E premte, 29.03.2024, 11:24 AM (GMT)

Kulturë

Xhorxh Gordon Bajroni, Poeti që u këndoi shqiptarëve dhe Shqipërisë

E marte, 14.04.2009, 05:57 PM


Nga Muzafer XHAXHIU

Xhorxh Gordon Bajroni lindi në vitin 1788. Ai rridhte nga një familje fisnike e lashtë, shkëlqimi i dikurshëm i së cilës kishte nisur tashmë të zbehej. Lavdia e tij kaloi nëpër një rrugë plot vështirësi dhe mundime. S’ka pasur në letërsinë angleze, e madje dhe në asnjë vend tjetër të Evropës, poet, artist, krijues të vlerave të mëdha shpirtërore, jeta e të cilit të jetë plagosur rëndë nga shpifje, nga përndjekje poshtëruese psikologjike, nga ana e qarqeve sunduese, siç rrodhi ajo e poetit më të madh anglez Xhorxh Gordon Bajronit. Gjendja shpirtërore e poetit u rëndua kaq shumë sa ai vendosi të largohet nga atdheu dhe të shtegtojë nëpër vende egzotike për të njohur atë botë të pamolepsur që do t’i jepte atij qetësinë e shpirtit. Ai ikën se Anglia borgjeze e mohoi birin e saj që i dha aq lavdi.
Bajroni, ashtu si të gjithë shkrimtarët romantikë të shekullit XIX, priret të shkojë në ato vende dhe popuj, ende të pamplepsur nga qytetërimi i brejtur nga krimbi borgjez, për të thithur me plot gjoksin erën e lirë të atyre vendeve ekzotike, kaq tërheqëse për evropianët kureshtarë. Edhe Naimi ynë i madh do t’i drejtohet unit poetik të arratiset nga qyteti plot zhurmë e thashetheme për të marrë fushat dhe malet.
Botimi i dy këngëve të para të “Çajld Haroldit” më 1812, bëri një përshtypje shumë të madhe jo vetëm në publikun anglez, por edhe në të gjithë njerëzit përparimtarë të Europës. Sipas mendimit të përgjithshëm kritik, suksesi shumë i madh i poemës qëndronte në atë që poeti preku në të “problemet më të mprehta e plotë dhimbje të kohës”.
Gjatë udhëtimit të parë që poeti bëri në verën e vitit 1809, ai vizitoi edhe Shqipërinë, për të cilën kishte dëgjuar dhe lexuar në shënimet e udhëtarëve anglezë, çka dhe e frymëzoi dhe i ngacmoi dëshirën për ta parë këtë vend.
Shqipëria e befasoi poetin. Ajo i zbuloi atij një botë interesante me histori, me traditat e lashta, me doket, folklorin, me virtytet e larta të shqiptarëve, të panjohura për të deri në atë kohë. Dhe asaj do t’i këndojë me frymëzim në qindra vargje të këngës II të “Çajld Haroldit”: O Shqipëri, ku lindi Iskanderi, / Këng’ e rinisë, fanar i t’urtëve
Shqipëria i shpalosi poetit historinë e lashtë të një populli të vogël në numër, por të madh në bëmat historike, të cilit i është dashur në shekuj të përleshet me stuhi luftrash për të mbrojtur lirinë e vet. Në këto vise duket se poeti nis të marrë frymë lirisht, të harrojë për një cast trishtimin dhe zhgënjimin nga jeta në Anglinë, së cilës i dha lamtumirën. Si me magnet vendi i Iskanderit e tërheq poetin në thellësi të viseve të saj, nga bukuria e të cilave poeti mbetet me gojë hapur: Nga mot i zymtë Harolsi / Kaloi gjer në kërthisë t’Ilirisë, / Ndër male e plleje fort të madhërishëm. / N’Antikën e përmendur rrallë sheh / Lugina kaq të bukura…/ Parnasi i dashur, / Megjithëse, vend klasik i shenjtëruar, / S’krahasohet dot me vise që ka ky bregdet.
Me një ton të ngritur solemn, në shumë e shumë vargje të tjerë, Bajroni u këndon bukurive të natyrës shqiptare, jetës së gjallë të blegtorëve: Të ngrysur çohen lart përpara syve, / Si amfiteatër vullkanik natyre, / Së majti djathtas, Alpet e Himarës; / Rrëzës kënga lëviz me gjë të gjallë; / Blegërijnë grigjat, rrjedhin përrenjtë, kreshtat…
Pas tërë këtij përshkrimi, poeti përfundon në një apostrof: O Plut, ndëqoftë ferri yt si ky, / Elizit mbyllja Portën, shpirti nuk m’a do.
Shqipëria nuk është thjesht vendi i ekzotikës, kaq i parapëlqyer nga poetët romantikë; ajo nuk e tërheq poetin aq me bukuritë e veta të mahnitëshme, me mendësinë e një izolimi të virgjërt romantik, sesa me traditat e zakonet burrërore, me virtytet, me trimërinë e dashurinë e flaktë që kanë shqiptarët për lirinë: “Ç’armiq për vdekje, pos a miq besnikë! / Kur besa e nderi i thrret të derdhin gjakun, / Si trima rurren ku t’içojë i pari i tyre.”
Në meditimet lirike të Çajld Haroldit, heroit të poemës, parakalojnë çastet më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, që nga lashtësia deri në kohën kur ai takon Ali Pashë Tepelenën, të cilin e përshkruan me simpati të veçantë, si një burrë shteti trim, diplomat, të hollë e tepër të zgjuar. Gjithsesi, me tërë nderimin që ka për Aliun, nuk ngurron të vërë në dritën e së vërtetës historike ashpërsinë e tij si sundimtar feudal.
Një vend të veçantë u kushton poeti përshtypjeve të tij në vargjet e poemës, por edhe në shënimet e tij për virtytet e larta të shqiptarëve. Në letrën që i dërgon së ëmës (më 12 nëntor, 1809), pasi tregon për njohjen dhe pritjen e përzemërt që Pashai i Janinës i bëri poetit, shkruan se ky bëri çmos që mysafiri i rrallë anglez ta ndjente veten të sigurtë në udhëtimet që do të bënte. “Thirri ushtarin shqiptar që më shoqëronte dhe i tha të më mbronte me çdo kusht, quhet Vasil dhe si gjithë shqiptarët është trim, kyekëput i ndershëm dhe besnik…” (Përkth. S. Luarasi). Në po këtë letër, midis kaq e kaq episodeve që vë në dukje vlerat morale të shqiptarëve, poeti shënon edhe këtë: “S’kam një javë që një kryeplak shqiptar (çdo fshat ka kryeplakun e tij), pasi na ndihmoi të dilnim prej luftanijes turke në rrezik, si na ushqeu e na mbajti në shtëpi mua dhe ata që na shoqëronin (Fleçerin) një grek dhe dy athinjotë, një prift grek dhe shokun tim Mr. Hobhousin, në asnjë mënyrë nuk deshi të pranonte shpërblimin tim… dhe kur iu luta të pranonte pak zekina (monedhë M. Xh.), m’u përgjigj: “Dua të më duash, jo të më paguash”. Këto qenë fjalët e tij”.
Në ditarin e tij me “Shënime për “Çajld Haroldin” (Përkthyer nga Skënder Luarasi, nxjerrë nga libri “Bajroni anglisht dhe shqip” i Afrim Karagjozit) Bajroni flet se si e patën zënë “një palë ethe të forta në Morè” dhe se si, pasi thirrën mjekët duke i kërcënuar “dy arnautët e mi të mjerë më shëruan me kujdesin dhe vëmendjen që do t’i kishin dhënë nder qytetërimit”. Më tutje, në po këtë ditar Bajroni shënon: “Kur po bënim përgatitjet për t’u kthyer shqiptarët e mi (që e shoqëruan poetin gjithandej e deri në Stamboll, M. Xh.) u thirrën që të merrnin pagën e tyre. Vasili e mori të tijën me një pamje të dukshme hidhërimi për largimin tim… dërgova të thërrisnin Dervishin, por për njëfarë kohe ai nuk u gjet gjëkundi. Më në fund ai hyri. Dervishi i mori paratë, pastaj pa pritur, i përplasi ato përtokë dhe duke zënë ballin me duar doli jashtë dhomës duke qarë me hidhërim”.
Në një letër që i shkruan nënës (12 nëntor, 1809), shënon midis të tjerash: “I dua shumë shqiptarët, nuk janë të gjithë muslimanë, disa nga fiset janë të krishterë. Porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre dhe se janë kaq tolerantë dhe kaq të lirë në paragjykimet fetare”.
Syrit të poetit nuk i shpëtojnë pa hetuar edhe bukuritë somatike: “Shqiptarët në përgjithësi… kanë një pamje të hijshme (po në të njëjtin ditar).” Ndoshta janë raca më e bukur në botë nga tiparet dhe gratë e tyre dendur janë të bukura.”
Por më shumë se bukurisë fizike, poeti e “Çajld Haroldi” u këndon ndjenjave dhe besnikërisë së gruas shqiptare si nënë dhe bashkëshorte: Njëjt vetëm ia jep trupin edhe zemrën, / Atij që e ka pranuar zot e burr.
Por këto gra “… më të bukurat që kam parë ndonjëherë në shtat e në tipare” (në të njëjtën letër drejtuar së ëmës) e kalojnë jetën në një atmosferë tejet të rëndë e të mbyllur patriarkale: Në këtë vend s’i ndihet zëri gruas: / E mbyllur s’del dot pa çarçaf dhe roje,/ Mësuar në kafaz as do të dalë.
Por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit, çka asaj i duket krejt e natyrshme, madje i jep krahë për ta gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe dhimbsurinë tronditëse për fëmijën e saj. Ajo është; E lumtur në detyrë amtare t’ëmbël.
Një vend të veçantë në këngën e dytë të poemës zë figura e Ali Pashë Tepelenës, sundimtar i fuqishëm feudal në Shqipërinë Jugore, themelues i Pashallëkut, faktikisht autonom të Janinës. Me tërë nderimin dhe simpatinë që ka për Ali Pashën si “burrë luftrash”, diplomat tepër të zgjuar, poeti nuk ngurron të nxjerrë në dritën e së vërtetës historike mizorinë e tij si sundimtar feudal dhe despot. Është shumë interesant dhe piktoresk përshkrimi që Bajroni i bën Ali Pashës që zë dy faqe të letrës që poeti i dërgon së ëmës nga Preveza, më 12 nëntor 1809.
Poeti më i madh anglez, personaliteti i shquar i mendimit dhe i letërsisë përparimtare demokratike i romantizmit evropian, vdiq në Misolonje, në vitin 1824, në zjarrin e luftës së popullit grek për çlirimin e vendit nga pushtimi osman.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora