E merkure, 24.04.2024, 04:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Rexhep Mala - përuruesi i gueriles urbane

E marte, 14.04.2009, 06:51 PM


Mehmetali REXHEPI

REXHEP MALA –  PËRURUESI I GUERILES URBANE
            
(Selatin Novosella “REXHEP MALA – ANTEU I LËVIZJES ILEGALE”, Prishtinë, 2007)

GRISHJE E TREFISHTË

“Le të mbetet kjo… si një hulli në fushën e studimit të veprës së këtij atdhetari të veçantë”* (Selatin Novosella “Rexhep MALA – Anteu  i Lëvizjes Ilegale”, Prishtinë, 2007, f.21)
Në faqen 21, të këtij libri, autori do ta përtrollis sensin e masës për hullinë e tij, së cilës do t’i shtohen të tjera hulli, përderisa të lëvrohet hapësira e gjerë e bëmave, konteksti dhe veçantia e tyre, të ngërthyera dhe zbërthyera në një figurë me jetëgjatësi të shkurtë, por me përmbajtje të dendur veprimi e ndikimi.
Kryetema e librit të Selatin NOVOSELLËS  “REXHEP MALA – ANTEU  I  LËVIZJES ILEGALE”, grish trefish: në përurim libri, në pranverën e pavarësisë, që heroi e shihte edhe kur nuk dukej dhe, e shihte vetëm në përmasën kombëtare, assesi të copëzuar, kësisoj shënojmë edhe 29 marsin e vitit 1951, datëlindjen e heroit. Heronjtë, si Rexhep MALA, kanë vetëm ditëlindje, ngase prania e tyre në mjedisin tonë, qoftë me bëma të drejtëpërdrejta të vetëdijsimit , qoftë në gatishmërinë për çlirimin kombëtar, mbetet vlerë shpirtërore e morale, që bartet në breza, pikërisht për veçantinë e një qëndrese unikate.

ATDHEDASHURIA  KRYEFJALË  E JETËS

Autori i librit “REXHEP MALA – ANTEU I LËVIZJES ILEGALE”, trimin e rrëzës së Kikës e cilësoi “i veçantë”.
Ku dhe si dukej veçantia e Rexhep MALËS? Këmbëngultësia për bindjet e tija atdhetare po formësohej që nga djalëria, duke iu bërë qëllim parësor dhe i vëtëm i jetës, masë e përmasë e karakterit, që do ta zgjeronte deri në shejtni… Kjo masë e përmasa tek Ai, rrodhi nga një burim i kthjelltë pararendës, në të cilin shoi etjen djaloshare, ndezur nga tmerret namkëqija të Serbisë. Oda djaloshit do t’ia sillte jehonën e gjëmës të luftëtarëve me nam dhe anonim.
E veçanta për karakterin e Rexhep MALËS, është domosdoja e çlirimit të trojeve shqiptare. Besimin dhe guximin i kishte vjelur në gjirin e popullit, ndaj u edintifikua me bindshmëri në figurat e: Isës, Çerçizit, Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës, Shaban Polluzhës, e prijatarë tjerë, që mbollën farën e guximit në luftërat për çlirim, si dhe në pengun e pa përmbushur të adheut…

PËR NJË GUERILE URBANE

Vepërqëmtuesi i Rexhep MALËS, Selatin NOVOSELLA theu akullin e ndrojtjes, iu rrek për t’i zbardhur në këtë libër, disa nga bëmat e njërit nga akullthyesit më të pa trembur të robërisë, duke i lypur atdheut një fat tjetër, përmes hapërimesh të fërkueshme, prore të ndjekshme, me grushtin e vetëpohimit drejtuar mashtrimit, “mirëqenies”, “barazisë” së përgjuar, “vëllazërim – bashkimit” të shpifur…
Ishte periudhë e shumëfishimit të vartësve të pushtetit, kurdisje komplotesh mbi çdo shfaqje pakënaqësie e kokëngritjeje, institucionalizohej krimi. Sforcohej demagogjia e vartësve shqipfolës të pushtetit.
Rexhep MALA nuk ngurronte që t’i identifikonte në sy të popullit kameleonët politikë, në secilin mjedis ku arrinte dhe ua çjerrte maskat, si paralajmërim i parë për ata të helmuar, që të ktheheshin në natyrshmëri dhe dinjitet.
Kishte mjaftë dromca të tilla të sjelljes në ecejaket dinamike të Rexhep MALËS, që ruhen ende në arkivin e gjallë të kujtesës.
Rrjedha e ngjarjeve në libër, që nga djalëria e sprovës në Demostratat e Gjashtëdhjetëetetës, organizimi dhe hapërimshtrirja e “Grupit Revolucionar të Kosovës”, kapitujt e qëndresës dhe mosnënshtrimit burgjeve të “inkuizicionit” jugosllav, deri në përmbyllje të harkut përmbajtësor: “Ka ardhur koha të kalojmë në nivel më të lartë të veprimtarisë çlirimtare”; pra, të futjes në veprim “të gueriles urbane”, autori Rexhep MALËS nuk i mvesh epitete të pa qena. Madje, torturat e tmerrshme në hetuesitë mizore, qëndresa e papërballueshme, e përballuar me këngë, kishin tmerruar edhe vetë xhelatët.
Cili autor, sado gjakftohtë, në stilin e shkrimit të tij, do t’i shmangej ndjenjave të forta të admirimit?

NË VENDNDODHJE TË QËLLIMIT

Specifika e veprimit të Rexhep MALËS shtrihej mes ilegales dhe legales. Situatat ia kërkonin mënyrën e veprimit të hapur, për aq sa i mbylleshin shtegdaljet e veprimit nga UDB-ja. Rrezikun e detyrave të parashtruara për kryerje, të shumtën e merrte mbi vete. Ai i kursente shokët.
Në një fërkim publik me disa udbashë, në Gjilan, më 1973, provokimit të tyre u dha një kundërpërgjigje aq të shpejtë dhe të prerë, si me një vringëllimë të rrufeshme shpate, aq sa mbetëm pa frymë, ndërsa udbashët u tërhoqën të përulur me cinizmin karakteristik në fytyrat e tyre.
Kjo nuk ishte arrogancë. Rexhep MALA edhe kështu donte ta përmbyste mitin famkeq për pathyeshmërinë e UDB-së. Ti kundërviheshe një monstrumi gjakatar në periudhën përkatëse, dmth., të prisje, edhe aty ku nuk pritej: zezonën a gjëmën e llojit të pa parashikueshëm. Por Rexhep MALA e kishte përjashtuar frikën nga shpirti i tij detgjerë, si zbrazje të një barre për ecje më të shlirë, për mësyrje atdhetare…
Hapësira e ecejakeve të tija po bëhej tmerr për pushtetin. Ai pushtet me logjikën e djallëzive, ruante burokracinë e vet. Nga të përgjumurit e shumtë ushqehej iluzioni për përjetësinë e këtij pushteti. Andaj, kthetrat e makinerisë që drejtonte politika e tillë përndjekëse, nga rasti në rast, e ndiqte për ta kapur dhe gllabëruar kryengritësin Rexhep MALA, përderisa ende ishte e pakët sublima e kategorisë së MALËS.
Ai lëvizte çështjen me bashkë të betuar të tjerë, rrugëve tejet të ngushtuara nën llupën e vëzhgimit, të përgjimit në shtëpi e gjetiu, tërë sy e veshë policorë përreth. Ai nuk ndalej, por çante tutje, për t’ia dalur matanë, në vendndodhje të qëllimit, me këngë në vete, me refrenin: “Ne në gojë të ujkut hedhim valle, lumë moj Shqipëri që na ke”!

LUFTËTARI  I  NJËMBËDHJETË  BURGJEVE

Jeta e përplasur qelive të burgjeve serbe – jugosllave, nuk e kishte dëshpëruar Rexhep MALËN.  Urrejtja ndaj pushtuesit, te akcili i burgosur i ndërgjegjes, ndonjëherë merrte trajta të shfaqjes së gjaknxehtësisë, dëshpërimit a nervozës vetëngulfatëse, për Rexhep MALËN ajo ishte shndërruar në energji të kontrollueshme. Është dukuri e veçantë, e denjë për tu studiuar, urrejtja si shtytje për qëndresë. Urrejtja tek Ai ishte e natyrshme, e ligjshme dhe vetëm në përpjestim me pushtuesit. Assesi ndryshe.
“Njerëzit e shtëpisë më përcollën me grushtin lart. Tamam si përcillet luftëtari i lirisë në luftë. Paj, edhe unë në luftë shkoja, në luftë me bishat që kanë pamje njeriu”* (Rexhep MALA ”QËNDRESA – DITAR NGA BURGU”).
Jetën në burgjet e pushtuesit serb e përkufizonte si luftë. Luftë  tejet e pabarabartë. Luftë nervash në një birucë, në një varr për së gjalli. Në ditarin e tij të burgut, Ai hedh disa përjetime rrënqethëse… Provokime për t’ia shter energjitë, përballje për t’i ruajtur ato.
Nëse do ta thyenin fizikisht, kënaqësinë për thyerje shpirtërore të Rexhep MALËS, kurrë nuk do ta shijonin fashistët e rryer serbë!
Mbi Rexhep MALËN me tërë arsenalin e saj, u hodh tërbimi e ligësia njerëzore dhe, ngadhnjeu madhështia njerëzore!
Përjetimet dhe sprovat e njëmbëdhjetë burgjeve të Rexhep MALËS, ofrojnë lëndë të pashtershme për pena me mprehtësi depërtuese në shtresime të thella të një guximi për mahnitje.    

PARAROJA

Në periudhën e zhveshjes së të drejtave në një skelet autonomie, zbehjes dhe përkuljes të dinjitetit shqiptar, “legalja” e institucioneve të pushtetit, shenjën identifikuese të mëvetësimit politik të shqiptarëve nuk e shpalonte dot.
Barrën e rëndë të mëvetësimit, shkëputjes nga kthetrat jugosllave, duhej ta lëvizte ilegalja. Pikërisht Rexhep MALA do të jetë një nga promotorët e lëvizjes ilegale, që do të sistemohet në kategori… Kjo kategori sublimoi artikulues të denjë për vetëvendosje të shqiptarëve, si: Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Skender Kastrati, Zijah Shemsiu, Kadri Zeka, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Selatin Novosella, Fatmir Salihu, Nuhi Berisha, e tjerë. Pararoja e një shtresimi atdhetar, tashmë të profilizuar, i shqetësonte strukturat shtetërore të pushtuesve.
Pushtuesit, të alarmuar, kësaj kategorie veprimtarësh do t’i kurdiste burgosje, vrasje të fshehta e të hapta. Rexhep MALA e Nuhi BERISHA  me aktin e përballjes luftarake, shpërthyen ilegalen për t’i dhënë krah gueriles. Ata do t’ia ngrehin digën serisë së krimit të fshehur. Në “Kodrën e trimave”, tash në kodrën e nderit të tyre, dy, vetëm dy, me plumba e këngë përballë: qindra policë, me tërë arsenalin sulmues, shfryjnë tërbimin mbi dy guerilas! Ata bien me këngë në gojë si në legjenda!

ANTONIMI I KOMPROMISIT     

Daljet jashtë kontekstit  të librit për Rexhep MALËN, nuk e cënojnë logjikën e vërtetësisë së parashtruar, mëtojnë të përplotësojnë edhe ndonjë veçori të pa vënë në spikamë për lexuesin, përkitazi një karakteri të lidhur pashkëputshëm me idealin, të cilit Ai  i dha gjithçka mund të kishte jeta.
Duke këmbyer pikëshikimet për rreziqet e gjendjes, për pafrenueshmërinë e shfrytëzimit të bashkëkombësve, në fjalorin e Rexhës ka munguar shprehja “kompromis”. Le të nënvizohet kjo veçanërisht.
Idhtarët e përzgjedhjes së kompromisit si mençuri për zgjidhjen madhore, jokompromisin e shihnin si diçka abstrakte, si përfundim në ngurtësi, si ngrirje akulli e të lëngshmes. Jokompromisi është antonim i kompromisit. Një logjikë nënshtruese dhe jo nënshtruese. Për këmbime interesash të ngushta, shtresimit të tillë i parapëlqente kompromisi, elasticiteti, vardisja përfituese ”për popullin”.
Këtë anë të logjikës politike e përfaqësonte në dukje, shtresimi i vetëkënaqur në institucionet “legale” të Kosovës e Federatës Jugosllave.
Kompromiset në vazhdimësi, me hirë e pa hirë, nga të vetëzgjedhurit “e popullit” në institucionet “legale”, heshtur anashkaluan të drejtën dhe vullnetin e shqiptarëve për të vetëvendosur.
Është ilegalja që po legalizohej dhe, përmes vrazhdësisë po e merrte të drejtën e qytetarisë, si kategori e strumbullarëve të jokompromisit: Adem DEMAÇI, Rexhep MALA, Adem JASHARI…
Kompromisi i kobshëm mbi fatin e shqiptarëve, si në konjukturat e niveleve ndërkombëtare, edhe brenda  kombëtare, pati çmim të pistë. Po ashtu, edhe jokompromisi solli derdhje të gjakut të pastër shqiptar… Por ia vlente barra qeranë,meqë mbi qeranë do të bartej faqebardhësia e plotënisë së lirisë.
“Rruga e nisur s’duhet lënë për gjysmë. Vetëm me luftë mund të çlirohemi!* (Binak Ulaj “KUJTIME’’, 2005).
Kushtrim GURI: “njësitet e para guerile nëpër qytete…”, “do të kulmonin me një kryengritje të përgjithshme popullore”* (Skender Kastrati “KUJTIME”, 2006).
Rexhep MALA nuk ishte i prirur për aventura. Format e luftës guerile që përuronte , për indiferentët e pangjyrë dhe të përgjumurit e përjetshëm, për kokat me ndërgjegje të papastër, ishin aventura të rrezikshme.
“Aventurës” së përgjakshme me pushtuesit, rrjedha dialektike e ngjarjeve i dha të drejtë.

TRASHIGIMIA

Trashigimia e Rexhep MALËS është e gjerë. Nuk është vetëm Hanifja, shoqe jete dhe bashkërendimi veprues, simbol i gjallë stoicizmi e besnikërie, që sfidoi  Penelopën e Odiseut, as vetëm Fitorja, e bija krenare, as vëllai, Hasani, “Plaku” i Lëvizjes dhe demostratave të mërgatës në Perëndim…
Trashigimia e Rexhep MALËS është  shqiptaria. Është madhështia e tij, mbi të cilën mbëltohet brezi i ri. Jemi ne, me cilësitë dhe dobësitë që kemi. Është identiteti ynë shekullor i pashuar. Janë qindra – mijëra dëshmorë… Është sprova jonë shtetformuese, vlerat qytetëruese e konkuruese.
Duke rrumbullakuar vlerësimin për madhështi të tilla, si Rexhep MALA, më sillet vërdallë pyetja: pse të jashtëzakonshmit janë aq të rëndomtë? Si duket, madhështia është në bërthamën e tyre të shëndosh. Të tillët janë të rëndomtë në përmasën e vërtetë  të rëndomsisë. Aty dhe vetëm aty e ka burimin dhe rrjedhën e pastër madhështia njerëzore…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora