E enjte, 25.04.2024, 04:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Llesh Biba: “Politikanët shqiptarë që kanë porositur skulptura”

E premte, 17.04.2009, 05:38 PM


Shkruar nga Aulona Kadillari   

Intervistë

Ka mbaruar shkollën për aktor, ndërsa tani vazhdon të jetë një nga skulptorët më me zë. Llesh Biba në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” tregon jetën e tij profesionale. Por jo vetëm kaq, edhe njohjet që ka me politikanë të ndryshëm, duke e lidhur këtë me artin. Nëse do të duhet ta pyesësh për diçka, skulptori patjetër do t’i jap një ngjyrim artistik. Ndër të tjera ai rrëfen edhe për pak vështirësi që ka për shkak të gjendjes ekonomike dhe një projekti të lënë përgjysmë.

Ju keni mbaruar për aktor, keni punuar si regjisor, tani si skulptor a mund të na tregoni diçka rreth këtyre profesioneve?

Unë kam edukatë pune nga babai im “për të respektuar çdo lloj pune që duhet bërë në kohë të ndryshme, respektoi punët e të tjerëve dhe kur ajo s`është me nivel”. Sepse unë kam e do të kem parim: Më mirë një punë e dobët sot, se 100 punë të mira në mendje për s’e di se kur. A ka punë më të mirë për t’u lavdëruar, se ajo e policit të thjeshtë në rrugë, në Llogora, në Tiranë apo Mitrovicë ku temperatura shkon në -20°C për të qenë pranë njeriut në rrezik duke u vetë rrezikuar. Apo e diplomatit që rrezikon shëndetin duke studiuar jashtë orarit për të lartësuar veten, nderuar kombin e vetë nëpër bashkëbisedimet dypalëshe apo shumëpalëshe etj., etj. Më 1990 duke punuar, por edhe se si artistët e arteve figurative po hynin të notonin në artin modern, unë thashë me vete; po merrem me atë që askush s`po e do, dhe vendosa të prek temën e traditës në një formë tjetër, duke bërë përpjekje të lartësoj jo aq sa dua e sa di, por aq sa kam mundësi në një ambient të caktuar rrethanash. Mendoj personalisht që njeriu humbet kur shkon i papërgatitur në betejë dhe kur je i kulturuar, s`duhet të thuash ma hodhi x, y, por ja hodha vetës. Kur erdhi si president S. Berisha, R. Mejdani, A. Moisiu apo tironsi babaxhan, B. Topi unë e kam patur kënaqësinë që i kam patur këta artdashës në ekspozitat e mia, po kështu edhe  A. Thaçin, N. Doçin, K. Berishën apo B. Kosumin, sepse me sa duket punimet kanë qenë diçka përderisa ata kanë thënë fjalë të përzgjedhura për punët e mia.

A ka marrë ndonjëri prej tyre punë tek ju kohët e fundit?

Sigurisht edhe kanë marrë, por edhe kanë porositur për t‘ua dërguar kolegëve të tyre nëpër botë. E rëndësishme këtu është diçka tjetër, që sa më shumë politikanë artdashës të kemi, aq më shumë e më shpejtë do të na ecin punët si komb, sepse populli thotë: E meriton ky, se është artist.

Pra ju jeni mik i politikanëve?

Po, i kam miq, se janë stoli që i zgjedh kombi për të zbukuruar kostumin e vetë. Por kemi besim se ata që do të rrinë do të jenë lojtarët më të mirë në këtë fushë qe quhet Shqipëri. Unë jam mik i politikanëve shqiptarë kudo që ata jetojnë.

Çfarë mendoni ju për mesazhet e politikanëve?

Unë jam pro politikave me përmasa të mëdha në favor të çështjes mbarë shqiptare. Kështu politikan për këtë është i respektuari im, mesazhet për tolerancë e çdo gjë të mirë janë të lëvdueshme.

Keni qenë i ftuar në Zvicër edhe Itali, cili ka qenë motivi i kësaj ftese?

Më ftoi kryetarja e Unionit Demokristian zviceran, Grishe Hajdari dhe Gjon Krasniqi me rastin e një vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me titull “Bëmat e Gjergj Gjon Kastriotit në oborrin e Vilhem Telit”. Me rastin e 2 marsit të 1444, 565-vjetorit të Besëlidhjes së famshme. Në ekspozitën e Lucernës, përveç 100 vizitorëve, ishte ambasadori shqiptar i OKB, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, zonja Suzana Arbnori, nga Amerika e largët kishte ardhur Dom Anton Kcira me një grup klerikësh, nga Kosova Dom Lush Gjergji, prof. Ymer Jaka etj. Kishin ardhur nga Gjermania, Brukseli, Franca, Italia, kur veçojmë biznesmenin nga Milano, Mark Nikolla, i cili pasi pa ekspozitën më afroi ftesën që kjo ekspozitë të hapej edhe në lokalin e tij “Del Borgo” art-kafe. Gjatë montimit të ekspozitës, përfaqësuesja e Dhomës së Artit dhe Kulturës të bashkisë, u tha vizitorëve se kjo do të jetë një ministri e vogël e re e integrimit që do të shërbejë sa më mirë rritjes në një nivel të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe italianëve.

Në kohët që ne po jetojmë çdo gjë e ka një faturë, po ju kush ua mbulon këtë faturë?

Faturën më të rëndësishme ma ka zgjidhur politika e shtetit tim, ndër këto vitet e fundit që ka punuar me shtetet analoge për liberalizimin e lëvizjeve së artistëve shqiptarë kudo që ata ftohen. Ndërsa faturat financiare i kanë zgjidhur dhe i zgjidhin ata që janë më patriotë se sa unë si, psh, Gjon Krasniqi, Mark Nikolla, që kanë parë tek punët e mia diçka që ia vlen të reklamohen në ambientet ku jetojnë shqiptarët tanë, se nuk më fton njeri për bukurinë që kam.

Ju keni pohuar se së shpejti artit shqiptar do t’i shtoni edhe një portë me përmasa të mëdha “Porta Iliro-Pellazgo-Shqiptare”, sa keni ecur me këtë punë?

Të gjitha punimet e mia që janë publikuar brenda dhe jashtë vendit kanë pasur nga ana figurative një nënë, që ishte “Ardeno”, dhe një baba punëtor që i realizonte, që isha unë. Për “Ardenon” kanë marrë vesh të gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë dhe që e kanë marr vesh lajmin nëpër mjet internetit, e cila siç e dimë kaloi një fatkeqësi shumë të madhe nga zjarri që ra, ajo ishte materiale, teknike, financiare, por për fat të madh e të mirë s’kishte fatkeqësi njerëzore dhe intelektuale. Brenda kësaj fabrike pronari i saj, Tonin Alia më kishte ofruar falas studion për të punuar. Unë aty kisha grumbulluar, seleksionuar bazën materiale dhe teknike dhe 2 vitet e fundit kisha filluar për realizimin e asaj porte që ju më pyetët. Kisha blerë edhe një kamion “Paterbill”, e cila pas përfundimit do të bëhej e para galeri arti lëvizëse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë, e cila do të përbehej nga mbi 72 skulptura të ndryshme, por që për fat të keq çdo gjë u bë hi, dhe tani na kanë ngelur vetëm disa fotografi dhe maketi. Sot jam gati po gjeta artist seriozë t’ia jap maketin dhe idenë, sepse s’kam sponsor për të zëvendësuar humbjen që kisha teknike, materiale dhe artistike. S’kam forcë e arsye që biznesmenit të nderuar, Tonin Alia t’i rikërkoj ndihmë. Në këtë rimëkëmbje të shpejtë të firmës “Ardeno” e pamundësi për ta ndihmuar, kam vendosur të paktën të mos e pengoj asnjë minutë, bile-bile duke mos i dalë edhe përpara fizikisht. Por jam pranë tij mendërisht që ai të shkojë e të zëvendësojë biznesin e dëmtuar duke arritur me shpresë dhe me vullnetin që e ka nivelin më të lartë cilësor dhe teknik në shërbim të tregut shqiptar. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora