E enjte, 25.04.2024, 03:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Ramadan Mehmeti: Requiem për Mirko Gashin

E enjte, 16.04.2009, 06:40 PM


Ramadan Mehmeti
Ramadan Mehmeti

Ramadan Mehmeti lindi më 20 shtator 1948 në Livoç të Poshtëm të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ku edhe studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe. Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët serbe dhe boshnjake dhe u nderua me shumë çmime letrare.
Eshtë editor i shtëpisë botuese ROZAFA të Prishtinës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës
Jeton në Prishtinë.

Vepra të botuara

1. Jeta pa titull, poezi, botoi Rilindja, Prishtinë, 1977
2. Koncerti i heshtjes, poezi, botoi Rilindja, Prishtinë, 1987
3. Loja e ruletit, poezi, botoi Plejada, Prishtinë, 1994
4. Requiem për Mirko Gashin, poezi, botoi Rilindja, Prishtinë, 1997
5. Ti je e vogël, poezi për fëmijë, botoi ILIRIKU, Prishtinë, 1997
6. Ringjallja, SHSHK, Prishtinë, 1998
7. Fusha e korbave, tregime, Rilindja, Prishtinë, 2000
8. Te guri i atdheut, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2000
9. Zemrat bëhen ura, vjersha për fëmijë, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2002
10. Brigje shpirti, poezi, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2004
11. Mëkate të zgjuara, poezi, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2004
12. Testamenti i gjyshit, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
13. Loja e ruletit, botimi i dytë, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2006
14. Te guri i atdheut, botim i dytë, poezi për fëmijë, Prishtinë, 2006
15 Kur pikëllohen zogjtë, poezi për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2007
16 Ura e Maskatarit, dramë, Rozafa, Prishtinë, 2007
17. Poshtërim i ndjenjës, dramë, OMBRA GVG, Tiranë, 2007
18. Bekimi i gjurmëve, libër i poezisë së përzgjedhur nga Anton N. Berisha, Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, 2008
19. Tekstament letrar, mendimi kritik për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit përgatitur nga Prend Buzhala.

Ramadan Mehmeti

REQUIEM
PËR MIRKO GASHIN


PIKTURA, MOLLA E HALLËS

«Në kohën kur të vërshon gëzimi
Në vorbullën e tij është pikëllimi»
          Mirko Gashi: EPITAF

Derisa amaneti ka mbetur në degë varë
Mollës së Hallës gjethet i janë tharë
          
                                    R.M.


RECITALI

I
 

Hyrja në Mbrëmjen letrare


«Ilan, Ilan
Na quanin aso kohe
në Gjilan»
                     M.Gashi

Kali i varreve ta kulloti gjelbërimin
Varri yt askund

Molla e Hallës loton për ty
 
Krejt filloi kur nuk ishe ti
Arbor Vitae të ndërroi me një lule
Kali i varreve e kulloti gjelbërimin
 
Ç’bëre ti pa varr në Selishtë
Karadaku i Gjilanit të sfidoi
Atëherë thanë «ilan, ilan
Na quanin aso kohe në Gjilan»
 
Kërkove edhe një lule mbi varrin tënd
 
Kali i varreve ta kulloti gjelbërimin
Ç’u bë me Mbrëmjen Letrare
 
Molla e Hallës loton për ty


Arbor vitae I

«Bredhi nëpër bukuritë që i zbulove ti»
                                   
Mbrëmja Letrare me Mirko Gashin
Filloi në muzgun e parë të ditës së parë
Që e kishte zënë ai në një fletë
Ku kishte shkruar vargun e fundit
Që Arbor Vitae e zëvendësoi me një lule
Sikur deshi t’i sfidonte vetë poetit
Për t’ia zvetënuar hijen Mollës së Hallës
Që e kërkonte te një varrezë e zbrazët
Për ta ringjallur prapë atë
Të hynte në Mbrëmjen Letrare në paramuzgun
Që e kishte hetuar kahmot në poezinë e tij
Aty erdhi vetë Ai Mirko Gashi dhe tha
«Bredhi nëpër bukuritë që i zbulove ti»
Nën hijen e Mollës së Hallës mbeti një lule
Në vend të Epitafit që (s) ta shkrova unë
Një minutë pa vdekur ai që kurrë nuk vdes

Ilan, ilan

«Mos e ngacmoni lumin»

Për ata që pas heshtjes vijnë rikëndova bukurinë
Testamenti mbeti te Molla e hallës në Rudinë

Pasardhësit për ta bartur edhe një peshë
Këtë Mbrëmje letrare e ke gurapeshë

Për ata që vonohen gjithmonë në jetë
Mos i zgjoni as në këtë të errtin vilajet

Ilan, ilan mëkot ishe ato vite në Gjilan
Trari i shtëpisë është kotur në gjumë
Ulkonja t’i lau këmbët në lumë
Të çau më në fund syzeza në trapazan

Përveç poezisë më asgjë s’arrin te Ti
Derisa Mesnata kafshon vetveten në ëndërri

Unë vetëm shtrëngoj dhëmbët në shenjë kërcënimi
Që nuk shpëtova dot as nga vetë pikëllimi

U zhyta thellë në tokë, fluturova në re
«Mos e ngacmoni lumin», më the, më the

Recitali i parë

«Kërkojmë fytyrat tona të humbura»

Ta kujtova fytyrën tënde antike
Në një varg tekanjoz që vinte si dehja
Ime kur të shikoja ty të dehur si unë
Recitali fillonte nëpërmjet reprizave
Të netve që i kishim sharruar në kupa
The, në esullimin të dehjes shenjtërore
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura»
Unë fytyrën tënde e gjeta në dehjen time
Ku mbeti ajo imja që e shihje në kupë
Si diçka që nuk është as fytyrë as kupë
Por bota jonë e ndarë në dy hemisfera
Prej nga të nxirrja prapë unë të pastër
Si alkooli që e pinim së bashku në ahengje
Të Dionisit dhe përthurnim Boheminë tonë
Që s’i ngjante asnjërës që e njihnin të tjerët
Që s’ishin Na por të tjerë që s’i njihnim
«Kërkojmë fytyrat tona të humbura», the
Recitali e vazhdoi Mbrëmjen letrare
 
Kur ma vodhën Lumin

«S’ndodh kjo në teatër»

Atë ditë u zu reja
Më ra e zeza rrufeja
 
Kur ma morën lumin
Ma kthyen gjumin
 
Jeta jetën e pështyn në sy
Lulja lulen e ka nën dry
Minjët nëpër biruca
Ëndërrojnë se janë hardhuca
Rradhiti në poezi
Të bjerë dhe një pikë shi
Buza në vaj
Mos më trishto haj
Shpirtin në terezi
 
E mat koha në Kohë
Të varfërit në moh
I matnin hijet me zhele
Për një grusht karamele
Bënin orgji
Se nuk kisha kravat
Flenim me harushat çdo natë
Me mjekër të bardhë të gjatë
 
Kur ma vodhën lumin
Ma morën edhe gjumin
Thanë, këtu nuk ke vatër
«S’ndodh kjo në teatër»

Gërdalla

«Prej meje deri te ti
 Tre oqeane në gjumë dimëror
 I shtrin loti»

Shkrova për Kalin e Trojës
Për Idriz Seferin bukën e gojës
 
 Për thneglat që fshihen
 Në pasqyrë të pusit pasqyrë
 
 Dielli lëshoi hijen
 Harrova të shikoj në fytyrë
 
 Në kafe «KOHA» mbuloi jetën
 Me poezinë të vërtetën
 
 Marrëzi, marrëzi, marrëzi
 Uluni drekoni poezi
 
 «Prej meje deri te ti
 Tre oqeane në gjumë dimëror
 I shtrin loti», unë jam dashnor
 I Bohemisë sime në gotë

 Gejzeri
 
«Ja, e ke prekur lumin»
 
 
 Gejzeri të mrizon në dorë
 Mbi kokë të rri një kurorë
 
 Derisa stërgjyshërit gjumëpak
 Numëronin plagët në shuplakë
 Koha që ua la në shpinë varë
 Ti rrjedh pa pushim si ujëvarë
 
 Në vargun idhnak të Mirko Gashit
 Mollë e kuqe në brirë të dashit
 Të kërkojnë ty në Mbrëmjen letrare
 Të ëndërrojnë nja dy sylynjare
 
 Gejzeri vetë e zbuloi edhe unin
 Ti the: «Ja, e ke prekur lumin»
 
 RECITALI I DYTË

 Kali i varreve

«Pasha natën e varrit
 Sonte do të bjerë shi»
 
 Njëherë mahrama
 S’mbetet e mbrama
 
 Vazhdon vrapi
 Në mes Lumit hapi
 
 Shtylla e shtëpisë me gurë
 Kob i burrit bërë mur
 
 Në Mbrëmjen e Poezisë
 Zogjtë vriten në pikëllim
 
 Unë rrugëve të gjezdis
 Shpëtim kërkoj amshim
 
 Mos më kthe prapë në poezi
 The, e në këtë përdëllim
 «Pasha natën e varrit
 Sonte do të bjerë shi»
Në dhomën time u bë vërshimë

Recitali i dytë
 
«Të gjitha dituritë për lulen
janë gjysmë të vdekura»
 
Lulja çeli në poezinë tënde sërish lule
Përderisa mbaroi recitali i parë
Poezia më solli te Molla e Hallës

Në Selishtë të Karadakut të Gjilanit
Sa kishte filluar Mbrëmja letrare
Ti erdhe dhe the se dehja kish marrë fund

Poezia i merr të gjitha fronet kur s’jemi
Aty ku jemi gjithmonë ku është poezia
Unë ta recitova edhe një varg të ri
Që e kishe harruar në vjershën e mbramë
Kur e shpëtuam nga dehja e shenjtë

Bohemia është art mbi artet, më the, art
Është të heshtësh kur të gjithë  belbëzojnë
Por, poezia është kur «Të gjitha dituritë
Për lulen janë gjysmë të vdekura»,
Ashtu siç unë jetova përgjysmë

Për të mbetur gjithmonë në Bohemi,
Garson, të lutem, edhe një, garson

Bota ime e vogël

«Arrna jemi arrna s’kemi
Dhembjet t’i arrnojmë»

Një botë e votël na ka mbetur në grushta
Të na i bartin eshtrat qentë e mesnatës
Apo të na shpiejnë skëterrës në ushta
Në dreq nëse bota s’e kupton gjuhën e uratës

Një botë e vogël na ka mbetur në grushta

Ti do vijsh përsëri te Molla lot i zi
Për ta zhvarrosur amanetin që mbeti varë
Të heshtin të gjitha ato që e kanë pasur
Thneglat duke zhvilluar një procesion të marrë

Ti do vijsh përsëri te Molla lot i Zi

«Arrna jemi arrna s’kemi
Dhembjet t’i arrnojmë»
Bota ime e vogël, Bota ime e madhe
Jetën time me dhembje ma shikojnë
Më shpejt se vdekja na vjen një sorkadhe

Zhvarrimi
 
 «Gjeli lajmëron të hënën e vërshimave»
 
 Derisa amaneti ka mbetur në degë varë
 Mollës së Hallës gjethet i janë tharë
 Gjithçka ndodhi pastaj pak nga pak
 Në varreza në Selishtë o në Karadak
 
 Nga Mbrëmja letrare u shfaq
 Varrimi që s’u pa, stuhia
 Na solli prapë këtu, sakaq
 Të gjitha në dorë i mori poezia
 
 Për zhvarrimin e eshtrave të tu
 Krushqit e përlotur pipëtijnë mes veti
 Për botën e madhe të fëmijëve që mbeti në hu
 Të ligjëron më së miri vetë poeti
 
 Athua u shterr gjithë ai ujë i madh
 Emër na dhanë gur t’vetëtimave
 Para se të ndodhë zhvarrimi në gërmadhë
 E pelenat e palara mbetën në bregdet
 
 «Gjeli lajmëron të hënën e vërshimave»

Nata në pikë

«Orfeu prej gjumit nuk u zgjua»

E nata qau atëbotë
Nga loti u ndez prushi
Me një gotë raki rrushi
E unë s’u zgjova dot

Në vatër buzmi i ri
Hap varre të reja
Në një katror të Zi
Mua më gandoi reja

Unë ç’t’i bëj gërdallës
Mbi varr barin tashmë e kulloti
Arbor Vitae kulloi loti
Në Selishtë te Molla e Hallës

Atëbotë deti u tërbua në det
Mollën e Hallës ta lashë amanet
Sikur çdo gjë prapë u harrua
«Orfeu prej gjumit nuk u zgjua»

 Mbrëmje letrare
 
 «Miku im Orfeu i bie lyrës»
 
 Pishën e fik me lot
 Për ty vetmia më han më kot
 
 Në mbretërinë time të natës së thellë
 Deti tërbohet shkumbëzohet në mellë
 Dehja më rrotullon nëpër të njëjtin hell
 Buzëmuzgjeve të rroshkura me një gotë raki
 Botën e zbus edhe për një qetësi
 Kështu përherë më trimëron vetë gota
 Para se të më rrufisi në një hurpë bota
 
 Jeta mundimçare më kafshon përditë
 Mua vetëm vargu arrin të më zhuritë
 Kur me mua jeton vetëm poezia
 Në çdo mbrëmje më trimëron vetmia
 Derisa «Miku im Orfeu i bie lyrës»
 Vetvetës i mbes në copë të pasqyrës
 
 Hesht, më thua Ti, mos fol fare
 Kjo është vetëm një Mbrëmje letrare
 
Vetmia

 
«Në fluturimin e tij të fundit zogu më fton»
 
 Rëndë është të jetosh me poezinë
Për çdo mbrëmje ta kafshosh vetminë
 
Tash mund të vajtoj deri në çmendi
Për Lumin me fytyrën e përlyer të shekullit
Njëzet e një nëpër dalldi
 
Çdo natë çoj nga një gotë
Për shëndet të tij, ç’u bë kjo botë
Derisa eshtrat e trupit tim
Po i grryen krimbi në trishtim
 
«Në fluturimin e tij
të fundit zogu më fton»
Të darkoj poezinë
Në sofër me vetminë
Ferrin tim parajson

RECITALI I TRETË

Prekja

«Edhe ndarja është si çdo vdekje»

Ikur ke shtatë konaqe në gjëmë
Pus në pus të pusit pasqyrë
Lëri kuajt e zes të lodrojnë në lëmë
Bota zgërdhin dhëmbët pas shpine
Ne askujt s’i kemi grrithur fytyrë
Në rrazhginë të një lëndine
 
Heshtjen ta falën zogjtë urti
Të gjitha i ktheve në poezi
 
Zogjtë të këndojnë prapë në mesditë
Ç’u bë, kush i fshiu biografitë
I more me vete kur shkove në Selishtë
Të mbeti një poetikë e unazë në gisht
Lulja u venit derisa e shikove në sy
Ajo dy herë u lulëzua vetëm për ty
 
 «Edhe ndarja është si çdo vdekje»
Si kjo butësi që dallohet në prekje

Festa e natës
 
«Kërkojnë fytyrat tona të humbura»
 
Derisa cakrroj gotën me Ty
Dy lule sosen ndër petale
Ti sillesh në mënyrë brutale
Të tretën ta zbërthej në sy
 
Nuk flet nuk të dëgjon askush
Vargu ta mbush gojën prush
Ulurimë malësia e Karadakut
 
Me buzë mollën kafshon Mollë
Hijeshinë ta sfidojnë si bollë
Halla e qetë fle
Dy Gonxhe të bukurisë së gjakut
 
Ditën të kërkon të bukur krenar
Natën të kafshon dhe të hudhë në litar
 
Ti kërkon të përjetshmin pushim
Ti lësh vetëm këngët e hutuara
Që «Kërkojnë fytyrat tona të humbura»
Kërko për mua një biletë për amshim

Gjarpri

«Me Feniksin e fjetur në zemër
zbrite nga Mali i errtë»
 
Thneglat marrin udhë t’i ikin vjeshtës
Për ta gjetur të fjetur në vesë
Në ëndërr e tejkalojnë në legjione kreshtën
T’i fshihen gjarprit të shtëpisë në harresë

Si zog i zgjuar përsëri i dehur dremitem
Në këngën tënde ende më ushtojnë veshët
Në melodinë e qetësisë i tëri shafitem
U ndërrua kjo lojë derisa me mua u ndeshët

Ti flokëve të thinjura u vure emër
Gjakimin e këndimit Hyji vetë ta fali
A nuk më njohe në melodinë e parë
Kur na ngarkuan të dehur Trojën si një kali

Ritmin e hapave numëron nata e skëterrtë
Ikonat në dhomë buzëqeshin ngadalë heu
Derisa asgjë s’pipëtin veç hija jote orfeu
«Me Feniksin e fjetur në zemër zbrite nga Mali i errtë»

Recitali i tretë
 
«Fjala është mik e armik,
ruaju prej saj ta ha kokën»
 
Kali i varreve ta sosi gjelbërimin
Varri yt askund varri askund
 
Recituesit ta shoqëruan një kor
Ku ti dirigjoje heshtjen tënde memece
Dhe shaje krejt çka kishe e s’kishe
Pse të lanë aty ku nuk kishe varr
 
Hipi gërdallës sate si Ipokrenës
Dhe zbrit edhe njëherë këtu në Selishtë
Karadaku i Gjilanit të merr erë
Dhe të njeh ashtu siç e njohe ti atë
 
Hipur mbi gërdallën tënde të coftë
Për të satën herë thuaj i dehur esull
«Fjala është mik e armik,
Ruaju prej saj ta ha kokën»
 
Kali i varreve ta sosi gjelbërimin

Gjeli herak
 
 «Ja,
Ajo që më është imja Golgota
Portreti im i dalë nga gota»
 
Tani mëkot e bëre grevën grevë
Në këtë natë pa hënë skëterrë
Se gjuhën s’ta kupton asnjëherë
Asnjë kalorës as e shenjta Evë
 
Diellin na e pagëzuan në fund
Udhëtar të humbur në thellësi
Dashurinë tënde prej këngëtari
Nuk ta kuptojnë urithët me mund
 
Në trupin e trarit të shtëpisë
Varë e ke buzëqeshjen gri
Për të njohur siç je i ri
Mbrëmjen kamertale të poezisë
 
Në faqen e hënës së këputur
Asgjë nuk pipëtin më
Veç qenve lazdranë e një flutur
Qetësinë e bëjnë asgjë
 
Filozofia e Lumit

«Ajo do të thotë të luash me fjalë»
 
Bëj ç’të duash me mjekrën time
Të bardhë të zezë si do ti
Vetëm qafën mos ma dridh në litar
Para se të më recitoni poezi

Çerdhen ngrite mbi plisin tim të Zi
Mos lejo që Zogjtë e Stimfalisë
Që me dhëmbët e marrëzisë
Mbi varrin tim të këndojnë përsëri

Era le të fryjë e përzier me shi
Në Mbrëmjen e nisur letrare
Derisa Mollës gjethet t’i dalin përsëri
Mos më zgjoni nga ky varr fare

Mbi botë ka mbetur prapë një valë
Dhe gjithnjë i njëjti lumë rrjedhë
Nëpër mua deri në amshim bredh
«Ajo do të thotë të luash me fjalë»

Arbor vitae, II
 
«Lironi Kalorësit e Apokalipsës»
 
Si nuk të njohën Zogjtë e Stimfalisë
Kur erdhe sërish këtu në këtë vend
T’i këndosh vargjet e fundit të poezisë
Që nuk e shkrove ende në Arbor Vitae
Pak pa ta zvetnuar hijen Molla e Hallës
Mbrëmja letrare mund të fillojë the
Kali i varreve ta kishte shkelur gjelbërimin
Askush nuk e hetoi se ti ishe aty
Dhe këndoje vetë uratën që s’ta kënduan
Pak pa rënë muzgu i parë i ditës së parë
Kur u zure pisk në Selishtë të Karadakut
Gjilani të mbeti në perëndim të vargut
Kur the: «Lironi Kalorësit e Apokalipsës»
Sa nuk ju zuri Muzgu i Mbrëmjes letrare
 
Përcjellja e Mbrëmjes letrare

 
«Nga hiri im
do të fluturojë Feniksi»
 
Kali i varreve e sosi gjelbërimin
Derisa pëlciti nga mërzia
Ti të gjitha këto i pe Mirko Gashi
 
The Kjo është Mbrëmja ime letrare
 
Muzgu u sos në skaj të pikëllimit
Vetmia i bëri dy veta që të lotojë
Unë ta mbolla vetëm një lule në kujtesë
U kullot krejt gjelbërimi mbi varrin tënd
 
E varri yt askund ai varr varri
Vetëm lulja më mbeti në dorë
Dhe recitali i poezisë sate
«Nga hiri im do të fluturojë Feniksi»
 
Ti e lotove i fundit pjesën që mbeti
Ç’u bë me Mbrëmjen letrare
Me Mirko Gashin në Selishtë
të Karadakut te Molla e Hallës
 
«Nga hiri im
do të fluturojë Feniksi»
 
(Selishtë - Prishtinë, 1996)


NGA   R E C E N S I O N E T
 
Një homazh lirik gjithë pietet për mikun dhe poetin e ndjerë, një kërkim i mallëngjyer devoçëm udhës së pambaruar të vargut të tij bohemik, një motërzim i shlirë fryme e frymëzimi me vargërimin mirkogashian.
Duket sikur Ramadan Mehmeti ka gjetur njërën nga mënyrat e shkueshme dhe të hieshme për të shndërruar tërë një libër në ligjërim përkushtimor lirik kushtuar mikut të tij të penës, për të lëvizur më tej vazhdimësinë e një jete mjaft të përveçme prej njeriu e poeti siç ishte ajo e Mirko Gashit, duke ngelur gjithnjë mik i tij dhe poet i vetvetes.
Gjasimet motërzuese në këtë tufë përkujtimore lirikash nuk janë të rastësishme dhe nuk ndodhin me pahir, ato veçsa pikëzojnë shenja veçantish të njërit e të tjetrit poet duke e bërë të veçantë edhe këtë libër.
Azem SHKRELI

Libri më i ri i Ramadan Mehmetit me poezi «REQUIEM PËR MIRKO GASHIN» frymëzohet nga personaliteti i njeriut dhe krijuesit Mirko Gashi. Me jetën dhe artin e tij të veçantë edhe për gjallje të tij ai imponoi si rrallë ndonjë poet tjetër kosovar i brezit të mesëm. Aforistika në vargje dhe bohemia në jetë, dy veçanti të vërejtura të këtij personaliteti të dalluar në letërsinë e re shqipe, kanë bërë që jo të gjithë bashkëkohësit e tij të drejtpërdrejtë ta kuptojnë dhe ta pranojnë njësoj. Por, pikërisht këto dy veçanti përbëjnë autenticitetin e një jete dhe një vepre që nxisin meditime dhe këngë të reja.
Mbi një bazë të tillë inspirative është realizuar edhe libri «REQUIEM PËR MIRKO GASHIN» i Ramadan Mehmetit. Megjithëse i ndarë në tri njësi ciklike, libri paraqet një unitet stilistik dhe fabulativ të harmonishëm, kështu që përjetohet si një tërësi poemike. Heroi lirik është i pranishëm, jo vetëm si jeh frymëzimi, por edhe si fakt rezultativ i kërkimeve të tij krijuese me vargje që citohen e që shërbejnë si pikënisje këngëtimi të ri. Është e njohur porosia e poetit Mirko Gashi, i cili thoshte që mbi varr të tij të mos mbahen fjalime, por të thuhen vargje. Me REQUIEMIN e tij Ramadan Mehmeti në mënyrën më mirënjohëse e ka çuar në vend porosinë e poetit.
Poezitë mjaft të realizuara të këtij vëllimi janë një ritual i përmbivarrshëm gjëllimi dhe amshimi për njeriun, poetin dhe bohemin që rilind në vargje dhe kujtime të paharruara.
Qerim UJKANI

***

Ramadan Mehmeti

REQUIEM
PËR MIRKO GASHIN

Biblioteka
D R I T A

Redaktor
Beqir Musliu

Recensentë
Azem Shkreli
Qerim Ujkani

Lektor
Sylejman Syla

Ndërmarrja Botuese
RILINDJA
Prishtinë
1997



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora