E merkure, 24.04.2024, 08:40 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kalaja e Dodës, familja Lita dënohet sipas metodës fshatçe

E enjte, 16.04.2009, 06:35 PM


Nuk funksionon ligji. Zbatohet vetëm rregullorja e fshatit

Në fshatin Ploshtan në Kalanë e Dodës, shteti është kryepleqësia e fshatit. Në një kohë kur të gjithë gëzojmë se hymë në NATO, në Shqipëri ka fshatra që marrin vendim fshatçe dhe nuk pyesin as për ligje dhe as për institucione shtetërore.

Në Ploshtan të Dibrës, çdo gjë funksionon në bazë të rregullave të fshatit dhe jo ligjeve të shtetit. Fshati zgjidh problemet e banorëve të tij, merr vendime, madje dënon edhe njerëz.

Në fshatin Ploshtan ka ndodhur një mosmarrëveshje midis dy familjeve që banojnë në këtë zonë. Më 28 janar 2008, fshati është mbledhur dhe ka vendosur që t‘i vendosë sanksione njërës prej familjeve, asaj të Miftar Litës, duke e deklaruar fajtore. Kanë vendosur tetë kushte, që duhet t‘i zbatojë familja fajtore. Kushtet janë: të mos marrë ujë në ujin e fshatit për vaditje; të mos marrë pjesë në xhaminë e fshatit; të mos kullosë bagëtia në meranë e fshatit; të mos kalojë as me makinë dhe as më këmbë në rrugët e fshatit; nuk kanë të drejtë të komunikojnë me asnjë bashkëfshatar. Përfundimisht, kjo familje ndalohet nga fshati në të gjitha drejtimet. Ky vendim u mbajt në tri kopje dhe i shkoi për njoftim prefektit të Qarkut të Dibrës, komunës, komisariatit të policisë. Meqenëse vendimi është nënshkruar unanimisht nga të gjithë banorët e fshatit, për kryesinë e Ploshtanit nuk përbën asnjë pengesë ligjore për vënie sanksionesh në dëm të familjes Lita. Kryesia e fshatit i ka dhënë të drejta të pakufizuara vetes dhe ka marrë masa të tilla ekstreme ndaj një familjeje, duke e përjashtuar nga të gjitha shërbimet publike dhe shfrytëzimit të të mirave të përbashkëta. Ndërkohë që konflikti mes dy familjeve mund të zgjidhej në gjykatë. Familja ndaj së cilës janë marrë masat e mësipërme u është drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore për të kërkuar ndihmë, madje edhe vetë Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të vendit. Por fshati nuk pyet për shtetin. "Vendimin e ka marrë fshati dhe jo kryesia", tregon me krenari kryetari i fshatit Ploshtan, Muhamet Gjorllaku.

Sipas tij, familja Lita është në periferi të fshatit dhe duhet të zbatojë pikë për pikë vendimin e kryepleqësisë, sepse ata kanë rrugën e tyre, ujin e tyre, nuk kanë punë me fshatin.

Kur e pyesim se a janë interesuar institucionet shtetërore për këtë situatë të krijuar në Ploshtan, ai përgjigjet me bindje se nuk i takon shtetit të ndërhyjë në këto raste. "Qeveria ka punën e saj, fshati funksionon me një rregullore të tij të brendshme, edhe në kohën e Enver Hoxhës. Kjo rregullore është e trashëguar, nuk është e shkruar diku. Familja duhet t‘i kërkojë falje fshatit". Me logjikën e kryetarit të fshatit, Gjorllaku argumenton se fshati tani nuk pyet për shtetin, përderisa shteti nuk u përgjigjet, p.sh t‘u vadisë tokat.

Por ky nuk është rasti i parë i dhënies së një dënimi të tillë në këtë fshat. Në bazë të rregullores së fshatit, e njëjta familje është dënuar në vitin 1998, por me një afat prej tre vjetësh. Ndërsa kësaj radhe, dënimi është pa afat, derisa familja t‘i kërkojë falje fshatit. "Shteti ka ndërhyrë, policia ka ndërhyrë, por shteti nuk ka punë këtu. Edhe unë që jam titullar, fshati më dënon. Për të votuar nuk i ndalojmë", përfundon kryetari i fshatit Ploshtan, i cili mban edhe vulën e shtetit.

Familja Lita i është drejtuar gjykatës, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për një vendim gjykate. I është drejtuar policisë, por policia nuk i zgjidh dot problemet e këtij fshati, ku rregullat e pashkruara janë më të fuqishme se ligjet. I është drejtuar Presidentit të Republikës, i cili ia ka deleguar Ministrisë së Brendshme si problem për ta zgjidhur, i është drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka përcjellë ankesën te prefekti i Dibrës. Ky i fundit i është drejtuar kryetarit të Komunës së Kalasë së Dodës dhe drejtorit të Policisë së Qarkut të Dibrës, që të ndërhyjnë për ndërprerjen e kësaj gjendjeje të paligjshme. Ku nuk është ankuar fshatari i shkretë për këtë vendim, por shteti nuk e ndihmon dot, sepse në Ploshtan vendimet merren fshatçe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora