E merkure, 24.04.2024, 08:15 PM (GMT+1)

Faleminderit

Shefqet Dibrani: Gabimi...

E shtune, 11.04.2009, 10:00 PM


Tregim:

GABIMI . . .

LETËR:
Agim RAMADANI
Vendi i flijimit: 
RRASA E ZOGUT
Banimi i përhershëm:
KOSHARE
Shteti: REPUBLIKA E KOSOVËS

Po të drejtohem Ty Agim, unë njëri nga miqtë tuaj të largët, të atyre që vazhdimisht jetojnë përtej varreve të harruara. Të kujtoj Agim. Dhe po  dua të shfajësohem se kam gabuar kur të kam premtuar se “Nëse vritesh në Luftë unë për ty do të shkruaj këngë?!”. Nuk mund të shkruaj këngë, se kënga shpreh hare, sado që këtë gjë e kamuflojnë me heroizëm. Unë nuk iu kam gëzuar kurrë vrasjes tënde, prandaj nuk do të këndoj e as nuk do të shkruaj këngë.  Dhe nuk e di pse tash pas dhjetëvjetësh nuk mund të rri i qetë?!... E di se bëra gabim...  dhe sikur më bëhet se nuk do të arrij ta kryej amanetin që ta kam pas dhënë. Se fjala mbeti peng, e në mes nesh ishte vetëm Zoti, (se nuk na ka dëgjuar njeri, për këtë jam mbase i sigurt), por unë dua të rrëfehem edhe para Zotit edhe para teje që u bëre Zot i Flijimit, dhe më kujtohet se ne u betuam si dy miq, ndonëse flisnim me shaka pa ditur për të nesërmen që të priste.  Unë të premtova poezinë Agim, e Ti më kërkove këngën?! Dhe sa për mos ta prishur qejfin të premtova. Më kujtohet edhe tashti shikimi yt zhbirues dhe fjala faleminderit! E, ti më premtove, (nëse nuk ke harruare?!), një shkrepje batare, ashtu sikurse në  Karadakun tënd kur i përcjellin trimat. Po që nuk isha trim, ti këtë gjë e dije, prandaj iu turrëm njëri-tjetrit me ngritje dollie që na mbeti kristal në dorë.
Dhe më beso Agim, sa herë dëgjoj krisma e shohë përcjelljen time të fundit që ma bënë ti. Aty pran varrit vazhdimisht ti i shkrep për mua betarët e fundit e pastaj dëgjoj vetëm rrapëllimat e lopatave dhe peshën e dheut që më rëndon mbi fytyrë. A nuk është për t’u trishtuar?!. A nuk është ky një trishtim e mallkim për gabimin e bërë?!...
Madje, madje në një nga halucinacionet e mia, të atyre vdekjeve që i përjetoj çdo vit kur vjen pranvera jote, Ti varrin ma kishe pikturuar me atë furçën që e le mbi peizazhin e një beteje kur  shkove në Luftë, në Luftën e Koshares, dhe më beso Agim, as kalimi i viteve nuk e ka tharë furçën e as bojën tënde, por as kujtimin tim për ty nuk e kanë zbehur kalimi i këtyre viteve. Por, unë kam amanet të të shkruaj vazhdimisht se dua të shfajësohem, edhe pse ka kohë që jam betuar se nuk shkruaj më. Asnjë germë, asnjë fjalë, asnjë rresht e asnjë këngë. E, çfarë të evokoj për ty miku i të gjithëve, natyrisht, nëse nuk më je hidhëruar edhe i imi?!
Ti e di që jetoja vazhdimisht larg qendrës, larg varreve. Vija për të të takuar ty dhe ti ma more premtimin që nuk po mund ta realizoj kurrë?! Koha më përcaktoi të jetoja përtej varreve të hapura me frikën e vazhdueshme se do të bie në ta. A nuk është trishtim, a nuk është frikë, dhe a nuk është kjo një luftë për të mos rënë në varre, kur dihet se varret janë për njerëzit. Por, nuk e di, unë iu frikohem varreve, iu kam frikësuar luftës, po më shumë flijimit. Prandaj, nuk shkruaj më. Të betohem, përjashtoj këtë rast që po të shkruaj ty. Vetëm ty sa për ta vrarë harrimin që më ka vrarë mua të gjallin e që ma kanë katranosur edhe lirinë që na solli Ti miku im!
Por unë po të flas në këtë përvjetor se kam për të shlyer amanetin që ta kam dhënë. E në pamundësi për të bërë më shumë po të shkruaj këtë letër. Nuk e di nëse do të vjen. Jam larg dhe nuk kam mundësi të vij në varr, sado që mbi varrin tënd kam derdhur lot, kam mbjell lule dhe ta kam lëmuar barin mbi Dhé se të kam mik dhe jetoj me mallin tënd.
Por, aty ku je ti nuk mundem të vij se me kalimin e viteve ti je futur edhe më thellë në Tokën e Kosovës, shpirti Yt ka shkuar te Zotat, këtë të gjithë e dinë, dhe nga atje soditë sjelljen tonë. Unë nuk po të gënjej. Kanë kaluar dhjetë vjet me malli tënd. E tani, nga lotët më është zbehur kujtimi për fytyrën tënde, për timbrin e zërit, për ecjen vertikale.
Mua më ka mbetur ndërmend vetëm premtimi që ta dhashë dhe nuk po mund të qetësohem. Unë bëra shaka vetëm sa për ta bërë qejfin. Po ti, tashmë po futesh thellë e më thellë në Tokën e Kosovës, duke u shkrirë trupi Yt e duke u njëjtësuar me  atë tokë për të cilën ti u flijove bashkë me ushtarët tuaj të luftës e të paraluftës. Dhe tani nuk e di përse po të shkruaj, përse po prish qetësinë e kësaj dekade kaq të heshtur kaq marroqe, që ka pllakosur mbi ty e mbi mua. Dikur bëra gabim që të dhashë premtimin që nuk po e  realizoj kurrë, dhe ti e di se vdekja më solli edhe mua në zgrip, por plumbi qëlloi mbi ty. Tani ti futesh thellë e më thellë në Tokën e Kosovës si një Hero, si një luftëtar. Kurse unë vij rrallë e më rrallë në Kosovë dhe te varri yt. Kjo më dhemb, kjo më shqetëson dhe tani nuk mund të rri më në heshtje.
Heshtja më ha..., heshtja më mbyt..., prandaj po të shkruaj për të mos harruar premtimin e dhënë dhe nëse nuk e kryej një ditë, mallkimi raft mbi varrin tim e “bataretë e premtuara nga ti, mos qëllofshin kurrë edhe në atë ditë gëzimi për mua”. Po a nuk është gëzim vdekja miku im, kur njeriu merr udhën për të të takuar ty, për ta kryer amanetin që për të gjallë nuk e kreva kurrë. Kurrë miku im, kurrë?!.. Se, ato që thuhen janë gënjeshtra. Janë shtriqe, hipokrizi. Ne u ndamë në paqe, e Ti shkova në Luftë, në luftën që ia solle Lirinë Kosovës, kurse në gojën time rrinte vazhdimisht Kosova dhe Liria e saj. Ç’të them tashti në këtë përvjetor, në këtë dhjetëvjetor?! Unë bëra gabim?...

* * *
Por më kujtohet kthimi yt në vendlindje kur të sollën me rroba veshur, ishin mbledhur miq dhe të dashur që nga Idriz Seferi e këtej. Nuk mbet burrë e grua që atë ditë të mos ishte zdirgjur nga Karadaku për të takuar Ty, se ai takim ishte i veçantë. Vinte Heroi Agim Ramadani që ishte flijuar në Luftë, në Betejën e Koshares, dhe kjo ishte domethënëse. Ishe veshur me rroba dhe qëndroje në këmbë. Po, po ti ishe në këmbët tuaja, i ringjallur ashtu siç ringjallën shenjtët. Prapa grumbullit të njerëzve pash Loken tuaj që qante. Qava edhe unë. Ti e di se unë qaj lehtë, sidomos kur shohë nënën e Luftëtarit duke qarë. A nuk është kjo një simbolikë kujtimi, a nuk duhej të thyeja heshtjen time dhjetëvjeçare dhe të plasja dënesjën, ngashërimin që kam për ty dhe të të shkruaja këtë letër?!...
Por nuk e di Agim, nëse atë ditë kam qarë për Loken tuaj se dënesja e saj mi verboi sytë, apo qava nga turpi, kur shikimi yt zhbirues ra mbi mua që isha përtej turmës së madhe, i strukur e i turpëruar për premtimin që nuk e kam kryer. Por, e di se kam këlthitur me sa zë që kisha “kam bërë gabim Agim”, më fal.
Të flas sinqerisht, se dua të çlirohem nga ky premtim: “E di se kam bërë gabim” që të kam premtuar këngën, se në jetën time kurrë s’kam kënduar, kjo është e vërtetë, por edhe tashti pas dhjetë vitesh ky premtim po më zhyt më shumë, aq shumë sa po ndjej ngufatjeje.
Por, ajo që dua dhe po e pres me padurim nuk do të vjen kurrë, kurrë miku im. Nuk pendohem pse do të vdes, (ndonëse e kam thënë sa herë nuk i dua varret), por pendohem pse të kam premtuar, se tashti po vjen pranvera dhe do të ndjejë dhembje torturuese, aq më tepër se tashti u bënë dhjetë vjet pa e kryer amanetin.
E, pranverat vazhdimisht mua po më shtypin me ëndrra torturuese për gabimin e bërë, për premtimin e parealizuar,  për të shkëlqyer Kënga dhe Liria që na solle...

* * *

Të kanë varrosur ushtarët tuaj në Tokën  që Ti e Çlirove!
Në Kosovë, atje në Koshare, lagjja Rrasa e Zogut
Tani zogjtë këndojnë këngën e tyre edhe pa tekstin tim,
ata do ta heqin mallin për këngën që unë ta premtova!!

Me kalimin e kohës ty po të shtohet lavdia!
Por, unë vazhdimisht kam frikë se do të harroj, miku im, prandaj po të shkruaj,
ashtu siç i kam shkruar Kosovës të cilën e desha me afshin e një poeti!
Ringjallën shenjtët, ringjallën! Këtë e besoj se të pash ty miku im!
Në këtë ritual Ti je ringjallur shtatë pash mbi tokë!
Tash po e shndritë Kosovën edhe kur i mungojnë “Dritat” për të cilat ti u flijove!
Më kupto drejt miku im, sidomos qëllimin pse të shkrova në këtë dhjetëvjetor:
...Të kërkova falje për gabimin që kam bërë.

 
* * *
Po, unë e di se ti më fal mua, ashtu siç më ke falur gjithmonë,
dhe në fund të fundit  ti e di më mirë se sa unë:
Se dikush është dashur të flijohet për të jetuar të tjerët më mirë!”.

 
Shefqet DIBRANI



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora