Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vlora, të zgjedhësh mes dy deteve

| E enjte, 19.07.2007, 09:42 PM |


Vlora për shumë njerëz njihet ndryshe si qyteti me dy dete. Lagur nga Adriatiku dhe Joni, në këtë zonë, ke mundësi të shumta për të zgjedhur vendin ku preferon të rrezitesh në diell, të pushosh e të dëfresh mbrëmjeve. Një qytet që njeh pushues në çdo stinë, ku bregdeti ka çfarë të ofrojë përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Nëse në dimër gjëmimi i detit është i dukshëm, në verë gjithçka qetësohet. Kaltërsia ujore dhe gjelbërimi marrin kuptim tjetër.

Zona lë vend për të zgjedhur. Madje duke testuar dhe gustot. Nëse kërkon klimë malore, një ditë e tërë pushimi mund të kalohet në Llogara, ku qetësia mbizotëron nën gjelbërimin pafund të pishave. Një ditë pushimi mes gjelbërimit dhe kaltërsisë ta ofron Zvërneci, ndodhur jo shumë larg Vlorës, ndërsa për tifozët e plazhit, oferta është më e hapur se kaq. Ujërat e detit ftojnë në shumë zona, që nga plazhet me rërë, plazhet me zhavorr të imtë apo plazhet me gurë.

Plazhet

Në Triport, pikë që ndodhet afër Zvërnecit, panorama është krejt ndryshe. Në shkëmbinjtë e mëdhenj që ndodhen në det, duket sikur flet lashtësia. Gjurmë të saj, të çara shkëmbinjsh, forma nga më të çuditshmet. Uji është kristal, në thellësi që shkallëzohet butë. Poshtë njërit prej shkëmbinjve dallohen qartë dhe plazhet e tjerë. Me rërë të imtë e ujë po kristal, plazhet e Dajlanit e Porta Nova.

Nëse flitet për plazhe të virgjëra pa frikë mund të gjesh aty. Një mrekulli e natyrës, uji, rëra, pylli i pishave pranë, dunat me rërë pranë tyre, faqet shkëmbore, por edhe mini ishujt e vegjël. Pylli me pisha shoqëron gjithë bregun nga Triporti drejt plazhit të vjetër, ky i fundit shumë i frekuentuar.

Plazhi i vjetër

Ndoshta shumë e kanë braktisur, pasi infrastruktura e tij nuk ka njohur përmirësime të dukshme. Po kështu popullimi nga shumë familjarë në kabina, apo kthimi i një pjese të bregut në rrugë automjetesh ka larguar një pjesë të mirë të frekuentuesve, por specialistët pohojnë se ai ka vlera kurative. Plazhi është ranor. Deti ka shumë cektina çka e bën ende të frekuentuar nga familjarë, të cilët shfrytëzojnë cektinat për larjen e fëmijëve të tyre, ndërsa nga moshat e treta plazhi gjurmohet për rërën dhe vlerat e jodit që ka ajo.

Plazhi i Ri

Është plazhi më i madh dhe më i populluar në Vlorë. Plazh ranor me det të cekët, tepër i përshtatshëm për familjarë dhe fëmijë. Ky plazh është publik dhe mirëmbahet nga bashkia e qytetit. Çdo vit para fillimit të sezonit pastrohet dhe mbushet me rërë. Veç vendasve këtu mund të gjesh dhe shumë qytetarë nga rrethe të tjera; kryesisht Fieri, Berati, Lushnja, etj. Pranë tij ndodhet ndër të vetmit mol për plazhistët, ku shumë prej të cilëve kanë mundësi të ushtrojnë hedhjet në ujë, por edhe ato nga trampolina që gjendet në këtë mol.

Plazhi te vilat

Shumë i frekuentuar për pamjen që ofron. Gjatë sezonit është ndër plazhet më të frekuentuara të Vlorës. Në një plazh të tillë thellësia gjendet shumë afër bregut. Bregdeti është me gurë dhe zhavorr të imtë në disa pjesë të tij, kryesisht në brezin e parë. Para viteve 90 plazhi nuk ishte i hapur për pushuesit e zakonshëm, pasi pushonin vetëm pushtetarët. Zona ruhet ende me ushtarë te godina ku dikur ishin vilat, sot mbetur vetëm muret e tyre, thuajse gërmadhë. Zona preferohet për plazhin e konsiderueshëm, hapësirën e vendparkimeve, por edhe bareve karakteristikë që ka në zonë.

Plazhet te Kalaja

Plazhe ekzotike me zhavorr dhe ujë të pastër, frekuentohet kryesisht nga të rinjtë. Vend ideal për shëtitje me varka.

Plazhi i Jonufrës

Edhe ky është ndër më të veçantëtpër nga pamja e tijpanoramë shkëmbinjsh, ujë kristal, ndërsa bregu është një ndërthurje zhavor i imtë dhe gurë. Mbi plazhin shihet gjelbërimi i kodrës së Jonufrës. I frekuentuar për hapësirat që ka, por edhe një vend ideal për të apasionuarit e hedhjeve nga shkëmbinjtë e shumtë që ka në të.

Plazhet e Radhimës

Janë kryesisht me bregdet me gurë dhe zhavor të imtë. Deri në Orikum ka shumë të tillë, ku ndërthuren plazhe të vogla, por edhe ata shkëmborë. Plazhe me ujëra kristal rrethuar nga kodrat e gjelbëruara të Radhimës. Në të gjithë vijën bregdetare Radhimë-Orikum gjenden plazhe të mirëmbajtura nga hotelet buzë detit janë të përshtatshëm për të gjithë llojet e pushuesve.

Të tjera

Ndërsa në plazhet e Vilave në Ujë të Ftohtë, plazhi te Kalaja e në Jonufër, thellësia e detit shfaqet që në hapat e parë kur futesh në të, pasi kalon plazhet e Radhimës, thellësia zbret më butë, deri në plazhet e Orikumit, të cilat preferohen nga familjarë për ujin e pastër, por edhe thellësinë që vjen gradualisht, duke u parë si vend i favorshëm edhe për fëmijët. Gjithsesi në Orikum, diku thuhet stop dhe është pikërisht zona ushtarake e bazës së Pashalimanit, e cila rrethonnjë pjesë të mirë të plazhit dhe mund të futen në të vetëm uniformat e bazës, ose personat e autorizuar që vijojnë rrugëtimin drejt Orikumit.

Thuajse në të gjithë plazhet e mëdha ka lokale. Madje disa të tipit bar, Fast food dhe restorante. Po kështu në shumë prej tyre mund të marrësh varka me qira, të shijosh një shëtitje në bregdet, apo edhe për kë preferon shpejtësinë e një xhiroje në ujë, motorrët e ujit.

Tendenca më e fundit në disaplazhe është privatizimi. Nuk ka tabela që ta bëjnë vizive këtë, por numri i shezlonëve dhe çadrave në to, në disa plazhe të parapëlqyera, si në Jonufër, Radhimë, plazhi i vilave, është i madh, krahasuar hapësirave që ata kanë.

Gatimi dhe pijet

Mish në hell dhe prodhime deti

Kuzhina e zonës së Vlorës është një kuzhinë tipikë e ndërthurjes së zonave malore me atë të bregdetit. Në të përdoren prodhime të freskëta blegtorale të kopeve të të imtave, i preferuar kryesisht qengji, që rriten nëpër malet buzë detit, me barin e freskët dhe erën e detit. Mishi i pjekur në hell, është karakteristik i zonës ndaj mund ta gjesh në çdo restorant, kryesisht në ato që ndodhen ndërmjet zonës së kalasë dhe Radhimës. Afërsia me detin dhe cilësia e kullotave i japin mishit në këtë zonë një shije të veçantë.

Në lokalet e bregdetit më të parapëlqyerat janë ato me prodhime deti. Afërsia me detin bën që thuajse të gjitha të konkurojnë me freskinë e peshkut. Koce e detit është ndër llojet më të preferuar. Gjithsesi në restorante gjen llojshmëri të levrekut, fagri, merluc, barbun, sinagridh. Ndër më të shtrenjtët është ky i fundit, pasi i përket familjes së peshqve të mëdhenj. Pokështu e preferuar është koce e Karaburunit. Për disa lokale sinagridh, fagri e arragosta janë me porosi, për shkak edhe të çmimeve të tyre. Arragosta është ndër produktet e shtrenjta, çmimi i të cilës, i gjallë është rreth 4 mijë lekë të reja kg. Vlora ka një traditë në çmime, të cilat kryesisht janë të qëndrueshme. Ato janë mesatare. Shumë prej lokaleve kanë çmime të dimrit, duke aplikuar me të njëjtën menu ku janë të fiksuara çmimet, pavarësisht se klientët gjatë verës kanë rritje të dukshme.

Mes pijeve, në krye renditen verërat. Veç kantinave të Vlorës ku gjenden verëra të vjetra, Vlosh, Merlot e lloje të tjera, të njohura për pijen janë zona e Nartës, apo Panajasë, të cilat e prodhojnë vetë verën, falë vreshtave të shumtë që kanë.

Çmimet

Dhomë apo viletë?

Çmimi i një dhome në hotelet në bregdet është nga 30 euro deri në 60 euro. Më të lira janë çmimet e hoteleve që ndodhen në qytet, për të cilat të duhet të paguash sigurisht më pak. Sipas statistikave, sipas kategorisë që kanë çmimi për dhoma të tilla varion nga 15 euro deri në 35 në një natë.

Nëse kërkon turizëm familjar mund të marrësh shtëpi me qira. Veç dhomave të veçanta që jepen me qira, kundrejt vlerave fikse ose të negociueshme me banorët e zonës këta të fundit vënë në dispozicion dhe shtëpitë me oborr të tipit vileta. Sipas kushteve që ofrojnë banesat variojnë nga 22 mijë deri në 45 mijë lekë për pushimet e një 15 ditëshi, kundrejt të gjitha kushteve bashkëkohore. Kryesisht pushues në to janë nga rrethet, nga Tirana, Korça, Fieri, apo dhe ndonjë pushues i huaj, ndërsa së fundmi banorë që aplikojnë turizmin familjar prej kohësh thonë se sivjet kanë pasur dhe prenotime nga vendasit, të cilët kundrejt pushimit një ose disaditor zgjedhin një shtëpi të tillë buzë detit, edhe pse janë jo shumë larg Vlorës. Gjithsesi numri i këtyre të fundit është fare i vogël hreferuar kategorive të tjera të pushuesve.

Jeta e natës

Muzikë në 9 disko verore

Gjatë verës në Vlorë mund të argëtohesh dhe non stop. Pas plazhit, një shëtitje në qytet, darkës në mbrëmje, një tjetër shëtitje përgjatë bregut. Ky numëron një sërë lokalesh nate, të tipit disko verore. Ato ndodhen në zona të ndryshme, nga Uji i Ftohtë, në Orikum, fare pranë detit, apo në pjesën e kodrave mbi bregdet dhe gjithsej janë 9 të tilla. Duke qenë thjesht sezonale, ato zhvendosen në bregdet vetëm gjatë verës.

Çmimet më të larta janë në fundjavë kur ftohen këngëtarë të njohur, dj apo grupe, ditë gjatë së cilave ato kanë frekuentimin maksimal. Hyrja në ditë të tilla shkon deri në 500 lekë personi, ndërsa po të larta janë dhe çmimet e pijeve apo koktejleve. Çmimet e pijeve varjojne në verë sipas llojeve nga 300 deri në 500 lekë.

Çfarë mund të vizitosh

Kalaja e Kaninës

Renditet ndër më të vjetrat kala të rrethit, ndërtuar në shekullin III para Krishtit. U rindërtua përsëri nga perandori Justinian në shek VI të erës sonë dhe në shekullin XI kishte një qendër të njohur peshkopate. Në ditët tona, një rrugë përmes pishash e ullinjsh të çon në muret e kalasë. Mbrëmjeve, ndriçimi është një mrekulli, madje pika më e bukur nga mund të shihet në gjithë shtrirjen e saj Vlora natën.

Quhet si ballkon i Vlorës dhe në shpatin e saj janë ndërtuar lokale, nga të cilat panorama e gjithë Vlorës është e plotë.

Kuzum Babaja

Një tjetër ballkon, nga një pikë tjetër, kjo brenda në qytet nga mund të shohësh tërë Vlorën, është pika e Kuzum Babasë. Për të shkuar aty ka tre rrugë të ndryshme, një prej të cilave ku mund të ecësh vetëm në këmbë, nëpërmjet 344 shkallëve që ngjitin pjesën ballore të kodrës. Lart saj ndodhet teqeja, ndërsa në një gjelbërim të plotë lokali te kjo pikë.

Shpellat

Në zonën e Orikumit dhe Dukatit tërheqin vëmendjen shpella e Duk Gjonit me stalaktite e stalakmite. Po kështu shpella e Haxhi Alisë në Karaburun dhe Shpella Detare e Selman Aliut, në të cilën është e pranishme edhe bota e gjallesave detare dhe ujore.

Gjithashtu qyteti paraqet interes për historinë e tij, të cilën mund ta mësosh nëpërmjet vizitave në muzeun e Pavarësisë, muzeun Historik dhe muzeun Etnografik.

Po kështu jashtë qytetit gjenden parqet e Orikut dhe Amantias, me të cilat lidhet lashtësia e qytetit.

Lagunat

Ekosistemi i lagunës së Nartës nga ekspertë vendas dhe të huaj shihet si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë natyrore të Evropës dhe një kompleks me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Laguna e Nartës plotëson kriteret e konventës Ramsar( ligatina të rëndësisë ndërkombëtare). Ajo ka sipërfaqe prej 6500 ha, brenda së cilës ndodhet dhe ishulli i Zvërnecit, me një sipërfaqe prej 7 ha, i shpallur monument natyre. Në të numërohen 50 mijë shpendë, nga 20 mijë që është kufiri Ramsar. Vlerat e saj paraqiten kryesisht për shpendët e ujit, me 20 mijë shpendë dimërues dhe 40 lloje të tyre. Një veprimtari e gjerë është peshkimi, ku veprojnë shoqata dhe agjensi peshkimi. Përreth saj gjendet një florë dhe faunë e pasur, tipike e ligatinave mesdhetare. Laguna e Orikumit ka një sipërfaqe prej 35 mijë ha, e cila është shpallur park kombëtar, detar dhe tokësor. Brenda kësaj zone arkeologjike dhe turistike ndodhen rrënojat e qytetit antik të Orikut, amfiteatri i tij dhe Kisha e Marmiroit. Në ujrat e lagunës që bashkohem me detin ka mjaft specie të rralla peshqish, troftë, ngjala, midhje, shpat, aragosta, por edhe kafshë e shpendë, që i japin përparësi gjuetisë.

Burimet e Ujit të Ftohtë

Ujë i pastër dhe i kulluar falë burimeve që ka zona. Një prej tyre, më i dëgjuari, ai iUjit të Ftohtë, i cili ndodhet pranë tunelit. Thuajse gjithmonë pranë burimit gjen qytetarë e plazhistë, të cilët uji që rrjedh mes gurëve në shpellën e vogël i fton për t'u freskuar, apo për të marrë rezerva uji që përdoret për të pirë. Uji rrjedh drejt detit, dhe nuk është i vetmi burim që derdhet në det. Shumë burime uji vijnë nga malet e Shushicës drejt detit dhe shumica e tyre nuk janë në përdorim. Sasi të mëdha uji të një cilësie të lartë janë një avantazh i madh për investitorët, sidomostë industrisë ushqimore. Nuk ka ndotje industriale dhe ujrat janë shumë të pastër për ftohtësinë që i karakterizon. Duket se nga kjo vecori ka marrë dhe emrin zona e Ujit të Ftohtë.

Një miniguidë

Menjëherë pasi lë qytetin e Vlorës, në pjesën jugore të tij shfaqet zona bregdetare e Ujit të Ftohtë. Bregdeti këtu fillon e bëhet shkëmbor, pikërisht kjo është dhe pjesa kur merr fund bregdeti ranor dhe ngjitesh në rrugën e asfaltuar që gjarpërron ndërmjet kodrës dhe detit. Një panoramë pa fund me kaltërsi dhe pjesa përballë është gjelbërim. Sa kalon Ujin e Ftohtë drejt tunelit gjendet burimi që fton këdo për t'u freskuar.

Në një gjatësi prej gati 2 km deri në Jonufër, dalin mbi 30 burime nëntokësore. Atodalin gjatë gjithë gjatësisë së bregdetit, duke filluar me atë të Ujit të Ftohtë. Dikur te zona që identifikon Ujin e Ftohtë kishte një rrap të madh, ku uji dilte nëpërmjet tubit nga brendësia e tij. Sot, aty ndodhet një luan, i cili pandërprerë hedh ujë nga goja e tij. Burimi tjetër është ai në hyrje të tunelit me të njëjtin emër, burime të cilat vijojnë dhe drejt vendit të njohur me emrin Kalaja e në vazhdim. Uji është i ftohtë, nga ka marrë emrin dhe zona. Derdhja e ujërave të këtyre burimeve e ka bërë dhe ujin e detit shumë të ftohtë në disa zona të veçanta, si është ajo te tuneli, apo pranë vilave.Zona e Ujit të Ftohtë është e njohur për turizmin familjar, ndërsa ndodhen dhe shumë hotele ku mund të kryhet akomodimi. Rruganga tuneli, kur kalon zonën që njihet me emrin Kalaja dhe deri te vendi që vlonjatët e njohin si Pika e Parë, gjarpëron në shumë kthesa përgjatë asfaltit. Gjithë bregu është shkëmbor dhe mbi rrugë ngrihet pjesë kodrinore. Pasi kalon Jonufren, nëpër një rrugë plot gjarpërime buzë detit e përmes tarracave të mbushura me agrume dhe ullinj, bregdeti fillon përsëri të zgjerohet dhe shfaqet zona e Radhimës dhe Orikumit. Në një qetësi të plotë, ku plazhet kryesisht zallore janë të shumta dhe secili ka veçantinë e tij, bregdeti i kësaj zone shquhet për peizazhet e bukura, ku mund të shijohet në të njëjtën kohë pamja e malit, kodrës dhe detit. Gjelbërim dhe qindra rrënjë ullinj të mbjellë është karakteristika e zonës. Larg jetës së zhurmshme të qytetit dhe mjeteve, plazhet janë shumë të preferuara. Në këtë zonë ndodhen plazhe private dhe të tjera ku mund të pushohet me familjen, ndërkohë që përgjatë zonës ka restorante të shumtë, hotele, kabina plazhi të tipit kompleks në formën e minifshatrave turistikë.

Llogaraja

Larg vapës, mes mrekullisë së ajrit dhe pishave

Një pushim absolut nën freskinë e pishave. Ajër i pastër, verë e freskët dhe një natyrë e mrekullueshme nën panoramën e pafund të gjelbërimit. Temperatura ulet disa gradë, krahasuar bregdetit dhe parku është në zemër të malit. Qendra turistike që ndodhet në parkun Kombëtar ndodhet në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit. Kompleksit turistik me kabinat tipike, i janë shtuar dhe hotele të tjera të tipit alpin. Me një sipërfaqe prej 1020 ha, parku ka gjelbërim të përhershëm, duke ofruar turizmin në çdo stinë, por në verë është ndoshta vendi më ideal për t'iu fshehur vapës, rrezeve përvëluese dhe zgjedhur freskinë e pishave. Në mes të pyjeve gjenden dhe lëndina, ndërkohë që vendi është i pasur dhe me botën shtazore. Në ditët e sotme fshati turistik është zgjeruar me hotelet, qendrën turistike, baret e restorantet e shumtë. Burimet e ujit të ftohtë të Llogarasë tashmë janë të njohura për ujin e tyre. Mund të freskohesh në disa pika të këtyre burimeve natyrore, të cilat gjenden pranë rrugës nacionale, por edhe në brendësi të pishave.

Si element karakteristik është Pisha Flamur.Pisha e veçantë për nga forma që ka, gjendet në veri të zonës së njohur si Qafa e Llogarasë, në një lartësi rreth 900 m mbi nivelin e detit. Historia e emrit vjen nga forma që ka marrë pisha, e cila ngjan me një flamur, formë që është "skalitur' nga erërat e forta. Pisha Flamur më e veçanta e parkut ka një moshë rreth 100- vjeçare. Cilësuar si monument natyre ajo ka vlera shkencore, biologjike, si dhe turistike. Mbërritja në Qafën e Llogarasë, është dhe kontakti i mëpasshëm viziv me ujërat joniane, ku poshtë saj shtrihet deti Jon dhe një rrugë përgjatë malit çon te ai, ku zona më e afërt janë plazhet te Rrugët e Bardha, zona tipike të plazheve të virgjëra, ku mund të futesh vetëm me makina të larta.

Gatimi dhe çmimet në Llogara

Mishi i pjekur në hell është karakteristikë e zonës malore të Llogarasë. Të imtat, kryesisht qengjat zgjidhen në zonat e Dukatit dhe disa zonave malore të lumit të Vlorës. Të preferuara janë dhe brinjët në zgarë, ndërsa karakteristike është harapashi. Harapashi gatuhet me miell misri dhe të përbrendshme të qengjit, djathë e gjalpë. Nëse pyet cili është sekreti që shoqëron tryezat, nuk mund të marrësh asnjë detaj, veç përgjigjes që "si këtu, harapashi nuk gatuhet askund. Thjesht shijojeni". Çmimet në zonë janë disi më të kripura se në qytetin e Vlorës. Ato thuajse mbahen të tilla gjatë gjithë vitit, pasi pika është e frekuentuar. Më shumë preferohet konsumi i produkteve të mishit, çmimet e të cilave janë më të larta. Një kg mish i pjekur në hell varion deri në 2500 lekë të reja. Gjithsesi shoqëron tavolinat harapashi dhe kosi i deles, të dyja këto me çmime të lira.

Por ka zona të tjera me gatime specifike. Një drekë me verë të mirë dhe ngjala e gjen në lokalet e Nartës. Ngjalat e kapura në gjol dhe vera e bërë vetë shijon në lokalet e zonës që gjendet vetëm pak kilometra nga Vlora, rreth 2.7 nga hyrja e saj. Çmimet janë shumë më të lira se në lokalet e qytetit, kur një litër verë shkon deri në 5 mijë lekë për litër dhe një racion ngjala varion sipas cilësisë së tyre nga 500 deri në 1100 lekë të reja. Po kështu gjenden dhe peshku i ujërave të ëmbël.

Pse pushime në Vlorë

Duke parë pozicionin gjeografik të qytetit të Vlorës si dhe shtrirjen për gjatë bregut të detit ( 145 km ) nuk është e vështirë të evidentohet që Vlora si qytet është i destinuar për zhvillimin e turizmit detar, por edhe malor, pra turizmin e pushimeve.

Gjiri i Vlorës nga ekspertët ndërkombëtarë konsiderohet si një rajon turistik i mrekullueshëm dhe një Monument natyror, pasi në gjirin e Vlorës janë kompozuar në mënyrë perfekte rëra me shkëmbinjtë e thepisur

Dunat ranore dhe pyjet me pisha

Fushat dhe kodrat e gjelbëruara deri në malet me dëborë

Deti me lagunat

Ishulli me gadishullin

Uji i ftohtë i maleve me ujin blu e të kristaltë të detit

Bukuritë natyrore të bregdetit vlonjat si, klima e mrekullueshme kurative, mikpritja e banorëve, ushqimi i shijshëm vendas, si vera dhe ngjalat e Nartës, kocja dhe mishi i Dukatit, frutat e bregdetit të Vlorës, etj, kanë tërhequr edhe vizitorë të huaj, shumë kohë më parë.

Lloji kryesor i lëvizjes turistike është padyshim turizmi balnear, por dhe i pushimit, por në të mund të ndërthuren edhe ai agro&ekoturizëm familjar privat, komunal, fshat turistik. Kërkon më tepër? Ke mundësi për turizëm sportiv, i gjuetisë së peshkut, i shpendëve dhe gjitarëve.

Forma të tjera të lëvizjes turistike është dhe ai kulturor, fetar, eskursionizmi dhe turizmi sportiv duke përfshirë sportet alpine si dhe atë të aeronautikës. Vlora është një qytet me mundësi zhvillimi të lëvizjes turistike tranzite ose kalimtare. Këtë ia jep qenia e saj si një nga portet më të mëdhenj në jug të vendit të vendit tonë dhe pika më e afërt e lidhjes Lindje-perëndim, ku qytetet e këtij lloji në botë mbajnë një peshë të konsiderueshme në lëvizjen e turistëve.

Duket gjithçka spontane, një bukuri dhuratë e natyrës, një kombinim i përkryer i detit me malin, një bregdet shkëmbor që nuk mund të mos tërheqë vëmendjen. Është e vështirë të veçosh njërën apo tjetrën zonë për nga bukuria e natyrës dhe peizazhi që të ofron. Duke ndjekur rrugën e Llogarasë, për një distancë vetëm prej disa km ngjitesh në majën më të lartë të Llogarasë ( 1027 m ) dhe pastaj me një herë zbret në kuotën 0, në nivelin e detit ku të shfaqet para syve bregdeti i Dhërmiut.

Duket qartë që nga pikëpamja e burimeve, natyra ka qënë bujare me Vlorën, duke e bërë atë mjaft atraktive, veçanërisht për turistët që preferojnë detin dhe malin, për ushtrimin e sporteve të ndyshme si zhytje nënujore, peshkim, not, alpinizëm, etj.

Pas këtyre gjen vende historike me interes të veçantë, si Plazhi i Grames në Karaburun, Porto-Palermo, Shpella e Piratëve,etj. Kushtet klimaterike që ofron Vlora me një temperaturë mesatare vjetore16.4"C e bëjnë të mundur një veprimtari turistike jo sezonale. Falë kësaj natyre të mrekullueshme, por edhe investimeve të kryera kryesisht nga sektori privat, apo edhe më pak ndërhyrjet në infrastrukturë të disa zonave nga shtetërori, pushimi në Vlorë është i këndshëm. 

Anila Peçi