E merkure, 24.04.2024, 11:40 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ciganët, historia e shpirtrave të lirë që prekën Shqipërinë

E diele, 22.07.2007, 11:11 PM


Kur erdhën për herë të parë në vendin tonë dhe traditat e veçanta

Që nga vitet e fëmijërisë më ka tërhequr jeta e shpenguar, e lirë dhe disi më e veçantë nga komunitetet e tjera, ajo e një komuniteti mjaft interesant, e ciganëve. Në krahinën time, në Myzeqe, i quajnë edhe arixhinj, sepse, sipas banorëve të kësaj treve, ata merren me zbutjen e arinjve. Kjo nuk qëndron. Që në fëmijëri mbaj mënd kur vinin në fshat, në shtëpinë tonë, me torbën në krahë për të "lypur" arixheshkat e fshatit fqinj, Mbrostar. Ato ishin dinjitoze, sepse nuk lypnin, por vallëzonin dhe këndonin, duke krijuar një atmosferë mjaft të gëzueshme në fshat. Ato i njihnin festat fetare ortodokse dhe dinin ku shkonin. Gjyshet tona i prisnin mjaft mirë dhe u jepnin për të ngrënë dhe sende të tjera me vete. Më kujtohet dhe e kam imazhin e Salushes, Sabriut e të Zyrasë, që, edhe pse mbi vete mbanin peshën e viteve, u lexoheshin tiparet fizike të bukura, gazmore e të derdhura si në bronz. Ato ishin mjaft të familjarizuara me komunitetin e fshatit tim, ishin shumë të dashura. Lëvizjet e tyre ishin si cicërimat e dallëndysheve. Ato dilnin nëpër fshatra, veçanërisht në ditët pranverore. Jetonin brigjeve të lumit Seman, teksa dita perëndonte, dielli i hidhte vellon e përflakur këtij lumi dhe brigjeve të tij me pyllishte. Zhurma e tyre, duke u bashkuar me gurgullimat e lumit dhe fëshfëritjen e gjetheve të drurëve të pyllit, seç krijonte një ndjesi disi të veçantë, sidomos kur pranë zjarrit dremisnin të qetë në gjumin e thellë të natës këta ciganë, ndërsa qeni i tyre besnik dhe hëna ruanin errësirën dhe qetësinë.
Kur këto arixheshka filluan të rrallonin vizitat tek ne, në fshat përhapej fjala që Salushja, Zyraja dhe Sabriu i Salushes "kanë vdekur". Xhaxhai im i madh, Marsi, që ishte infermieri më i vjetër, mbase dhe i vetëm në të gjithë krahinën, u shkonte në Mbrostar, atje në oazin e tyre, buzë lumit për t'i parë e për t'u dhënë ndonjë ndihmë mjekësore apo për t'iu dhënë ndonjë ushqim. Djali i Salushes, Haliti ishte virtuoz në ekzekutimin e këngëve me violinë. Por edhe klarinetën e lozte bukur. Për herë të parë nga ai dhe miqtë e tij kam dëgjuar këngën e famshme të arixhinjve, "Xhinxhilenë". Kur ia merrnin kësaj kënge me violinë dhe klarinetë, festave dhe dasmave iu krijohej një mjedis shumë i këndshëm. Edhe zogjtë në pemë heshtnin dhe dëgjonin me ëndje. Duke kujtuar këta njerëz të mirë dhe mjaft të dashur për ne ish-fëmijët e atyre viteve, s'kam si mos të kujtoj edhe arixhinjtë e fshatit Gramsh të Myzeqesë, si të famshmin klarinetist, Shefito Arixhiu (Vërlaci) me të vëllanë, Vathin, që e shoqëronte me violinë, dhe djemtë, Pëllumbin, Fejziun e Feritin me llautka, që kur këndonin nëpër dasma, ngrihej fshati në këmbë. Madje mbaj mënd që edhe në raste vdekjeje, veçanërisht kur largohej nga jeta ndonjë djalë i ri apo nuse e re, thirreshin edhe sazet e tyre, ku ekzekutohej ndonjë avaz trishtues, i dhimbshëm dhe funebër. Ata nuk njihnin nota muzikore, as solfezh nuk kishin bërë, por me virtuozitetin e vet ata bënin që të ngashëreheshin të pranishmit dhe të dridheshin nga mallëngjimi jo vetëm njerëzit, por dhe natyra përreth. Këtë e krijonte shpirti delikat i ciganit, ndjenjat e tij të holla e të brishta. Ata, për të kënaqur të pranishmit në këto mjedise festive, lodheshin shumë duke iu rënë veglave muzikore. Lodhja, djersitja dhe pagjumësia e vazhdueshme, mbase ka ndikuar edhe në largimin e tyre të parakohshëm nga jeta dhe shoqëria. Si një drejtues i kulturës dhe artit në Lushnje, të tillë kam njohur shumë, pa harruar të talentuarit klarinetist dhe violinist, Sami e Nazmi Arixhiu nga sektori Pluk i Lushnjes. Gjithnjë i kam kaluar në mend këta njerëz të mrekullueshëm, që s'ia prishnin qejfin kurrkujt. I përfytyroj tani mbas shumë e shumë vitesh, ashtu, të qeshur, të thjeshtë dhe të sjellshëm, duke akorduar telat e violinës e llautkës me tonet e klarinetës dhe dajres. Më kujtohen se sa me sinqeritet ndanin paret mes njeri - tjetrit dhe ashtu, pa bujë, por të rraskapitur nga netët e lodhshme e të gëzuara të dasmave, largoheshin, duke lënë një atmosferë të trishtuar pas dasme. Që në moshën e rinisë shumë kisha dëgjuar për jetën e tyre të lirë dhe të hareshme, por kur lexova për herë të parë poetin madhështor rus, A. Pushkinin dhe shkrimtarin francez, Prospjer Merime, shpirti mu mbush me dashuri për këtë komunitet interesant njerëzish. E them këtë sepse tek këta njerëz unë përfytyroja jetën e lirë, atë që të bën romantik në këtë botë, natyrën. Populli cigan, apo siç i quajnë shpesh herë, arixhinjtë, janë një popull i varfër, i lirë, por i çliruar nga streset, nga ankthet dhe nga problemet e një qytetërimi, gati shkatërrues të moralit dhe ndjenjave.

Origjina e ciganëve
Po kush janë ciganët e çfarë gjuhë flasin? Nga vijnë e kur kanë ardhur në viset e Evropës? Kush janë traditat e tyre dhe pozita sociale?
Në Evropë, ata janë shpërngulur nëpërmjet udhëtimeve nomade nga India e largët. Pasi u dëbuan nga India ky fis u instalua në një nga vendet e Azisë Qendrore dhe pastaj u dyndën drejt Evropës. Në Evropë kanë shkelur për herë të parë në vitin 1417 në Besarabi dhe duke udhëtuar nëpër luginën e lumit Danub gjer nga viti 1434, u shpërndanë pothuajse nëpër të gjitha shtetet e Evropës. Kudo në Evropë këto qenie të mjera njerëzore u pritën keq. I vetmi "mëkat" i tyre ishte varfëria dhe mungesa e atdheut. Mbreti Ferdinandi i V-të i Spanjës në vitin 1492, kur ekuistadorët spanjollë të udhëhequr nga Kortesi, nën flamurin e mbretërisë spanjolle thernin e digjnin të gjallë indianët e Amerikës, botoi një dekret për zhdukjen edhe të ciganëve (arixhinjve) të gjorë, me çfarëdolloj mënyre. Në vitin 1545, Provincat e Bashkuara të Holandës, meqenëse ciganët nuk iu bindën urdhrave për t'u larguar, morën masa shumë të rrepta kundër tyre. Ata i rrihnin me kamxhik deri sa nxirrnin gjak dhe ua shponin me gozhdë flegrat e hundës.
Në kuvendin e shteteve të Orleansit, në vitin 1561, qeveritarët morën urdhër që t'i zhduknin, duke përdorur mjetet më mizore. Edhe në shekullin e 18-të kanë vazhduar torturat kundër tyre. Shumë ndër ta janë ngulur nëpër hunj, janë hedhur të gjallë nëpër stiva drush dhe janë djegur. (Pittard: "Les Peuples des balkans", faqe 409 - 437). Me gjithse kanë pësuar shumë persekutime makabre, raca e tyre nuk është zhdukur, por ka mundur të mbijetojë, të shpëtojë e të ruajë disa nga traditat e hershme të origjinës.
Mahat'ma Gandi, është një nga ata njerëz të mëdhenj, i cili ka shkruar për ciganët apo arixhinjtë. Ai thotë se fjala "arixhi" vjen nga gjuha sanskrite që do të thotë "fëmijët e zotit" dhe në gjuhën arabe u quajt "arixhen" dhe mori kuptimin e endacakut. Kështu që hidhet poshtë ideja dhe thënia që ekziston ndër ne se ky emër e ka origjinën nga zbutja e arinjve. Për arixhinjtë (ciganët), Gandi nxori edhe një revistë që e quajti "Harixhan", duke iu kushtuar atyre vendin më të madh në këtë revistë; shkruante për bashkëpunimin e ngushtë me këtë kastë të poshtëruar nga politikat reaksionare të atyre që i krijuan këto kasta dhe për çrrënjosjen përfundimtare të tyre.

Ciganët në Shqipëri
Për ardhjen e tyre në Shqipëri mësojmë nga një regjistër i perandorisë otomane i vitit 1523, ku thuhet se fillimisht erdhën 374 familje të tilla. Ndërsa një autor italian, si fillimin e kohës së popullimit cigan në Shqipëri, jep vitin 1635. Ciganët njihen me disa emra në Shqipëri si p.sh në jug të Shqipërisë i quajnë gabelë apo arixhinj, në zonën e Korçës i quajnë kurbatë. Por përgjithësisht quhen ciganë. Njihen si popull nomad e janë të dhënë pas këngëve e valleve. Ata kanë një organizim të përsosur dhe të fshehtë brendapërbrenda komunitetit dhe i binden kryetarit të tyre pa mëdyshje. Është i njohur tek ciganët zakoni i mungesës së varreve. Vetë ciganët tregojnë se kjo vjen nga një rit i lashtë, sipas të cilit të parët e tyre i varrosnin të vdekurit nëpër pyje në orët e vona të natës. Kjo vinte si pasojë e dëshirës për të harruar varret që të mos ktheheshin më aty, sepse, sipas tyre, varret të lidhin këmbët dhe nuk të lënë të shtegtosh. Kjo pranohet edhe nga librin "Minoritetet: E Tashmja dhe e Ardhmja" (Raport i Grupit Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, viti 2003) Po në këtë libër thuhet gjithashtu se një nga problemet e mëdha sociale me të cilën përballohet popullsia cigane, është edukimi. Në shkolla, fëmijëve ciganë iu kushtohet më pak vëmendje dhe rëndësi dhe mungon puna e mësuesve. Pas viteve '90 kanë filluar t'i braktisin shkollat. Sot një pjesë e mirë e fëmijëve ciganë enden rrugëve duke lypur ose duke vjedhur. Ciganët nuk ndihmohen me strehim apo me punësim. Në qytetet e mëdha vihet re edhe dukuria e trafikimit të fëmijëve dhe e prostitucionit të vajzave cigane, të trafikuara ose të larguara me dëshirë.
Ky komunitet etno-kulturor e mjaft i shpërfillur ka edhe gjuhën e tij, të cilën e flet duke e trashëguar brez pas brezi me gojë, nëpërmjet këngëve, por që nuk shkruhet. Nga ritet që manifestojnë me njeri-tjetrin janë më shumë paganë se sa fetarë që besojnë në një Zot. E duan shumë zjarrin, gjë që tregon se besojnë në perëndinë e zjarrit. Edhe shën Gjergjin e festojnë, gjë që duhet të ketë lidhje me ndonjë perëndi pagane në vendin e origjinës së tyre. Ciganëve iu pëlqen natyra dhe marrin çdo lëmoshë prej saj. Kjo përbën një dukuri negative për ta, sepse Ivan Miçurini, duke iu kundërvënë këtij qëndrimi pasiv ndaj natyrës, thoshte: "Asnjëherë nuk duhet të pranojmë
lëmosha nga natyra, por duhet ta transformojmë atë".

Ciganët në artin botëror
Ciganët janë shpërndarë në të gjithë kontinentin tonë. Kryesisht me shumicë gjenden në Rumani, Hungari, Spanjë e në vendet ballkanike. Cardashet hungareze dhe vallet e famshme të Andaluzisë shprehin më së miri karakterin e gjallë dhe shpirtin lirik të ciganëve. Po kështu violina e ciganit është metafora më e mrekullueshme dhe më e bukur e kulturës dhe artit të tyre. Fryma e tyre e lirisë, qëndrimi i tyre indiferent ndaj qytetërimit modern, i bën ata më të shpenguar, më të lumtur dhe pa ngarkesa emocionale. Shumë shkrimtarë të mëdhenj dhe kompozitorë u kanë kushtuar vepra të bukura ciganëve, sepse janë frymëzuar nga shpirti lirik i tyre. Shkrimtari francez, Prospjer Merime ka shkruar novelën simpatike "Karmen i Granadës" dhe mbi bazën e kësaj novele është kompozuar edhe opera e Bizes, me të njëjtin emër. Po ashtu poeti i madh i popullit rus, Aleksandër Pushkin ka shkruar poemën e famshme : "Ciganët". Pushkini shkruan me shumë dashuri për ta në këtë poemë:

"Turmë e ciganëve plot zhurmë, po endet në Besarabi,
Ja, sonte ngritën përmbi lumë të grisurat çadra përsëri,
Në fushë kuajt kullosin, pas çadrës shtrirë ariu rri,
Ç'hare në stepë, ç'gjallëri!...
...............................
"…O at, - vasha nis i flet, - po sjell një mysafir;
po rrinte përtej kodrinës, në shkreti.
Në kampin tonë i thashë të rrinte, - Cigan kërkon të jetë ai;
Ndëshkimi e pret në vend të tij,
ndaj mike do t'i jem gjithmonë,
Aleko, emrin ia thonë,
pas meje jetë e mot do vijë".
...................................
Kaluan heshturazi dy vjet, ciganët enden përsëri,
Kudo që venë nëpër stepë, mikpritje gjejnë dhe qetësi.
Aleko, larg qytetërimit, shkujdesur endet tok me ta,
Dhe në lirinë e shtegtimit, andralla dhe telashe s'ka".
Edhe poeti ynë, Pano Taçi, edhe pse në moshë shumë të madhe, u ka kushtuar një libër të tërë të bukur ciganëve. Ai në një nga këto poezi i quan ata "zogj nomadë", që e kanë zemrën në fushë dhe shpirtin në pyll.
Ja si shkruan ai për ta:

"Si det e ka shpirtin, zemrën si brengë,
Cili gaxho i troket në shpirt e nuk hyn?
Kush ia pa zëmrën të carë porsi shegë,
E s'i gjeti brenda qindra rubinë?

Shpirtin si hënë e zëmrën si diell,
Lyer në bronz lëkurën indiane,
Nomadë të lirë si zogjtë në qiell,
Marramendjen nëpër këngë cigane.
Një kompozitor i madh gjerman ka kompozuar një vepër muzikore të titulluar: "Cigania". Edhe i paharruari Hozelito ka kënduar këngën e famshme melankolike "Violino cigano", edhe këngëtari i shquar italian, Nikola di Bari, në fillim të viteve '70 ka kënduar këngën "Cigania" dhe shumë filma janë realizuar për jetën e tyre të lirë.

Jo vetëm romantizëm...
Mendojmë se ky komunitet ka kërkesa minimale për jetën dhe nuk e vlerëson perspektivën. Në këtë kontekst qeveria dhe shoqëria në tërësi duhet të kenë platforma dhe programe të veçanta për ta dhe këto programe të ndiqen e të zbatohen. Shpesh abuzohet me të ashtuquajturat ndihma ndaj tyre. Më ka ardhur mirë kur në një fushatë elektorale kam dëgjuar një politikan që përgjërohej për ciganët, për jetën e tyre të mjeruar e pa shpresë. Por më erdhi shumë keq kur mësova që vetëm çmimi i posterave gjigante të këtij politikani ishin baras me koston e ndërtimit të dhjetëra shtëpive modeste për strehimin e ciganëve të Tiranës, duke i larguar ata të paktën nga ngrehinat prej plasmasi apo prej kartoni.
Që t'u vish në ndihmë këtyre njerëzve, të cilët lindin ashtu si dhe vdesin, pa strehë, nën qiellin e hapur kur për shtrojë kanë tokën, duhet, që ai, që merr përsipër të bëjë diçka njerëzore për ta, të jetë një njeri fisnik dhe i përkryer. Dhe që të jetë i tillë ky njëri-politikan apo njeri-biznesmen duhet të karakterizohet nga mirësia, nga serioziteti, nga shpirti i pastër, nga sinqeriteti dhe nga përzemërsia. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora