E shtune, 20.04.2024, 05:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Koço Pihoni: Në Pogradec me Agollin dhe Xhuvanin

E enjte, 16.04.2009, 06:52 PM


Dritëro Agolli
Në Pogradec me Agollin dhe Xhuvanin
 
Nga Koço Pihoni

Tregohej se dikur persiani Omar Khajam në kohën e tij, ndërmori një udhëtim turistik, në Greqinë antike, Ilirinë e Epirin e saj. Në atë udhëtim ai personalitet shoqërohej nga disa bukuroshe, nga ato viset ekzotike, dëshmi e identitetit, traditë e kulturës arabe dhe e rrethit shoqëror që ai përfaqësonte, mbasi ai ishte i biri i njeriut më të lartë të besimit islam për gjithë Persinë, Iranin e sotëm, i njërit nga sheikët më të pasur të Arabisë. Khajami ishte përfaqësues i asaj kulture të mishëruar në ato përrallat e “Njëmijë e një netëve arabe”, me Sherezaden, simbolin e përsosmërisë, të së bukurës, zgjuarsisë e mendjes së hollë femërore.
Në Greqinë e vjetër ai vizitoi Akropolin, ku mësoi për hyjnitë, antikitetin, filozofët e demokracinë, prej andej vizitoi Ilirinë ku mësoi për fjalën e dhënë e besën e mbajtur, për Kostandinin e Dhoqinën, eposin e Mujit e Halilit, për mbretëritë ilire, Pirron e Epirit, Aleksandrin, Enkeleun, Bardhylin, Klitin e bijtë e tyre. U njoh me traditat e bukuritë e stinëve të vitit si të verës e dimrit, shijoi lezetin e zjarrit në oxhak, mësoi e shijoi dollinë, kulaçin e lakrorin, verën, rakinë, koranin, pastërmanë e bostantavat, shijoi peshkimin e gjuetinë e kaprojve dhe derrave të egër në pyjet fantastikë të Valamarës. Në përfundim të udhëtimit, në kthim vizitoi Dubain, Bagdatin e Teheranin.
Mbas atij udhëtimi të zgjatur në djepin e kulturës së Evropës, ai kuptoi sa bosh e kishte jetuar jetën i mbyllur, në atë botën e dijeve të kohës, mes papirusesh e librash të shkruar, biblash e kuranesh. Ky udhëtim e zgjoi, e shkundi, kuptoi se jeta është e shkurtër dhe ajo duhej jetuar, prandaj hoqi dorë nga filozofia përfundimisht. I dëshpëruar, analizoi vitet e jetuara, do shprehej solemisht: “Hoxhë, prift, kishë e xhami, batërdi për qeveri..., e iu vu punës e shkroi xhevahiret e tij, ato rubairat e famshme, të cilat i çmykën mendjet e njerëzimit të gjithë botës, shkurt gjatë atij udhëtimi, gjatë kohë-qëndrimit në Enkelanën e Ilirisë {Pogradeci sot} ai mësoi, si pihej vera, rakia e si bëhej muhabeti këmbëkryq, mësoi si ngrihej dolli. Këto bëma janë gjetur të shkruara pas 700 vjetësh, në kujtimet e lëna të shkruara prej dorës së tij, ato shkrime, ndikuan e joshën ata sheikët nga Arabia Saudite, për të ndërmarrë një udhëtim turistik nga Dubai në qytetin e Pogradecit. Mysafirëve të nderuar iu rezervua një pritje shumë e përzemërt në Bashkinë e qytetit tonë. Nën kujdesin e Bashkisë, mysafirët u akomoduan në ish-peshkopatën, që në kohën e ilirëve, bujtina turistike sot e Liknidës, ku për nder të tyre u shtrua një drekë në ambient në natyrë në mullinjtë e Linit. Dreka i ishte besuar Ristos së Çomos, ustabashit të gatimit të peshkut që kishte kënaqur “Mbretin“ për shumë vjet, ku një personalitet italian, i mrekulluar e falënderoi, e tha se kishte shëtitur botën, por këtë gatim s e kam shijuar. Dreka u shoqërua dhe nga grupi i këngës pogradecare në drejtimin e maestër Jovan Shukes, ku u pëlqyen së tepërmi nga mysafirët vargjet e këngëve, “Dëbora zbardhi malet”, “Varkat u nisën përtej limanit”, “Mos kujto se s gjej një tjetër, që ta ketë syrin e zi”... etj, gjë që i kënaqi së tepërmi sheikët e Arabisë Saudite.
Këta turistë arabë insistuan për të bërë të mundur vullnetin e kryetarit të Bashkisë të pranonte ftesën e dorëzuar prej tyre, për ta kthyer vizitën e tyre që të konkretizohej kjo vizitë me dëshirën e padurimin për binjakëzimin e Bashkisë së qytetit tonë, me atë të Dubait. Sheikët nga Arabia Saudite ofruan të bëjnë investime për turizëm vendor këtu, objekti i përzgjedhur ishin kodra në kalanë e qytetit, sot vendndodhje rrënojash, që dikur ngrihej “Troja” e enkelejve me muret rrethuese të saj. Në brendësi të asaj kështjelle ndodhej thesari i mbretërisë e trofetë e luftërave të enkelejve, përkrah Aleksandrit të Maqedonisë, ku mendohej se ndodhej “arka me objekte e urdhëresat e shkrimeve të shenjta të zhdukura nga thesari i mbretit Solomon, fatmirësisht ai “thesar“ u mbrojt e u shpëtua nga vjedhja e plaçkitjet e hordhive të barbarëve. E sot ai thesar mendohet se ndodhet i fshehur atje në malin Perëndi {Kozic} të Mokrës. Mbase janë edhe këto arsye, që ata i bënë ftesë zyrtare, kryetatit të Bashkisë sonë të shikojë mundësinë e një vizite në krye të një delegacioni, ku në përbërje të tij, mendohen të bëjnë pjesë myftiu i qarkut tonë Qazim Muçi, hirësia e tij Johani, agrokultivuesi e përpunuesi i rrushit, N. Pasko, dr. veteriner Ll. Qafko e poeti lirik Dh. Pojanaku. Kthimi i vizitës së miqve të nderuar nga Arabia Saudite do të shprehë mirënjohje për kulturën e vendeve të Arabisë Saudite e vlerësim për sheikët multimiliarderë, që kanë zgjedhur qytetin e Pogradecit në Shqipëri për të shërbyer si urë bashkëpunimi midis shtetesh, binjakëzimi me qytetin simbol të bashkëjetesës midis besimit fetar e popujve e racave të ndryshme. Po ashtu, në fushën e bashkëpunimit tregtar e investimeve, firmosjen e miratimin e planit për ndërtimin e një “qyteze turistike “me 1001 e një vila për sheikët nga bota arabe, me vendndodhje në kalanë e qytetit, ku parashikohet dhe ndërtimi i një fushe aviacioni me sipërfaqe 20 ha në Malin Perëndi {Kozici në Mokër}, e me vënien në funksion të një linje teleferiku Kozic – Kala e qytetit – Liknida e Piskupatit.

Me Dritëronë

Dritëronë e gjetëm në lulishten e Bar – Hotel “Milleniumi” në Tushemisht, surpriza jonë për atë ishte dorëzimi, dhurimi i një monografie të shkruar për Niko Nikollën, për bëmat e tij të pashkruara, ku personazh shumë i rëndësishëm është edhe D. Agolli dora vetë, byrazer me Nikon tërë jetën. Monografia titullohej “Ky, Ëngjëlli a Shenjti midis tri Jetëve”, për të cilën na falënderoi shumë dhe në kujtim të Nikos, urdhëroi kamerierin të sjellë tri gota me verë, që u pinë me eks, sikur desh të vërtetësonte Omarin: “Mbushini gotat, më kujtoni në dolli, do shihni si do ngjallem përsëri”. Edhe i thamë ne Dritëroit se ju jeni tashti për ne e gjysma tjetër e munguar. E Dritëroi tregonte se që kur ishte martuar me Sadijen, për çdo vit muajin e “Mjaltit” në Pogradec e kemi kaluar, dhe kujtonte Turizmin e Vjetër të qytetit e mikun e tij të mirë, drejtorin e atij Turizmi, Rapi Lakon e prej shumë vjetësh tashmë mikun e tij të ri, Pandi Llakmanin, poseduesin e Bar-Hotel “Milenium“. “Thonë se vendi e soji i gruas duhet shumë. Nuk jam kundër, po unë shokë e miq më shumë kam në Pogradec se sa në Shkodër”.

