Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zija Çela = Artist + Mjeshtër

| E merkure, 15.04.2009, 05:55 PM |


Zija Çela
Zija Çela
Ekuacione në romanin “SOS” dhe vepra të tjera të autorit

Te Zija Çela gjejmë të aplikuara struktura kompozicionale, të cila të kujtojnë skemën e një ekuacioni matematik, ku fabula kryesore (lexo: veprimet kryesore) kryhet e mbyllur brenda kllapave. Si në matematikë, së pari duhet të kryhen veprimet brenda kllapave. Nëse do të kërkojmë t’i heqim ato (kllapat), veprimet matematike duhet të ndryshojnë shenjë: mbledhja duhet të bëhet zbritje, e kështu me radhë. Të ashtuquajturat “kllapa” në këto romane janë rrëfime substancialisht të ndryshme nga pjesa e “ndryrë” në to. Të krijohet ideja se ajo, çfarë rrëfehet në ekstremet kufizuese të veprës, shërben si etaloni i të vërtetave reale, me të cilat do të matet brendia, ngjarjet dhe personazhet që gjallojnë në të. Pikërisht këtu qëndron e veçanta, origjinaliteti i këtyre veprave. Njësoj si kllapat e ekuacionit matematik, këto rrëfime janë të afta ta kthejnë përmbys logjikën e ngjarjeve, ta shndërrojnë materien në antimaterie, të vërtetat e dukshme në iluzione të rrejshme, ta konvertojnë energjinë në lëndë dhe lëndën në asgjë. Nëse përqasim dy vepra, që në vlerësimin tim do t’i cilësoja si majat e krijimtarisë letrare të Zija Çelës, “Las Varrezas” dhe “SOS, një buzëqeshje”, pasi të dyja ushqehen prej rrënjësh që hyjnë thellë në psiqikën krijuese të shkrimtarit, do të vëmë re se ato, sado që janë të ndryshme në frymë, në subjekt, në ngjarje dhe personazhe, kanë një shtrat të përbashkët: përcjelljen në formë të pandërprerë, të pashkëputur - herë si hallka të një zinxhiri, herë si rrathët bashkëqendrorë të valëve - të ngjarjeve, fenomeneve e dukurive, brenda mekanizmit racional shkak-pasojë, ku pikërisht ky racionalitet i menaxhimit të shkakut dhe pasojës e bën të mundshme e të besueshme edhe fantazinë më të skajshme të autorit. “Las Varrezas” është ushqyer në tokat e pamata të thanatos-it. Gjetja artistike e romanit – vijimësia në formë zinxhiri e ligësisë njerëzore, është nga më të guximshmet dhe më origjinalet. “SOS, një buzëqeshje” ka marrë hov e dritë në begatinë e eros-it. Zinxhirit të kotësive mjerane të jetës, autori, si një alkimist profesionist, i gjen një formë transformimi në diçka të frytshme, të dobishme: i vendos filtrin e një zemre, duke e shndërruar mungesën, nevojën, problemin, dhimbjen, sëmundjen, vesin dhe mëkatin në pafajësinë e buzëqeshjes. Për shkrimtarin asgjë nuk është më e ndjeshme, sesa një buzëqeshje. Është thënë dikur se artin e rrezikojnë dy përbindësha: artistët që nuk janë mjeshtra dhe mjeshtrat që nuk janë artistë. Në vijim të kësaj logjike, them se te shkrimtari Zija Çela mjeshtri i jep perfeksionin e elaborimit të fjalës artistit, ndërkohë që artisti i jep në dorë mjeshtrit gjetje të atilla, që përbëjnë margaritarë të mrekullueshëm artistikë.

Altin HAXHINASTO

Për një rastësi fatlume, një vepër që tashmë ka ardhura në duart tona, duket sikur e parathotë nevojën e pozitivitetit shpirtëror qysh në titull, i cili mund të interpretohet me klithmën: SOS pra, se u sosëm për një buzëqeshje!
Jashtë ngazëllimit artistik që ka ngjallur libri i ri i shkrimtarit Zija Çela, romani “SOS, një buzëqeshje”, te njerëz të letrave, krijues, studiues, kritikë letrarë e dashamirë të leximit, të cilët kanë shprehur vlerësimet e tyre të natyrshme për të, sprova ime nuk synon që të ndaloj në impresionet e kënaqësitë estetike që më fali leximi, por të nxjerr në pah ndonjë karakteristikë të stilit krijues të Çelës, duke parë në mënyrë krahasuese disa nga veprat e tij.

* * *

Faktorët që ndikojnë në ngjizjen e një vepre janë objektivë e subjektivë, por janë gjithherë të gjindshëm brenda personalitetit (jo thjesht artistik) të krijuesit të saj.
Trajnimi, përvoja, dijet dhe informacionet, pra mjeshtëria e fituar, janë përherë faktorë objektivë, që ndikojnë në cilësinë e një vepre. Përjetimet, fatet jetësore, kontrolli logjik, por mbi të gjitha zbërthimi apo shpërthimi i racionales në spektrin intuitiv dhe ndjesor të shpirtit janë pjesa subjektive e krijimtarisë, që ndan gjeninë artistike nga mjeshtëria e zakonshme.
Zija Çela është shembulli klasik i shkrimtarit modern, të cilin intuita artistike, edhe kur nuk është qëllim në vetvete, e çon drejt krijimit të produkteve, që kanë si karakteristikë disiplinimin logjik deri në saktësi matematike. Kam shpjeguar në një shkrim për romanin “Las Varrezas” sesi e ashtuquajtura “formula e jetës” - një gjetje e përkryer artistike, e cila ka ngjizur gjithë romanin - mund të konvertohet dhe të kuptohet saktësisht me anë të formulave matematike apo të rezultateve laboratorike të reaksioneve kimike, ku valencat e elementëve në bashkëveprim përcaktojnë nga vetë natyra e tyre rezultatin përfundimtar.
Te Zija Çela, në dy romane të tjera - “Gjaku i dallëndyshes” dhe së fundmi “SOS, një buzëqeshje”, - gjejmë të aplikuara struktura kompozicionale, të cila të kujtojnë skemën e një ekuacioni matematik, ku fabula kryesore (lexo: veprimet kryesore) kryhet e mbyllur brenda kllapave. Si në matematikë, së pari duhet të kryhen veprimet brenda kllapave. Nëse do të kërkojmë t’i heqim ato (kllapat), veprimet matematike duhet të ndryshojnë shenjë: mbledhja duhet të bëhet zbritje, e kështu me radhë.
Të ashtuquajturat “kllapa” në këto romane janë rrëfime substancialisht të ndryshme nga pjesa e “ndryrë” në to. Të krijohet ideja se ajo, çfarë rrëfehet në ekstremet kufizuese të veprës, shërben si etaloni i të vërtetave reale, me të cilat do të matet brendia, ngjarjet dhe personazhet që gjallojnë në të. Pikërisht këtu qëndron e veçanta, origjinaliteti i këtyre veprave. Njësoj si kllapat e ekuacionit matematik, këto rrëfime janë të afta të kthejnë përmbys logjikën e ngjarjeve, ta shndërrojnë materien në antimaterie, të vërtetat e dukshme në iluzione të rrejshme, ta konvertojnë energjinë në lëndë dhe lëndën në asgjë.
Konkretisht, në romanin “Gjaku i dallëndyshes” të ashtuquajturat kllapa i kemi edhe formalisht të emërtuara me tituj të mëvetësishëm, respektivisht kllapa e parë, hapëse, titullohet “Në tren”, ndërsa kllapa përmbyllëse titullohet “Në stacion”. Kahja e lëvizjes të jep përshtypjen e luajtjes së prapthi të një kasete videoje, ku personazhet duan t’i ikin fatit të tyre, ndërkohë që janë pazgjidhshmërisht të lidhur me të dhe çdo përpjekje për të dalë nga qerthulli i tij e bën vetë ngjarjen të lëvizë.

* * *

Te romani “SOS, një buzëqeshje”, kllapa e parë emërtohet “Rudi Bodinaku pohon martesën e dytë, etj.”, kurse kllapa përmbyllëse “Rudolf Budina mohon Rudi Bodinakun, etj.”.
Brendia e të dy romaneve administrohet prej autorit me ndarje në kapituj, pa tituj konkretë. Pavarësisht ngjashmërisë formale të kompozicionit midis këtyre dy romaneve, në kllapat përmbyllëse të tyre kemi situata diametralisht të ndryshme. Te “Gjaku i dallëndyshes” rrëfimtari i fshehur nën lëkurën e një personazhi dorëjashtë, zbulon identitetin e tij, duke pohuar në një moment sinqeriteti të skajshëm se është ai vetë lojtari kryesor i ngjarjes, jo si tjerrës i fatit, por si viktimë e tij.
Te “SOS, një buzëqeshje” kemi një mohim të vetvetes nga personazhi Rudolf Budina - kjo specie antagonisti, që e kemi parë gjatë romanit nën gëzofin e Rudi Bodinakut - mohim që bën të na përmbyset krejtësisht skema logjike e ecurisë së deriatyshme të ngjarjeve. Në një pikë të tillë, lexuesi ndihet si në një vorbull; ai rropatet të kapet pas një të vërtete të sigurt; të kuptojë, të njohë, të orientohet. Por e vetmja gjë që mund të bëjë, është të vazhdojë të fantazojë, të vazhdojë trillin e krijimit në atë pikë, ku e ka lënë shkrimtari. Pikërisht këtu ajo që mund të besojë më lehtë lexuesi, është ajo që dhemb më shumë, prandaj ai shtyhet drejt më të pabesueshmes, që është gjithsesi më e lehtë shpirtërisht. Fundi i hapur, i aplikuar këtu, është një nevojë për të kërkuar brenda vetes ekuilibrat e humbur, ekuilibra që, në rast se nuk i arrin dot në mënyrë logjike, mund t’i vendosësh me zemër.
Nëse përqasim dy vepra, që në vlerësimin tim do t’i cilësoja si majat e krijimtarisë letrare të Zija Çelës, “Las Varrezas” dhe “SOS, një buzëqeshje”, pasi të dyja ushqehen prej rrënjësh që hyjnë thellë në psiqikën krijuese të shkrimtarit, do të vëmë re se ato, sado që janë të ndryshme në frymë, në subjekt, në ngjarje dhe personazhe, kanë një shtrat të përbashkët: përcjelljen në formë të pandërprerë, të pashkëputur - herë si hallka të një zinxhiri, herë si rrathët bashkëqendrorë të valëve - të ngjarjeve, fenomeneve e dukurive, brenda mekanizmit racional shkak-pasojë, ku pikërisht ky racionalitet i menaxhimit të shkakut dhe pasojës e bën të mundshme e të besueshme edhe fantazinë më të skajshme të autorit.
“Las Varrezas” është ushqyer në tokat e pamata të thanatos-it. Gjetja artistike e romanit – vijimësia në formë zinxhiri e ligësisë njerëzore, është nga më të guximshmet dhe më origjinalet.
“SOS, një buzëqeshje” ka marrë hov e dritë në begatinë e eros-it. Zinxhirit të kotësive mjerane të jetës, autori, si një alkimist profesionist, i gjen një formë transformimi në diçka të frytshme, të dobishme: i vendos filtrin e një zemre, duke e shndërruar mungesën, nevojën, problemin, dhimbjen, sëmundjen, vesin dhe mëkatin në pafajësinë e buzëqeshjes. Për shkrimtarin asgjë nuk është më e ndjeshme, sesa një buzëqeshje.

* * *

Pjella të intuitës artistike janë edhe emrat e personazheve në veprat e Zija Çelës. Sado të pakërkuar e të rastësishëm në dukje, tingëllimet e tyre fonetike, si onomatopé të goditura, japin të kondensuar vetë natyrën e personazheve.
Emri i Jari Kaçinarit të romanit “SOS”, ka një muzikalitet që të kujton jaret shkodrane apo pasthirrmën e njohur “jari-jari” të këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme. Po ashtu, te “Las Varrezas” gjejmë Habit Habitarin, që groteskun e mban dyfish, në emrin dhe në mbiemrin e tij.
Për të shkuar më tej në dy personazhet dramatikë të “Gjakut të dallëndyshes”, Kondo dhe Çonda, dy emra identikë, të lidhur e të ndarë prej vetëm një shenje: një vije, një cipe, e cila në kontekstin e veprës nuk është tjetër veçse cipa e virgjërisë. Po aty, kemi Qejvan Qejvanin, përngjitje e çuditshme e nocioneve qelbac e hajvan, dhe mund të vazhdonim me Zhavellot e me një galeri të gjerë shumëfytyrëshe, që duhet të jetë objekt i një analize të mëvetësishme.
Jari Kaçinari, kryepersonazhi i veprës “SOS, një buzëqeshje”, nga dashuria me të cilën përshkruhet, të kujton protagonistin e librit “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. I mbetem mendimit se jo vetëm në kuptimin metaforik, por edhe në gurrën buruese, ky është libri i dytë me figurë qendrore birin e humbur, Dritan Çelën, përkthyesin e talentuar që mbahet mend edhe për fytyrëqeshjen e tij të paharrueshme. Por në ndryshim nga vepra e parë, ku kemi përshkrime ngjarjesh, situatash, personazhesh me vërtetësi të rreptë jetësore, këtu kemi të bëjmë me një fiction të pastër, ku tiparet e personazhit bëhen të dallueshme jo aq nga linjat e konturet, sesa nga ngrohtësia e ngjyrave të tablosë së veprës.

* * *

Është thënë dikur se artin e rrezikojnë dy përbindësha: artistët që nuk janë mjeshtra dhe mjeshtrat që nuk janë artistë.
Në vijim të logjikës së kësaj shprehje, them se te shkrimtari Zija Çela mjeshtri i jep perfeksionin e elaborimit të fjalës artistit, ndërkohë që artisti i jep në dorë mjeshtrit gjetje të atilla, që përbëjnë margaritarë të mrekullueshëm artistikë.

Gazeta Albania, 14 Prill 2009 - Për ZSH Alfred Papuçiu