E enjte, 25.04.2024, 01:42 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Telegrami i Kremlinit për Ramiz Alinë, që alarmoi SHBA-në

E hene, 13.04.2009, 09:29 AM


“Uashinton Post”: Në Shqipëri po shikojnë telenovelën “Dinastia”. Ndryshimi filloi

Nga Michael Dobbs (Korrespondent i shërbimit të jashtëm të “Uashington Post” në Beograd)

Ndoshta në asnjë vend nuk është analizuar vdekja e tre muajve më parë e udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, me më shumë kujdes sesa është bërë në Jugosllavi, në një vend stabiliteti i të cilit ndikohet direkt nga politikat e vendit më sekret të Evropës. Shqipëria staliniste ka figuruar në shumë nga “skenarët më të këqinj” të ëndërruar nga njerëzit, detyra e të cilëve është të analizojnë të ardhmen e Ballkanit, rajonit më të nxehtë të Evropës. Nëse vendi i vogël malor në detin Mesdhe do të rikthehej nën tutelën sovjetike, kjo mund të sillte probleme të rënda për fqinjët e tyre jugosllavë, për shkak të minoritetit etnik shqiptar që është i tensionuar politikisht. Prandaj, një analist i marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Jugosllavi, dëgjonte me shumë kujdes një zyrtar shqiptar që e përshkruante fabulën e serialit “Dinastia” të televizionit amerikan si një detaj të ndërlikuar. Doli që nga e gjithë retorika marksiste-leniniste e këtij zyrtari, ai na qenkësh një pëlqyes i telenovelës kapitaliste, e cila transmetohet në anglisht nga televizioni jugosllav, frekuenca e të cilit shkon edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Një incident i vogël në pamje të parë, por që është një tregues shumë i qartë se si Shqipëria gradualisht – shumë gradualisht, po del nga katër dekadat e vetizolimit. Vetëm disa vjet më parë, të shikoje stacionet e huaja televizive ishte rreptësisht e ndaluar, ashtu siç ishin të ndaluara dhe simbolet e tjera të Perëndimit “dekadent”, flokët e gjata, leximi i Biblës apo qarkullimi me një makinë private. Në këndvështrimin e jugosllavëve, udhëheqësit e rinj të Shqipërisë, tashmë gjenden në një udhëkryq historik. Një krizë ekonomike gjithnjë e në rritje dhe dëshira për të lehtësuar vështirësitë e jetës së përditshme bën që 2.5 milionë banorët e Shqipërisë të jenë në favor të një hapjeje të vendit me botën e jashtme. Por trashëgimia politike e Enver Hoxhës, një shenjë e ashpër e nacionalizmit dhe fraksioneve brenda udhëheqjes, e bëjnë një ndryshim të menjëhershëm, të rrezikshëm dhe të pamundur. Në Jugosllavi, si diplomatët perëndimorë ashtu edhe analistët jugosllavë, bien dakord se pasardhësi i zgjedhur i Hoxhës, Ramiz Alia, 59 vjeç, është ende duke konsoliduar fuqinë e tij politike pas emërimit si Sekretar i Parë i Partisë Shqiptare të Punës, prillin e kaluar. Si një shqiptar mysliman nga Veriu, pra një geg, duhet të ecë veçanërisht me kujdes në një udhëheqje të dominuar nga toskët, (jugorët). “Në rast se Alia ndihet mbi të gjitha i pasigurt, ai do të vazhdojë të ndjekë politikat aktuale, edhe pse situata politike është e vështirë”, - thotë një zyrtar jugosllav. “Pasi të stabilizohet dhe të vendosë në postet kyçe njerëzit e tij, pastaj ndoshta mund të ketë disa ndryshime”. Javën e shkuar Shqipëria botoi disa deklarata të politikës së jashtme të Hoxhës pas vdekjes së udhëheqësit, që shprehnin kundërshtitë për të ngatërruar lidhjet politike dhe ato tregtare me shtete me ideologji të ndryshme. Analistët perëndimorë e vlerësuan këtë deklaratë të përsëritur dhe morën konfirmimin se ndryshimi nuk do të ishte i menjëhershëm. Problemet aktuale të ekonomisë shqiptare vijnë si rezultat i ndarjes me Kinën në fundin e viteve 70, duke e lënë vendin pa një kujdestar për herë të parë në më shumë se katër dekada. Hoxha, një mësues i edukuar në Francë, i cili drejtoi kryengritjen kundër pushtimit italian gjatë Luftës së Dytë Botërore, i ka ndërprerë marrëdhëniet e aleancës me Jugosllavinë më 1948 dhe Bashkimin Sovjetik më 1962. Vizitorët e pakët perëndimorë që lejohen të hyjnë në Shqipëri duket sikur kthehen prapa në shekullin XIX. Teknikat agrikulturore janë primitive, me përjashtim të kombinatit të çelikut në qytetin e Shqipërisë së Mesme, Elbasan, i ndërtuar me ndihmën e kinezëve, ndërsa shumë fabrika të tjera duken në sytë e Perëndimit sikur janë relike në fazat e para të Revolucionit Industrial. Të privuar nga ndihma kineze apo sovjetike, e vetmja mënyrë për të hapur Shqipërinë dhe modernizmin e aseteve të saj të vjetra është rritja e tregtisë me jashtë. Marrja e kredive është e ndaluar me Kushtetutë, kështu që e gjithë tregtia bëhet kryesisht me anë të shkëmbimeve. Sipas statistikave jugosllave, xhiroja totale e shkëmbimeve tregtare me jashtë tani kap shifrën e vogël të 800 milionë dollarëve amerikanë në vit. Shqipëria eksporton krom (është vendi i katërt prodhues në botë për këtë mineral), energji elektrike dhe vaj të cilin e shkëmben për të marrë makineri, të cilat nuk mund t i prodhojë vetë. “Vështirësitë e tyre ekonomike duket se po rriten”, - thotë një zyrtar jugosllav. “Dita-ditës në median zyrtare flitet për më pak shkurtime. Është e qartë se udhëheqja shqiptare, është e shqetësuar me probemet e brendshme”. Ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jugosllavia ka një interes strategjik të qartë për të ndalur Bashkimin Sovjetik që të fitojë akses në portet e ujërave të ngrohta shqiptare në Adriatik. Në këtë pikë, ata janë inkurajuar nga refuzimi i ashpër i Alisë, pas një mesazhi ngushëllues ardhur nga udhëheqja ruse pas vdekjes së Hoxhës, një shenjë e qartë që kërkon nisjen e një ere të re marrëdhëniesh ndërmjet Kremlinit dhe Shqipërisë. Udhëheqësit jugosllavë janë gjithashtu të shqetësuar për atë që ata e shohin si përpjekjet e Tiranës për të nxitur tensionet mes 1 milion shqiptarëve etnikë të Kosovës në provincën jugosllave në kufirin verior me Shqipërinë. Klima politike në Kosovë është ende e tensionuar pas rebelimit serioz më 1981, atëherë kur demonstruesit shqiptarë kërkonin për provincën statusin e republikës federale. Në pikëpamjen e shumë politikanëve në Beograd, ky do të ishte hapi i parë i shpërbërjes së Jugosllavisë në një shtet shumëkombësh. Balancat delikate etnike kërcënohen nga eksodet masive të serbëve nga Kosova për shkak të kërcënimeve shqiptare dhe presionit të popullsisë. Ironikisht, prapambetja ekonomike shqiptare dhe natyra e ashpër e regjimit të saj, mund të shikohet si shërbim ndaj interesave afatshkurtra jugosllave nga pikëpamja e disa analistëve. Edhe pse shumë nga shqiptaro-jugosllavët e shikojnë Shqipërinë si atdheun e tyre, ata janë gjithashtu të vetëdijshëm se niveli i jetesës nga ana tjetër e kufirit është më i ulët se e tyrja. Pas inkurajimit të lidhjeve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës më 1970, zyrtarët jugosllavë janë shumë të ndjeshëm për atë që ata i referohen si “ndërhyrje” e Tiranës në rajon. Bisedimet për një marrëveshje të re shkëmbimi kulturor u ndërprenë nëntorin e kaluar, me Jugosllavinë që akuzonte Shqipërinë se refuzonte të njihte të drejtat e minoriteteve të Jugosllavisë. Rrjeti i parë hekurudhor ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës, do të përurohet më vonë këtë vit, pasi të përfundojë puna në linjën që lidh Titogradin jugosllav me Shkodrën në Shqipërinë Veriore. Por shqiptarët kanë dhënë një sinjal të qartë se kjo nuk është një hapje e menjëhershme me botën e jashtme. Kur pala jugosllave sugjeroi kohët e fundit shërbimin e rregullt hekurudhor për pasagjerët ndërmjet dy vendeve, ideja u hodh poshtë nga Shqipëria. Të paktën, tani për tani, trenat e linjës Shkodër-Titograd do të transportojnë ngarkesa me krom – jo me njerëz.

Androkli Dralo - G. BALLKAN më 11/04/2009 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora