E premte, 19.04.2024, 10:57 PM (GMT+1)

Editorial

Enver Bytyçi: Karla del Ponte ringjall fantazitë serbe

E merkure, 15.04.2009, 10:00 PM


Karla del Ponte ringjall fantazitë serbe

Nga Enver Bytyçi

Akuzat dhe shpifjet e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte, kundër UÇK-së dhe luftës së drejtë të shqiptarëve për t'u çliruar nga sundimi e dhuna e pashembullt serbe kanë ngjallur këto ditë një diskutim të gjerë me reagime e kundërreagime. Por ajo që po mbetet në tymnajën e këtyre provokimeve antishqiptare e proserbe mbeten shumë hije, shumë pikëpyetje, shumë hamendje. Shkaku u kësaj çoroditjeje që po shkakton media europiane, rrjeti botëror i BBC dhe aksioni mediatik ballkanik duhet kërkuar në Beograd, por jo pa përgjegjësi dhe faj do të mund të dalin prej këtej dhe vetë udhëheqësit politikë të Kosovës.
Karla Del Ponte i ka dhënë medias dhe qarqeve antishqiptare e proserbe europiane, të cilat shtohen vazhdimisht, brumin e gatshëm të një skeme, e cila po përdoret në një kohë flori për qeverinë serbe për të akuzuar e provokuar shqiptarët dhe për të dhënë një ekuivalencë relative me krimet makabre serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Eshtë e qartë se ringritja në sistem europian dhe ballkanik i këtij diskutimi i shërben dosjes serbe të përgatitur për në GJND, ku kërkohet anullimi i pavarësisë së Kosovës. Askush nuk mund të anashkalojë faktin se kjo alibi kinse e "krimeve të shqiptarëve kundër serbëve" dhe "e transplantimit të organeve të serbëve të vrarë" nga ana e strukturave të UÇK-së ka dalë në dritë dhe është hedhur në tregun e medias e të opinionit publik për ta nxjerrë Serbinë nga përgjegjësia e krimeve të saj në Kosovë. Vetë ish-kryeprokurorja e Hagës, e cila kishte mundur ta fshehë deri në fund antishqiptarizmin e saj me deklaratat hiopokrite antiserbe për mos dorëzimin e kriminelëve të luftës në Hagë, mbetet edhe më tej autore kryesore e alibisë së qëllimshme e të paguar mirë kesh në ndihmë të Beogradit dhe Serbisë fashiste. Ndërsa gazetarët, si ai i BBC në Budapest, të cilët ndezin ndonjë qiri, për ta shitur si "dhimbje" të familjarëve serbë për "njerëzit e masakruar" prej shqiptarëve, janë ndihmësit e del Ponte-s, të Beogradit e të UNMIK-ut serb në Kosovë.
Nëse lexojmë me vëmendje akuzat që shfaqen me dëshmitarë që nuk shihen, me deklarime, kinse të vërteta, me fake nga ato që ka fabrikuar del Ponte dhe shërbëtorët e tjerë të Beogradit si dhe kundërdeklarimet, atëherë vihet re dukshëm fakti që e gjithë kjo duhmë shërben thjesht si karem në prag të paraqitjes në GJND të provave pro dhe kundër pavarësis së Kosovës. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njëriut në Beograd, Sonja Biserko, është deklaruar se "në Serbi Kosova prezantohet vetëm si shkas për fillimin e ndërhyrjes ushtarake, por nuk shpjegohen shkaqet pse erdhi deri tek ndërhyrja. Për ndërhyrjen flitet sikur ajo të ishte e befasishme dhe pa asnjë shkak. Fjala është për një manipulim të pastër dhe mendoj se Carla del Ponte ka bërë një gabim të madh". Ngjajshëm është deklaruar dhe zëdhënësja e Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës, çka tregon se ka njerëz, të cilët kanë hetuar trillimet e qëllimshme serbe për t'i vënë në një peshore të barabartë agresorët dhe barbarët serbë si dhe viktimat e tyre, shqiptarët. Zonja Biserko nga Beogradi ka dhënë gjithashtu dhe një dëshmi tjetër, sipas së cilës qëllimi i përhapjes së këtyre akuzave është nxitja e shqiptarëve në veprime të dhunëshme.
Që e gjithë historia e shpifur dhe e shpikur e vrasjes masive të serbëve në kampet ose burgjet e UÇK-së si dhe ajo e transplantimit të organeve të tyre në një shtëpi, e cila as dyer e dritare të hajrit nuk ka, duket se është montuar në bashkëpunim me UMNIK-un. Shefi i EULEK-sit në Kosovë, Kermabo, në të gjitha deklarimet e tij i referohet një dosjeje të UNMIK-ut, e cila u gjindka "si rastësisht" në duart e EULEX. Që kjo dosje ka ardhur në zyrat e UNMIK-ut e gatshme nga Beogradi, ndoshta nga kryeprokurori serb, kjo nuk le më asnjë gjurmë dyshimi. Dhe që prej këtej del përfundimi se UNMIK-u ishte në Kosovë si instrument i Beogradit dhe Moskës, edhe ky moment është krejt i qartë. Se si do ta sqarojë e përhapë të vërtetën EULEX-i, këtë le ta shohim në të ardhmen. A do të lihet kjo çeshtje të ripërdoret kur të afrohet dhënia e vendimit të GJND për të drejtën e Kosovës që të jetë e pavarur, edhe kjo do të lihet të shihet.
Por që njerëzit e UNMIK-ut ta përdornin këtë dosje në prag të fillimit të gjykimit të çeshtjes në GJND, kjo mbetet të vlerësohet si një shërbim plus i administratës ndërkombëtare ndaj barbarëve serbë të fundshekullit të XX. P.sh në një raport të BIRN-it kjo akuzë është risjellë në publik përmes Jose Pablo Baraybar, një ish-shef në administratën e UNMIK-ut, i cili kishte abuzuar skajshmërisht me eshtrat e viktimave shqiptare të luftës në Kosovë, në kundërshtim me vullnetin e familjarëve. Përmes kësaj dosjeje ngacmohen e shpërblehen me çmime të majme të gjitha fantazitë e përfytyrimet që dalin nga filmat horror dhe që objekt kanë "kriminalitetin e skajshëm të shqiptarëve, pashpirtshmërinë e tyre ekstreme".
Natyrisht që të gjitha këto valë akuzash e shpifjesh gjejnë terren në botën mediatike edhe për dy shkaqe të tjera që lidhen me sjelljen e shqiptarëve: Nga njëra anë janë udhëheqësve politikanë në Prishtinë ato që kanë mundësuar përshpejtimin e agresionit të pamasë serb dhe kthimin e viktimës në agresor. Nga ana tjetër janë përpjekjet e pakta të tyre për ndriçimin e të vërtetës shqiptaro-serbe. Nëse dosja e Jeremiq fillon në ditën e 28 qershorit 1914, kur paraardhësit e tij e filluan Luftën e Parë Botërore me vrasjen e Princit të Austrisë, Ferdinand, dosja e shqiptarëve do të duhej të fillonte së paku në në mesin e shekullit të XIX. Së paku mbi 2000 eshtrat e pagjetura të shqiptarëve të vrarë janë të mjaftushme për ta vënë Beogradin në bankën e akuzës publike.
Ndërkohë që pasiviteti i institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, për t'i hetuar në kohë akuzat antishqiptare e për t'i dhënë përgjigje përfundimtare dilemave të tilla ka sjellë situatën e sotme të pafavorshme dhe do të ngrejë pluhur edhe në të ardhmen sa herë që t'i teket Tadiqit, Jeremiqit e të tjerëve milosheviçëve te tjere në Beograd.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora