpërtheu në duartrokitje!
E të tilla duartrokitje, me perde të hapur, do t’a shoqëronin nga fillimi në fund secilën arje të operas pucciniane kënduar me një mjeshtërí shumë premtuese nga sopranoja e re shqiptare e gjithashtu edhe nga e gjithë trupa.

Akti i dytë praktikisht është akti i Musetës e Marcellos, e pastaj me radhë i Schaunardit edhe Collinit.    Kurse Mimíja e Rodolfi me ndërhyrjet e ndërsjella e endin hap mbas hapi dashurin’e tyre.

Rodolfi:
… jam unë poeti,
kurse ajo poezía.
Nga truri im lulëzojnë motivet,
nga gishtat e saj lulet lindin;
prej shpirtave ngazëllues
lulëzon dashuria.

Mimíja :
Ç’prej kaq kohe
skufja ësht’e dëshiruar!
Ai dijti e lexoi atë që
zemra fsheh.  E tashti ai
q’e lexon brendín’e zemrës
di dhe e njeh dashurinë.

E kështu përmes tekave të Musetës ndaj Alcindoros, (plakut marrok q’e ndjek i çmëndur nga hiret e saj),  dhe egërsísë xheloze të Musetës ndaj Marcellos, i cili aq qet’e merr relacionin me të, lulëzon dashuria e mbretëreshës së melodramës, Mimísë me Rodolfin !   Gjithë híre femërore por aq edhe  naíve dhe e sinqertë del figura e Mimísë.  Dramaticitetit të egër të lozonjares Musetë i kundërvihet  vokali i ëmbël ku akutat e herëpasherëshme nuk janë therëse, përkundrazi, përkëdhelëse të sopranos shqiptare !   E të dyja së bashku japin kuadrin e plotë të krijuar nga dy të kundërta :  nga njera anë lozonjarja në krizë xhelozije ndaj Marcellos dhe si grifshë mëndjelehtë shan, përflet edhe thyen duke i shoqëruar këto akte me vokal dramaticiteti të lartë. 
Nga ana tjetër kemi ëndërruesen e hipur mbi kreshtën e dallgës së dashurisë së gjetur, që e shpalos vokalin e saj lirik me të gjithë shtrirjen e tij melodioze e cila veç mundohet të kuptojë edhe të falë!   
Duartrokitje të fuqishme e shoqëruan edhe mbarimin e aktit të dytë.  Ky akt duket sikur nxjerr në pah lozonjaren tekanjoze dhe të egër.   Dhe në fakt ashtu ësht’i ndërtuar gërshetimi sepse edhe të katër shokët e mbyllin me kuartetin :
Rroftë Museta! Zemër çapkëne!
Lavdi edhe nder, nder e lavdí
e lagjes latine!

Por në fakt sopranoja shqiptare Jaho ish ajo që do të thoja se me finesën e saj interpretuese dhe duke rrokur notat akute me ëmbëlsí të theksuar dhe lirizëm të skajshëm e pa tone dramatike që plagosin, shpalosi një paraqitje force që ve në dukje sigurí mjetesh edhe teknike.   Kësisoji ajo dijti të imponohet dhe tregoi se ajo qé, edhe përgjatë aktit të dytë, primadonna e shfaqjes.  

Akti i tretë është edhe nyja dramatike e të gjithë operës Bohemë.    Marcello me Musetën nuk kanë asnjë problem ndjenjash në lidhjen mes  tyre e kësisoji grinden, shahen, ndahen e bashkohen së rishmi pa probleme.  Ndryshe qëndron puna mes Mimísë dhe Rodolfos.   Ata dashurohen marrëzisht por janë fukarenj.   Mimíja ësht’e sëmurë nga mushkëritë.   Rodolfoja e ndjen veten përgjegjës për përkeqësimin e sëmundjes së saj se nga të katër anët i hyn era dhomës së tij që kurrë nuk ngrohet.   E të gjitha këto mësohen nga publiku, si edhe nga Mimíja e cila përgjon, përmes shkëmbimi replikash mes Rodolfos e Marcellos.   Ja edhe pohimi madhor I Rodolfos :

Mimíja është një lule sérre.
Varfëría e ka fishkur;
për t’ia kthyer jetën
nuk ësht’e mjaftë dashuría !

Dhe Mimíja nga an’e saj, e ndërgjegjëshme tashmë se jet’e saj ka marrë fund, përgjigjet me arjen e famëshme që aq ëmbël dhe me shpirt e interpretoi znj. Jaho :

Prej nga e gëzuar doli,
                  nga thirrja e yte dashurore,
ktheu tashmë Mimí
në çerdhen e vetmuar.

I gjithë akti është një ballafaqim i kontratës bashkëjetesës mes Musetës e Marcellos ku replikat fyese ndjekin njeratjetrën mes tyre, si edhe i dueteve dashurore të Mimísë me Rodolfon që vendosin t’a kalojnë së bashku dimrin e pastaj me ardhjen e diellit pranveror … të ndahen.   Duetet, për vetë vijën melodíke të  tyre, janë vërtet kryevepra gërshetimi vokalesh mes sopranos edhe tenorit.   Me kënaqësí e pohoj se edhe tenori i ri hungarez Fekete dijti të imponohet para spektatorit si një personalitet n’interpretimin skenik që ai bënte  e gjithashtu edhe vokalisht.  Por nuk mundem të mos e theksoj së rishmi se sopranoja shqiptare na u paraqit edhe përgjatë këtij akti, tejet bindëse me interpretimin e saj skenik që të ishte koherent me situatat shpirtërore, por edhe shpalosi një përgatitje teknike vokale pa të çara.   Ishin shembullore kalimet e saja vokale nga regjistra të ulët e derisa pastaj crescendoja rrokte shumë ëmbël mes flatrave të saj notat akute me pastërtí timbri si edhe gjithë ngjyra zëri, si të ishte një soprano tashmë me përvojë të gjatë skenike.  
E kështu, mes interpretimesh që vërtet dora, dorës po ia rrisnin vlerat të gjithë trupës së këngëtarëve, erdhi edhe akti i katërt, ose më mirë të themi mbyllja me tragjedí e melodramës Bohème.   Akti i katërt është në fakt edhe ai që paraqet kolapsin e gjith’asaj ç’është ndërtuar përgjatë tre akteve të tjerë :  Mimíja, shtylla kurrizore e melodramës, vdes !  
Mes bisedash ku strumbullari është gjithmonë varfëría e katër shokëve e replika të pafunda gazmore shkëmbehen, veç kur vjen Museta e lajmëron se po i ngjit shkallët  Mimíja tashmë e sëmurë rëndë e që ka shfaqur dëshirën të vdesë tek Rodolfoja.   E gjithë atmosfera e gëzuar … ngryset.   Me të ardhur, Mimínë e shtrijnë në të vetmin divan të dhomës dhe e mbulojnë se ka të ftohët.   E ashtu e shtrirë, pozicion i cili paraqet vështirësí jo të vogla për këngëtaren, (për vetë pozicionin që merr diafragma), Mimíja, duke i u drejtuar Rodolfos me një interpretim shkalle tejet të lartë profesionale, me një zë që nuk ka më asgjë të përbashkët  me zërin që këndoi arjet e tre akteve të shkuara por që tashmë sa vjen e venitet … këndon arjen e famëshme :

Shkuan të gjithë?  Unë bëja
sikur flija sepse desha
vetëm me ty të rrija.
Ka shumë gjëra që të t’i them
dua, por një të vetme,
të pafund si vetë deti,
si deti e thellë dhe e pafund …

(I a hedh duart në qafë Rodolfos)
Je dashuría ime dhe e gjithë jeta ime!

E kështu, mes replikash që vijnë gjithënjë duke u shkurtuar e doemos edhe me zërin që sa vjen edhe i shuhet, vjen edhe çasti dramatik kur Mimísë i shuhet jeta !  
Mbas rënjes së perdes të skenës, vërshuan duartrokitjet.   Ato u zgjatën aq shumë sa që kur në skenë doli edhe heroina e mbrëmjes, Ermonela – Mimíja – shqiptare, pa as më të voglin ekzagjerim … na u lodhën krahët së duartrokituri.   E gjithë salla nuk pushonte nga ovacionet.   E ky qe edhe shpërblimi më i madh që mund t’i bëhej asaj këngëtares e cila kishte kërkuar me këmbëngulje që në revistën e cila paraqiste premierën ku ajo do t’a luante rolin kryesor, të theksohej :   Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho e bën debutimin e saj në Amerikë në rolin e Mimísë  në Operan e Michiganit … e pastaj vijonte një biografi e shkurtër e saj.  
Disa konsiderata modeste që nuk rri dot pa i hedhur në letër vetëm si amator i madh i muzikës lirike që jam.  
Që në moshën dhjetëvjeçare e kam ndjekur lirikën me shumë dashuri i ndikuar nga nëna e ime.   Ajo më merrte me vete dhe kam patur fatin të shoh në skenë si Toti Dal Monten e gjithashtu edhe Rosetta Pampaninin.   Mbas vitit 1945 lirikën për dhjetravjeçarë e kam ndjekur fillimisht nëpërmjet radios e pastaj televizorit.   Duke qenë mësuar t’i dalloja që sa e hapnin gojën Maria Meneghini Callasin, nga Renata Tebaldi apo nga Renata Scotto, ose Leyla Gensherin nga Rajna Kabajwanskaja, Cecilia Bartoli  ose Leontin Price, ësht’e qartë se veshi im ësht’i thyer dhe i mësuar për dhjetravjeçarë me intonacionet, shtrirjen e regjistrave vokalë, timbrat si edhe ngjyrat e zërave të sopranove si edhe mexosopranove nga më të famëshmet e botës.   Përse e nënvizoj këtë fakt.   Sepse që nga akti i parë e derisa shuhet në skenë jeta e Mimísë – Ermonela, me mëndjen time bëja përqasjet me aq sa jam unë në gjëndje të gjykoj.   Mimíja – Ermonelë p.sh. nuk e interpretoi rolin e saj vetëm edhe thjeshtë e mbështetur në rregullat e teknikës vokale por ajo shpalosi një ekspresivitet shkalle vërtet të lartë me përzgjedhje si edhe personalitet të shquar artistik.   Ajo shfaqi një delikatesë të lartë sa u takon dritë-hijeve vokale.   Diapazoni i saj i shtrirjes vokale ishte shum’i gjerë duke shkuar nga frekuencat karakteristike të mexosopranove e deri lart tek ato të sopranove të koloraturës.   Tek zëri i saj unë shqova si dhuntí të posaçme ngjyrën e zërit të saj, i ndritshëm dhe diellor në notat e larta, kurse me një bronxim të vyer në notat e ulëta.    Një zë i plotë, kurrë i mprehtë, i çjerrë apo i tërhequr.  Zëri i saj ish vazhdimisht i pasur me dritë-hije edhe ngjyrë. 
E shikuar nga ky këndvështrim, e kam bindjen se Ermonela Jaho veç roleve klasike lirike të operave si La Traviata, Madama Butterfly, La Bohème ose La Wally si edhe të gjitha melodramave të kësaj gjinije,  ajo ësht’e prerë të interpretojë edhe në rolet kryesore të Normës, Giocondas, Andrea Chenierit, I Vespri Siciliani etj. ku primadonna duhet të spikasë edhe për dramaticitetin e saj.      
Sidoqoftë, këto radhë të hedhura në letër thjeshtë nga një amator i muzikës lirike, i entuziazmuar nga debutimi amerikan i sopranos shqiptare Ermonela Jaho Stafa, shpresoj të jenë një parashikim i një vazhde të ndritur suksesesh në të gjitha skenat e botës që i uroj  kësaj sopranoje nga zemra!

Detroit Nëntor 2005