Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arshi Pipa, Letërsia shqipe si letërsi e barinjve dhe fshatarëve

| E diele, 12.04.2009, 08:05 PM |


Arshi Pipa (1920 - 1997)
Arshi Pipa (1920 - 1997)
Nga Hektor Çiftja

Një libër që nuk duhet lënë palexuar nga asnjë studiues, mësues i letërsisë, dhe që nuk duhet të mbesë vetëm në duart e disa studiuesve të specializuar anglisht-folës. I tillë është “Albanian literature: a social perspective”, i cili u botua në vitin 1975 në kuadrin e botimeve “Trilogia albanica”. Ai ne fakt siç e thotë edhe vetë autori, është një përmbledhje esesh mbi letërsinë dhe folklorin shqiptar, disa prej të cilave ishin botuar edhe më parë në periodikë të ndryshëm, por jo të specializuar. Deri në atë kohë ishin botuar një seri librash mbi historinë e letërsisë shqiptare, i fundit prej të cilëve ishte “Historia e Letërsisë shqiptare” e vitit 1959. por nuk kemi deri ne atë kohë një vepër që të merret me faktorët sociologjikë që ndikojnë mbi letërsinë. Sipas Pipës, një vepër e tille ishte e nevojshme duke qenë se letërsia shqipe ishte shume e lidhur me folklorin. Pavarësisht emrit qe i vë Pipa studimit të tij, duke e quajtur “një perspektivë sociologjike”, aty nuk bëhet fjalë vetëm për faktorë sociologjike në kuptimin e mirëfillte që do ti jepnin kësaj fjale sociologët, apo edhe sociologet e letërsisë si Robert Eskarpit etj, por një vështrim shumë më të përgjithshëm të faktorëve jashtëletrarë që ndikojnë në procesin letrar.

Kështu eseja e parë, “Etosi dhe etnosi në traditën letrare arbëreshe”, merret me fillimet e letërsisë shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit 18-të. Kjo periudhë dëshmon për një interes të hershëm në mbledhjen dhe analizën e këngëve dhe të poezive gojore, kryesisht epike dhe të shenjta, të priftërinjve Italo-shqiptarë. “Inkubacioni” i këtij materiali folklorik dhe folklorizant, përmbledhja e parë e të cilit ishte Kodeksi i Kieutit ( 1773), zgjati një shekull të tërë. Në 1836, botohet “Milosau” një nga perlat e letërsisë arbëreshe. Poema, fillimet modeste të së cilës qëndrojnë në përmbledhjen e këngëve folklorike të De Radës, në Kalabri, është një kryevepër e letërsisë romantike që lulëzoi në shekullin e 19-të dhe që vazhdoi edhe mbasi Shqipëria fitoi pavarësinë e saj, ne 1912. Eseja përqendrohet në një krahasim midis veprës poetike të De Radës dhe përmbledhjes së tij të këngëve folklorike “Rapsodie” (1886). Ky krahasim merr formën e një studimi etnolinguistik, ne frymën e koncepteve të Vikos mbi gjeografinë poetike dhe ekonominë poetike, De Rada merret si përfaqësues i traditës letrare arbëreshe në këtë ese, konkluzioni i së cilës është se kjo traditë është një proces komulativ i disa shtresave të qytetërimit ndaj të cilit kanë kontribuar edhe etnitete jo shqiptare dhe se ajo e ka ruajtur shijen fillestare bizantine dhe vulën e ortodoksisë greke.

Eseja tjetër, “Barinjtë dhe fshatarët në letërsinë shqipe” është një vëzhgim mbi letërsinë shqipe nga origjinat e saj deri në Luftën e Dyte Botërore, kur përfundon edhe tradita romantike dhe ajo postromantike. Tema e fshatarësisë përshkon tërë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë edhe atë të diasporës. Në fakt, sipas Pipës, historia e Shqipërisë është një histori e fshatareve të lirë dhe e barinjve që nga koha kur ata u shfaqën si një grup i dallueshëm në Ballkan, e deri në konstituimin e vendit si shtet i pavarur. Eseja i vë detyrë vetes të identifikoje tipet e ndryshëm të fshatarësisë në traditat e ndryshme letrare, të karakterizuara nga pohimi se ato zhvillohen në formë delte, në mënyre të pavarur, për t’u bashkuar në një pikë të caktuar që historikisht përfaqësohet nga Lidhja e Prizrenit (1878). Nga këta tipa, disa prej të cilëve janë karakteristikë për tradita te caktuara letrare, si bujku arbëresh, bariu luftëtar gegë, fshatari i përzënë toskë, ka edhe një tip që është i përbashkët për të gjitha traditat dhe ky është banditi fshatar. Arsyeja për prevalencën e këtij tipi duhet kërkuar, sipas Pipës, në varfërinë e gjatë të fshatarësisë shqiptare. Letërsia tradicionale, sipas Pipës, e sublimon mungesën që krijon varfëria në heroizëm. Shkrimtari qe i dha fund letërsisë tradicionale epiko-romantike dhe post-romantike ishte vetë Migjeni.

Eseja e trete, “Miti i Perëndimit në poezinë e Migjenit” është një studim i një momenti të veçantë të historisë se letërsisë shqiptare” që përfaqëson sipas Pipës edhe krizën e saj. Më parë Pipa e pat botuar ketë studim në frëngjisht, në Sudosteuropa-Forchungen. Migjeni shënon shkëputjen prej një tradite që zgjati saktësisht një shekull. (Milosao 1836-Vargjet e lira 1936), një shkëputje të dhunshme që e dramatizon edhe më shume vdekja e parakohshme e poetit. Eseja fokusohet në një segment të parabolës poetike të Migjenit të përfaqësuar nga “Kangët e Perëndimit”. Ky himn ndaj revolucionit, nga një ish-seminarist, është konstruktuar me një gjuhë biblike. Ambiguiteti i titullit “”Perëndim”, do të thotë në ketë poezi “rënie”, dhe Migjeni i këndon fitores së proletariatit mbi borgjezinë. Kjo shikohet e lidhur me ambiguitetin ideologjik te këtij Krishti modern revolucionar, i cili, për shkak të trashëgimisë sllave, të cilën e ndjen diskriminuese dhe penguese, në një atmosfere të ngarkuar me nacionalizëm, e adhuron dhe njëkohësisht e urren Perëndimin, është rebelues ndaj kapitalizmit, por adhurues i kulturës dhe i teknologjisë së tij (Migjeni vdiq në Torino). Më gjate për ketë ese te Pipës mbi Migjenin do të flasim në një paragraf të veçantë.

Eseja e 4-të, “Letërsia bashkëkohore dhe problemi i fshatarësisë”, vazhdon temën e esesë së dyte, në një kontekst të ri sociopolitik të konsoliduar nga kolektivizimi i bujqësisë Nga dy tipat antitezorë të përshkruar nga doktrina e realizmit socialist, raja-ja dhe kolkozniku, qe karakterizojnë respektivisht periudhat parasocialiste dhe socialiste të letërsisë shqipe, i pari është jo realist (sipas Pipës), i krijuar për të justifikuar të dytin, i cili nga ana e tij është natyralistik më tepër sesa realist, një riprodhim mekanik i një tipi të ri social të punëtorit të bujqësisë. Realizmi socialist bëhet kështu një subjekt kritike. Pipa e cila e nxjerr atë më tepër një lloj neoromanticizmi, çuditërisht shumë i ngjashëm me romantizmin e periudhës së Rlindjes Kombëtare, në aspektin e mbitheksimit të nacionalizmit, preferencës për shpërthime epike, dhe mbështetjen ne folklor. Izolimi faktik politik i Shqipërisë shpjegon ringjalljen e nacionalizmit dhe frymën heroike dhe epike në letërsi dhe arte (kujtojmë që studimet kulturore e shikojnë produktin letrar në kontekstin e një produkti më të gjerë kulturor) të cilin e nxiste aq shume realizmi socialist. Megjithatë Pipa vë në dukje se disa shkrimtarë, si të brezit të ri ashtu edhe të brezit të vjetër të kohës, e kanë anashkaluar doktrinën në praktiken e tyre të të shkruarit dhe kanë portretizuar aspekte të fshatarësisë që tregojnë etiken e tyre tradicionale, si edhe problemet e reja dhe të vjetra të jetesës së përditshme brenda kuadrit të statusit të ndryshuar sociopolitik.
Ndërkohe që dy esetë e para ndjekin një metodologji që të kujton studimet kulturore, duke u marre vetëm në pak raste me cilësitë formale letrare, dy esetë e fundit, e lidhin sociologjinë me kritikën letrare. Eseja mbi Migjenin përfundon me analizë gjuhësore që nxjerr në pah ideologjinë e tij, ndërsa eseja mbi letërsinë bashkëkohore, përfshin edhe gjykime aksiologjike mbi teknikën dhe stilin. Marrëdhënia midis letërsisë dhe sociologjisë është objekt i kapitullit te fundit, i cili e shqyrton letërsinë shqiptare si një produkt të veçante të kulturës etnike, të karakterizuar nga adoleshenca dhe naiviteti. Libri përfundon me dy kapituj bibliografikë: “Periodizimi i letërsisë shqiptare” dhe “Bibliografi e studimeve shqiptare”
Kjo vepër është shkruar në mënyre tipike në frymën e disiplinës akademike të studimeve kulturore duke kërkuar të zbatoje atë në mënyre praktike. Kështu, në këtë vepër Pipa së pari, mundohet të rishikoje kanonin e letërsisë shqiptare të periudhës së mbas Luftës se Dyte Botërore. Së dyti, i gjithë vështrimi që ai ka për letërsinë shqipe është i fokusuar në marrëdhëniet e kësaj letërsie me politiken, dhe realitetin shqiptar. Së treti, ai mundohet-pikërisht ashtu siç bënin dhe autorët më të njohur të Studimeve Kulturore të marrë në konsideratë çdo lloj produksioni të letërsisë së realizmit socialist në mënyrë të imët, jo vetëm për të rivlerësuar kanonin, gjë që e ka synim të vetin, por edhe për te dhëne me hollësi marrëdhëniet midis letërsisë dhe shtetit, natyrisht në optiken e vet shumë personale.

Nga ana tjetër kjo vepër mund të shihet edhe si një interesim i veçante i Pipës për veprat e letërsisë shqiptare që në kohën e tij ishin bashkëkohore. Në fakt interesimin për një vështrim gjithëpërfshirës të letërsisë bashkëkohore shqipe Pipa e demonstron shumë kohë përpara sesa të botojë “Contemporary Albanian Literature”. Në “Zeitschrif fur Albanologie” të vitit 1969 gjejmë një panoramë të Pipës mbi Letërsinë bashkëkohore shqiptare të atyre viteve. Pipa dëshmohet atje një ndjekës shumë i kujdesshëm i jetës letrare në të gjithë hapësirën shqiptare, pavarësisht largësisë fizike, dhe pavarësisht se puna e mësimdhënësit që bënte kishte lidhje me interesa të tjera. Kështu, ai është kontribues i rregullt, ne “World Literature Today”, “Zeitschrift fur Albanologie”, “Shqiptari i lire”, etj, (shih listën e publikimeve). Në “Contemporary Albanian Literature” ai në fakt do të përmbledhë shumë nga mendimet e shprehura me parë në organe shtypi. Në këtë libër mungon ndoshta për arsye të konceptimit që ai ka për rindërtimin e kanonit të historisë së letërsisë letërsia shqipe në viset shqiptare të ish-Jugosllavisë. Ajo kalon me një fraze te shkurtër përçmuese. Por ai ka qenë një ndjekës i rregullt edhe i kësaj letërsie. Në “Panorama of Contemporary Albanian Literature” (1969), ai i kushton një hapësire të madhe asaj. Si edhe autorë të tjerë më vonë (A.Vinca, “Struktura e zhvillimit te poezisë”), ai mendon se letërsisë shqipe në ish-Jugosllavi, i mungonte tradita letrare, dhe modelet, sidomos në zhvillimin e prozës. Po kështu ai gjykon se adoptimi në shkrimin letrar, i toskërishtes e ka vështirësuar, për të mos thënë e ka bërë te pamundur që të kemi cilësi estetike në veprat e autoreve shqiptare në ish-Jugosllavi. Megjithatë, ai në atë kohë veçon autorë me vepra me merita artistike Adem Demaçin me “Gjarpërinjtë e gjakut”, Kapllan Resulin me “Tradhtia” dhe dramaturgun Josip.V.Rela.
Sa i përket poezisë, ai vlerëson se ajo është më lart sesa proza, edhe sepse ndikimi i realizmit socialist atje ishte më i ndryshëm edhe për shkak të ndikimit të fortë të traditës së poezisë gojore. Kështu, në atë kohë, ai veçon Esad Mekulin, Enver Gjergjekun (ngjyra dhe delikatese ndjenjash ka edhe në poezinë e Enver Gjergjekut, A.Pipa) Murat Isakun ( i pasur dhe shpeshherë i erret ne metafora), Muhamet Kërveshin, si një poet prendues, etj.

Në “Trilogia albanica”, në “ Albanian literature; social perspective”, për të cilën do të flasim më poshtë, Pipa do të merret shumë edhe me letërsinë shqipe mbas Luftës së Dytë Botërore. Aty, ashtu si edhe në “Contemporary Albanian Literature”, do të trajtohen kryesisht raportet midis diktaturës dhe shkrimtarit, në një kontekst më të gjerë. Kështu p.sh. është i veçante lidhja dhe arsyetimi që bën Pipa lidhur me raportet midis letërsisë dhe politikës dhe politikës së letërsisë, duke ju referuar më shumë realizmit socialist, por duke e parë në një rrafsh shumë më të gjerë të historisë shqiptare.
“Letërsia shqiptare”-thotë Pipa, “është shprehja me e qarte dhe e vazhdueshme e nacionalizmit shqiptar”. Ai argumenton se pjesa me e madhe e heroizmit qe haset ne traditën letrare shqiptare, e ka origjinën tek mungesat, te cilat ne një analize te fundit janë me natyre ekonomike. Inflacioni dhe teprimi qe karakterizon realizmin socialist shqiptar, ndjek te gjitha ligjet e kompensimit sublimativ, te hasur qe ne letërsinë gojore dhe në atë te Rilindjes. Por realizmi socialist, krahasuar me realizmin tradicional është i disavatanzhuar ne dhënien e një tabloje te vërtete te realitetit për shkak se socializmi është një ideologji qe përfshin idealet e plotësimit dhe te bollëkut, ndërkohe qe realizmi duhet te ndjeke situatën reale qe ka qene një situate e privacioneve dhe të tehuajzimit qe është shume e dukshme ne te gjitha shoqëritë kapitaliste. Përfytyroni, thotë Pipa, tani, një letërsi, si ajo e realizmit socialist shqiptar, e cila duhet te ekzistoje ne një situate ekonomike kur plotësohen nevojat elementare, por mbetet ende një ëndërr bollëku: fjalët do te kenë kësisoj tendencën te japin një realitet te dëshiruar, aq më tepër kur prodhimi dhe konsumimi i tyre jepen me receta zyrtare. Edhe një here Pipa, nën frymën sipas meje, të shkollës së studimeve kulturore, përpiqet të argumentoje dhe të rishikoje kanonin e historisë së letërsisë shqipe. Ai argumenton se përpara shpalljes së monarkisë (1928), qarqet me ndikim politik dhe ekonomik, patën ardhur në një marrëveshje të heshtur për pjesëmarrjen në trashëgiminë letrare, në përputhje me pjesëmarrjen në pushtetin politik. Secili nga grupet reklamonte autorët e vet përfaqësues. Gjykimet e tyre transmetoheshin gojarisht përmes mësimdhënies, fjalimeve publike dhe bisedave në kafe, më tepër sesa në të shkruar. Imazhet e atyre pak shkrimtareve që kombinonin poezinë me patriotizmin dhe fenë ishin të fiksuara në tekstet mësimore, në të cilat shteti kishte kontroll pothuajse total. Parnasi shqiptar ishte i ndarë kësisoj midis bektashiut Naim dhe At Fishtës, secili me adhuruesit e vet dhe që përfaqësonin respektivisht myslimanet toskë, dhe katolikët gegë në opinionin publik. Kandidatit të tretë për triumviratin letrar, Fan S. Nolit, i ishte mohuar pozicioni për shkak të simpative ndaj Bashkimit Sovjetik. Vendi bosh u plotësua gjatë pushtimit italian nga De Rada, i cili, si i biri i një prifti bizantin, italo-arbëresh dhe me një shpirt të thellë fetar në vetvete i shkonte këtij roli. Mbështetësi kryesor i De Radës, E.Koliqi, vinte në vend të katërt në radhë. Furia komuniste e sheshoi këtë sanktuar letrar, duke i prerë kokat pjesës më të madhe të idhujve dhe duke i çuar të tjerët në “magazine”. Eliminimet letrare goditën tre autorët e mëdhenj: Skiroin, Konicën dhe Fishtën si edhe një numër autoresh më të rinj apo më të vjetër, të cilët ose e kishin vënë talentin në shërbim të regjimeve antipopullore (zogizmit dhe fashizmit), ose kishin qenë eksponentë të partive antikomuniste në periudhën e pushtimit. Jo vetëm antologjitë dhe manualet shkollore, por edhe vepra studimore, si “Historia e letërsisë shqiptare” (1959), zor se i përmendin autorë si Skiroi, Fishta, Konica e Malëshova. Ostracizmi ndaj shkrimtareve pikëpamjet apo praktikat e të cilëve nuk vinin në përputhje me tendencat e komunizmit shqiptar, pati pasojën e vet edhe në qëndrimin jo kritik ndaj pjesës tjetër të letërsisë shqiptare, të vlerësuar nga studiuesit komunistë. Ky qëndrim ishte në mënyrë të ngurtë dhe të ngushtë i tipit nacionalist, nga ai lloj i dyshimtë nacionalizmi që e kishte origjinën tek Stalini. Natyrisht që kritika e kohës e shmangte me kujdes fjalën “nacionalizëm” dhe në vend të saj përdorte termat si “karakter popullor” dhe “përparimtar” për të emërtuar pjesën e pranuar të letërsisë shqipe.

Lloji i letërsisë së emërtuar realizëm socialist në Shqipëri mund të përshkruhet më sakte sipas Pipës, si neo-romanticizëm socialist. Ndërkohë që ishte tërësisht socialiste në përmbajtje, duke ngritur lart ndryshimet sociale të ndërmarra nga Partia në fushën ekonomiko-sociale, kjo letërsi paraqet ngjashmëri befasuese me letërsinë romantike të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Ngjashmëria reflekton një përpjekje të ndërgjegjshme për të vendosur një vazhdimësi midis Lëvizjes Nacionale, të Periudhës së para-Pavarësisë dhe revolucionit komunist. Partia, e cila organizoi dhe drejtoi Lëvizjen për Lirimin Kombëtar kundër pushtuesve Nazi-fashiste gjatë pushtimit, shihet si trashëgimtare natyrale e lëvizjeve shekullore popullore që fillonin me Lidhjen e Lezhës (1444) dhe që përfundonin me betejën për Tiranen, në 1944. Përpjekja e komunizmit shqiptar për ta vendosur veten në traditën nacionaliste është krejtësisht e kuptueshme në kuadrin e izolimit total të vendit. Dobësia e tij e dukshme bënte imperative për lidershipin që të kërkonte një kohezion monolitik nacional, të cilin mund ta siguronte vetëm një nacionalizëm pasionant. Si pasojë, letërsia dhe artet, si edhe shkencat shoqërore u kultivuan me një marrëveshje pakashumë të heshtur për të ngritur një kulture kombëtare që kishte synim të çimentonte strukturat e reja socialiste. Kjo tendencë ka qenë veçanërisht intensive mbas “revolucionit kulturor” (1966-1969) që ndoqi modelin kinez. Kështu u riaktivizuan lavdërimet e vjetra kombëtare, u zbuluan të tjera, u ngritën në qiell virtytet kombëtare dhe pohohej me forcë autoktonia shqiptare: Skënderbeu është më shumë se kurrë simboli i kombit, poezia epike u bë përsëri zhanri i preferuar, dhe proza ndjek epikën, prozodia preferon metrin folklorik, dhe shija për folklorin karakterizon letërsinë. I parë si paraprirës, dhe pjesë integrale, më tepër sesa si shkencë sociale, folklori thërritet të mediojë midis letërsisë së vlefshme të së kaluarës dhe Realizmit Socialist, përmes bazës së tyre të përbashkët folklorike, pavarësisht dallimeve të forta ideologjike.
Tek “Letërsia shqipe: perspektiva ideologjike”, trajtohen së bashku edhe realizmi socialist shqiptar edhe letërsia në ish-Jugosllavi, ndërkohë që shikohet veçmas letërsia shqipe në mërgim. Gjuha letrare, sipas Pipës, është toskërishtja dhe kjo u adoptua nga pjesa më e madhe e shkrimtareve në ish-Jugosllavi, ku filloi të lulëzojë një letërsi mbas Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse popullsia në ish-Jugosllavi është ekskluzivisht gege, shkrimtarët shqiptarë atje, zgjodhën, për arsye thjesht politike, sipas Pipës, që të shkruajnë në toskërishte, e cila sipas tij është në fakt, një gegërishte e kamufluar. Zhvendosja nga gegërishtja në toskërishte është një zhvillim deri diku i vonshëm, por duhet marrë parasysh që të dyja letërsitë kanë të përbashkët një frymëzim socialist. Por duke qenë se në Jugosllavi u lejua një liri e konsiderueshme e shprehjes, nuk pati një doktrinë zyrtare letrare që të dominonte, dhe bashkë me letërsinë e orientuar drejt marksizmit, u zhvilluan edhe tendenca te tjera që e injoruan atë. Pavarësisht nga fryma nacionaliste që qëndron mbrapa të gjitha shkrimeve të shqiptareve në ish-Jugosllavi, stilet e tyre janë të ndryshëm, secili e shpreh veten sipas mendjes së tij dhe të modeleve që ka zgjedhur. Letërsia në mërgim, zakonisht e kundërshton ideologjinë e majtë (stalinizmin apo socializmin në përgjithësi), ndërkohe që i ruan rrënjët e traditës kombëtare apo graviton rreth saj.

Për shkak të formatit të të shkruarit në gazetë, nuk do të hyj në detajje në lidhje me vlerat e librit. Njëgjë është e sigurtë: këto ese përfaqsojnë një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme në historinë e kritikës shqiptare, aq sa tani mund teflasim me siguri për një “kritikë tëpara botimit të “Trilogjisë”, dhe për një kritikë të pas botimit të “trilogjisë”. Idetë , ajo ështe hedhura në ato ese janë ose origjinale,ose të pakodifikuara më parë. Nga ana tjetër, ndikimi i kësaj vepre në studimet e mëvoshme është jashtëzakonisht i madh: ajo është një vepër e cituar nga shumica e albanologëve të huaj seriozë. Eseja për Migjenin është punimi i vetëm i madh dhe i arritur për të kuptuar Migjenin, i cili pasohet për nga madhështia vetëm me Mensur Raifin. Esetë e tjera mund të funksionojnë fare mirë si modele të analizës së tekstit. Kjo është vepra e parë e kritikës shqiptare që zbaton teknikat e disiplinës akademike të studimeve kulturore.
Libri mund të gjendet në bibliotekën kombëtare, por mund të blihet edhe online me çmim fare të arsyeshëm.

Milosao