Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihai Antonescu: Konfesione të gërshetuara me mjeshtri artistike

| E enjte, 16.04.2009, 07:59 PM |


Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi
Mendime rumune mbi vlerat shqiptare

Konfesione të gërshetuara me mjeshtri artistike

Nga Mihai Antonescu

Sabit Rrustemi shkruan një varg që shëmbëllen me hijen që e  mbështjell drurin pa e shembur, duke patur kujdes që vetëm era e këndshme e tij të rrëshqasë mbi syrin kalimtar, përmes mirëkuptimit, admirimit dhe dashurisë. Pjesa dërmuese e sentimenteve është një motiv i shkëlqyer për lehtësinë me të cilën poeti mund ta përjetësojë në shkrim, duke u shprehur me elegancë të ligjërimit lirik, me një mesazh briliant në gjatësi të valëve të çdonjërit receptor: “Me gjuhët e shkulura/ Muranë ngritëm / Të shpëtojmë/ Nga vërshimë e fjalëve// Nga një samara/ Vetes ia vumë// Po barrë e rëndë/ Të pathënat//A do të na mbajnë këmbët” (Të pathënat).

        Tjetërherë, sentimenti i largimit nga bota dhe shpirti, nuk ka të bëjë me braktisjen e vetvetes por e shndërron fjalën në një urë ndërmjet klithjes dhe kotësisë së saj: “Në mes fushës gur i vetëm/  Për mot të vështirë i regjur/ As i lënë në urë/ As i vënë në murë/ I mbetur në mes-fushë/ Ai që më deshi më do / Anise nuk fton vështron / Se u thellua/ Një përrua/ U zgjerua// Gur i vetëm mbeta gurgac” (Gur i vetmuar). Një ndjenjë tjetër e rrëfimit (ngase të këtilla janë tekefundit poezitë e Sabit Rrustemit), është rrëfimi i pëshpëritur për botën dhe ekzistencën e saj, për realitetin e ekzistencës që luhatet  ndërmjet durimit të vetvetes dhe përgjigjes ndaj heshtjes së tjetrit në një botë të vetëllogarisë, dhe ndaj një finale që te poeti është dëshmia e fiksimi në fjalë për një kohë të përngutur: “Rend pas zhurmës/ Prej zhurmës jeton/ Pëllumbi im// S’e harrove fjalën e urtë/ Ku ka njerëz ka dhe zhurmë// Pas zhurmës ti rend e rend/ Të takohesh me ne/ Me sihariqin në sqep// Pëllumbi im/ Ëndërrim i paqtë” (Pas zhurmës).

Dëshira dhe e vërteta janë një gjendje permanente te Sabit Rrustemi, një poet i shquar që anashkalon shprehjet   formale, duke krijuar formula të papritura lirike, të denja për rrumullaksimin e mendimit dhe përmbajtjes. Kosovari  që vjen në trojet e gjuhës rumune nuk bën tjetër veçse din të na e joshë shpirtin me një terminologji lirike, sa të thjeshtë, po aq edhe të rrjedhshme për anën e padukshme të natyrës: “Ajo s’është si udhët tjera/ Në hall prej zhurmës/ Tymit erës/ Ajo është udhë dëshire/ Njëkahëshe pa kthesa/ E drejtë qiri// Vetja matet mirë/ Kur ecet nëpër të// S’ është si udhët tjera ajo/ Udhë e syve të çelur/ E vërteta” (Udhë dëshire).

Vëllimi antologjik Prekje hyjnore/ Atingeri divine, që del në përkthim të Baki Ymerit, botuar në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe me një parathënie të shkëlqyer të Marius Qelarut, përbën një konstrukcion të mirëfilltë lirik që mton ta ekspeditojë autorin nga krojet kosovare të ndjeshmërisë në një përlindje të diskursit për përvetësimin e lexuesit rumun, permes një kuptimi magjik të një misioni fisnik që të fton për t’i njohur fqinjët dhe vlerat historike të një miqësie të lashtë.