E merkure, 24.04.2024, 02:53 PM (GMT+1)

Editorial

Mos luani me ndjenjat, as me gjakun e popullit tim!!!

E diele, 22.07.2007, 02:10 PM


Nga Engjëll KOLIQI

Engjëll Koliqi
Lecco (Itali), 20 korrik 2007. - Dardania Antike, toka që i ka dhënë shumë njerëzimit: autorin e aktit të parë të demokracisë njerëzore – lirisë së besimit – perandorin e famshëm – Shën Konstantinin, autorin e himnit të kishës universale – TE DEUM, që edhe sot këndohet në mbarë botën – Shën Niketë Dardanin, dhe shumë figura të ndritura – personalitete e protatgonistë të historisë. Dardania e shtypur dhe e tkurrur, mbi 30 shekuj radhazi... Dardania e mbi 110 mijë kilometrash katrorë, e shndërruar në një Kosovë të mbetur me më pak se 11 mijë kilometra katrorë. Kosova e Vogël e Dardanisë së Madhe, edhe sot vazhdon të sulmohet e të fyhet, nga të gjitha anët. Kosova e martirizuar në sytë e botës, para të gjithë arbitrarëve.... edhe sot, mjerisht, po përdoret si kartëmonedhë kusuritjeje, në udhëkryqet e interesave të fuqive dhe të pretenduesve të llojeve të ndryshme, deri nga më të fëlliqtit.
Shekull mbas shekulli toka dardano-kosovare u ujit dhe u qull me gjakun e bijve të saj, gjithnjë të pushtuar dhe të detyruar të luftojnë për liri. Kështu ndodhi edhe në fund të shekullit që e lamë pas, deri në vitin e fundit (1999) duke derdhur lumenj gjaku, në kërkim të lirisë. Më në fund, fatmirësisht, bashkësia ndërkombëtare e pa me sytë e vet tmerrin dhe terrorin që pushtuesit serbianë ushtronin mbi popullin tim dhe përfundimisht vendosi të ndërhyjë, për ndërprerjen e terrorit serbian mbi popullin e Kosovës, që asokohe (më 1998 e 1999) kishte mbërritur në shkallën e gjenocidit të hapur. Forcat e armatosura të NATO-s, në pranverën e vitit 1999, plot 78 ditë bombarduan postacionet e forcave të armatosura serbiane në Kosovë, derisa e detyruan regjimin e Beogradit të nënshkruaj Marrëveshjen e Kumanovës (10 qershor 1999), me të cilën u vendos tërheqja e krejtësishme e forcave ushtarake dhe policore serbiane nga territori i Kosovës.
Me të ikur të forcave serbiane, në Kosovë hynë forcat e NATOS dhe të vendeve të tjera, në partneritet me aleancën, që në fillim ishin mbi 40 mijë trupa e sot janë rreth 17 mijë, të njohura si KFOR. Administrata civile u vendos nga OKB-ja dhe u quajt UNMIK, që edhe sot vazhdon të komandojë dhe të bëj ligjet e rregullat, për jetën e gjithëmbarshme në Kosovë, ku edhepse thirret në vlerat e demokracisë, shpesh shfuqizon vendime të Kuvendit të Kosovës dhe i zëvendëson ato me diktate të pakuptimta dhe krejtësisht të ndryshme nga ligjet dhe rregullat e demokracisë.
U dasht të kalojnë mbi gjashtë vjet të administrimit të Kosovës nga palë të ndryshme, të thirrura në emër të OKB-së, për t’u vendosur fillimi i procedurës politiko-diplomatike, për vendosjen e statusit të saj përfundimtar dhe ecjes në histori me një emër... u caktua i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, për udhëheqjen e bisedimeve, deri në marrjen e vendimit për statusin përfundimtar të Kosovës – ish presidenti i Finlandës, Ahtisaari. Filluan bisedeimet në Vjenë, ku edhe u vendos zyra speciale e përfaqësuesit special të OKB-së për Kosovën. U takuan disa herë delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit, por nga dallimet diametrialisht të kundërta, nuk u vendos asgjë nga ato bisedime, që më në fund u shpallën të dështuara. Dihej dhe pritej dështimi i tyre, sepse në Beograd janë ndërruar vetëm njerëzit në pushtet, por jo edhe regjimi. Sikur të gjitha regjimet tjera të Beogradit, edhe qeveria aktuale, nën komandën e Koshtunicës, me stilin tashmë të njohur nga të gjithë - të mitologjisë së ndryshkur serbiane, assesi të mund të lirohet nga pretendimet territoriale dhe shfrytëzuese mbi vendet tjera dhe mbi popujt tjerë. Duke e parë një realitet, që në Beograd assesi të mund të ndryshohej, i dërguari special Ahtisaari hartoi paketin bazë për vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës, që edhepse i urdhëruar nga qendrat botërore të arbitraritetit, nuk e përmendi fjalën pavarësi, i propozoi të gjitha kompetencat, që Kosovës i garantojnë pavarësinë, në mungesë të sovranitetit të plotë (me mbikëqyrje ushtarake e civile, edhe për një kohë).

Pse ende lejohen gjakpirësit karpatianë të luajnë me ndjenjat dhe me gjakun e popullitm tim ?!

Kur të gjithë mendonin se – mbas shtyerjes disamuajshe (për të ashtuquajturat zgjedhje "demokratike" në Serbi), do të votohet paketi Ahtisaari në KS të OKB-së dhe do të mbyllet njëherë e përgjithmonë çështja e Kosovës, që në decenien e fundit kishte dridhur diplomacinë ndërkombëtare, deri në kulm, dolën haptas gjakpirësit karpatianë, që të udhëhequr nga ish drejtuesi i KGB-së famëkeqe – Vladimir Putin, të kërcënojë bashkësinë ndërkombëtare dhe të pengojë marrjen e vendimit historik, për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Pse, kjo botë e civilizuar dhe "demokratike", kur i di të gjitha faktet dhe argumentet, nuk ia hedh në sy të tërbuarit Putin?! Pse nuk publikohen, madje edhe në KS të OKB-së edhe emrat e eprorëve dhe ekspertëve ushtarakë, të dërguar në ndihmë kryekriminelit Milosheviq, në luftë kundër popullit të Kosovës. I kemi edhe emrat e tyre, të vrarë nga luftëtarët trima të UÇK-së! Pse nuk i thuhet qartë historia e avionëve luftarakë, të "mrizuar" në hangaret famëkëqinj të Goleshit, që edhe nxitën hyrjen e forcave ruse në Kosovë para trupave të NATO-s, në qershor të vitit 1999?! Ç’do tash ai Putini në Kosovë?! Athua ne jemi fajtorë, që po rrezikon dështimet e tij në centralet bërthamore në Iran dhe në Korenë e Veriut?!
Pse ende të kërkohet "koncensus" me gjakpirësit nga Beogradi?! Cila është "e drejta" e Beogradit, për vendimmarrjen mbi statusin e Kosovës, kur e ka humbur luftën, në të cilën ka derdhur lumenjë gjaku?!...

Vjelljet e reja të marrëveshjes së fshehtë ruso-turke të vitit 1878, që po sakaton popullin shqiptar, që nga Kongresi i Berlinit...

Me çfarë qëllimesh Javier Solana dhe Europa Plakë kërkojnë bisedime të tjera me Beogradin, nën drejtimin e Grupit të Kontaktit ?!... mos vallë janë zgjuar lugetërit e shekullit XIX, që kishin vendosur copëtimin e tokave shqiptare, në Kongresin e Berlinit?! Ishte asokohe marrëveshja e fshehtë ruso-turke, që "u përqafua dhe u bekua" nga fuqitë e kohës dhe Europa Plakë, duke përfillur aspiratat sllavo-ruse, filloi procedurën e copëtimit të tokave shqiptare!
Po ajo Europë, që palnifikon "zgjërimin" me Rusinë dhe me Turqinë brenda, Europa ekspansioniste, që do të jetë Europë me më shumë toka aziatike se sa europiane, një Europë e rjepur deri në zgjebosje, në bishtin e interesave famëkëqija, edhe sot vazhdon të bëj presion mbi udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Kosovës, që "të mos marrin vendime unilaterale", sepse "do të mund të përkeqësojnë gjendjen"!!!... Sa cinike?!..... Europa Plakë, që thirret në demokraci e në vlera të civilizimit, për hir të interesave të fëlliqura me Rusinë e me Turqinë, edhe sot mbetet peng e marrëveshjeve të fshehta ruso-turke të shekullit XIX, që na fëlliq edhe sot me vjellje të reja e të qelbura.... Edhe sot Europa Plakë e përfaqësuar ndërkombëtarisht nga njëfarë përfaqësuesi i lartë – Javier Solana (kumbara i Beogradit, që pagëzoi federatën jetëshkurtër serbomalaziase), kërkon zhvendosjen e çështjes së Kosovës nga OKB-ja, duke propozuar bisedime të reja në mes Beogradit dhe Prishtinës, nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Grupit të Kontaktit. Po çfarë bisedimesh?!... Prishtina mund dhe duhet të bisedojë me Beogradin vetëm për çështjet e sukcesionit, të pagimit të dëmeve të luftës dhe të një bashkëpunimi eventual ekonomik, si dy vende fqinje.

Zgjohuni – Europë dhe Kuvend i Kosovës!!!

Ju lutem, shumë ju lutem! Europë, mos dëgjo dokrrat e Sollanës, që do të mbetet mik i Putinit e Koshtunicës, i atij që do të të shkatërrojë vlerat e lartta të civilizimitm europian, me futjen brenda të interesave ruso-turke! Europë, mos luaj më me ndjenjat dhe me gjsakun e popullit tim! Mos, se populli shqiptar nuk e meriton këtë!
Europë e Vlerave Civilizuese dhe Demokratike, të lutem dëgjoje njëherë zërin e arsyes, zërin e vërtetë të demokracisë, që nga Kuvendi i Kosovës dhe nga çdo kënd i tokës sonë thërret: njihe pavarësinë e vendit tonë! Është kjo kërkesa jonë minimale e aspiratave të drejta dhe të natyrshme kombëtare! Na takon e drejta e ribashkimit kombëtar, e drejtë e cënuar nga interresat tuaja të fëlliqta! Europë, ju lutem dëgjoni zërin tonë të arsyes, që thërret pa pra, derisa nuk është tepër vonë: mjaft me lojërat e fëlliqta mbi kurrizin e një populli të martirizuar!!!
Kuvend i Kosovës – deputetë që jeni zgtjedhur me votën e popullit, ju lutem mos prisni më kryqëzime të reja interesash të fëlliqta mbi supet e gjakosura të popullit tonë: rikonfirmojeni shpalljen e pavarësisë, në një mbledhje të ngutshme e solemne, pa përfillur sygjerimet që vijnë nga jashtë, as nga brenda! Nuk gaboni, sepse po rikonfermoni një aspiratë të popullit që u ka zgjedhur!!!
Është koha e fundit, ju lutem veproni menjëherë – sot, sepse nesër është vonë!!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora