E marte, 19.03.2024, 10:30 AM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: 11 prill 1985

E diele, 12.04.2009, 01:23 PM


11 prill 1985

Nga Agron Tufa

Shkas u bë pyetja: “Çfarë date është sot?”, - kur ende nuk qemë ngritur nga tavolina e ngrënies sot, këtij mëngjesi të vonë e të ngeshëm të së shtunës.

- Sot është 11 prilli.
- S’këndon qyqja, as bilbili, - parodizoi ime shoqe.
- Vdiq Enveri, njaj debili! – përforcoi kunati.
- Debili apo katili? – e vuri në dyshim kunata.
- Shih për kë. Për disa – ylli, që derën ua mbylli, për të tjerë – xhahili.
Imagjinoni se si do të na dalin në lajmet e mbrëmjes kryqëzatat mesjetare të fantazmave të komunizmit, duke i bërë homazhe diktatorit nga skajet më të largëta të Kosovës, deri në Sarandë.
- A do ta shfrytëzojnë të majtët tanë këtë ditë përkujtimore, meqë ra fjala, për të “shtrënguar radhët historike të elektoratit?” – çoi dyshimin baxhanaku im gazetar.

- Kureshti të madhe kam, - thashë. – Varet çfarë llogarish kanë bërë: kam përshtypjen se ndryshe nga herët e tjera, do të mundohen të jenë të përmbajtshëm, jo se nuk i ha malli, por sepse gjenden para zgjedhjeve të reja dhe sidomos para një konteksti dhe fryme aspak të përshtatshme, të dënimit të krimeve të komunizmit dhe hyrjes së Shqipërisë në NATO – armiku më i madh i Enverit dhe komunistëve shqiptarë.

- Megjithatë, nuk i dihet. Të majtët do t’i bëjnë llogaritë thjesht për numrin e mundshëm të votave që mund të fitojnë... sepse mund të kombinojnë të dy qëndrimet; ndërsa nostalgjikët nuk i ndalon dot: ata do ta gjejnë mënyrën për të dalë nga harresa bashkë me idealin e Qepës. Pak komunistë ke sot? Komunistë dhe kuazikomunistë!

- Ke të drejtë, por me rëndësi është të shohim liderët e opozitës, çfarë qëndrimi do të mbajnë...
Kështu, spontanisht, secili nisi të rrëfejë për vendin, momentin, rrethanën apo mënyrën si e priti vdekjen e Enver Hoxhës më 11 prill 1985. Të gjitha rrëfimet kishin një interes të madh nga shumë pikëpamje, si me thënë, psiko-antropologjike, por, për fat të keq, këto rrëfime nuk do t’i sjellim këtu, me përjashtim të njërit.
Madje dhe ky kuvendim mendova se po venitej natyrshëm, kur e heshtura ime vjehrrë, e rihapi sërish temën, duke mërmëritur në fillim, si vetmevete:

“More mirë që qanë të tërë, se ndoshta sekush ka gjetur ndonjë arsye për të qarë, më shumë duke e kërkuar te vetja e vet se tek vdekja e Enver Hoxhës; mirë prapë ata që duhet të qanin e të vinin kujën mbi të tjerët, se kështu shprehnin devocionin ndaj Partisë për detyrat dhe postet që kishin dhe mirë fort për ata që kanë qarë me lotë të sinqertë, se e kanë dashur sinqerisht Udhëheqësin. Por mua nuk më shqitet nga mendja sa herë vjen 11 prilli, mënyra si u soll Zenepi”.
- Cila Zenep? – pyeti ime shoqe.

- Zenepi? Një katundare e shkepur ç’prej një maje kepi. Ti nuk e mban mend, se atëherë ke qenë e vogël. Por ajo mbahej si zonjë e rëndë, se burri i punonte instruktor në Komitetin e Partisë, prandaj në kolektivin e mësuesve të shkollës sonë ajo livadhiste kryepërpjetë.
- Mandej? – e nguci ime shoqe.
- Po ja, më 10 prill na sollën lajmin e vdekjes së babait... të Zenepit, domethënë. Të nesërmen u mblodhëm në drejtori dhe të gjithë mësuesit e shkollës morëm rrugën të kapnim varrimin. I ngjitëm gërxhet rrugë pa rrugë dhe sosëm më në fund në mort, kur xhenazen po e nxirrnin jashtë për t’i bërë adetet... Ndërsa ne rrufitëm shpejt e shpejt kafen e hidhur, lëshuam në tabaka lekëshet sipas zakonit, shkarkuam fjalët e ngushëllimit dhe dolëm në oborr tamam në kohën e duhur kur po drejtoheshin mortarët për në varreza. Gjithçka e zakonshme, sipas ritualit.

Buzë gropës së varrit – arkivoli. Gra që qanin. Dy-tre grushte karamelkash dhe monedhash të hedhur në hava sipër varrit dhe fëmijët e vegjël që turreshin për t’i mbledhur. Dikush ngriti zërin mbi murmurimën dhe zukamën e dënesave të ulëta... Si duket, po mbanin një fjalim të shkurtër, prej të cilit mbaj mend tek-tuk ndonjë fjalë ku përmendeshin mundimet e atit të gjorë të Zenepit, nderi dhe respekti i padiskutueshëm që kishte gëzuar dhe sidomos mundimet e vuajtjet që kishte hequr i ziu nëpër punë të shumta krahu, të fushës e të malit për të rritur fëmijët e për të mbajtur shtëpinë.

Mbaj mend se diku-dikur, babai i munduar e halleshumë i familjes së Zenepit paskësh humbur dorën, të cilën ia paskësh grirë një tip kombajne “Tomorricë”, gjatë shirjes së grurit në kooperativën e tyre malore. Kishte ndodhur thjesht, siç pëshpërisnin: babai i Zenepit, Mehmeti, hidhte duaj gruri në gojën cilindrike të “Tomorricës”, por nga shpejtësia, për një moment, bashkë me duajt e grurit, makina i kishte gëlltitur dhe krahun.

Kështu e kishin çuar pa ndjenja në spitalin e qytetit dhe aty i kishin sharruar krahun. Pjesën tjetër të jetës, Mehmeti e kaloi duke punuar me një dorë, i papërkulshëm dhe i papërtuar, ditë e natë, nëpër punëra të ndryshme të kooperativës: natën roje objektesh – stalla bagëtish, helmesh, drithërash, ditën – herë roje fushe, herë me bagëtitë e kooperativës, e herë tjetër me karvanet e transportit, derisa i rriti një nga një të pesë fëmijët, ndërsa vajzës së vetme, Zenepit, i dha dhe shkollë.

Këto thuheshin e pëshpëriteshin përafërsisht, mu buzë dheut të hapur, që priste të merrte të vetën nga ky baba i munduar, i cili tash priste brenda arkëmortit të drunjtë të thoshin ç‘kishin për të thënë për të dhe të zbriste më në fund në ato pala të kafenjta dherash ku preheshin, pas një rraskapitjeje shekullore, duke u grirë e rrahur me gurin e drurin, erërat e shirat, dëborërat dhe murlanin, të ngrohtët dhe të ftohtët, njëlloj si ai, tërë farefisi i tij, babai, gjyshi e stërgjyshi.

Qe bërë heshtje pas fjalimit të thjeshtë të njërit prej vëllezërve të Zenepit dhe menduam se njerëzit do të zbrisnin më në fund, arkëmortin me trupin e pajetë, por ja ku doli nga skaji tjetër i gropës së hapur vetë Zenepi dhe prapë ra heshtja. Zenepi nis të fliste pa shumë ceremonira, mjaft thatë, me ngërçe e artifica, andaj nuk u kuptua pse tejpërtej në turmën e tubuar plasi një tallazitje, një trazim, e më pas, shpërthime ngashërimash, deri në kujë e logori të madhe, çka e përshkoi rrënqethshëm, si një korent tejpërtej turmën.

Lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës kaloi vesh më vesh deri tek ne, buzë varrit të hapur, e më së mbrami e mori vesh dhe Zenepi. E dalluam nga përkulja e kokës, duke mbajtur vesh drejtorin: ai me sa duket ia dha mandatën. Atëherë Zenepi mori një pamje të rreptë e të ngrysur njëherësh, treti vështrimin larg dhe e rifilloi fjalimin thuajse njëkohshëm me një gjest që s’kam për ta harruar:
“Dëgjoni ju shokë, motra e vëllezër! Fatkeqësi shumë më e madhe na gjeti sot, andaj, lëreni këtë këtu (pikërisht në këtë moment ajo e goditi me majën e këpucës arkëmortin e babait), s’ia kemi ngenë këtij!

Unë ju ftoj të vajtojmë për humbjen tonë të përbashkët, humbjen e djalit të të gjitha nënave shqiptare, humbjen e Udhëheqësit tonë të lavdishëm, shokut Enver Hoxha!”.

Kjo krijoi një efekt mpirjeje teek të gjithë, edhe pse Zenepi, të cilës nuk i kishim parë lotë në sy gjatë gjithë kohës, filloi vetë e para të vinte kujën. Por çuditërisht, njerëzit nuk po e ndiqnin shembullin e saj. Ata nisën pak nga pak e me të shpejtë të shpërndahen, pa dhënë dorën sipas zakonit, pa u përshëndoshur me Zenepin.

Kështu ikën dyshe-dyshe, disi fshehtas e tinëz, e gjithsesi me një ndjesi turpi, sikur t’i turpëroheshin vetes, shokëve, varreve, ditës me një ndriçim të njomë diellor, derisa nuk mbeti këmbë njeriu rreth varrit, duke mos pritur të përmbushej as detyrimi më i vogël para babait-martir të Zenepit – zbritjes së arkëmortit të tij në dheun e hapur, përbri me varret e të parëve të tij. Ma do mendja se vëllezërit e Zenepit do ta kenë kryer këtë pjesë të vogël e të thjeshtë, por më të rëndësishëm të ritualit funeral në mesditën e 11 prillit 1985. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora