E enjte, 28.03.2024, 05:32 PM (GMT)

Editorial

Mentor Nazarko: Kemi edhe nje lufte te fundit me Greqine

E hene, 23.07.2007, 07:14 PM


Po. Është lufta e fundit. Mbase e fundit përballje me shtetin fqinj Greqinë. Një përballje juridike e diplomatike, për të fituar një borxh të pakthyer. Një borxh që kap vlerën e disa miliarda eurove. Janë pronat e shqiptarëve në Greqi. Prona të përvetsuara në një hark të gjerë kohorë, që nga Lufta e Dytë Botërore e në vazhdim. Janë dhjetra sekrete në mes, dokumente dhe detaje të lëna në harresë. Mbase qëllimisht. Marrveshje apo pragmarrveshje që mbetën të tilla deri më sot.
Mentor Nazarko publicist i diplomuar në shkencat politike dhe drejtësi merr përsipër të bëjë avokatinë e çështjes së pronave shqiptare në Greqi që flitet të jenë 600 mijë hektarë në vlerësimet më optimiste dhe mbi 100 mijë hektarë në vlerëismin grek. Një shqetësim i hershëm i publicistit kjo çështje, ku janë shtuar shumë argumente vit pas viti, u kthye në lëndën e një libri titulluar “Lufta e fundit. Pronat e shqiptarëve në Greqi”. Për shumë detaje të panjohura që fshihen në këtë libër Mentor Nazarko na rrëfen në këtë intervistë menjëherë pas daljes së qarkullim të librit të tij.

Keni ndërtuar një libër, i cili ka historinë e tij. I titulluar “Lufta e fundit, pronat e shqiptarëve në Greqi”, është njëkohësisht libri juaj i parë. Si mbërritët në këtë formë të re komunikimi me audiencën, pas shumë editorialesh apo edhe leksionesh në Universitet?
Libri siç mund të imagjinohet është një formë më e qëndrueshme komunikimi ideor me atë që ju e quani audiencë dhe për të arritur tek kjo formë duhet sigurisht më shumë punë, më shumë studim. Që do të thotë më shumë kohë përgatitje. Libri i nënshtrohet një verifikimi më serioz, një gjykimi më kompetent ndër vite. Veç asaj ky është konceptuar si një libër që duhet të rezistojë gjatë në kohë dhe jo një stinë apo disa stinë. Për pasojë jam i lumtur që kam nxjerrë në dritë të paktën një libër që mendoj se do të mbijetojë në kohë dhe do të hapë një pistë të rëndësishme për libra të reja mbi atë temë. Madje shpresoj dhe për veprim politik apo juridik. Jam i favorizuar dhe prej mbështetjes së një universiteti të ri si Universiteti Europian i Tiranës, që nxit kërkimin shkencor që në vitet e para të jetës së tij. Drejtuesit e tij më nxitën të botoj librin dhe vetë puna në këtë universitet, bashkë me pedagogët e tij është me të vërtetë stimuluese.

Pra, jemi në një përballje tjetër me Greqinë. Ju thoni se kemi ende edhe një “Luftë të fundit” me të, zgjidhjen e çështjes së këtyre pronave. Çjanë këto prona? Mund të pretendojmë ende për zgjidhjen e kësaj çështje, kur ka kaluar afro një shekull?
Në fakt një pjesë e mirë e këtyre pronave janë grabitur pas luftës së parë botërore; (ndarja e tokave të Perandorisë otomane ku banonin shqiptarët) midis viteve 20-30, (spastrimet apo shkëmbimet e popullsive; reformat e ndryshme agrare të padrejta) gjatë luftës së dytë botërore me ligjin e luftës, dhe po ashtu pas luftës (pronat e çamëve dhe të kolonjarëve të përzënë gjatë luftës civile greke). Ju keni të drejtë ndërsa flisni për faktorin kohë si faktor që dëmton apo mbyll perspektivën e zgjidhjes. Por koha bën dhe kapriçio: jemi në një kohë kur statusi i shqiptarëve si komb ka përparuar ndjeshëm. Janë disa luftëra që ata po i fitojnë, në Kosovë, në Maqedoni, etj. Kemi në anën tonë si kurrë ndonjëherë, më qartësisht se kurrë më parë një aleat të madh si SHBA. Kur flasim për luftën e fundit, atë për pronat nuk kemi ndërmend luftë me armë zjarri, por një betejë juridike, diplomatike qoftë në kontakte dypalëshe, qoftë në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një çështje me faturë të madhe, disa miliarda euro, që grekët e mbajnë padrejtësisht, megjithëse e dinë se duhet të na e kthejnë. Ka shumë ekspertë grekë që kanë shkruar vitet e fundit për këtë çështje duke vënë në dukje padrejtësinë që qëndron mbrapa bllokimit të kësaj pasurie të madhe të shqiptarëve.

Nga një vështrim i shpejtë vëmë re se i gjithë libri është në fakt një lloj mbrojtje juridike që ju i bëni çështjes së pronave shqiptare në Greqi. Çdo të thotë të jesh avokati i një çështje të tillë, plot udhëkryqe e të fshehta mbajtur në hije për shumë e shumë dekada?
Në pikëpamje profesionale, nëse për këto çështje do të zhvillohej ndonjëherë një gjyq. Ndërkombëtar do të ishte padyshim gjyqi i jetës për avokatin që do ta mbronte. Do të ishte gjyq i fituar lehtësisht, pasi dhe vetë juristët grekë e pohojnë këtë. Një gjyq i ngjashëm me atë të depozitave hebreje në bankat zvicerane. Dhe në planin individual mund të fitoje shumë: financiarisht dhe jo financiarisht. Për fat të keq nuk jemi në kushte të tilla kur mund të zhvillojmë ndonjë gjyq të ngjashëm megjithëse unë me librin tim përpiqem të nxis vëmendje, angazhim shumë më të madh të klasës politike dhe të shoqërisë shqiptare për të shkuar në një formë apo në një tjetër të zgjidhjes së kësaj çështje. Kemi një klasë politike që më shumë ka heshtur, e korruptuar thellësisht prej fqinjëve tanë që kanë gjithë interesin për ta mbyllur këtë çështje me ndonjë gur të rëndë si kapak. Nuk kemi patur as dhe interes të të ashtuquajturës shoqëri civile e rënë në një apati të madhe, të specialistëve tanë më të mirë. Një situatë shumë larg asaj të shoqërisë shqiptare apo politikës sonë në qeverisjen e Zogut. Kishte më shumë dinjitet atëherë, më shumë kompetencë. Unë e evidentoj dhe këtë zhvillim paralel në librin tim. Nuk di nëse do të preket dikush nga ndriçimi i kësaj paralele historike që vë në një dritë të keqe, klasën e sotme politike. Por unë e bëra timen.

Në libër janë përfshirë edhe shumë dokumneta të papublikuara dhe dëshmi të reja. Ku keni hulumtuar për to, dhe çfarë faktesh servirin?
Kam parë arkivat shqiptare, të ministrisë së jashtme, Arkivin e Shtetit, të disa institucioneve të tjera si komuniteti bektashi, etj. Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë kam shfrytëzuar dhe dokumenta greke, apo italiane. Duke kërkuar kam gjetur libra apo studime që e trajtonin gjerësisht këtë çështje. Shikoni:të aktualizosh libra dhe studime të tilla është njësoj sikur të gërmosh nëpër arkiva, sakohë që ato libra nuk shfrytëzoheshin dhe rrethoheshin nga një heshtje e tipit arkival.
Ju më pyesni çfarë serviret prej tyre? E vërteta e pasurive shqiptare në Greqi, që janë përvetësuar në mënyrë sistematike dhe të shëmtuar prej fqinjit tonë, me ligje të padrejta, me arbitraritet të dënueshëm dhe mbi bazë ligjesh të padrejta. Mund të kuptosh sesi Greqia për të bllokuar këto pasuri i është kundërvënë dhe bashkësisë ndërkombëtare që e ka shpallur Shqipërinë si vend fitues të luftës së dytë botërore. Duke lexuar këtë libër, mund të kuptosh sesa paradoksale është sjellja e tyre, por dhe jona. Ne sillemi sikur t’u kemi borxh, kur në fakt na kanë. Jetojmë madje në një situatë kur ndërsa shkruan për një problem të tillë, kompleksohesh nga një mjedis shoqëror gjoja kozmopolit, i blerë nga viza Shengen, nga favore të tjera, i trysnuar nga individë, parti të korruptuara po me paratë tona me të cilat paguajmë shtrenjtë shërbime telefonike, etj,. E gjitha kjo që thashë dhe që serviret në këtë libër, është një e vërtetë e madhe apo jo?

Një dokument ku do të doja të ndaleshim është ai i dënimeve në mungesë për rreth 2 000 çamë. Çfarë servir më saktësisht ky dokument?
Pasuritë e çamëve, ligjet që u morën me to dhe me fatin e çamëve në përgjithësi, me heqjen e shtetësisë, etj, zënë një vend të rëndësishëm në këtë libër. Në këtë kuadër unë botoj në libër një dokument të rëndësishëm të cilin e gjeta në ministrinë tonë të jashtme dhe që mjerisht nuk është përdorur asnjëherë nga diplomacia jonë. E kam kuptuar diplomacinë e Enver Hoxhës dhe frikën e saj nga Greqia, por jo atë të viteve të demokracisë. Sipas këtij dokumenti që është shkresë e prokurorit të Janinës Xhavellas, rezulton a) që dosjet e gjyqit special të Janinës së 1944-1945 që dënuan rreth 2000 çamë, thuajse të gjithë kryefamiljarët e komunitetit çam mysliman, janë zhdukur me porosi të qendrës, dmth të shtetit grek. B), që dënimet e tyre me vdekje, janë parashkruar të gjitha. Pra çamët edhe ata të dënuar si bashkëpunëtorë të fashizmit kanë të drejtë të udhëtojnë të lirë në Greqi edhe sipas ligjeve greke. Janë dy përfundime të rëndësishme. I pari lidhet me zhdukjen e gjurmëve të një gjyqi të padrejtë. Pse janë zhdukur dosjet e këtyre gjyqeve që lidhen me një epokë të tmerrshme të pasluftës në Greqi, epokë plot krime, para të cilave spastrimi etnik i kosovarëve do të dukej si lojë? E dyta, pse nuk lejohen të lëvizin çamët, pse nuk lejohet të rifitojnë të drejtat e tyre, mbi bazë të disa ligjeve që ja dhanë këto të drejta ish bashkëpunëtorëve të fashizmit, apo ish komunistëe, por vetëm nëse do të kishin kombësi greke?

Të ndalemi në një pikë tjetër. Cila është vëmendja ndërkombëtare rreth problemit të këtyre pronave?
Falë angazhimit të lobit shqiptaro-amerikan kemi patur një seancë dëgjimi në Komitetin e Helsinkit të Senatit amerikan, madje me praninë e senatores Klinton që me shumë gjasa mund të jetë presidente e ardhshme e SHBA. Me angazhimin e PDI-së, parti e çamëve, me kontaktet e tyre në Parlamentin Europian, kemi shtim të ndjeshmërisë së politikës së Brukselit për këtë çështje. Por këto ngacmime duhet të jenë permanente, duhet luftë më e zgjuar diplomatike dhe politike. Të paktën në nivelin e maqedonasve që kanë patur për disa elementë fat të ngjashëm: u përzunë nga Greqia si bashkëpunëtorë të së majtës, ju sekuestruan pasuritë, etj. Por ata nuk reshtin së luftuari, madje dhe brenda Greqisë ku kanë krijuar parti. Ju botuat diçka për angazhimin e një deputeti belg për një rezolutë të Këshillit të Europës për të ndryshuar ligjet që u mohojnë të drejtat popullsisë sllavomaqedonase të Greqisë të rikthehet në tokat e veta. E pse ne nuk duhet të bëjmë të njëjtën gjë?

Në fund të librit janë përfshirë disa intervista që ju i quani “të rëndësishme për fatin ne pasurive shqiptare”. Si janë realizuar dhe cili është qëllimi i përfshirjes së tyre në këtë libër?
Që prej 2002 unë jam interesuar shumë për këtë çështje dhe kam bërë shumë intervista që ndriçojnë në mënyrë më të qartë dhe më të kuptueshme për të gjithë fatin e pasurive dhe rrugët për të marrë një shpagim të drejtë për to. Siç e keni vënë re vetë, janë vetë ekspertët grekë që e pranojnë padrejtësinë e vendit të tyre për këtë çështje. Një ish zëvendësambasador amerikan në Greqi që i sugjeron Greqisë të kompensojë fqinjët e vet, Shqipërinë dhe Maqedoninë për pasuritë e sekuestruara dhe të përvetësuara. Pra ato shërbejnë për të bërë më të kuptueshme pjesën tjetër të librit që është ndoshta diçka më e specializuar.

Thoni diku se ky libër synon të japë një udhëzues ndihmës për politikën shqiptare që të dijë të kërkojë borxhet që na kanë. Mendoni se është vetëm çështje dije, apo në politikën shqiptare janë fshehur gjithmonë edhe shumë prapaskena, interesa të momentin, apo afatgjata?
Janë të gjitha: është dhe çështje dije, por dhe çështje korrupsioni politik dhe jo vetëm politik. Është miopi, është gjithçka. Por ndërkohë dhe shoqëria duhet të bëjë presion tek politika: para një presioni të shoqërisë, politika do detyrohet të lëvizë dhe ta rihapë këtë çështje në kontaktet e veta me palën greke apo dhe ta ndërkombëtarizojë. Heshtja e shoqërisë, e specialistëve, e grupeve të interesit si deri më tani i shërbente si justifikim politikës për mosveprimin e saj. Ndërkohë dhe institucionet tona po humbin gjithnjë e më shumë softuerin, dmth njerëzit e ditur, patriotë, me eksperiencë që i japin qëndrueshmëri veprimit ndërkombëtar të politikës sonë. Krejt ndryshe ndodh në vendet serioze, apo tek fqinji ynë që ka institute të specializuara dhe ku politika e jashtme lëviz fare pak nga boshtet e paracaktuara që me pavarësinë e tyre në 1821.

Kur mendoni se mund të nisë zgjidhja e kësaj çeshtjeje, pra të nisë kjo “luftë e fundit” juridike dhe diplomatike?
Kjo luftë ka filluar dhe libri është kontribut në këtë drejtim. Po krijohen shoqata pronarësh shqiptarë në Greqi, janë ofruar studio avokatore të rëndësishme. Ka deputetë të partive të mëdha si përshembull Shpëtim Idrizi, që duan të angazhohen për ndërkombëtarizimin e çështjes, për një rezolutë që do të impononte politikën zyrtare të mbante qëndrim të fortë për këtë çështje. Pak kohë më parë as që mund të mendohej për këto hapa. Dhe mbi të gjitha kemi një koniunkturë ndërkombëtare shumë më të favorshme. Kemi aleatë të fortë dhe koha punon për shqiptarët në rajon.

Çfarë përmban libri?

Në një kalim të shpejtë në të gjithë kapitujt e librit “Lufta e fundit, pronat e shqiptarëve në Greqi” mund të veçojmë shumë tema mes të cilave: “Problemet e trashëguara nga Konferenca e Paqes së Parisit të 1919”, “Pushtimi italian i Shqipërisë dhe vendosja atje e një qeverie shqiptare kukull”, “Sulmi italian mbi Greqinë”, “Të dhëna historiko-gjeografike mbi Çamërinë”, ku përfshihen gjeografia, popullsia, shtetësia, origjina kombëtare, reagimi grek kundrejt Shqipërisë, përzënia mbi bazë etnike e shtetasve me origjinë shqiptare. Më tej renditen një varg ngjarjesh të tjera të rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve deri në ditët e sotme si dhe problematika juridike brenda marrëdhënieve greko-shqiptare. Një çështje që vlen të veçohet është “Kuadri juridik i pasurive shqiptare në Greqi, para Luftës së Dytë Botërore”, ku jepen shumë të dhëna për pasuritë e çamëve dhe shqiptarëve të tjerë në Maqedoni dhe Epir si dhe pasuritë e shtetasve shqiptarë.
Në kapitullin e tretë të librit autori flet për perspektivat e zgjidhjes së problemit të pasurive të sekuestruara, si dhe rivendikimet e shtetasve shqiptarë mbi pronat e vendosura në shtetin grek, ku shtrohen çështjet për pasuritë shqiptare, për një vendim të 12 janarit 2006 të Aeropagos, Gjykatës së Lartë të Greqisë, vlerësimi i çështjes nën dritën e Paktit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike, parashikimet e Konventës Europiane mbi të drejtat e njeriut në lidhje me gëzimin e lirë të pronës përfundime për pasuritë shqiptare, pronat e mbetura pa pronar, apo të braktisura, etj dhe në fund ide për një zgjidhje diplomatike.
Dhe në fund të librit pas bibliografisë dy shtojca mjaft të rëndësishme plotësojnë kuadrin e këtij libri. Në shtojcën e parë jepen një varg ligjesh përmes të cilave u përvetësuan pasuritë, si “Ligjet e luftës 2636 dhe 2637/1940”, “Traktati i Paqes me Italinë në 1946”, “Ligji mbi kadastrën kombëtare”,etj. Po ashtu në këtë shtojcë janë përfshirë vendime gjyqësore greke mbi pronat e shqiptarëve si dhe lista e pronarëve shqiptarë që kanë aplikuar pranë Shoqërisë Komisionare deri në vitin 1990 për pronat e tyre në Greqi. Ndërsa në shtojcën dy një varg intervistash të rëndësishme mbi fatin e shqiptarëve si ajo me gazetarin e njohur të kanalit MEGA dhe studiuesin grek Tassos Teloglu, me Profesor James Pettifer, njeri nga ekspertët britanikë më të njohur të Ballkanit, një intervistë e Tasos Teloglu me ish Presidentin Alia në lidhje me ligjin e luftës, ejt.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora