Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Skënder R. Hoxha: Përkushtime (Cikël poetik –II)

| E shtune, 11.04.2009, 04:21 PM |


SKËNDER R. HOXHA

PËRKUSHTIME

TUPANXHIU
(Me Din Mehmetin, në Gjakovë, në vitin 1979)
- e shkruar atëherë -

Në rrëmujën e Stacionit të qytetit
Shikimi thehet në rrudhat e ballit të Baclokut
Të tupanxhiut plak si Dukagjini
Me krahun e lëvarur e gishtërinjtë që i dridheshin.

Më tha: U gëzova që t’pashë -
(E më shtrëngoi si mikun e vjetër),
Pak jam plakur Baclok e pleqërisë s’i besohet,
Pak jam sëmurë e kësa edhe lisi i rrëzohet.

I thashë: Jo Baclok, jo, se
Ende duhet ta rrahësh tupanin Dukagjinit,
Ende duhet t’i hapësh frëngjitë e kullave,
Ende të jesh strall i ashtit të stërgjyshërve,
Ende të ndriçojë FENERI YT për ata që po vijnë,
Ende duhet të jetë KRISMË EMRI YT!


FLAKË JANARI

/Jusuf Gërvallës/

Agimeve e muzgjeve shpirt i ndezur

Në unor Dukagjini tej Ylberit

Flakë Janari ku drithërinë zemrat

Flakë janari ku lëshojnë shtat ëndrrat.


Kitarë e përvuajtur në krahë muzash

Me tela të kurdisur n’Dubovik

Harfë e moçme magjepse e fashitur

Lyrë Orfeu e shndërruar në mit.


Në Flakë Janari u lind Kanjushë e Verdhë

Fluturojnë e bien Jusufi tha

Trohat e përgjakura rrugës skamnore

Dimrave të ftohtë duke i mbledhë.


Në hartë Ilire vegim engjëllor

Me duart plot zjarr Prometeu

A është baladë profetike a këngë trimoshi

Rrugës së kalvarit Jusufi Kadriu Bardhoshi

Figura në bronz e në vargje rubaish.


Natë kobtare n’Allaman nxiu

Shtrigat hienat e moheve e pritave

Në llahtari veshur me lëkurë djalli

Thurën shëmtinë në kristale shtrëngatash

Flakë Janari u bë Fanar i pashuar.

(Kjo vjershë u shpërbly me vendin e parë, nga juria, në Orën e Madhe Letrare, mbajtur në kuadër të Flakës së janarit, më 16 janar 2007,  në Pejë.)

RRAP I RRAHUR ERËRASH
(Pofesor Mark Krasniqit, në 88 vjetorin e lindjes)

As frymëzimi nuk më pret të piqet
As fjalët nuk më presin t’i latoj t’i tjerr
I mbaj në zemër në kokë shumë kohë.

Kur në ballë të plakut të urtë të matur
Vezullojnë sytë – frëngji kullash tona
Në ballë i janë regjur breza studentësh
Furtunat e serta veshët ia kanë rrezbitur.
Rrap i rrahur erërash – kurrë shpirt i shitur
Ku zënë fill ëndrrat ku lind “Posta e porositur”.
Po, a ia nisën nga Gllaviçica?
A nisën nga cila kullë e Dukagjinit?
Nga cili amfiteatër, cila ligjëratë?
Cili Kuvend Burrash a cila shtrëngatë?

Nuk shkruaj sot monografi për ty as biografi
Por pak fjalë poeti që s’munda  më t’i ndal
Pa i qitur në letër si TI dikur
Kur i ke shkruar stinëve të rime
Vargjet njomake vargjet e thime
Lexuar i kemi nën hije të çdo lëndine
Heu, ç’më rri  në kokë
Libri yt “Gjurmë e gjurmime”.
Gjurmë ilire – iu the armiqve –
Ka në këto troje herët e tevona
Me penën e shkencëtarit penën e guximit
Siç flasin librat e shenjta për bëlbëzimet tona.

(Shtator 2008)
 
OSHËTIMA E MORDJES SË MADHE
/Më të dëgjuar kumtin për vdekjen e shkrimtarit Azem Shkreli/

Mordja e madhe
Vjen
Pa të pyetur
Kur aspak nuk të duhet
Ty as Fisit
Gurit as lisit
Ajo vjen
Pa të trokitur në derë
Ajo varr e ka
Krejt tokën
Derë e ka krejt qiellin
Ofshamë e ka bubullimën
Dënesje e ka shkreptimën
Vaje i ka
Shirat e të gjitha stinëve
Ajo
Kurrë s’është Falë e Fundit.

POETËT NUK VDESIN
ATA VETËM NDËRROJNË JETË
/Requiem shkrimtarit Beqir Musliu/

Do të shtunave të mesverës ‘96
Në faqet e kulturës së gazetës “Bujku”
(alias “Rilindja”)
Si rrallëherë mbizotërojnë
Përkujtime fotografi shkrime
Për kulturën e të HESHTURIT BUKUR
Për kulturën e VDEKJES KRENARE.

Kryepersonazh shkrimtari Beqir Musliu
Mbijeton edhe vdekjen
Zoti e bekoftë!

Por poetë si Ti nuk vdesin
Ata vetëm ndërrojnë jetë
Për t’ikur nga planet i mërzitshëm
E bëhen zëdhënës në Tempullin e Zotit

Jo most ë joshin hyritë e xhenetit
Se Ti  do të ringjallesh prapë
Kur të digjet Orë e Kukuvajkës
Kurt ë ringjallet Halil Gërria
Kur në Kosovë –
SHTRIGANËT BËJNË VETËVRASJE…


/4.VIII. ’96, Pejë/


MIKUT POET
(Përkushtim poetik – Çelë Bardhajt)

E kërkoj Çelën
nëpër Rugovë
e gjej në ditarë nxënësish
e gjej në tëbana
e gjej në kujtime burrash
e gjej në anekdota
e gjej në këngë

E kërkoj Çelën
Nëpër Kosovë
E gjej në faqe gazetash revistash
E gjej në kulla
Të Dukagjinit të Drenicës
Ballëhapur më thanë kërkoje

Prapë kthehem
Dhe e kërkoj Çelën nëpër Rugovë
Në vendlindjen e tij
Më del përpara një varr i thjeshtë
I Mikut Tim Poet.


/Tetor 1999, Pejë/

MIKU YNË POET
(Requiem Tahir Deskut)

Shpejt iku koha
Pas kodrave të Drenicës
Si pranverat në çantë
Të shkollarit të saj
Tahirit të Siçevës

Vargjet e poetit
Fjalëmbla – metaforë
Nuk harrohen
Rreshtat e gazetarit
Përherë kojtohen

Edhe në fronte lufte
Në Pika në Istikame
Kumbonte
Fjala e zjarrtë
Fjala kushtrim
Kur gjëmonte Llapushniku
Atje ishte Tahiri i Kosovës –
Miku ynë

Breznitë do të pyesin
Athua u zbraz herët
Gotë e jetës
Apo kobi mashtroi
Në fundvjeshtën me brymë?

(Fundnëntor 2008)

(Kjo vjershë u lexua më 3 dhjetor 2008, në Akademinë Përkujtimore, mbajtur në Klinë, më rastin e tre-vjetorit të vdekjes së poetit Tahir Desku.)

TESTAMENTI I NËNËS

Sa herë mendoj fëmijërinë
Më del para

pushteti i nënës.

Në  ëndrrat rinore

kur dua të kthehem
Këshillat e nënës

më lëshojnë zë.

Gjatë jetës pjekur dallgësh

me ylberin tej kodrash
Buzëqeshje e heshtur e nënës

më dilte zot.

Edhe në kujtim të përbotshëm

s’ka të mplakur 

s’ka të harruar

testament i nënës…
                                                                                        

(Shkurt 2009, Pejë)

RRUGËVËSHTIRA E MËSUESVE TANË
(Në kujtim të Ditës së Mësuasit)

U kujtoj për rrugën e përgjakur
Për t’na dhuruar dritën!

U Kujtoj për rrugën e gjatë të shkronjave
Për t’na dhënë gjirin e gjuhës së nënës!

U kujtoj për rrugën e sakrificës
Se për shkronja u bëtë shkronja në gurë!

U kujtoj për fletoret e grisura
Ku shkruat germa të arta shqipe!

U kujtoj për dritën e venitur
të pishës e llambës së vajgurit!

U kujtoj për rrudhat që ia shtuat ballit
Prej hienave ta ruani shlyerjen e EMRIT ILIR…

(Mars 2009)