Me Dhimitër Xhuvanin

Xhuvani, ky shkrimtar, ky personalitet i artit e kulturës sonë kombëtare, është pa mëdyshje vlerë e shtuar e këtij vendi. E takuam atë lehtësisht, së toku me një shok të ri të letrave, Istref Haxhillarin, në lulishten e një bari buzë liqenit së bashku me bashkëshorten e tij. Na mirëpriti e biseduam gjatë me atë njeri, me mëndje, shpirt e zemër të artë. Xhuvanit iu dhurua romani i shkruar nga I. Haxhillari “Pesha e kohës“, për të cilin më pas ai, pasi e lexoi, shprehu vlerësimin e tij, ku autori sjell pjesë nga jeta, në një të shkuar nga krahina e Mokrës sonë. Xhuvanit i kërkuam të na shuante kureshtjen, mbasi deshëm të dimë se si vajti puna e tij, pas botimit të romanit disident “Tuneli”, për të cilin na i rrëfeu historinë fije për pe dhe se e atë e kishte shpëtuar “Valixhja” nga një ferr pa fund mbase. Xhuvani, ky “djalë” është dhe krenaria e qytetit tonë, se është pinjoll pogradecar, nip i Tushi Milo Paskos e dr. Gjergj Pekmezit. Ai tregonte me nostalgji histori nga fëmijëria e tij, ku bën pjesë dhe skenari i filmit “Mëngjese lufte“ ku vendet e xhirimit, emrat e personazhet, janë realë si Tomka e shokët e tij. Xhuvani tregonte kujtime nga vitet e vegjëlisë së tij që i kish jetuar këtu.
Tregonte Xhuvani se si nënat e tyre, aso kohe kishin një rregull e edukatë gatimi për të gjitha ditët e javës në Pogradec, një ditë të javës gatuhej për drekë peshk, ditën tjetër një gjellë me mish, të premten ziente poçja me fasule thjesht a me pastërma. E diela ishte e lakrorëve, përdorej një thënie atëhere për të në Pogradec: “Po të bëhet kadja rezil, byreku, lakrori bëhet për Vezir”, nëpër ashefet të dielën, ndizeshin zjarret në vatra e piqeshin lakrorët në çerepe e saçet me hi mbi to, ne kur ktheheshim nga gjoli të urtuar për në shtëpi, rrugës të ngrinte era e lakrorëve e byrekëve, tërë furrat e pjekjes që ishin në buzë të rrugës, që fillonin sa kaloje Tyrben e Shën Kostandinit e shkon për te Qafa e Pazarit, ishte furra e Cikos, më lart ishin furra e Kolit dhe e Kopi Matos, më lart ishte furra e Kilit të Prendos dhe atje ku dikur bëhej pazari të enjten, ishte furra e pjekjes e Llambit të Ndinit, atij mjeshtrit të pjekjes së mishrave e kukurecëve të shqerrave, tavave me peshk e bostantavave. Taqka tregonte për ato marshimet e bëra në vegjëli, për në Mokër në ditën e festimit të Shën Marenës, ku atë natë ndizeshin mbi 100 zjarre e ngrinim me dhjetëra kasolle me degë bushi e fieri, që të kalohej ajo natë pelegrinazhi në atë vend magjepsës, ku syri të ngopej me gjelbërimin e pyjeve të Bishnicës e Oshëtimës. Më pas Xhuvani tregonte kujtimet dhe për ato vitet e luftës kur ata kishin qenë “muhaxhirë” në Nicë, Mokër, Çervenakë, vite këto që m u fanepsën, m u rikujtuan, më erdhën në mendje në atë eksodin e kosovarëve në vitin 1999, kur ne si familje shkuam atje në kodrat e Liqenit Artificial e morëm një familje me tre pjesëtarë. Kur arritëm në shtëpi e po prezantoheshim, koincidencë, ata kishin pasur mbiemrin Bejlegu të njëjtë me mbiemrin e sojit të gruas sime nga Elbasani. Dhe ajo nëna e vjetër u gëzua shumë e u thotë atyre dy vajzave të saj, “paskemi qëlluar në njerëzit e fisit tonë e s e paskemi ditur që e paskemi prejardhjen e fisit tonë nga Elbasani”. Ne u përshëndetëm me bashkëshortët Xhuvani dhe u larguam për atë ditë, duke marrë dhe të falat për familjet tona. Kur shkova në shtëpi ia përshkrova bisedën gruas e fëmijëve dhe gruas iu fiksuan ato fjalët e thëna e mitizimi që i bëhej lakrorit nga Xhuvani. Hëngri inat e bëri një nga ata lakrorët e së dielës që rrëfeu ai, nga ata kur bëhej kadja rezil doemos lakrori bëhej për t u nderuar, për pasha e vezir. E morëm atë lakror e shkuam e drekuam bashkërisht atë të diel, me Naun Paskon, Dhimitër Xhuvanin e bashkëshortet tona. E si për t i bërë karshillëk Xhuvanit e për t i thënë se ne këtu në Pogradec e ruajmë dhe e transmetojmë traditën, besoj se ai u bind se e provoi vetë si Shën Thomai e prandaj tha: Se me të drejtë thuhet se si bëhen kuleçët në Mokër e lakrorët, tavat me peshk e bostantavat në Pogradec. ”Rëk” se bëhen më të mirë gjetkë, në këtë dynja. Për Zonë e Vërtetë!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora