Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Botohet per here te pare leterkembimi, Mjeda-Pedersen

| E diele, 12.04.2009, 08:19 PM |


Ndre Mjeda
Ndre Mjeda
Nga Mentor QUKU

Gjatë kërkimeve tona, të dorëshkrimeve të Mjedës, më kanë tërhequr vemendjen dy deklarata të kaherëshme të Pedersenit. Në shtator 1902, H. Pedersen botonte në Albanian e F. Konicës artikullin “Abetari shqip”, ku mes të tjerave shkruante: “Më pëlqen shumë abetari i Gustav Majerit në qoftë se largohen karakteret greke. Ate punë bëri Z. Andrea Mjedja prej Shkodre në nji abetar që shpuri përpara Kongresit të Orientalistëve në Hamburg, të cilin abetar duket se e kanë pelqyer Ipeshkvit për nji pjesë të shkollave shqype të Shqipërisë së Sipërme. “Kurse në vitin 1905 shkruan në studimin “Shqip 1905”: “Por gjendja e problemit ka ndryshuar tani për shkak se janë botuar nji varg librash shkollorë, ku është pranuar alfabeti i G. Majerit. Këto libra janë: Këndime për shkollë të para të Shqypnisë I dhe II. Numeratore per shkolla të para të Shqypnisë dhe D.N.Ferrari, Të mbledhunit e mbësimeve të Krishtena I. Vendi e viti i botimit dhe autori i këtyre librave të botuar, natyrisht me pëlqimin e klerit katolik të Romës, të paktën në ekzemplarët që kam unë, nuk janë dhënë. Në mënyrë private, më është bërë e njohur që janë në përgatitje e sipës edhe të tjerë libra shkollorë të së njëjtës seri: nëse tashmë janë botuar, unë nuk di gjë.”
Shihej qartë se Pederseni ishte i informuar për botimet që kishte bërë Mjeda ynë, bile edhe për projektet e tij për të botuar një seri të dytë librash shkollorë me alfabetin me shenja diakritike. Për këtë flet edhe vetë Mjeda, i cili në letrën, apokrife, shkruar në emër të ordinarëve të dioqezave katolike shqiptare, më 4 nëntor 1903, kishte folur me kompetencë për ekspertizën e albanologut të njohur danez: “Kështu që për ato i bie vlera që, sipas temës së albanologut të shquar modern H. Pedersen, është alfabeti shqip më i përsosur i propozuar deri tani”.
Një personalitet tjetër, mjaft i informuar për raportet e Mjeda-Pedersen, qe korrektori i teksteve shkollore të Mjedës, Gjergj Pekmezi. Ai e mbron Mjedën nga kritikuesit lidhur me shkronjën “Y” me këto fjalë: “Shënimi i këtij tingulli, si përgjithësisht ortografia e librave shkollorë, është rezultat i konsultimeve të zotit Mjeda me Pedersenin e Brugmann-in, pra me filologë të shquar.”
Përshtypje na bënin edhe kujtimet e M. Gramenos, delegat i Korçës në Kongresin e Manastirit (1908): “Filologu At Mjeda tregon se abeceja e Agimit është më e mbaruara dhe na tregon letra nga glosologët që kishte marrë, të cilët e pëlqenin këtë abece për gjuhën shqipe”.
Në vitin 1937 Ernest Koliqi, theksoi faktin se Ndre Mjeda “Ndoq përherë me vërejtje studjimet e albanologve dhe mbajti letër-shkëmbim të vazhdueshëm me Pedersenin, Joklin, Tagliavinin. Qe në rini dishepull i Gustav Mayerit.”
Ne punuam në veçanti për letërkëmbimin e Mjedës me Holger Pedersen. Kishim arsye të shikonim me prioritet rastin e Pedersenit, i cili kishte punuar tërë jetën në Universitetin e Kopenhagenit, prandaj edhe fondet e tij duheshin kërkuar kryesisht aty. Në vitin 2004 pata një përpjekje drejt Kopenhagenit. Në atë kohë, një Pedersen tjetër, ishte administrator i Kosovës, Soren Jesen Pedersen. Përmes studiuesit nga Prishtina, Begzad Baliu arrita të ngjall interesimin e tij për aksionin tonë në Kopenhagen, gjë për të cilin morëm një premtim. Për fat të keq tonin Soren Pederseni u transferua dhe ne humbëm kontaktet me te. Tentativën e dytë serioze për gjetjen e letrave të Mjedës dërguar albanologut Holger Pedersen, e realizuam në shtator 2008, përmes shkrimtares për fëmijë, Shpresa Vreto, me rastin që ajo merrte pjesë në një takim ndërkombëtar të IBBY në Kopenhagen. Mbasi, mori të dhënat e nevojshme ajo pranoi që të bënte kërkime rreth letrave të Mjedës. Rezultati qe shpresëdhënës. Vreto u kthye në Shqipëri pas një jave me fjalë të mira. Në pamudësi për të vazhduar kërkimet, për shkak të kohës së shkurtë në dispozicion, ajo ia la porosinë tonë koleges së saj, May Tchelebi. Pas udhëtarit të shekullit XVI, Elvija Çelebiut, një Çelebi tjetër, i bënte shërbim vendit tim. Këmbëngulja e jonë rezultoi pozitive: Ishin interceptuar gjashtë letra të Mjedës dërguar Pedersenit. Por vetëm kaq. Për t’i futur në dorë letrat u deshën bërë shumë ëprpjekje e shumë kohë. Pas kësaj erdhi kërkesa zyrtare bërë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes nënkryearit të saj Myzafer Korkutit. Një ndihmë jo të vogël dha edhe miku im Hektor Sejko. Kërkuam edhe ndihmën e ish ambasadorit të Shqipërisë në Kopenhagen, z. Qemal Minxhozi, i cili u tregua i gatshëm të impenjohet për sjelljen e letrave të Ndre Mjedës nga Kopenhageni. Iu drejtuam me kërkesa edhe ambasadës daneze në Tiranë si dhe ambasadës së vendit tonë në Kopenhagen. Patëm edhe disa kontakte telefonike me Ivan Boserupin, drejtorin e sektorit të librave e dorëshkrimeve të vjetra në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagenit. Më në fund, si rezultat i angazhimit të të gjithëve, në fund të marsit të këtij viti, letrat erdhën në dorën tonë dhe ne arritëm t’i përpunojmë, t’i transkriptojmë. Përkthimi u bë në bashkëpunim me mikun dhe kolegun tim të vjetër, Nexhmi Bushatin. Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht të gjithë institucionet si dhe të gjithë zz. dashamirës që ndihmuan në arritjen me sukses të këtij aksioni kulturor.

Një hipotezë e cila solli rezultat

Është një telenovelë me fund të lumtur, por edhe një shëmbëll se si mund të guxohet duke kërkuar në drejtime që më parë as mund t’i shkonte në mend njeriut. Por ne mendojmë se mund të punohet përsëri, kësaj radhe, për të zbuluar letra të Ndre Mjedës, si dhe dorëshkrime të veprave të tij në fondet e Tagliavinit, Jagiæ-it, Jarník-ut, Nahtigal-it, Siebertz-it, Kretschmer-it, Jokl-it, Bloomfield-it, Brugmann-it, Patch-it, etj. Duhet punuar në drejtim të fondeve të albanologëve të huaj me të cilat mendohet se Mjeda pati letërkëmbim dhe që bashkëpunoi me to. Duhen kërkuar në fondet e tyre personale, por edhe në fondet e institucioneve pedagogjike, e shkencore ku ata punuan më së shumti. Në këtë drejtim, siparin e hapi, në vitin 1966, Martin Camaj, i cili bëri kërkime dhe zbuloi në Bibliotekën e Universitetit të Gracit, 12 letra të Mjedës dërguar albanologut më të madh të shekullit XIX, Gustav Meyerit, letra të cilat bënë një revolucion të vërtetë në fushën e studimeve mjedologjike. Sot, gjysëm shekulli më pas, hapim problemin e letërkëmbimit të Mjedës me albanologët e huaj, duke e nisur me letrat e Mjedës dërguar Holger Pedersenit.
Këtë problem e kemi ngritur që heret. Së fundi, në shtator të vitit 2007, në sesionin shkencor kushtuar Ndre Mjedës, në Prishtinë, fola posaçërisht për problemin e letrave të Mjedës dërguar Holger Pedersenit, si edhe albanologëve të tjerë të huaj: “Një problem mjaft i mprehtë përpara studimeve mjedologjike është gjurmimi i letërkëmbimit të Mjedës. Të dhënat që dalin nga letërkëmbimi i tij janë të një rëndësie të veçantë sepse shprehin probleme të brendshme me një sasi të madhe informacionesh, më të madhe se ato që rrjedhin nga relacione e dokumentacione zyrtare, të cilat duhen bërë skonto apo duhen interpretuar... Por kemi të dhëna të sigurta të ekzistencës së letërkëmbimit të Mjedës me Joklin, Jagiæin, Pedersenin, Nachtigalin, Brugmannin, Paul Siebertzin, etj.

Risi që sollën gjashtë letrat e Mjedës dërguar Pedersenit
 
Në këto letra Mjeda ka rihapur problemin e datës së tij të lindjes, tek e njofton mikun e tij se edhe ai ka mbushur 70 vitet me 19 nëntor 1936. Problemi i datës së lindjes së poetit, me kohë qe bërë shkak për debate, por M. Gurakuqi e sqaroi problemin sepse gjeti rregjistrimin e lindjes së Mjedës, sipas të cilit Mjeda kishte lindur me 20 nëntor 1866. Tani Mjeda e rihap këtë problem.
Për shumë kohë është diskutuar pjesëmarrja e Pedersenit në Kongresin XIII Ndërkombëtar të Orientalistëve në Hamburg. Ne kemi pohuar se Mjeda duhej të ishte takuar atje me Pedersenin. “Pederseni me Mjedën janë takuar në Hamburg, gjatë ditëve të Kongresit XIII të Orientalistëve dhe pas asaj kohe kanë ruajtur letërkëmbimin e rregullt.” Distanca e afërt e Kopenhagenit me Hamburgun, interesimi i Pedersenit per gjuhën shqipe, ishin dy arsye që na bënin të mendonim për një takim Mjeda-Pedersen në Hamburg. Por letra e Mjedës shkruar nga Hamburgu me 10 shtator 1902, sqaron përfundimisht se Danimarka është përfaqësuar aty vetëm nga prof. Vilhelm Thomseni (1842-1927), që ishte edhe profesori i Holger Pedersenit. Mesa duket, mes dy profesorëve, ka ardhur në Hamburg profesori plak, ndërsa ka mbetur në Universitetin e Kopenhagenit nxënësi i tij, profesori i ri, H. Pedersen.
Nëpërmjet këtyre letrave jo vetëm konfirmohen të dhënat që kemi pasur mbi përpjekjet e Mjedës për të afirmuar alfabetin e tij me shkronja diakritike, por mësojmë edhe të reja të rëndësishme të punës së Mjedës me alfabetin shqip që në vitin 1902.
Letrat sjellin të dhëna lidhur me qëndrimin sa dashamirës aq edhe kritik të Mjedës ndaj albanologut danez Holger Pedersen, si edhe ndaj Meyerit, Skokut dhe Rossit.
Letrat sqarojnë përfundimisht afatet si dhe itenerarin e rrugës që bëri Mjeda në kthim nga Hamburgu e në Shkodër. Kongresi përfundoi punimet me 9 shtator 1902. Bie në sy që, rrugën e kthimit drejt Vienës, Mjeda e ka bërë me filologun e njohur çek Jan Urban Jarnik(1848-1923). Pse kjo shoqëri, në një kohë që kishte ardhur së bashku me filologët e Vjenës e mund të kthehej në shoqërinë e tyre? Mjeda së bashku me Jarnikun duhet të kenë dalë nga Hamburg me datën 10 shtator dhe janë ndalur rrugës në qytetin e vogël bavarez Pottenstein. Aty, të paktën, janë edhe me datën 16 shtator 1902. Mendohet që Mjeda qëndroi në Pottenstein në shoqëri të Jarnikut rreth një javë. Cili ishte qëllimi i kësaj ndalese. Çfarë bëri Mjeda në Pottenstein? Janë pyetje, përgjigjia e të cilave mund të dalë duke bërë kërkime në fondet e Jarnikut. Prej Pottensteinit, Mjeda ka arritur në Vienë, nga mbasdrekja e datës 17 shtator 1902 në Manastirin e Franceskanëve, ku do të sistemohet. Aty gjen edhe letrën e pritshme të Pedersenit, atë të 11 shtatorit 1902.
Në letrat e sapozbuluara të Mjedës mësojmë sqarime e saktësime lidhur me çaste biografike të Mjedës e të vëllait të tij, si emërime dhe transferime në periudhat 1902-1906. Sqarohen edhe të dhënat lidhur me hartimin e botimin e serisë së parë të librave të Mjedës, të serisë së dytë si dhe të “Historisë Shejte” e cila vjen e treta nga radha.
Letrat japin risi lidhur me teorinë e tij mbi vëllimin e tij “Artikujt e përemrat pronorë të gjuhës shqipe”, të cilën ai edhe mbas vitit 1934, ka vazhduar ta përpunojë, me mendimin që të japë një teori më të gjërë. Mjeda ngre lart kontributet e Pedersenit për gjysëm shekulli për studimin e gjuhës shqipe. Mësojmë gjithashtu për raportet Mjeda-Jarnik dhe Pedersen-Jarnik.
Së fundi mësojmë se, së paku, duhet të ekzistojnë tri letra që Pederseni i ka dërguar Mjedës: Letra e 11 shtatorit 1902, letra e qershorit 1905 dhe letra e majit 1906. Nisur nga fakti se albanologët e huaj kanë patur zakonin e mirë që të ruanin për vete nga një kopje të letrave që u dërgonin bashkëpunëtorëve, mendojmë se në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagenit, duhet të ekzistojnë edhe kopje të këtyre letrave.
Mbetet për t’u diskutuar, koha kur lindi letërkëmbimi i Mjedës me Pedersenin. Nga letra e parë e Ndre Mjedë, ajo e 10 shtatorit 1902, mësojmë se Mjeda ka patur lidhje edhe më të hershme me albanologun danez. Që në letrën e 15 majit 1896 Gustav Meyeri e njofton Mjedën: “A e njihni ju Albanisische Tekxte mit Glossar, që një djalosh i ri danez i talentuar, H. Pedersen, i ka mbledhur në disa fshatra të Shqipërisë së Jugut, vitin e kaluar dhe që i ka botuar. Në qoftë se ju doni, do të mund të vija në dispozicionin tuaj një ekzemplar, pasi unë kam dy.” Ndërsa më 30 qershor 1896, Gustav Meyeri i shkruan Mjedës: „Botimin e Pedersenit do t’jua dërgoj më vonë. Në këtë çast ia kam huajtur njerit prej dëgjuesve të mij, i cili interesohet për shqipen, por do të kthehet brenda 14 ditëve, përpara nisjes së tij në vendlindje. Ky dijetar danez i ri, të cilin nuk e njoh personalisht, mjerisht, deri tani, është i vetmi që ka mbetur në perëndim, i cili mbas meje, është marrë seriozisht me shqipen dhe përveç atyre teksteve, ka publikuar edhe disa punime gramatikore të vogla, shumë të mira, që janë të shpërndara në revista të ndryshme. Edhe ai, më ka shkruar kohët e fundit se nuk do të merret më, kaq shumë me shqipen meqë punën e tij do t’ia kushtojë gjuhës kelte”. Gjashtë vjet më vonë, shohim që Mjeda ka letërkëmbim me Pedersenin, i cili kishte kontribute të shquara në studimin e shqipes. Mos vallë Mjeda ka menduar ndërkohë që të hyjë në letërkëmbim me të me qëllim që ta ndihmojë e ta nxisë për të vazhduar të merret me gjuhën e atdheut të tij të dashur? Kur ka ndodhur fillimi i këtij letërkëmbimi? Mbas letrave të sapo zbuluara të Mjedës, çdo gjë mbetet e hapur.

Kush është albanologu Pedersen

Holger Pedersen (1867-1953) qe profesor i gjuhësisë në Universitetin e Kopenhagës, deri sa vdiq. Lindi me 7 prill 1867 në Gelballe të Danimarkës, afër Kolding. Kreu mësimet liceale në Ribe. I jati, mësues shkolle fillore, e futi në Universitetin e Kopenhagenit ku pati profesorë tre linguistët e njohur V. Thomsen, H. Möller dhe K. Verner. Para se t’u lauronte shetiti gadi krejt Evropën, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Rusinë e Irlandën. Dëgjoi leksionet e Brugmannit në Leipzig dhe të Zimmerit në Berlin.
Veprën e parë ia kushtoi gjuhës shqipe. Shkoi në Korfuz ku takoi përfaqësuesin më të madh të gjuhësisë moderne Karl Brugmannin i cili edhe ai kishte ardhur atje për të njohur gjuhën shqipe. Prej Korfuzi kaloi në Çamëri ku mblodhi 35 përralla e afro 230 këngë popullore. Një pjesë të këtyre materialeve i botoi në vitin 1895 në Albanische Texte mit Glossar (Leipzig). Në vitin 1900 botoi Die Gutturale im Albanesischen. Vemendjen në fillim ia kushtoi gjuhës shqipe, por më pas u mor edhe me gjuhë të tjera. Në vitin 1893 vizitoi Shqipërinë e Jugut. Ka botuar në vitin 1894 Kontribut për historinë e gjuhës shqipe, në vitin 1895, Tekste shqipe dhe fjalor si dhe Shqip 1905. Në vitin 1898 dhe 1902 pati dy intervista nga drejtori i Albanias, Faik Konicën dhe bëri dy shkrime që u botuan në këtë revistë. Më 1898 zuri vendin e Gustav Meyerit tek e përkohshmja gjermane Rumanischer Jahresbericht për të gjykuar vit për vit librat e reja shqip. Fatkeqësisht u largua që heret nga studimet shqiptare. Ai i dha një rëndësi të veçantë studimit të zhvillimit historik të brendshëm të saj. Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Me veprat e veta bëri që shumë fjalë të cilat Gustav Meyeri i quante të ardhura në gjuhën shqipe, ia ktheu prehërit nënë, gjuhës shqipe. Vdiq me 25 tetor 1953.

Ja 6 letrat e Mjedes per albanologun danez

Shpresoja se mund të takoja Zotërinë Tuaj në këtë Kongres të Orientalistëve, por fatkeqësisht shpresat e mija qenë zhgënjyese. Përveç çështjeve të ortografisë së shqipes doja të diskutoja me Zotërinë Tuaj mbi alfabetin e ri të adaptuar në Atdheun tim. Zotëria e Juaj do të ketë dëgjuar se si, në muajin maj të këtij viti, janë mbledhur ipeshkvijtë e Shqipërisë për të ujdisur, mbi një mënyrë të vetme, të shkruarit e gjuhës shqipe. Në ato konferenca unë paraqita dhe mbrojta alfabetin Meyer, në një farë mënyre të modifikuar, sepse ipeshkvijtë mundësisht, nuk donin, as shkronjat e binjakëzuara, as ato greke. Duke mos më mbetur asnjë kopje e shtypur, po marr lejen t’Ju dërgoj një kopje të dorëshkrimit.
Pesë ipeshkvij kanë adaptuar këtë sistem për shkollat e tyre; Ata janë të gatshëm, pak a shumë, të pranojnë ato modifikime që dijetarët do t’i shikonin të nevojshme. Arqipeshkvi i Shkodrës i është nënshtruar pikërisht edhe ai gjykimit të dijetarëve, për t’i pranuar, apo jo. Unë kam bërë për këtë një paraqitje të shkurtë në sesionin e parë të këtij Kongresi; por duke mos qenë aty asnjë specialist shqiptar, ato u mjaftuan me një votim të përgjithshëm. Profesori shumë i ndritur, Vilhelm Thomsen, më dha për ato një gjykim shumë ledhatues: Ai aprovoi të gjitha, përveç d 1 për ä dhe þ për è; dhe do të donte, në vend të tyre, ð (ose ð ) dhe þ ose g. Shenji ð, propozuar prej Zotërisë Suaj, tek Albania e Brukselit, nuk është në simetri me shkronjat e tjera latine dhe pastaj, me karakteret latine të shkronjave të mëdha: unë do të kisha propozuar, që në fillim ð, por më përmbajti propozimi i Juaj, i shprehur në revistën e lartpërmendur.
Me të njëjtin mendim të Profesor Thomsen është edhe Profesori Bloomfield i Baltimores. Unë do të isha i gatshëm të pranoja ð dhe g dhe i lutem përunjësisht Zotërisë Suaj të më shprehni gjykimin Tuaj mbi këtë alfabet.
Sikurse të mos të vonohej për të rënë në dorën tuaj, kjo letra e ime do Ju lutesha me kërkesën për të patur një përgjigje sepse do të më ishte e nevojshme para kthimit tim në atdhe. Në një rast të tillë do të mund të më shkruanit në Vjenë: Manastiri Franceskan.
Shpresoj gjithashtu që Zotëria e Juaj të mos mënojë të sqarojë me këshillat e tij Akademinë Shqiptare “Agimi” të sapothemeluar prej ipeshkvijve, kryesinë e së cilës ma besuan mua. Adresa ime, në Shkodër, është:
D. Andrea Miedia, Sekretar i Ipeshkvit të Sapës, Shkodër, Shqipëri.
Pranoni më në fund, Zotëri Profesor, shprehjen e adhurimit dhe të respektit tim.

Hamburg, 10 shtator 1902. Me devocion
D. Andrea Miedia

***

Sot, i kthyer nga Pottenstein, gjeta letrën Tuaj shumë të çmuar të
11 muajit vazhdues. Falënderoj pafundësisht Zotërinë Tuaj për xhentilencën në përgjigjen kaq të shpejtë të letrës sime e pastaj për dashamirësinë e treguar ndaj sistemit të propozuar prej meje. Vërejtjet e Juaja janë shumë të sakta; unë vetë, më përpara, i pata propozuar Konferencës së Ipeshkvijve ts dhe tš; por ato iu kundërvunë sepse ishin tinguj që përdoreshin shpesh, ndërsa shkrimi bëhej më i papërcaktuar, ndërsa pranuan dz dhe dž sepse ishin të rralla. Mbështetur në shënimin e bërë prej Zotërisë Suaj në parathënien e “Tekste Shqipe” tuaja, u theksova ipeshkvijve, në mënyrë private, përdorimin e shenjës Y për e të pazëshme, por pashë se nuk do të aprovohej. Pikërisht kështu jam i sigurtë që nuk do të dëgjohesha nëse do të propozoja 2 , për . Përkundrazi do të bëj çdo gjë, madje, besoj se kam autoritetin të vendosi ð dhe þ për d 3, þ, aq më tepër që me Zotërinë Tuaj pajtohen edhe profesorët Thomsen e Jarnik (ky me të vërtetë tha ð e þ). Por përsëri do të doja të pyesja nëse është pikërisht një diçka e papërshtatshme të përdoroj Ð. ð në vend të ð.
Zotëria e Juaj thotë që sistemi me dy shkronja mund të përfeksionohet deri në një shkallë të lartë, p.sh. sh = š. Besoj që Ju gjithmonë nënkuptoni sikurse unë, në fund iu drejtova letrës suaj, në rastin që t’i jepet njerës prej shkronjave tuaja, për shembull h një rol special; sepse diagramet sh, gh, ch, th sikurse përdoren prej Albanisë së Brukselit e prej një shoqërie të Shkodrës, nuk mund të shërbejë për të gjithë dialektet shqiptare, p.sh. greko-shqiptare: nishem (s+h); laghem (g+h); pichem (në rasën e c=k); nìithem.
Pardje kam qenë në Pottenstein pranë dr. Jarnikut. Natyrisht biseda ra mbi Zotërinë Tuaj, dhe ai më tregoi që Ju kishit kaluar disa javë në Pragë, pranë tij. Ka qenë një fatkeqësi për mua që nuk munda ta takoja Zotërinë Tuaj për t’u ndriçuar mbi disa pika të ndryshme. Por i gjëndur në Shqipëri, do Ju shkruaj shpesh e shpresoj që Zotëria e Juaj do të më japë këshillat e njerëzishme. Pastaj do të isha me fat, sikur, kurdo, që të ndodhë, të mund t’Ju kisha mysafir në shtëpinë time. Nuk do të gjeni komoditetet e vendeve tuaja, por, së bashku me varfërinë, do të gjeni gjithë zemërbardhësinë e mundur. Mjafton që Zotëria e Juaj të më lajmërojë dhe unë do të vij shpejt t’u takoj në port.
Dr. Jarniku ka shkruar për alfabetin tim “Gjithë kjo më duket shumë praktike dhe shkencore”. Për sa i përket d4 e þ thotë se do të donte ndonjë shenjë tjetër. “ose diçka si shënja greke të modifikuara, ose ato të cilat përdoren në gjuhët gjermanike, pra ð, þ.”
Prej këtu, mbas tre ose katër ditësh, do të nisem për në Shqipëri. Drejtimi im atje është: Nenšati-Scutari d’Albania.
Duke Ju falënderuar për xhentilencën tuaj, jam me ndjenjat e stimës së thellë dhe të adhurimit
i Zotërisë Suaj sherbëtor shumë i devotshëm

D. Andrea Miedia,
Sekretar ipeshkvnor i Sapës
Wiena, 18 shtator 1902

***

Letra që Zotëria e Juaj ka patur mirësinë të më shkruaj muajin e kaluar ka qenë për mua ngushëllim i madh; ndërsa miratimi i Zotërisë Suaj është shpërblimi më i madh për lodhjet e mija. Në anën tjetër alfabeti që unë i kam propozuar atdheut tim është më shumë i Juaji se sa i imi.
Tekstet që unë jua kam dërguar Zotërisë Suaj kanë gabime shtypi dhe gabime kopjimi. Dhe arsyeja është që unë nuk kam mundur të kem bocat e shtypit për rishikim. Pastaj për kopistin, qoftë alfabeti, qoftë ortografia ishte gjë e re e kështu nuk është çudi që të gabonte shpesh. Përveç saj, pas një sorrollatje të gjatë, se kush duhej të më shtamponte këto tekste, në fund u nxitua shumë, me qëllim që të paraqiteshin sa më parë. Kështu që në katër muaj unë i vetëm u desh të shkruaja, të kopjoja e të kopjoja e të rilexoja këto katër libra, dhe gjithashtu në të njëjtën kohë, pesë tekste të tjera që janë në shtyp.
Kisha ushqyer një shpresë të madhe që Zotëria e Juaj do të kishit ardhë vitin e shkuar në Shkodër, sikur para tre vitesh keni patur një qëllim të tillë. Do të kisha trajtuar me Ju shumë çështje të ortografisë. Në kohën e sotme, Shkodra është gati një grumbull gërmadhash, por nuk do të vonojë shumë dhe do të mund t’u japë strehim mysafirëve, e në një rast të tillë, Zotëria e Juaj do të mund të vinte, si në shtëpinë e vet, në rezidencën episkopale, sepse vëllai i im, nga ipeshkëv i Sapës, është bërë arqipeshkvi i Shkodrës. Unë pak a shumë ndalem në dioqezën e Sapës, sepse në këtë fushë të gjërë, përveç asaj pak që mund të bëj në letërsi mund t’i shërbej atdheut duke futur pak bujqësi racionale në përdorimin e veglave të përfeksionuara moderne. Por gjithashtu nëse do ta dija që nuk jam tepër i rëndë për Zotërinë Tuaj, do të merrnja lejen, në një kohë jo të largët, t’Ju propozoja disa çështje ortografike për t’u ndriçuar nga ana e Zotërisë Suaj.
Duke Ju falënderuar përzemërsisht për mirësjelljen Tuaj të këndshme që keni përdorur ndaj meje, gjithmonë me ndjenjat e stimës së thellë e të mirënjohjes
Jam shërbëtori i devotshëm i Zotërisë Suaj shumë të Ndritur

D. Andrea Miedia
Famullitari i Grâmšit
Shkodër, 11 korrik 1905

***

Dëshiroj prej shumë kohe të falënderoj Zotërinë Tuaj të Ndritur për gjykimin ledhatues të dhënë mbi punimin tim të vogël e të varfër Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të giuhës shqipe; gjykim që i detyrohet mirësisë Suaj të lindur.
Zotëria e Juaj u mrekullua që mbas aq shumë vitesh unë u kujtova për Ju; po si mundem unë të harroj durimin Tuaj dashamirës të përdorur ndaj meje në çështjen e alfabetit? Si mundem unë të mos ndjeja mirënjohje për veprimin Tuaj të palodhur në hulumtimin e gjuhës sime amtare me një mprehtësi të jashtëzakonshme për gati gjysëm shekulli?
Por mirënjohja ime është diçka e vogël; emri i Zotërisë Suaj të Ndritur të mbetet përjetësisht në zemrën e çdo shqiptari.
Përsëri tani, i Ndrituri Zotëri Profesor, po vi t’Ju shqetësoj duke kërkuar një gjykim Tuajin.
Duke studiuar prej meje mbaresat e emrave dhe të përemrave shqip, kam arritur të bindem që këto mbaresa nuk janë tjetër veçse përemri i shkurtuar “i”: i dhaçë , e pashë, Njejës; u thaçë, i njof, Shumësi. Duke shërbyer për mashkullorin e femërorin, këto rasa, do të shërbenin për të gjitha rasat mashkullore e femërore. Përveç kësaj mungesa e Emrores në ato, do të tregonte që në gjuhën shqipe emrorja e emrave, do të ishte një casus indefinitus. (rasë e papërcaktuar). Me këto do të ishte e natyrshme shpjegimi i gjindores, shumës - ve pa ndjekur ovom slave, sikurse bën Skok, që sipas mendimit tim është plot gabime; Edhe sikurse do të ishte i lehtë shpjegimi i gjindores shumës “atune”. Një gjurmë e këtij përemri e bashkuar me gjindoren, dhanoren njejës të emrave që mbarojnë me –a më duket se mund të jenë gjindorja, dhanorja, njejës “sai”.
Do të isha pafundësisht mirënjohës, sikur Zotëria e Juaj e Ndritur të denjonte të më tregonte pikëpamjen e Tij mbi këtë çështje.
Pranoni i Ndritur Zotëri Profesor shprehjen e nderimit dhe adhurimit tim më të lartë me të cilin dëshiroj të jem i Zotërisë Suaj të Ndritur Sherbëtor i Devotshëm

D. Andrea Miedia
Profesor në Seminarin Papnor
Shkodër, Shqipëri

***

Letra e Zotërisë Suaj të Ndritur më erdhi në dorë mbas një farë kohe sepse kishte shkuar më parë në Kostandinopol. Falënderoj me gjithë zemër Zotërinë Tuaj të Ndritur për mirësjelljen që keni përdorë duke më kujtuar mua. Pres pastaj me ankth tre botimet tuaja, që më shënon në letër. Hulumtimet gjuhësore të Zotërisë Suaj të Ndritur lidhur me gjuhën shqipe, janë të një mjeshtrije shumë të lartë; Sa herë që unë kam patur rastin t’i kem, kam mbetur prej tyre pa mend i mrekulluar. Për çdo rast, për të më gjetur përsëri, mund të përdorni adresën time…… Arcivescovado, Scutari d’Albania.
Tekstet shkollore në botim që jua kam përmendur Juve janë gjashtë, përvec atyre të katërtave që tashmë Zotëria e Juaj i zotëroni dhe janë: 1.) Numeratorja. Ška³a e mjesYme; 2) E njëjta, Ška³a e tretY; 3) KYndime per ško³Y, Libri i tretY; 4)TY mbleðunit’ e mYsimeve tY kYštêna, Pjesa e dytY; 5) E njëjta, Pjesa e tretY; 6) Historija šêjte. Posa do të kenë dalë prej botimit do të jetë detyra e ime që t’Jua dërgoj kopjet Zotërisë Suaj të Ndritur.
Duke qenë këto ditë i transferuar në Kukli (pranë lumit Drini) e duke u gjëndur në ndërtimin e shtëpisë së re famullitare nuk kam mundur ende të nxjerr në qarkullim librat e mij; pra kështu nuk kam mundur të shikoj as Meyerin, as Rossin. Ajo që thuhet sinzY nuk më është aspak e njohur. Madje, duke bërë fjalë për një vegël të zakonshme, mund të siguroj që nuk është aspak e dialektit gegë që kupton Rossi. Nëse kjo fjalë tek Meyeri nuk është në rendin alfabetik, jam i sigurtë që është një gabim i shtypshkronjës, në vend të k½zY (me kie = me krasitë), ndoshta Rossi ka shtuar n për hundaken.
Pranoni i Ndrituri Zotëri Profesor, shprehjen e nderimit dhe adhurimit tim të lartë.

Kukli, 1 qershor 1906
I Zotërisë Suaj të Ndritur
Sherbëtor shumë i devotshëm
D. Andrea Miedia,
Famullitar i Kuklit

***

I Ndrituri Zotëri Profesor

Lajmi i përvjetorit Tuaj të shtatëdhjetë, ka mbushur me gëzim të patreguar zemrën time. Zotëria e Juaj i Ndritur, në vazhdën e gjatë të këtyre viteve ka kaluar si një diell mesditës, duke shpërndarë rrezet e tij të ndritshme mbi errësirën e institucioneve të shumë gjuhëve të huaja e përtej të tjerave ka kontribuar në njohjen e gjuhës sime amtare. Të tjerët kanë folur e do të flasin për meritat Tuaja shumë të larta në këtë degë të diturisë njerëzore; Unë nuk mundem tjetër, veçse t’Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë për investigimet Tueja shumë diturake mbi gjuhën shqipe. Falënderoj Zotin që më ka dhënë kohën për të parë këtë ditë të lavdishme për të ndritshmin Zotërinë Tuaj duke mbushur pikërisht edhe unë shtatëdhjetë vjetët (19.11. 1866).
Lajmi i kësaj dite të lumtur për Zotërinë Tuaj të Ndritur më arriti më 3 të këtij marsi. Ndonëse kishte kaluar kufiri që të merrnja pjesë në “Tabula gratulatoria” të omazhit ndërkombëtar që Ju ofrua në atë ditë shumë të gëzueshme, unë nuk do të doja të hiqja dorë nga të dërguarit e kësaj letre pjesëtarëve të kësaj ceremonie. Ju lutem pranoni Zotëri i Ndritur shprehjen e mirënjohjes sime të sinqertë dhe të një adhurimi të thellë.

i Zotërisë Suaj të Ndritur, Sherbëtor i Devotshëm
D. Andrea Miedia
Profesor në Kolegjin Saverian dhe Seminarin Papnor

Shkodër 26 mars 1937

Milosao