Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mustafa Kruja: Inteligencës shqiptare

| E merkure, 15.04.2009, 05:45 PM |


Takimet me Mustafa Krujën

"Inteligencës shqiptare" që po botojmë në këtë numër të ciklit të shkrimeve nga Mustafa Kruja, i referohet një ideje që pati autori për të themeluar një revistë të quajtur "Kultura", gjë e cila nuk u realizua, mbasi nuk gjindet asnjë numër i saj.
Por që nga koha kur shkruan Kruja, më shumë se treçerek shekulli më parë, gjendja në fushën e botimeve kulturore nuk ka ndryshuar. Në Shqipëri mungojnë periodikët ku të shprehet mendimi kritik dhe intelektual i inteligjencës shqiptare. Ja si e konceptonte Kruja një botim të tillë.

Inteligencës shqiptare

Nga Mustafa Kruja

Kishte shumë kohë qi mêndohesha se si mund të gjindej nji mënyrë për me detyrue moralisht gjith'ata elementa të shqumë qi përbâjnë inteligencën shqiptare me u këshillue në mest të tyne me urtië e gjak të ftohtë mi problemat mâ me rândësië q'i përkasin jetës politike, shoqnore e morale të kombit t'onë.

Kjo nevojë m'ishte rrânjosun aqë fort në mênde sa krejt fati i Shqipniës së dashun më dukej i mbështetun mi këtë pikë sepse këshillim përfundisht don me thânë paqtim dhe bashkim.

E bashkimi i mêndimevet të Shqiptarve mâ në shêj për dije kishte me siguruë bashkimin e gjithë kombit, pra edhe shpëtimin, përparimin e lulzimin e tij. Prej nji këshillimi me zêmër të kullutë të pariës s'onë intelektuale edhe në qoftë se s'realizohet nji bashkim i plotë, pak së paku kishte me dalë e vërteta në fushë me fitim të madh të jetës kombtare.

Nji këshillim i këtilë nuk mund të bâhej me anë të nji mbledhje, tue qênë se n'atë rasë di t'ishte nevoja me u gjetun në nji vênd e nên nji pullaz njerëz të largtë me qinda kilometrash prej shoqi shoqit qi s'kishin për të mundun për shumë arsyna me u mbledhun bashkë. Problemat kombtare qi kanë nevojë për nji studim e këshillim të gjatë e të thellë janë aq të shuma sa mundet me u thânë se s'kanë skâj e mbarim më sa jeta e kombit vetë.

Pra nuk ishte këtu punë mbledhje. Kisha mêndue prap në do t'ishte e mundshme qi ay qëllim t'arrihej me anë të nji partie politike të themelueme mi baza e parime të shëndosha e të sinqerta. As kjo mënyrë nuk më ngjau praktike dhe e dobishme.

Mâ në fund e gjeta mjetin qi duhej: Shtypin. Mêndova të marr guximin me i bâmë nji thirrje inteligencës së popullit t'onë qi t'i përvishej pêndës e mos të kursehej me e derdhun kapitalin e trûvet të saj në nji shesh ku askush nuk do të dilte me u matun me kênd as me u vûë në provë për ndo nji qëllim të posatshëm, por vetëm për me u këshillue me shokët mi fatin e atdheut i cili pret ndihmë prej gjithë birvet të vet qi të mundet me u mëkâmbun e me përparue në rrugën e qytetnimit.

Po, por cili shtyp do të na vjyente si shesh mêndimesh ku s'kishim me pasun të drejtë kurrkând me fye e s'kishim me drashun nga kurrkush me qênë të fymë në bindësiët reqiproke?

Mjerisht as nji prej organavet të shtypit shqiptar s'na e nepte nji sigurim serioziteti kaqë të plotë dhe as nji fletore a rivistë nga ç'kemi sod në fushët të botimit, a për nji arsye ase për nji tjetër, s'ma mbushte mênden qi do t'ishte e zonja me u ngarkue me nji barrë aqë të rândë si ajo qi kisha mêndue. Pra, i forcumë prej nji deshiri të naltë e thjesht kombtar si edhe prej nji bindësie të fortë e të thellë, mêndova me i dalë zot vetë asaj barre.

Programi sa dukej i thjeshtë në formë aqë ishte i rândë në sbatim. Nuk mund të shvillohej me anë të nji fletorje qi s'mundet me e ndalue veten, sado të mundohet, nga trazimi pak a shumë në politikë të kafevet e të rrugavet, në thash'e themat e njêni e të tjetrit. Duhej pra nji rivistë, moderne sa mundet me qênë në Shqipnië, e cila kêdo qi âsht i zoti dijes t'a bânte me e rrokë pêndën pa përtue.

E kështu besoj ka me qênë Kultura.
Shqiptarët qi kanë me pasun mirsiën me i këndue këta rrjeshta do t'a kenë kuptue fort bukur deri këtu se Kultura don me dalë në dritë jo si nji vepër e posatshme e themeluesit, aspak, por si nji monument madhështuer i të tânë inteligencës patriotike të shqiptariës.

Kisha besim të plotë se mêndimi e qëllimi i im do t'ishte pritun me gëzim prej ç'do atdhetari të vërtetë e pra mund t'isha i sigurtë edhe prej ndihmës morale e lândore të cilit do qi do t'a çëmonte vjeftën e kësaj nisjeje.

Me gjithë këtê e pashë mâ t'arsyeshme qi pikë së pari të këshillihesha edhe me disa miq nga shkrimtarët mâ të zott të gjuhës s'onë e të merrsha jo vetëm pëlqimin, por edhe besën e tyne për bashkpunim.

Kultura do të jetë e përmuejshme. Ka me qênë, si e tregova edhe mâ nalt, sheshi i shvillimit të çdo probleme q'i përket jetës së kombit t'onë politikisht, shoqnisht, ekonomikisht dhe moralisht.

Nji pjesë e saj ka me i u kushtue gjuhsiës e letërsiës shqiptare. Lajmet mâ me rândësië të ç'do mueji q'i përkasin vêndit t'onë ka me i përmbledhun mbrênda mbas urdhnit kronologjik. Shkurt, Kultura do të mundohet të shvillojë e të sbërthejë, me bashkpunimin e inteligencës mâ të shqueme të popullit shqiptar, ç'do problemë kombtare me rândësië dhe të kënaqë ç'do nevojë qi mund të ndiej shpirti i nji studjuesi të palodhshëm.

Secili numër i Kulturës ka me pasun të pakën 64 faqe të mëdhaja e ky vëllim do të mundet me u rritun deri më dy fish.
Botimi i rivistës ka me fillue po sa të jenë mbledhun aqë pajtime sa me i sigurue jetën e nji vjete.
Pajtimi për mot mot kushton: fr. Ar 20.
Themeluesi

Përmbledhje

Nuk mund të shvillohej me anë të nji fletorje qi s'mundet me e ndalue veten, sado të mundohet, nga trazimi pak a shumë në politikë të kafevet e të rrugavet, në thash'e themat e njêni e të tjetrit. Duhej pra nji rivistë, moderne sa mundet me qênë në Shqipnië, e cila kêdo qi âsht i zoti dijes t'a bânte me e rrokë pêndën pa përtue. E kështu besoj ka me qênë Kultura.

Mâ në fund e gjeta mjetin qi duhej: Shtypin. Mêndova të marr guximin me i bâmë nji thirrje inteligencës së popullit t'onë qi t'i përvishej pêndës e mos të kursehej me e derdhun kapitalin e trûvet të saj në nji shesh ku askush nuk do të dilte me u matun me kênd as me u vûë në provë për ndo nji qëllim të posatshëm.

Gazeta Shekulli