Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jean-Claude Trichet: Evropa, identiteti dhe diversiteti kulturor

| E shtune, 18.04.2009, 07:17 AM |


EVROPA, IDENTITETI DHE DIVERSITETI KULTUROR

Jean-Claude Trichet

Ftesa e Presidentit të Qendrës së Studimeve Financiare më emocionoi shumë. Ai më propozoi që të jap një leksion mbi temën "Evropa, identiteti kulturor dhe diversiteti kulturor". U preka, veçanërisht për tri arsye.

Së pari, sepse ishte një ftesë nga prof. Otmar Issing, miku im i dashur, shok i mirë dhe ish-koleg në Bordin Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane.

Por, diçka që mund të jetë më pak e njohur. Herë pas here, Otmar dhe unë flisnim për poemat e Gëtes, për "Lorelei" të Hajnes, si dhe për letërsinë dhe poezinë në përgjithësi. Ai duhet të ketë qenë duke menduar për këto diskutime të shkurtra, por të gjalla mbi poezinë, kur në një mënyrë tepër origjinale më kërkoi mua, një bankier qendror, të mbaj një leksion mbi diversitetin kulturor evropian.

Arsyeja e dytë që u preka nga ftesa është se BQE-ja e konsideron diversitetin kulturor të Evropës - i cili pasqyrohet plotësisht në karakterin shumëkombësh të personelit të anëtarëve të tij, të cilët vijnë nga 27 shtetet anëtare të BE-së - si një aset madhor. BQE rrit në mënyrë aktive ndërgjegjësimin e diversitetit kulturor të Bashkimit Evropian, si një ndër elementet kryesore të unitetit kulturor evropian. Ky është edhe qëllimi kryesor i "Ditëve Kulturore", të organizuara nga BQE-ja me shumë sukses për disa vite me radhë.

Arsyeja e tretë që e mirëprita ftesën për të folur është sepse jam i bindur që çështjet ekonomike dhe kulturore, paraja dhe letërsia e poezia janë shumë më të lidhura sesa mund ta besojnë shumë njerëz. Ka shumë shembuj, por më lejoni të përmend tre prej tyre:

Së pari, duhet të kujtojmë se shkrimi lindi në Sumer, djepi i qytetërimit, ndërmjet lumenjve Tigër dhe Eufrat, gjashtë mijë vjet më parë. Administratorët e Sumer regjistronin çdo artikull të përditshëm, sasitë, veprimet, mbi pllakat prej argjile. Duke i regjistruar këto aktivitete ekonomike, këta "llogaritarë primitivë" krijuan dokumentet e para në historinë e njerëzimit dhe shtruan rrugën për gjithë literaturën e shkruar në botë.

Së dyti, ekziston një lidhje ndërmjet poezisë dhe parasë, e cila gjithmonë më ka bërë përshtypje. Poemat, ashtu si monedhat prej ari, janë të destinuara të jetojnë gjatë, për të ruajtur integritetin e tyre, të mbështetura nga ritmi, rima dhe metaforat. Në këtë kuptim, ato janë si paratë - një "rezervë vlere" në periudhë afatgjatë. Të dyja aspirojnë pandryshueshmëri, ndërkohë që janë të destinuara të kalojnë nga një dorë te tjetra dhe nga një mendje te tjetra.

Dhe së treti, kultura dhe paratë, poemat dhe monedhat, u përkasin njerëzve. Monedha jonë u përket evropianëve në një kuptim shumë të thellë: Është besimi i tyre në monedhën e vet, që e bën atë një mjet shkëmbimi të suksesshëm, një njësi llogaritëse dhe rezervë vlere. Kultura jonë është pasuria e letërsisë, e artit që besimi i njerëzve ka vendosur të përzgjedhë dhe të ruajë në kohë.

Dëshiroj të reflektoj mbi identitetin kulturor të Evropës, së pari duke eksploruar një koncept qendror, një bërthamë shpirtërore; pastaj do të pasqyroj diversitetin e mrekullueshëm të kulturave të tij kombëtare; dhe në fund do të gjykoj se identiteti kulturor evropian aspiron universin.


***

Një mënyrë për të hedhur dritë mbi identitetin kulturor të Evropës është të kërkosh për një koncept kulturor, një "zemër" të Evropës, e cila do të jetë njëkohësisht burimi dhe përmbledhja e saj. Dy referenca janë mjaft sqaruese në këtë drejtim: vizioni i Paul Valéry, poetit dhe analistit, dhe ai i filozofit Edmund Husserl.

Paul Valéry, në esenë e tij "The European" ("Evropiani"), shkroi në vitin 1924: "Në qoftë se emrat Cezar, Gaius, Trajan dhe Virgjil, nëse emrat Moisi dhe Shën Pal, nëse emrat Aristotel, Platon dhe Euklid kanë rëndësi dhe mbartin peshë, pikërisht atje është Evropa".

Valéry insiston për karakterin shpirtëror të Evropës, duke shtuar: "Është e mrekullueshme që njerëzit e Evropës nuk përcaktohen as nga raca, as nga gjuha apo zakonet, por nga dëshirat dhe gjerësia e dëshirës (...)".

Vërtet mund të imagjinojmë, ashtu si Valéry, identitetin kulturor të Evropës si një zgjerim i shkëlqyer i bashkimit, të arritur nën mbretërinë romake, të mendimit grek, të ligjit romak dhe të Biblës, që ka çuar në tre besime monoteiste.

Ne mund të shkojmë edhe më tej në kërkimin tonë për zemrën konceptuale të Evropës. Është pikërisht ajo që ka thënë Husserl në leksionin e tij të famshëm në Vjenë, në maj të vitit 1935, të titulluar "Filozofia dhe kriza e njerëzimit". Ai shikon origjinën e idesë shpirtërore të Evropës sikur është greke, ku një grusht njerëzish nisën një shndërrim radikal të jetës kulturore në kombin e tyre dhe ndërmjet fqinjëve të tyre.

Më lejoni të citoj Husserl: "Mund të shihet gjithashtu që është pika e nisjes së një lloji të ri komuniteti, i tillë që shtrihet përtej kombeve. Sigurisht, po i referohem Evropës në formën shpirtërore. Nuk është më një numër kombesh të ndryshme që jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe vetëm e ndikojnë njëri-tjetrin nëpërmjet konkurrencës komerciale apo luftërave për pushtet, por është: një shpirt i ri - që buron nga filozofia dhe shkenca bazuar në të - një shpirt i kritikës së lirë, që siguron norma për detyra të pakufishme dhe e dominon njerëzimin, duke krijuar ideale të reja, të pakufishme".

Husserl thotë se Evropa identifikohet plotësisht me origjinën e saj greke, në frymën e filozofisë. Kështu, "kriza" e Evropës vjen nga dështimi i dukshëm i racionalizmit. Ai e përfundon leksionin e tij, mbajtur në vitin 1935, në një mënyrë të dukshme dhe largpamëse, madje pa e përmendur fare totalitarizmin, fashizmin apo nazizmin: "Kriza ekzistenciale e Evropës mund të përfundojë vetëm në njërën prej dy mënyrave: në dorëzimin e trashëgimisë nga kuptimi racional i jetës, dhe duke përfunduar në një urrejtje të shpirtit dhe në barbarizëm; apo në rilindjen e saj nga shpirti i filozofisë, nëpërmjet një heroizmi të arsyes (...)".

Identiteti dhe uniteti kulturor midis diversitetit të kulturave kombëtare nuk ngrihet mbi zgjerimin e thjeshtë të papërcaktuar të thelbit kulturor origjinal. Unë e shoh identitetin kulturor të Evropës si një pëlhurë të endur fort. Kjo pëlhurë përbëhet nga njëra anë nga një fill litari i shtrirë me kujdes, i cili korrespondon me shumë kultura të fuqishme kombëtare, të cilat në vetvete kanë identitetin tyre dhe gjejnë origjinën e tyre në një të shkuar të largët; nga ana tjetër, ndodhet filli ind/pëlhurë, i cili përfaqëson admirimin dhe verbimin me shkëlqim përtej kombeve të ndërthurura, ndikimet reciproke që kapërcejnë kufijtë ndërmjet kulturave dhe ndërmjet gjuhëve. Unë e imagjinoj këtë pëlhurë kulturore letrare, artistike, gjuhësore, evropiane që merr bukurinë e saj, bashkimin e saj dhe forcën e saj nga numri i dukshëm dhe diversiteti i fijeve të saj.


***

Për ta ilustruar këtë dëshiroj t‘ju jap disa shembuj të goditur, disa dëshmi prekëse të këtij admirimi dhe të këtyre zbulimeve "ndërkufitare". Nuk do të jetë e habitshme për ju që, meqenëse jam ftuar nga Qendra e Studimeve Financiare e Universitetit të Frankfurtit, do të përmend Gëten. Ai ka shkruar në "Dichtung und Wahrheit" rreth zbulimit të tij për Shekspirin: "Shekspiri, si në përkthim, ashtu edhe në origjinal, në fragmente dhe në tërësi u bë një forcë kaq e madhe brenda grupit tonë të Strasburgut saqë, ashtu si disa njerëz janë shumë të magjepsur për shkrimet e shenjta, ne u magjepsëm mirë me Shekspirin. Në fjalën tonë ne imituam virtytet dhe veset e kohës tonë, që ai na kishte treguar [...]. Shpagimi i gëzueshëm që diçka sublime po rri pezull mbi mua ndikoi shokët e mi, të cilët të gjithë adoptuan ndjesinë time".

Ndikimi i Gëtes në kulturat e tjera është në vetvete i jashtëzakonshëm. Publikimi i "Werther" e ktheu Evropën përmbys. Ai ishte një ndër librat që Bonoparti mori me vete në ekspeditën e tij në Egjipt, dhe kur ai u takua me Gëten, ai foli për të.

Dante Alighieri na ofron një shembull tjetër të mrekullueshëm të këtij ndikimi dhe admirimi që e kapërcen kohën dhe hapësirën në Evropë. "Komedia hyjnore" ushtron një magjepsje të fuqishme për lexuesit evropianë. Pesë shekuj pas krijimit të saj, Uilliam Bleik komenton, në hapësirën e përkthimit të Ferrit nga Henri Boid: "Poezia më e shkëlqyer është e pavdekshme, karakteret më të mëdha të këqija, krejt Satanai: (...) Dinakëria dhe virtyti nuk janë poezi, por filozofi (...). Poezia justifikon vesin dhe tregon arsyen e tij dhe dëlirjen". Vepra e Marcel Proust "Në kërkim të kohës së humbur" është e frymëzuar fuqishëm nga puna e Dantes. Më shumë se gjashtëqind vjet pas "Komedisë Hyjnore", Proust shkruan, kur shikon një zambak uji në një lumë të vogël: [Zambaku] do të kalojë mbi një breg vetëm për t‘u kthyer te tjetri, përjetësisht duke përsëritur udhëtimin e tij të dyfishtë (...) si një nga ato vuajtjet e të cilit (...) ngjallën kuriozitetin e Dantes, i cili do të kishte kërkuar prej tyre në gjatësinë më të madhe nga vetë viktimat, në qoftë se Virgjili nuk do ta kishte (...) detyruar atë të nxitonte pas tij me shpejtësinë më të madhe, siç duhet që unë të nxitoj pas prindërve të mi.

Më lejoni të kaloj nga Proust tek Ismail Kadare, një shkrimtar bashkëkohor. Ai shkruan se, si nxënës në Shqipëri, në moshën 13 apo 14 vjeç u ndesh me "dy grupe këngësh (të cilat) përmendeshin më shpesh sesa të tjerat në libra, revista e gazeta: Ato mbi Paolon dhe Françeskën, të dashuruarit tragjikë që nuk dinin pushim në rrethin e dytë të Ferrit dhe ato mbi Kontin Ugolino në rrethin e nëntë, i cili, i uritur, përfundoi duke ngrënë fëmijët e tij. Sipas Kadaresë, ndikimi i Dantes në kulturën popullore shqiptare është kaq i fortë, saqë ka shumë "Beatriçe" në vendin e tij, "ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet kristianëve dhe myslimanëve në regjistrat civilë".

Por ndikimi i jashtëzakonshëm i Dantes shpjegohet ndoshta jo vetëm nga gjeniu i tij dhe nga teknika e vargut (strofës). Ndikime të tjera evropiane mund të shpjegojnë pushtetin emocional të "Komedisë Hyjnore". Tridhjetë vjet para lindjes së Dantes, Bonkompanjo da Sinja, profesor i retorikës nga Bolonja, botoi "Rhetorica Novissima". Në kapitullin mbi memorien, ai përshtati klasiken "Arti i Memories" - teknikën e përdorur nga oratorët romakë dhe grekë për të memorizuar fjalimet e tyre - dhe e transformoi atë në memorien e fuqishme artificiale të virtytit dhe vesit, të Parajsës dhe Ferrit.

Dante prek koleksionin e kulturës së sotme të Evropës, gjashtë shekuj pas shkrimit të veprës "Komedia Hyjnore". Ai vetë krijoi pushtetin e memories të poemës së tij në mënyrë indirekte nga poeti grek, Simonidi, tetëmbëdhjetë shekuj më parë. Pra, mund të shohim se si shtrihet kultura e Evropës gjatë njëzetepesë shekujve.

Metafora qendrore e saj daton në dymijë vjet më parë se Simonidi, ka udhëtuar ndër shekuj dhe ka kapërcyer kufijtë e gjuhës greke, latine, italiane, angleze dhe franceze. Nuk ka shembull më të mirë të fijeve të panumërta që formojnë pikërisht kuadrin e kulturës evropiane. Kjo endje/thurje, ky "monument i pashkatërrueshëm", i bërë prej fjalësh, që kapërcen kohën dhe hapësirën, nga Simonidi te Shekspiri, është bashkimi kulturor i Evropës!

Evropianizimi nënkupton të mos jesh në gjendje të kuptosh plotësisht letërsinë dhe poezinë kombëtare - Chateaubriand, Mallarmé, Julien Gracq, St John Perse, Senghor - pa kuptuar Danten, Servantes, Shekspirin, Gëten dhe Hajne. Evropianizimi nënkupton se unë ndaj me ju, me të gjithë evropianët e tjerë, të njëjtat burime kulturore bazë, pavarësisht nga fakti se ato vijnë nga mjedise krejt të ndryshme. Kjo nënkupton se unë jetoj në një atmosferë letrare moderne, që ndikohet direkt dhe tërthorazi nga Kafka çek, nga Joyce irlandez dhe francezi Proust.

Duke shkruar për unitetin e Evropës, historiani Braudel përmendi atë që ai e quajti "unités brillantes" ("bashkimet e shkëlqyera"), duke i dalluar ato nga "unités aléatoires" ("bashkime të pasigurta"). "Unités brillantes" mbulon gjithë fushat e përpjekjes artistike dhe intelektuale, jo vetëm poezinë, letërsinë dhe filozofinë, por edhe muzikën, pikturën, skulpturën dhe arkitekturën. Nuk është rastësi që Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane zgjodhi stilet arkitekturale evropiane për të ilustruar kartëmonedhën e monedhës të përbashkët, euron. Është e mahnitshme të shohësh se sa të përhapura janë këto stile në Evropë, me ndërtesa të panumërta, kisha dhe monumente të ndërtuara sipas traditës gotike dhe romane, klasike dhe baroke. Këto stile arkitekturore lindën në zona shumë të ndryshme të Evropës dhe demonstrojnë pasurinë kulturore të Evropës. Ato sigurojnë një ilustrim tjetër të fuqishëm të konceptit unik të bashkimit brenda diversitetit, që është tipari kryesor i kontinentit tonë.

* Fjala e Presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, mbajtur në Leksionin Presidencial të QSF (Qendra e Studimeve Financiare), në Frankfurt, më 16 mars 2009

Gazeta Shqip