Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjendje shoku dhe vaj në familjet e viktimave të tërmetit

| E shtune, 11.04.2009, 04:50 PM |


Familjet e viktimave që pësuan në tërmetin në Aquila të Italisë janë të mbërthyer nga vaji dhe pikëllimi për humbjen e të afërmve të tyre...

Speciale nga reporterët e agjencisë së lajmeve INA

Një lajm më i zi që mbërriti mëngjesin e së martës në adresë të familjes Asani nga fshati Sanakos ishte tejet tronditës për shkak të humbjes së jetës edhe të Xhemal Asanit, viktima e pestë nga tërmeti në Aquila. Ndërsa një natë më parë familja Asani ishte njoftuar edhe për vdekjen e djalit të tyre më të madh Refikut. Dy vëllezërit tashmë të ndjerë po punonin mbi 10 vite si punëtorë ndërtimi në Itali. Shtëpitë e tyre në vendlindje këto ditë janë përplotë familjarë dhe miq, të cilët me pikëllim përkujtojnë dhe presin miqtë dhe qytetarë të ndryshëm për ngushëllime.
Një djalë i Refikit para disa ditëve ka qenë në Aquila dhe është kthyer në vendlindje. Ai ndoshta pati fat dhe i shpëtoi këtij tmerri që goditi nga Italia e largët edhe këto familje shqiptare të Pollogut.
“Jemi ndjerë keq dhe po përkujtojmë me pikëllim të madh vëllezërit tanë që pësuan nga tërmeti. Nuk e kemi pritur këtë”, janë fjalët e shkurtëra të familjarëve.
Familja theksoi se po bën përgaditjet për sjelljen e trupave në vendlindje për t`i varrosur, dhe se ata po vazhdojnë kontaktet me ambasadën e Maqedonisë në Romë.
Një fotografi e njejtë mallëngjimi mbretëron edhe në familjen Osmani në fshatin Negotinë të Gostivarit. Pikëllimi edhe më i madh në këtë familje, që përkujton me vaj humbjen e 13 vjeçares Valbona Osmani. Fotografia e vajzës së njomë ishte e vendosur në një tavolinë në oborrin e shtëpisë së familjes Osmani. Xhaxhai saj rrëfen se tërë familja Osmani ka përfunduar nën rrënoja, por kanë arritur që të dalin në hapësirë, përveç 13 vjeçares së vogël. Ajo ishte struktur disa orë para tërmetit nën krevatin e prindërve, duke konsideruar se do të jetë më e sigurt.
Familja Osmani është tmerrësisht e humbur në lotë duke rikujtuar 13 vjeçaren, e cila sipas tyre ishte një vajzë e bukur dhe shumë e afërt me familjen në fshat, edhe përkundër faktit se ishte lindur në Itali. Atmosferë shqetësimi dhe pikëllimi është e pranishme edhe në familjen Ajruli në fshatin Bogovinë të Tetovës, ku gjyshi dhe gjyshja e 11 vjeçares Alena Ajrula, e cila humbi jetën gjatë tërmetit, përkujtojnë gjithashtu momentet trishtuese kur kanë mësuar lajmin e hidhur. Ata janë në gjendje shoku dhe nuk nxjerrin fjalë dot për të thënë ndonjë gjë të veçantë, përveç përshpëritjes së emrit të mbesës së tyre Alena. Viktima e pestë e tërmetit në Aquila është edhe Nurie Abdia 41 vjeçe nga Tetova, e cil ishte zënë nën gërmadha menjëherë pasi ka arritur të largojë nga banesa fëmijët e saj. Përveç pamjeve rrënqethëse dhe ngushëllimit me miq, familjet e viktimat janë të mbërthyer nga emocionet e natës së zezë në Aquila, duke pëshpëritur përse i ka ndodhur një fat i tillë. (INA)

Viktima 11 vjeçare Alena Ajruli

Vëllezërit Refik dhe Xhemal Hasani

Vëllezërit Refik dhe Xhemal Hasani

Viktima 13 vjeçare Valbona Osmani
Viktima 13 vjeçare Valbona Osmani

Për ZSH: Baki Ymeri