E marte, 23.04.2024, 04:28 PM (GMT+1)

Mendime

Edmond Arizaj: A është Rama burrë shteti?

E merkure, 15.04.2009, 06:10 PM


A është Rama burrë shteti?

Nga Edmond Arizaj

Katër vjet në opozitë duhet të kenë mjaftuar për shumë shqiptarë, për të krijuar idenë e tyre rreth burrërisë shtetdrejtuese të kryesocialistit Edi Rama. Me gjithë vitet e gjata në pushtet, Rama nuk ka pasur asnjëherë në dorë përgjegjësitë e një burri shteti. Kështu për të zëvendësuar “të keqen e madhe”, Sali Berishën, shqiptarët duhet të kenë të paktën një figurë të mjegullt se kush është “e keqja” e panjohur që do t’i zërë vendin. Nëse është më i përballueshëm se i pari, më i pranueshëm se i pari dhe më shpëtimtar se i pari. Tek e fundit, a është Edi Rama një burrë shteti për shtetin tonë? A i ka ai sjelljet, veprimet dhe reagimet e një burri shteti?
Le të bëjmë modestisht një grafi të disa prej veprimeve dhe qëndrimeve të Edi Ramës në këto katër vjet kryeopozitar dhe pretendent për kryeministër, sipas deklaratës së tij të fundit.
Edi Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste pas humbjes së kësaj të fundit në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut, duke “mallkuar” paraardhësin dhe “oborrin” e tij drejtues në parti dhe qeveri. Rama nuk sqaroi dhe ende nuk ka sqaruar sot përfundimisht qëndrimet e tij karshi Partisë Socialiste shumë përpara se ai të bëhej kryetar i saj, por edhe gjatë fushatës zgjedhore të 2005-ës. Dhe çuditërisht, Rama ka ende përkrah njerëzit e “oborrit” të “të mallkuarit” paraardhës. Asnjë prej ministrave të Fatos Nanos nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen. Asnjë pjesë e ish-lidershipit të Nanos në parti nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen. Vazhdojnë qetësisht të militojnë si përkrahës besnikë këtë radhë të Edi Ramës, ose listës së tij. Ndoshta një burrë shteti nuk do të sillej në këtë mënyrë; kënaqësi në torturën e të tjerëve, pavarësisht nëse e meritojnë apo jo.
Edi Rama proklamoi me të madhe bashkimin e së majtës, e cila në zgjedhje kishte marrë shumicën e votave, por gjithsesi ishte në opozitë. Faji sërish iu la Fatos Nanos që nuk diti të bashkojë opozitën, teksa Rama nisi punën për riorganizimin e partive të majta për të qenë së bashku në zgjedhjet lokale. Por menjëherë pas tyre, pas fitores së të majtës në qendrat kryesore urbane, prishet marrëveshja me partinë e dytë opozitare, LSI. Nga Rama edhe sot nuk ka një qartësim të kësaj “anomalie” opozitare, e cila kulmoi deri me heshtjen injoruese kur ish-aleati kryesor në zgjedhjet lokale qëndroi dhjetë ditë në grevë urie. Qoftë edhe për hi syve, një burrë shteti do t’i kishte artikuluar pak fjalë për një prej mbrojtësve të tij në kohën e pushtetit të paraardhësit, bashkëpunëtorit kryesor kur ishte kryeministër dhe së fundmi edhe ish-aleat i tij. Një burrë shteti nuk udhëheq me inat. Ai di t’i shtrijë dorën edhe kundërshtarit edhe aleatit, jo për të lypur si në rastin Gërdec-Kushtetutë, por për të vendosur kushtet dhe kërkesat e tij. Kjo e dyta ende s’ka ndodhur me Ramën.
Edi Rama është gjithmonë shumë hapa pas në ngjarjet kryesore që përfshijnë vendin. Dhe jo pak herë paraqitet në formatin anti-shtet. Këta janë minuse të mëdha për një kandidat për burrë shteti. Çështja e letërnjoftimit apo kartave. Nga ish-aleatja e saj kryesore LSI, u paralajmërua fenomeni “karta” disa muaj më parë, duke u kërkuar edhe lehtësime për shtresat në nevojë. Pavarësisht kësaj, reagimi i Ramës ishte zero. Totalisht zero. Ndoshta nën ethet e gëzimit të mosndryshimit të Kodit Zgjedhor, Rama nuk shihte se çfarë po i punohej nga bashkëpunëtori i rrahur me “vaj e uthull”. Sot, pas kalkulimeve të gjata me “ekspertët e përhershëm”, Rama del dhe paralajmëron dështimin e zgjedhjeve. Normalisht një fiasko totale për një burrë të ardhshëm shteti, për më tepër kur asnjëherë nuk ke bërë thirrje që të paktën votuesit e PS-së të shkojnë të aplikojnë. Më e madhe se kjo është qasja me rrugën Durrës-Kukës. Burri i ardhshëm i shtetit ishte vetëm pak kilometra larg dhe nuk denjoi ta vizitojë këtë rrugë, që për shqiptarët e këtej dhe andej Morinës do të thotë shumë. Madje më shumë se një Berishë, apo se një Ramë. Një lëvizje të tillë në fakt e bëri lideri tjetër i majtë, i cili pa paragjykime shkoi dhe vizitoi rrugën, duke dhënë edhe mbështetjen e tij. Vetëm pas shumë kohësh Rama shprehu mbështetjen e tij për rrugën, por kjo sërish ishte fiasko, pasi tashmë rruga është duke u mbaruar me apo pa mbështetjen e tij. Mbështetja e Ramës për rrugën nuk ishte rrahje shpatullash për Berishën, apo vjedhjet e tij. Në burg për vjedhje le të vejë Berisha dhe të gjithë ministrat e zyrtarët e tjerë, nga i pari tek i fundit. Por rruga është tjetër gjë. Dhe një burrë shteti duhet të pranojë që vepra të mëdha bëjnë edhe të tjerët, jo vetëm ai, “shpëtimtari”.
Rama ende nuk ka kuptuar se një burrë shteti, jo pak herë reagon me shpirt dhe jo me llogari. Sepse shumica e votuesve të mëdyshur janë edhe emocionalë.
Një burrë shteti punon dhe fushaton me përgjigjet e pyetjeve “si do të bëhet” dhe “kur do të bëhet”, ndërsa Rama ende mban përzemër përgjigjet për “pse do të bëhet” dhe “çfarë do të bëhet”.
Rama nuk është një politikan, e ka pranuar vetë. Nuk është njeri i fjalës, e kanë vërtetuar kohët. Nuk është njeri i përballjes, vetëm një mbahet mend, me Fatos Lubonjën. Nuk është njeri i reagimit, e tregon çdo ditë. Eshtë thjesht një platformë mediatike. A është kjo mjaftueshëm për një burrë shteti?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora