Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nik Gjonaj: Filmi i Skënderbeut më 1953, kishte pasaktësi historik

| E hene, 13.04.2009, 10:36 AM |


Nga Fatmira Nikolli

Një hero mesjetar. Një luftëtar që kishte një mision të madh: të çlironte atdheun. Një njeri, një komandant, një mbret. Skënderbeu, mbreti luftëtar i Shqipërisë. Ky është edhe titulli i filmit më të ri që vjen për heroin tonë kombëtar. Një hero i harruar që shpëtoi qytetërimin perëndimor. Fati i një njeriu, që bëhet betejë për liri. Jeta dhe lavdia e një prej burrave më të famshëm në botë, njeriu që sprapsi ushtrinë e një perandorie, rrëfehet nga një murg, Marin Barleti. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", regjisori shqiptaro-amerikan Nik Gjonaj, rrëfen prapaskenat e realizimit. Ku u gjet garderoba mesjetare, në ç'dokumente u bazuan, kasta e aktorëve, pse heroi shfaqet me një rrobë pa mëngë dhe projekti për një prodhim hollivudian për heroin. Gjonaj tregon vendet ku janë xhiruar skenat dhe kontaktet me Mel Gibson për të sjellë një Skënderbe hollivudian.

Është një ide brilante realizimi i një filmi për Skënderbeun. Si erdhi ajo?

Historia e tij ka qenë pasion i imi që në fëmijëri, e ndërsa rritesha, me mua rritej edhe ai pasion. Para disa vitesh, po kërkoja në internet për vepra artistike, dhe gjeta një pikturë të heroit më të madh që unë kam dashur të njoh më nga afër. Ajo pikturë do të thoshte shumë për mua, dhe duhej ta blija. Përmes saj, takova edhe piktorin shqiptar, Nua Gjelaj, që është edhe skenarist i filmit. Ndërsa bisedonim lindi idea që do të realizohej vitin që shkoi.

Filmi shihet nga një tjetër aspekt. Tashmë, është një murg që e tregon historinë. Një gjetje e bukur kjo. Pse e bëtë?
 
Më pëlqente shumë heroi dhe më mahnitnin historitë e tij, ndaj doja të dija për të, gjithnjë e më shumë. Lexova artikuj dhe libra. Më pas arrita të shoh filmin e realizuar në vitin 1953 nga shqiptarët. Ata kishin lënë jashtë filmit elementin më kryesor që ishte e vërteta. Mendoj se ka tre elementë që përdoren në histori dhe këta janë: "i miri, i keqi dhe i shëmtuari". Ne duhet të jemi realistë dhe të përqafojmë këto të vërteta. Filmi i vitit 1953 ishte i mirë vizualisht, i mirë për kohën, por plot me pasaktësi historike për shkak të "peizazhit" politik. Duhet të jemi të kujdesshëm me historinë. Mund të ketë pasoja jo të mira. Kur Nua Gjelaj filloi të përgatitej për skenarin e filmit, kishte një qëllim: të vërtetën, edhe unë po ashtu. Ishim të ndërgjegjshëm se ne duhet të ringjallnim një hero të harruar që shpëtoi qytetërimin perëndimor. Murgu katolik Marin Barleti, ka dhënë një biografi të heroit, ndaj ne menduam që ai duhet ta tregonte historinë në film.

Filmi ka një muzikë mjaft të bukur...
 
Faleminderit! Jam kujdesur për muzikën, me të cilën është marrë Adam Walker. Instrumentet muzikore kryesore shqiptare, janë bashkuar me të tjera. Kemi bashkëpunuar me artistë e kompani të ndryshme që të arrinim një rezultat të mirë. Muzika i jep jetë filmit, është shpirti i tij.

Kush janë aktorët që interpretojnë në film? A e kanë njohur historinë shqiptare dhe a kanë dëgjuar për Skënderbeun më parë?

Aktorët në film janë shqiptarë me origjinë, por nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Kanë dhënë kohën e tyre për të sjellë një film për mbi mbretin e tyre luftëtar. Është e mahnitshme të mund të punosh me njerëz patriotë. Të gjithë ne e dinim historinë bazë të heroit, por duke u marrë me të, bëhesh gjithnjë e më shumë kurioz për këtë njeri të madh, bashkëpunëtorët e tij dhe kohën kur jetuan. Anton Gojcajn, që ka rolin e Gjergj Kastriotit, e them me krenari që e zgjodha sepse përshtatej në shumë aspekte me rolin. Është një rol i madh, por e dija se talenti dhe angazhimi do të përktheheshin në një performancë prej ylli.

Skenaristi Nua Gjelaj, është një shqiptar që ka lindur në ish-Jugosllavi e më pas ka ikur drejt Amerikës. Cila ka qenë "lidhja" e tij me Skënderbeun?
 
Ai gjithnjë është frymëzuar nga legjendat dhe përrallat shqiptare. Më pas, i fokusoi energjitë e tij tek piktura. Kjo, krijoi tek ai interesin dhe dëshirën për të studiuar histori, ndaj u diplomua dhe kreu një master për histori në universitetin Wayne State. Në vitin 2002, u njohëm dhe filluam "udhëtimin" tonë për këtë film dokumentar. Ai është një student i mirë i historisë dhe mund t'iu siguroj se pak njerëz dinë aq shumë për heroin. Nua ha, pi e merr frymë me të, ndaj kuptohet dhe duhet të vlerësohet pasioni i tij për Skënderbeun. Si shqiptar, unë ndershmërisht them se ne jemi me fat që kemi një njeri i cili e promovon dhe e mbron kulturën shqiptare përmes punës së tij.

Kompanisë "Illyria Entertainment" iu deshën pesë vite për të realizuar këtë. Sa e vështirë ishte ?
 
Për diçka që duhet realizuar mirë, paraja ka rol të madh. Në fillim, unë dhe Nua, e nisëm projektin vetëm, por puna jonë "vetmi" e kishte në një limit. Më pas kërkuam ndihmën e kryetarëve të komuniteteve të shqiptarëve të Amerikës për të siguruar shumën e parave, por shumë prej tyre nuk ishin të gatshëm, ose nuk kishin mundësi. Më pas, shumë shqiptarë donin ta shihnin të realizuar këtë projekt dhe na kontaktonin përmes e-maileve, për të pyetur se ku mund të dërgoheshin paratë. Nuk na pyesnin asgjë tjetër, thjesht, kur do të shfaqej. Një prej patrioteve që dua të përmend është Tringa Gojcaj, një grua e ve, nëna e pesë fëmijëve. Ajo na dha suportin e duhur që ne të mund të fillonim xhirimet. Njerëzit dhanë atë që mundën. Është një kontrast i pakëndshëm, që kryetarët e komuniteteve u përpoqën të na sabotonin, ndërsa shqiptarët e tjerë na ndihmuan. E imagjinoni dot? E shëmtuar, por e vërtetë.

Pse ju ndihmoi aq shumë Tringa Gojcaj?
 
I pëlqeu cilësia e punës. Si nënë, ajo e kuptonte rëndësinë e edukimit të rinisë shqiptaro-amerikane me trashëgiminë e tyre unike kulturore. Për nder të kontributit të saj, "Illyria Entertainment" e bëri atë Producente ekzekutive të filmit. Ajo është një grua fisnike që kontribuoi për kulturën e saj dhe nderoi bashkëshortin e saj, duke ia dedikuar filmin, kujtimit të tij.

Anton Gojcaj është Skënderbeu në film. Ishte i vështirë roli për të?
 
Ky rol do të ishte i vështirë për çdo aktor, veçanërisht për shkak të karakterit. E di që ishte përgjegjësi e madhe për të, por unë thjesht e dija se do ta bënte mirë. Stresi i madh i pranimit të një roli të tillë, mbase do të mposhte çdo aktor, por ndodhi e kundërta. Le të jemi të ndershëm, është një subjekt i ndjeshëm. Antoni ka bërë një punë të mrekullueshme.

Ju jeni regjisori i këtij filmi. Kush jeni ju, që t'ju njohë më mirë lexuesi dhe shikuesi shqiptar?

Kam lindur në Detroit, Michigan, në një familje emigrantësh shqiptarë. Në një moshë të re, më lindi dashuria për filmin dhe regjinë. Përveç kësaj, e dua dhe e vlerësoj kulturën dhe trashëgiminë shqiptare. Kam studiuar për shkenca politike dhe film në Universitetin Wayne State. Dëshira ime për të mësuar më shumë mbi botën e filmit, me çoi në Los Angeles, ku kreva disa kurse në UCLA, dhe punova në projekte të ndryshme. Gjithmonë më kanë magjepsur historitë e mëdha, artet vizive, muzika dhe filmi. Është e çuditshme se si një film t'i ngacmon emocionet dhe mendimet. Roli i muzikës të bën ta ndjesh skenën, monologun, detajet, këndet e kameras, dritat e të gjitha së bashku të kthehen në një obsesion për të krijuar "fotografi të çastit" të një kohe të largët. Kam studiuar dhe punuar shumë, për të qenë sa më i mirë në këtë punë. Në Michigan kam punuar me shumë prodhues filmash dhe artistë që më kanë bërë ky që jam sot. Aktualisht jam bashkëthemelues i "Illyria Entertainment" me Nua Gjelaj. Jam krenar që do të punoj në disa projekte të tjera të mëdha më vonë. Për sa i përket Skënderbeut, them se çdo shqiptar ndjen një lidhje personale me këtë njeri. Çdo qenie humane që e do lirinë, e vlerëson. Gjergj Kastrioti është Shqipëri dhe Shqipëria është Gjergj Kastrioti. Ai është esenca e asaj që duan shqiptarët, liri dhe nder. Kam qenë mjaft i interesuar të kapja elementet mitologjikë dhe njerëzor të këtij njeriu e të legjendës. Ne e dinim se ishte një ushtar i madh, por donim të shihin dimensione të tjera të jetës së tij, që të arrinim të kishim një portret solid të tij, mitin dhe legjendën. Në emër të "Illyria Entertainment", unë mund të them me ndershmëri se ne bëmë më të mirën që mundëm. Besoj se shikuesit, do të ecin përmes sensit të krenarisë dhe vlerësimit për një njeri që sakrifikoi çdo gjë për lirinë.
 
Ku janë xhiruar skenat e filmit?
 
Në shumë vende. Që nga pyjet e Holly-t në Michigan, duke shkuar në Krujë. Vetëm një vend nuk mund të mjaftonte për të imagjinuar se si kanë qenë pamjet, zërat dhe "aroma" e historisë. Shumë prej skenave janë xhiruar në Michigan, në një park shtetëror, ndërsa skenat brenda, në studio. Më pas në pjesë të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, Austrisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe. Udhëtimi ynë evropian filloi në Angli, në Universitetin e Kembrixhit, të Nottinghamit dhe në Londër. Roma ishte destinacioni tjetër i yni, ku intervistuam dijetarët shqiptarë që kanë punuar me Arkivat Sekrete të Vatikanit. Më pas ne shkuam në Vjenë për të filmuar përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Muzeun e "Kunsthistoriches". "Illyria Entertainment" ishte kompania e parë që është lejuar ndonjëherë të filmojë dhe të fotografojë aty. Kemi qenë në 12 qytete, 9 aeroporte dhe në 3 kështjella.

Cilat kanë qenë përshtypjet e personave që e kanë parë filmin?

Shumë pozitive. Filmi ka fituar dy çmime të mëdha në SHBA në konkurse ndërkombëtare. Sapo jemi lajmëruar se është përcaktuar si "i zgjedhur zyrtar" për "Riverside International Film Festival". Ai ka marrë kritika pozitive nga skenaristët hollivudianë dhe "Vue" ka publikuar disa artikuj mjaft pozitivë për të. Ka gjithmonë kritika, e sidomos kur je shqiptar. Kritika konstruktive, të bën mirë. Ka raste që njerëzit thonë gjera qesharake madje pa e parë filmin fare. Unë dhe Nuae kemi lënë filmin të flasë vetë dhe deri tani ai ka fituar çmime, është nderuar dhe madje ka hapur disa dyer për ne. Mendoj se rezultatet flasin vetë, sepse ky prodhim është bazuar në kërkime të mëdha historike dhe akademike.

Si mundët të gjenit rrobat, armët, përkrenaren dhe mjetet e tjera të nevojshme për xhirimet?

Nua Gjelaj është marrë me gjetjen e tyre. Atij i janë dashur vite për të realizuar dizajnin e filmit, e për këtë ka punuar me specialistë, dizenjues kostumesh që kanë çuar në produktin final që do të shihni. Ai ka shpenzuar qindra orë kërkime, për gjetjen dhe realizimin e kostumeve dhe veshjeve, sepse të gjitha këtu duhet të ishin imitime të veshjeve të kohës dhe u bënë me saktësi historike. Ishte një punë që vetëm Nua mund ta bënte siç duhej. Njohuritë dhe përkujdesja e tij deri tek detajet, ishte si asnjë tjetër. Të vetmet ankesa që mund të vijnë, kanë të bëjnë vetëm me faktin se ne duhet të qëndronim brenda buxhetit. Këto janë momente mjaft të bezdisshme, kur buxheti e pengon vizionin.

Në filmin e vitit 1953, ai nuk dilte me rroba pa mëngë...? Ndërsa në filmin tuaj po... Keni gjetur ndonjë dokument mbi veshjen e tij?

Nuk ka asnjë dokument që tregon për mënyrën se si ai vishej, përveç faktit që Barleti përmend në veprën e vet, se krahu i djathtë, me të cilin Skënderbeu mbante shpatën, ishte gjithmonë i zhveshur dhe se Skënderbeu vishte një jelek lëkure. Ne kemi imazhe të tij artistike të ardhura deri më sot që tregojnë se ai vishej si një fisnik venedikas e po ashtu piktura të tjera që tregojnë se ai kishte të veshur një kostum shqiptar të Shqipërisë Veriore. Referencat logjiko-kulturore dhe historike së bashku me licencën artistike kanë qenë ato që kanë vendosur garderobën e aktorëve për filmin.
 
Pse vendosët që titulli i filmit të ishte "Skënderbeu, Mbreti Luftëtar i Shqipërisë"?

Zgjedhja e titullit ishte krejt direkte. Si fillim zgjodhëm vetëm "Skënderbeu", emër me të cilin bota e njeh. Më pas, menduam të ishte "Mbreti luftëtar" sepse donim të portretizonim kompleksitetin e këtij burri. Ai ishte një luftëtar i madh dhe në të njëjtën kohë, ai ishte i barabartë me një lider të madh. Në helmetën e tij, një prej akronimeve, e përshkruan atë si "REX ALBANIAE" Mbret i Shqipërisë. Titulli është përshkrues për audiencën.

Ka pasur thashetheme që një film për heroin tonë do të realizohet nga Hollivudi. A është e vërtetë dhe a përfshiheni ju?
 
Ka pasur edhe thashetheme edhe peticione. Jam i lumtur t'ju komunikoj ju se "Illyria Entertainment" kohët e fundit ka lidhur kontakte me "Icon Productions" të Mel Gibson dhe me "Francis Ford Coppola", me të cilët mund të bashkëpunojmë për të realizuar një film mbi heroin tonë kombëtar. Falë suksesit të këtij dokumentari, ne kemi mundur të kemi një bashkëbisedim me këto kompani dhe kemi shumë shpresa që të realizojmë një film hollivudian mbi Skënderbeun.
 
Mund të na thoni diçka mbi projektin tuaj "Ilirët"?

"Ilirët" do të jetë një dokumentar. Ai do të fokusohet tek evoluimi i kulturës dhe historisë ilire përmes një perspektive tjetër. Ky projekt do të dokumentojë kontributin e rëndësishëm të ilirëve në civilizimin evropian dhe perëndimor, përpara rënies së Greqisë Antike dhe lindjes së Romës.

A keni plane që të vini në Shqipëri për ndonjë film, ose të sillni projekte këtu?

Do të dëshironim shumë. "Illyria Entertainment" është krijuar për të ngritur lart kulturën tonë. Ne besojmë që filmi është një industri e vlefshme dhe fitimprurëse me të cilin një vend mund të përfitojë në shumë mënyra, si në punësim dhe turizëm. Nuk është e nevojshme që ne t'iu kërkojmë apo t'iu lutemi të tjerëve që të tregojnë historinë tonë.

Gazeta Shqiptare