E diele, 28.02.2021, 09:55 PM (GMT)

Kulturë

Edison Ypi: Veri

E hene, 13.04.2009, 08:36 AM


Veri

Nga Edison Ypi

Dy tavolina me nga dy karrike rrëzë murit. Tendë. Mbi tendë shkruar “BAR KAFE VERI” si dhe vizatuar një gotë rakie dhe një
filxhan kafeje me ca si avuj ...përsipër. Mbi xham’ të dritares; PESHK, BËRXOLLA, QOFTE, BIFTEK, SALÇIÇE, SUXHUK, HAMBURGER.
T’i shohësh këto nga jashtë, thua me vete: Emo mir, kafene si gjithë kafenetë.
Nuk është kafene ! Është thesar ! Hyr !
Sapo ke hyrë brënda j’a beh e para sfidë; vetullat e ngritura të klientave. Ata nuk po shohin shkakun, që je ti, por pasojën, derën që e ke lënë pak hapur ! Kthehu mbylle se na ftofe !
Banak i vogël prej mermeri në stil antik grek me kolonada tempullore. Brenda banakut, kafexhiu Veri.
Kur sheh Verin, menjëherë kupton se ç’pe jashtë, ato tavolina e ato karrike, ajo tendë e ajo tabelë, me ato të shkruara për të ngrëna e të vizatuara për të pira me filxhan kafeje e gotë rakie, s’ishin veçse ca grepa të cilave Veri nuk u beson prandaj ka hyrë vet’ brënda në det për t’i kapur peshqit me duar.
Dy frigoriferë të mëdhenj. Brënda frigoriferëve të gjitha hatatë e fytit, eksituesit e sekrecioneve, gjeneruesit e hormoneve; Mishra si t’i duash, birra pa numurim, verëra pafund, bërxolla pa hesap, me t’hik menja e kres. Mbi sobën me korent, dy tigana që skuqin mishra. Brenda dy tenxhereve, pilaf që nxjerr avull, fasule Dibre, qofte të ngrohta, biftek sa një lopatë. Në një xhezve, dy vezë të zjera. Mbi ekspresin që ndrit nga pastërtia, filxhanë të bardhë të pastër dhe lugë të ndryshme që presin të përdoren të ngrohta. Mbi banak, turli shishesh me gjithfar’ pijesh. Mbi mur, një dritë me dy llampa me bateri kur ikën korenti. Mbi mur një televizor që rri gjithë kohën në një kanal lajmesh me ekran të ngushtë. Pa zë televizori, vetëm me titra. Radio. Pa titra radioja, vetëm me muzikë. Këtu lajmet nuk shihen shoqëruar me dëngla por me muzikë. Mbi mur, një këndej një andej, dy ventilatorë që nxjerrin jashtë duhmat, të rakisë, kafesë, si dhe natyrisht muhabetit.
Por këto janë, si të thuash, vetëm korridoret e thesarit që të shpjenë drejt floririt. Floririn këtu e ke kundruall banakut, përballë gjeniut të stomakut, puntorit të palodhur, Verit.
Dhjetë shqiptarë në një kafene ?!
Çfarë mund të gjesh mes tyre ?!
Gjithçka ! Atë që s’e gjen dot as në italianët e krejt Italisë, anglezët e një kontinenti të tërë, suedezët e të gjithë botës  !
Ja tek i vetmuar ha patate të skuqura Mendimtari i Rodenit !
Ik bëj pak muhabet me Dostojevskin që po kafshon një biftek !
Shko këmbe’ dy llafe me Balzakun që po rrëkëllen kafe !
Dhe shihi mirë të gjithë !
Hiqja ballin e gjërë këtij te qoshja, vëre mbi mollëzat e zbehta të atij pranë derës, bashkoje me krehjen e këtij pranë banakut, merre se ta kam fal’ dëshpërimin e Çehovit !
Ngërdheshjen e atij që po pi birrë, mballose mbi surratin prej brejtësi të këtij që po porosit pilaf, vuri mbi kokë kapelen e atij që po kafshon suxhuk, ik vrik merrja mustaqet Hitlerit që porsa doli, dhe gajasu me Çaplinin !
Merr surratin e bablokut që po ha qofte, ngjiti asaj fytyre hundën e babaxhanit me syze, merrja republikën noterit mbështjellë me shall që po pi raki’, ik shpejt bli një puro të trashë, dhe, republikën mbi kokë, puron në gojë, pyet për çfarë të duash se të përgjigjet Çurçilli !
Merr nofullat dhe buzët e këtij që sapo u ul, bashkoi me ballin dhe tamthat e atij që gjeti përbri, ja te’ e ke surratin e Shvarcenegerit !
Më e vërtetë se një fushë me thekër. Më e gjallë se një tufë me tigra. Më e sofistikuar se ç’do katedër universiteti. Më civile se çdo aul’ parlamenti. Në këtë kafene ke qef të hysh;
Njëri thotë se Dibra nuk është as qytet as krahinë, por shtet, shtet i vërtetë me ligjet e veta, me kufij, me pasaporta, dogana, me të gjitha. Hidhet tjetri j’a pret se pikërisht ashtu është dhe prova janë targat e makinave të Dibrës që nuk janë kot “Di” ! Sepse dibranët “dinë”, janë të knushëm, janë të zot.
Në këtë kafene ka përgjigje për gjithçka. Edhe për taksiratet e ditës, edhe për biznesin, edhe për kursin e këmbimit, edhe për zgjedhjet e ardhëshme, deri edhe për emrin e kalit të Aleksandrit të Maqedonisë !
Dibrani që ka shkurtuar emrin e vet dhe të kafenesë së vet për të mos i ngjarë emrit të Diktatorit, punon ç’do ditë nga 15 orë. Pa ndihmës, vetëm.
Ka ca kompozitorë që nuk kompozojnë me nota por me heshtje. Veri atyre u ngjan. Veri nuk flet me fjalë. Veri flet me heshtje. Veri flet me sy. Me sy, Veri kupton, urdhëron, kërcënon, më ngjyrshëm se piktorët, më harmonishëm se kompozitorët, më hollë se psikanalistët.
Veri të kupton në çehre; Nëse je i uritur dhe të hahet apo i etur dhe të pihet, ke ardhur kot për muhabet apo për të pirë a ngrënë diçka, çfarë tipi je, mishngrënës apo barngrënës, je grykës apo nazeli’. Veri të sheh me ca sy sikur e ka ditur që ti do vije aty sapo dole nga shtëpia.
Ti pi kafe dhe hedh monedhën mbi tabaka. Monedha mezi duket për shkak të ngjyrës së njëjtë me tabakanë. Dhe merakosesh dhe pyet Verin; Ver’, këtu e ke ! Përgjigjet Veri; Mos u merakos për kolorin, unë nuk shoh tabakanë, un’ shoh vetëm atë !
- Ver’, a je i lumtur ?!
- Nuk e di.
- Si nuk e di ?! Duhet ta dish ! Për shembull në krahasim me kohën e Diktaturës, a ndjehesh më i lumtur sot apo atëhere ?!
- Nuk e krahasoj dot.
- Duhet patjetër ta krahasosh !
- Nuk mundem. Nuk mbaj mënt asgjë.
- Asgjë - asgjë ?!
- Vetëm diçka.
- Pa hë - pa hë !
- E kemi për xhins kuzhinën. Babai im ka qënë kuzhinier i shquar. Dhe njeri i ndershëm, korrekt i madh. Në atë kohë punonte në Dibër shef në një lokal. Një ditë i erdhi një kontroll. Kontrolli i gjeti pare tepër. Nja 20 mijë lekë të vjetra. Pare tepër - po të them ! Jo mangut ! Tepër ! A po m’kupto’ ?!
- Po pra po, po t’kuptoj, aman vazhdo,
- Babai kishte punuar shumë dhe, mes gjith’ atyre dibranve të uritur, paret natyrshëm mund të ishin ose paksa mangut ose paksa tepër. Mirpo “paret tepër” atëherë quheshin “sufiçit”. Dhe për “sufiçit”, pra për “pare tepër”, të fusnin në burg. Dhe babain t’im, po ta përsëris, jo për “pare mangut”, por për “pare tepër”, e futën në burg ku ndejti disa vjet. Ajo ngjarje që u pasua nga ajo vuajtje, ma ka zbardhur trurin. Prandaj nuk kujtoj.
- Harresë të mbarë Ver’ !
Kur do dalësh, me vete do marrësh shkakun. Aty lër pasojën, derën e hapur. Pa problem. Sepse nga pas do lësh derën tjetër, frigoriferat, ventilatorat, tiganat, tenxheret, mishrat, vezët, karriket, tavolinat, të gjitha nga dy, vetëm Ver 1.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora