E premte, 29.03.2024, 04:37 AM (GMT)

Kulturë

Përsiatje rreth romanit: "Një vit i brishtë" i shkrimtarit Halit Shamata

E premte, 17.04.2009, 04:34 PM


Sukses i romanit modern shqiptar

Nga Ylli Xhaferri

Këto ditë Shtëpia Botuese OMBRA GVG botoi romanin "Një viti i brishtë" të shkrimtarit Halit Shamata. Kjo vepër përbën një arritje të dallueshme për prozën moderne shqiptare. Autori vjen me këtë botim elitar pas një përvoje artistike, publicistike, politike dhe jete shoqërore të spikatur, falë kulturimit të tij poliedrik, duke u kthyer në bartës të një filozofie krijuese. Shkrimtarit Shamata, nëpërmjet romaneve që e detyruan lexuesin bashkëkohorë ta kthejë vëmendjen me admirim ndaj tij, gjithsej tre botime ambicioze, "Dyer të paputhitura", "Dy dorëshkrime" dhe "Një vit i brishtë", iu ka dhënë mundësia për të çelur dyert e puthitura të misterit të qenies, duke u kthyer në një lloj ruajtësi të thesarit të të fshehtave të çmuara, ku qenia shndërrohet, përthyhet e grimcohet në thërmikla e dheçka, dhe njëherësh përmblidhet, përgjithësohet dhe njejtësohet. Misteri kthehet në shenjë, në simbol, në një pararealitet që bëhet i njëmendtë dhe i besueshëm. Sepse e para është fjala. Ky roman është realiteti shqiptar në thierzën e një analisti të hollë të gjendjes sociale, politikës së ditës, traditave të nëpërkëmbura dhe bërë lesh e li nga diktatura komuniste, është një përzhbirim i botës emocionale, gjendjeve shpirtërore të dallgëzuara si vetë tranzicioni i gjatë dhe sfilitës shqiptar, është promovimi i një mënyre të re jetese të protagonistëve të demokracisë sonë të brishtë, i filozofisë së jetës në shoqëritë e hapura, i ballafaqimit të ekonomisë së tregut të lirë, deri në botën e oligarkisë së bankave, për të arritur natyrshën tek shembja e kështjellave të moralit fals e steril. Prozatori kqyr skutat dhe labirinthet e shpirtit, aty ku shkulmojnë dhe stërkalin të pathënat, dyshimet, frikërat, adulteret, herezitë, mirësitë, filozofitë dhe mashtrimet, po aq edhe gulshimet heroike, squlljet deheroizuese, misteret e fuqisë dhe qëndresës, duke ngritur Golgotën e krijimit, ku turtura e përballjes, stërkeqja prej mënxyrave diktatoriale dhe vitit tersnaj '97, ngjizen te tejkalimi i së zakonshmes, përhirimi i materies dhe përditësimi i habisë diktatoriale dhe çudisë postmortëm të saj.
Romani ka 362 faqe, ku subjekti, ngjarjet dhe personazhet organizohen në 15 kapituj. Duke rrugëtuar në shtigje sa vetjake, sa të parrahura më parë, aq në përvoja dhe akumulim vlerash, në konceptin estetik romancieri sheh diçka të njehsuar, formësuar dhe ngjizur në mozaik, ku ngjyra sunduese është grija e egër dhe luftarake, toka apo balta, nga ku nis së pari jeta. Ajo përdoret si pedanë për t'u shkëputur në flatrim, për t'u plandosur pastaj hundebuzë në zgafellat, të çarat, gjarpërimet dhe përjetimet individuale dhe shoqërore. Në një masë të konsiderueshme, humane, profesionale, politike dhe intelektuale, prozatori Shamata, ngjan se vuan, sfilitet dhe stërmundohet për të zbuluar të fshehtën e qenies së tij si krijues, të heronjve dhe përmes tyre Shqipërisë, djepvarrit tonë të përbashkët. Romancieri përpiqet të luaj rolin e një mediumi a spiritualisti, i cili hyn vullnetplotë në seancat magjike për të parë formulën sekrete të ngjizjes së shpirtit, moralit, pse jo dhe njeriut të kombit të vet nëpër monopatet e thyera të praktikave jetësore. Ky organizim në pamje të parë klasik është një ndërthurje moderne, plot risi dhe befasi emocionuese, ku autori sipas studiuesit Behar Gjioka: "...ka ndërfutur dhe gërshetuar me kapitujt kryesorë ndarjet, madje hera-herës edhe nënndarjet, që kanë të bëjnë kryesisht me jetën erotike, shpirtëroren e prekshme në çdo prani artistike..." Autori nuk mungon të realizojë një rikonceptim modern të rrëfimtarisë autoriale dhe të vetë personazheve, duke operuar me një tekst plot hapësira, ku protagonistët vetërrëfehen, rrëfejnë dhe dialogojnë, duke ngushtuar pafundërisht distancën me lexuesin, i cili është madje personazhi më aktiv i romanit. Shamata jep një shumësi rrëfimesh, gjendjesh emocionale, përshkrimesh vizive gati-gati peisazhesh natyralë, me një gjuhë dhe narracion të ndryshueshëm, ngjyrashumë dhe plot dinamizëm. Shamata është grishur nga një tjetër realitet, tashmë i transfiguruar, që kalëron mbi simbole dhe metafora dhe që mund të vihet re, të shquhet dhe dallohet vetëm nga një tjetër sy. Syri i shpirtit dhe ndërgjegjes, që e sheh dritën jo vetëm tek është në relieve dhe portrete, por në rradhë të parë tek fjala, mendimi, misteret, shenjat, simbolikat, hijedritat e moralit dhe politikave.
Këtë roman shumëplanësh dhe me një arkitekturë moderne mund ta krijonte vetëm një njeri si Shamata, që e ka përjetuar jetën, kohën, artin, politikën dhe ardhmërinë, duke hipotekuar shumë mund, djersë, privacione, dashuri dhe dhimbje. Romani i tij ngjan si një dialog midis të gjallës dhe të vdekurës, të qartës dhe turbulltirës, të shpërfaqurës dhe nënshtresës, të përkohshmës dhe përjetësisë, individit dhe shoqërisë, modernes me tradicionalen, intimes fluide me shoqëroren nëpërkëmbëse e dhunuese të së djeshmes. Realiteti i ri i përftuar është produkt logjik, artistik dhe filozofik i një intelektuali shumëfish të gjallë, që ka vepruar në jetën e tij si reja mbi det, që ka pirë me gllënka të mëdha ujin me lot e kripë, por që ka lëshuar veç shiun me ujë të ëmbël. Simbolika e tij nuk është një kapriçio, por një tentativë për ta bërë sa më të artikulueshme vetjakësinë e heroit, personalen, thellësinë e fshehtë të ndërgjegjes dhe nënfisheve të saj. Kodi estetik, ku qiriun e Virgjilit për të parë skutat e ferrit, e zëvendësojnë reflekset magjike të pasqyrave të Adnan Hukamës, thelbi ekzistencial i të cilit flet shumë, përkon dhe thotë me zë të lartë atë që shpirti ynë lëngon, mes basifondeve të nënvetëdijes, ku muret e shformuara të vitit të brishtë shqiptar kërcasin nga pesha e mëkatit, që gjithsecili nga ne e bart mbi shpinë si fatalitetin e gurit të Sizifit. Romani është një epope e jetës shqiptare, që lexuesit mund të sjellë në mend vite të mbrapshta, vite të jetuara plot nerv e frikë, besim dhe ngadhnjim, terror dhe liri, ku personazhet ndahen në dy grupe, ato që quanin fitore dhimbjet e tjetrit, atdheun e ndarë më dysh, dhe antipodët e tyre, që zemra u pikte gjak e lot për fatet e vendit dhe individit, por që Shqipëria ngrihet mbi supnajën e tyre të sigurtë. Është pikërisht ajo Shqipëri dhe ai atdhe, ku guri sizifian e kishte marrë shpesh rrokullimën, madje edhe pa arritur në majë.
Autori operon në rrafshe të ndryshme kohore, nga diktatura, postumi i saj, demokracia e brishtë e në vazhdim. E gjithë kjo krijon një ndjesi reale që preket thjeshtë, më së shumti si prani dhe atmosferë shpirtërore. Shamata thekson se brishtësia lidhet më fort me fatin individual, me fatin njerëzor në veçanti që ka ditëlindje 29 shkurtin. Romani është një këngë e gjatë për dashurinë, pavarësisht mjedisit apo truallit djerr ku ajo gjallon, pavarësisht përjetimit dhe konceptimit të kësaj ndjesie, madje edhe kur dhunohet apo mbytet në moçalin e tradhtisë. Romani i Shamatës se ç'më kujton një tablo madhështore të piktorit shkodran, Kolë Idromeno, "Rrugët e fatit". Në shtratin pjellor të romanit hapen dy rrugë, njëra për parajsë dhe tjetra për ferr. Këto antipode të vlerësimit njerëzor janë si dy ujëdhesa ku gëlojnë burra e gra herë të ngopur me dashuri, herë të pangopur, herë të larë në dritën e nderit dhe herë të zhytur në mëkatin e mishit, ku si Virgjili të Dantes, kemi Adnan Hukamën, që jeton jetën e tij nën hijen e vet, nën pemën e moralit të tij, moral që nuk mund të përbuzet, as të laurohet, por që përbën lumin e furishëm të jetës që rrjedh plot kthjelltësi dhe turbulltira. Tek heroi, kemi pranë vënien dhe fytafytin e intimes, personales me shoqëroren dhe bashkësinë. Ai është i vërtetë, i del ballas jetës, e përjeton dhe realizon atë pa turp, pa poza shtirjeje, pa parime moralizuese, pa merak se ç'mund të thonë bota. Bota e tij është e gjerë, larg hipokrizisë provinciale, jeta e tij është ashiqare, larg kurtheve tinzare të fshehjes, ai është morali i vevetes, ku as krenohet dhe as turpërohet me veveten, ai është qëndrimi i etikës së re dhe moralit bashkëkohorë që po formësohet mundimshëm në realitetin tonë kanunor.
Romani i Shamatës ka një simbolikë të pranueshme, ku loja e dritës, ngjyrës dhe formës kapërthehet me simbolikën dhe alkiminë e kuptimeve, por që kërkon një lexues të kultivuar, që ngrihet mbi ëndrrën, mbi një shumatore ëndrrash që fillojnë nga vetë autori dhe vazhdojnë si sprucim fluorishent nga njeri personazh tek tjetri. Ëndrra është një realitet i dytë për romanin, një realitet jo etern, por prej mishi, ku ekspozohet dhe ngjizet një botë shqiptare, djep-varri ynë. Realiteti që përftohet në roman tenton absurdin, ku luajnë kukafshehtas ëndrrat me aspiratat, ku përplasen dëshirat e virgjërta me shpresën e përlyer, ku lexojmë një atdhe enigmatik, krejt tjetër nga ç'na kanë afruar deri më sot, ku relievet dhe perspektiva humbasin. Ku rrekesh e rrekesh për të gjurmuar kuptimin, por sa kujton se e ke gjetur atë, ai sërish të rrëshqet diku më larg me parabolat e kodeve që presin të deshifrohen. Mënyra e vetme për t'u çliruar nga tundimet është t'u dorëzohesh atyre. Ëndrra dhe ëndërrimi kthehet në një lloj heroi për romanin, herë përndezëse, herë epshore nga mosha dhe fiziku shpërthyes, herë e akullt deri në akullimë, e ftohtë, gozhduese në administrimin racional të ndjenjës, përftuese si fajdexhinjtë modernë të sistemit bankar që Shamata i trupëzon, duke thurur rrjetën e joshjes për të rënë në të me një gëzim të egër viktimat dhe vetë viktimat me numër të madh. Autori simpatizon çdo ëndërr, përveç asaj të vuajtjes. Shpirti është thellësia më e skajshme e qenies njerëzore, më e mistershmja, që e kemi brenda vetes, por që nuk arrijmë ta shohim, por që gjithsesi nga këndvështrimet e thella të prozatorit bëhet disi i tejdukshëm.
Koha për Shamatën është një masë plasteline që ai e gjysmon, e pakohëson, e tret, e dyzon, pastaj si magjistar e nxjerr nga mënga e shkrimit si frymë të pamatëshme. Ajo si thërmikël zhive shpërbëhet në grimca rruzaresh që nuk përmblidhen dot më. Morali merr formën e kohës, copëtohet, thepiset, egërsohet, përllonget. Kritiku Behar Gjoka, në parathënien që shoqëron romani shprehet: "Dyzimi, si element kumti i thënies dhe artthënies, i ndërthurjes së kohërave, si dhe i teknikave shkrimore të prozës moderne dhe klasike, ka shërbyer në këtë rast si një gur i shënimit dhe shënjimit të esencës etike dhe estetike të romanit".
Romani i ri i Shamatës është një pasurim i bibliotekës shqiptare dhe prozës moderne shqipe. Ai është një kontribut me përmasa në vlerësimin estetik, artistik, filozofik, politik, social dhe gjuhësor të realitetit të brishtë shqiptar. Ky roman na e bën atdheun me të vërtetë, vetveten më të besueshme, të nesërmen më të largët, të ardhmen më të mirëpritur dhe njeriun më njeri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora