Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ledina Çelo: Ëndrroj se një ditë do të më vijë princi i kaltër

| E premte, 20.07.2007, 06:45 PM |


Kur isha fëmijë e doja burrin tim të ardhshëm si një princ. Dhe për shumë kohë e kam ëndërruar të tillë. Tani më vjen keq, që ëndrra është shpërbërë. Megjithatë ka mbetur ende diçka nga ajo ëndrra fëminore. Edhe pse kam kuptuar se nuk është më bota e princave, unë gjithmonë jam në kërkim të tij…"
Ledina Çelo, këngëtarja që sot synon të prekë skenën britanike është në kërkim të princit të saj të kaltër. Është realiste se në kohët e sotme nuk ekzistojnë princat, por përsëri ajo ëndrron për një të tillë. Larg ëndrrës dhe në kërkim të saj, Ledina vjen në një rëfim të sinqertë ekskluzivisht për Gazetën.
E kemi takuar këto ditë të nxehta fund korriku në një nga baret në dalje të kryeqytetit. Lokalin e ka zgjedhur ajo. Nuk preferon të ketë shumë njerëz. Megjithatë sapo hymë në lokal të gjithë kthyen kokën. "Qenka Ledina…" Thuajse thanë sytë e të gjithëve tërë habi, kur panë bjondinën shtatlartë të afrohej aty. Gjendet në Shqipëri prej një jave dhe ka ardhur për t'u çmallur me familjen e saj. Ka evituar shfaqjet publike, koncertet dhe takimet me gazetarët. Ka preferuar që këtë herë t'i përkushtohet vetëm të afërmve të saj, Xhildës mbesës së saj, që ka ardhur enkas nga Gjermania dhe miqve të saj. Nuk do të bëjë zhurrmë me ardhjen e saj. As të shfaqet në ndonjë koncert veror, ku padyshim nuk i kanë munguar edhe ofertat. "Kam pasur oferta padyshim, sa morrën vesh që erdha këtu, por në këto momente jam e fokusuar në një drejtim tjetër. Kam ardhur në Shqipëri të çmallem me familjen dhe miqtë. Fundjavën, që shkoi isha në Dhërmi, ndërkohë që kam planifikuar të shkoj në shtator në Turqi me miqtë e mi".

Ambiciet e Ledinës
"Po përpiqem të bëj atë që kam synim, që arti shqiptar të dëgjohet edhe në Angli ashtu si edhe në shumë shtete të tjerë, ashtu si shumë artistë të tjerë shqiptarë, që kanë pasur sukses dhe synime, që me talentin e tyre, ambicien dhe profesionizmin e tyre të ecin në botë, siç janë balerinët shqiptarë në Itali e kudo që janë, këngëtarë, artiste, etj. Unë kam gjetur një nga vendet më të mëdha në botë. Unë e dashuroj Londrën, e dashuroj atë jetë atje, dhe jam përshtatur kollaj me të gjithë. Prandaj dëshiroj që atje të ndërtoj tashmë karrierën", tregon për Gazetën Ledina.

Klipi i ri në Angli
Përpara se të vinte në Shqipëri vuri në vijë një nga projektet më të rëndësishme të karrierës së saj. Pikërisht një klip në Angli. "Para një jave mbylla një videoklip, ku unë kam fituar një audicion. Jam pjesëmarrëse në këtë videoklip të muzikës dance, ku zëri im i bashkangjitet një këngëtareje angleze. Aty jo vetëm këndoj, por edhe aktroj. Kënga ka dy zëra. Videoklipi është filmuar në studion prestigjoze "Da Vinci Kod" dhe ka për regjisor John Cerie", shpjegon ajo. Por realizimi i këtij klipi ka një synim shumë ambicioz. "Synimi im është që kjo këngë të transmetpohet në MTV angleze. Është një këngë komerciale dhe bashkëkohëse, që nëse ja arrin të kthehet në hit këtë verë është fillim i një rruge të mbarë. Ky është klipi im i fundit, por edhe i pari njëkohësisht, sepse është klipi i parë me produksion anglez. Mendoj se ky videoklip do të më hapë shumë rrugë", rrëfen gjithë entuziazëm për projektin e saj të fundit Ledina.

Skena shqiptare
Pas pjesëmarrjes së saj të fundit në skenën shqiptare, në Festivalin e Këngës Magjike, ku Ledina fitoi çmimin e dytë me baladën mjaft të pëlqyer "Jemi të huaj" ka vendosur që të mos shfaqet për pak kohë në konkurset dhe festivalet shqiptare. Jo se nuk i preferon më këto, por sepse ajo vetëm pas një jave do të niset sërish drejt Anglisë, për të ndjekur hap pas hapi rrugën e këngës së saj për në MTV. Dhe në fakt të gjitha projektet e reja të Ledinës tashmë janë të lidhura me shtetin e mjegullt. "Nuk do t'i mungoj kurrë skenës shqiptare, por për momentin kam hequr dorë nga konkurset dhe festivalet, por nuk do të refuzoj spektaklet", thotë ajo, duke shpjeguar edhe vështirësitë, që ekzistojnë në Angli për të realizuar një këngë. "Në Angli duhet të kesh shumë komponentë që të realizosh një klip, nuk mjafton të kesh vetëm lekë si në Shqipëri".

Show 'DanceX'
"Njeriu gjithmonë do të provojë gjëra të reja", shprehet Ledina. Dhe këtë herë ka provuar diçka që nuk e kishte menduar ndoshta ndonjëherë. Ka marrë pjesë në një show të njohur në Angli "Show 'DanceX'. Show ishte konceptuar si një konkurs, që duhet të këndoje por mbi të gjitha të performoje kërcime. Në 2000 veta, që kanë konkurruar, Ledina Çelo ka mundur të jetë në 20 më të mirët, gjë që e ka surprizuar mjaft atë. "Nuk kisha ndonjë ambicie në këtë konkurs, pasi çdo gjë aty fokusohej tek kërcimi dance dhe hip/hop. Them, që ishte një eksperiencë e mrekullueshme, pasi aty ishin dy koreografët më të njohur në botë, që vlerësonin kandidatët, Arlin Philip dhe Bruno Tolioli. Ishte një llojë prove dhe unë kisha dëshirë ta provoja. Aty primare është kërcimi dhe jo kënga. Nga 2000 veta unë hyra në 20 dhe ishte një kërcim i lirë, improvizim i momentit. Një javë më pas mua më duhet të paraqitesha, sepse kishin interes dhe duhet të isha në audicion. Paçka se nga 20 në 16 kandidatë duhet të zgjdheshin më të mirët, pasi për 20 minuta duhet të improvizoja një kërcim që në këtë pikë unë jam koshiente, që nuk isha e përsosur, sepse ata kanë lindur për balet, madje për mua ishte e paparashikaur që do të isha në 20 më të mirët. Konkursi ishte pak i lodhshëm se niste në mëngjes dhe përfundonte në darkë. Unë spikata në zë më shumë, që hyra edhe në finalen prej 20 vetash. Dhe aty arrita pikërisht se u vlerësua vokali. Kjo ishte një surprizë për mua, që nga gjithë ata profesionistë të zgjidhesha. Po ideja ime kur hyra në garë isha të provoja veten. Por në fund të fundit unë jam këngëtare dhe jo balerinë", tregon ajo.

Ilda Lumani