E premte, 19.04.2024, 07:43 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vajza piktore që do të varet në Iran

E shtune, 18.04.2009, 09:22 AM


Eshtë dënuar kur ishte 17 vjeçe. Sipas avokatit të saj, është e pafajshme

Delara Darabi është një 23-vjeçare iraniane dhe ka si pasion pikturën. Pas dy ditësh do të ekzekutohet me varje, sepse në 2003-shin ndihmoi të fejuarin në një vjedhje. Delara u vetëshpall fajtore për të mbrojtur të fejuarin. "E dini se çdo të thotë të burgosesh 23 vjeçe? As që mund ta imagjinoni. Prej katër vitesh jeta ime është shndërruar në një ferr. Sapo mbusha 17 vjeçe erdha në këtë burg të mallkuar. Tani imazhi i vetëm që shfaqet para syve të mi është një mur i madh. Unë, Delara Darabi, e burgosur për vrasje dhe e dënuar me vdekje, jam mbrojtur në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme".

Delara Darabi është një vajzë iraniane, 23 vjeçe dhe pasioni i saj është piktura. I ka shkruar këto fjalë dy vite më parë. "Pas dy ditësh, më 20 prill, ajo do të varet", i ka thënë avokati i saj gazetës iraniane "Etemad". Delara ka lindur në Rasht, një qytezë pranë Detit Kaspik. Në 2003-shin, kur ishte 17 vjeçe, hyri së bashku me të shoqin, Amir Hossain, në shtëpinë e një kushërirës së babait për ta grabitur. Kushërira 58 vjeçe u plagos për vdekje dhe Delara u shpall fajtore. Më pas rrëfeu se vrasja ishte kryer nga i fejuari 19-vjeçar. Ai i kishte thënë që ta merrte ajo fajin përsipër, sepse meqenëse ishte minorene nuk do të dënohej me vdekje. Por, duke qenë se ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve, Irani i ndëshkon fëmijët njësoj si të rriturit. Djemtë dënohen duke filluar nga mosha 15 vjeç, ndërsa vajzat duke filluar nga mosha 9 vjeçe. Si Delara ashtu dhe Amir Hossein u dënuan me tre vjet heqje lirie dhe 50 goditje me kamxhik për tentativë vjedhjeje. Këtyre akuzave iu shtuan edhe 20 goditje të tjera me kamxhik për lidhjen e tyre ilegale. Ajo është dënuar me vdekje për një vrasje të kryer në vitin 2005. Ky është vendimi që Gjykata e Lartë mori në 2007-ën. Ishte vetë i ati që e dorëzoi në polici. "Mendova se po bëja diçka të mirë për drejtësinë", ka thënë ai duke lotuar në një dokumentar të fundit.

Atë natë të ftohtë të 28 dhjetorit të vitit 2003, po punonte në dyqanin e tij, kur e lajmëruan se e bija kishte vrarë kushërirën. Ajo nuk dëshironte të fliste. E kishin dërguar në burgun e Rashtit, ku sipas familjarëve nuk ka as edhe një ventilator për t‘u freskuar, ka vetëm një banjë për 100 persona dhe vizitat janë shumë të shkurtra.

Në 2007-ën Delara u përpoq të vriste veten duke prerë damarët, por fatmirësisht arritën ta shpëtonin. Një muaj më parë është transferuar në një burg tjetër të Rashtit. Edhe pse jetës së saj po i vjen fundi, pikturën nuk e ka lënë pas dore, madje pikturon çdo ditë. "Është mënyra e vetme për të mbijetuar. Po të mos kishte pikturën, tani do të ishte e vdekur. Jeta në burg është një ferr i paimagjinueshëm", ka thënë një ish-shoqe e qelisë.

Lily Mazahery, një aktiviste iraniane, i dërgon bojërat dhe mjetet që i nevojiten nga Shtetet e Bashkuara. Veprat e saj janë ekspozuar në Teheran dhe Stokholm. Avokati Abdolsamad Khorramshahi është përpjekur ta mbrojë të pandehurën, duke u mbështetur tek autopsia, që tregon se viktima ishte goditur nga një i djathtë, ndërkohë që Delara është mëngjarashe. Por, gjykatësi nuk i ka pranuar provat. "Sistemi gjyqësor iranian nuk bazohet në prova. Gjykatësit mund ta dënojnë dikë duke përdorur vetëm intuitën", thotë Mahmood Amiry-Moghaddam, një mjek iranian që jeton në Oslo, i cili është edhe zëdhënës i organizatës së aktivistëve "Iran Human Rights".

Gjithsesi, organizatat për të drejtat e njeriut theksojnë se dënimi me vdekje i një të mitureje, në vetvete dhunon ligjet ndërkombëtare. 150 fëmijë iranianë janë në radhën e vdekjes. Vitin e kaluar ishte i vetmi shtet që u përmend për vdekjen e fëmijëve, kryesisht 8 vjeç; këtë vit i mori jetën një 17-vjeçari.

Dënimi me vdekje mund të anulohet nëse të afërmit e viktimave pranojnë të holla në këmbim të jetës së të dënuarit: në rastin e Delara-s bëhet fjalë për familjen e saj, por kjo e fundit refuzoi. "Në fakt, fajtorët e vërtetë janë autoritetet", ka thënë doktori Amiry-Moghaddam. "Irani është vendi i dytë pas Kinës për numrin e lartë të ekzekutimeve: sistemi i përdor ato për të përhapur frikë. Unë mendoj se është e rëndësishme që vendet të cilat kanë lidhje ekonomike me Teheranin, ta ndihmojnë që t‘i ndalojë këto metoda çnjerëzore". Për një periudhë, Delara-s iu sekuestruan bojërat dhe telajot, por ajo vazhdoi të pikturonte, duke përdorur gishtat e duarve dhe qymyr druri. "Unë shpresoj që ngjyrat të më rikthejnë në jetë".

Rasti i ngjashëm

Edhe Roxana Saberi është e burgosur. Gazetarja amerikano-iraniane është akuzuar për spiunazh në favor të Shteteve të Bashkuara. Roxana është arrestuar në janar të këtij viti në Teheran. Gjyqi do të zhvillohet gjatë javëve në vazhdim. Reporterja 31-vjeçare, e cila ka gjashtë vjet që jeton në Iran, ka punuar për gazeta të ndryshme ndërkombëtare. Sipas autoriteteve iraniane, gruaja punonte "ilegalisht" në vend dhe e ka vazhduar aktivitetin e saj edhe pasi qeveria i kishte hequr kartën e gazetarit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora