Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Zëri i zemrës dhe çelsi i syve të botës

| E premte, 10.04.2009, 09:01 PM |


Marius Chelaru
Botime të reja shqiptare në Moldovë

Zëri i zemrës dhe çelsi i syve të botës

(Marius Chelaru, Baladë përditshmërie, botoi Editura Funda?iei Culturale Poezia, Jash, 2009)

Nga Baki Ymeri

Balada e përditshmërisë është vepra e parë e një poeti rumun që del në gjuhën shqipe në Moldovë. Libri i kushtohet Tomisit të lashtë dhe njerëzve që jetojnë sot atje. Tomisi i brigjeve të Detit të Zi është qyteti ku u shpërngul Ovidi pasi e dëbuan nga Roma për motive politike. Marius Chelaru është një dashamir i madh i poezisë shqipe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, autor i një numri të panumërt veprash në fushë të letërsisë dhe kritikës letrare. Ndër të tjerat ka botuar dy antologji me poezi dhe reçensione vlerash nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Vangjush Ziko nga Kanada e vlerëson librin e Mariusit si një ndjesi dhe kënaqësi të pranisë në aktin magjik të shndërimit të materjes së thjeshtë të fjalëve në mendime dhe ndjenja të thella, në figura të gjalla origjinale, në tabllo poetike sa reale aq edhe sureale. Poetit i duket jeta si një film në TV: “Vjen mbrëmja/ qyteti fshihet nga sytë e mi/ kalimtarët i shpiejnë ëndërrat në kullotje/..../ heshtja vesh teshat e buçitjes së gruas së braktisur/ që ka kundërmimin një hapi të degdisur nëpër kujtimet e saj”. Si i përshkruan poeti brigjet e Detit të Zi!

“Qyteti gjuan shpirtëra në natën e shprishur si një pëlhurë e vjetër”. Në Deltë parajsa rri këmbëkryq me ferrin/ një çukë zogu kokëkëputur kullot shuplakën e katilit në kostum proteksioni/ në bregun e qytetit/ të degdisur në ditën e sotme/ rrinin banorët/ nxjerrnin fall në letra larot/ nuk e dija pse banonim të gjithë në të njëjtën ditë në qiell/ dy kaproj kullosnin yjet e harruara përmbi natë/ çdo burrë zhytej në bukurinë e kësaj dite të braktisur nga dashuritë/ si në një zemër në formë bazeni olimpik një rrugë e braktisur kullon gjak”. Poeti e ndjen veten e lidhur me zinxhirë për fatin, i pavdekur, i mbëltuar në trupin e jetës së lulëzuar. Fjalët e ëmbla burojnë nga loçka e zemrës dhe buzët e femrës. Dashuria për poetin “fle e çveshur si një lumturi e shpleksur/ në brendinë time/ duke e turbulluar britmën e parë të dheut që ma dha Zoti/ kur shpresoja/ për padhembshmërinë e territ paraprak”. 

Poeti vdes duke heshtur në gjuhën e dashurisë

Poeti  vdes i shtrirë mes ëndrrave në shuplakën e përjetësisë së zhurritur të çastit. Bota për poetin është ngritur nga pyje lotësh mbi qerpikët e proshkura të Zotit. Sipas tij, “Adami e ka  kafshuar gjirin e Evës  duke e thithur helmin e klithmës së parë/ nga faqet e buzëve të Evës u shkëputën / të mugulluara tashmë si hije urejtja dhe vuajtja”. Sipas poetit, “Zoti e mbëltoi buzëqeshjen e tij në çdo hije/ në çdo fytyrë të fryteve/ pranvera i praroi njerëzit/ pyjet i praruan kafshët e para/ agimet shpërthyen nën vetullat e qiellit/ qielli - lypës i përulur i engjëjve/ përfitoi dimensione të ngarkuara me hidhërim/ mrekullitë u bënë shënjestër gjuetie/ perënditë ikën nëpër dritaret e shpirtit/ era rrjedh nëpër damarët e botës/ mbi të cilat notojnë lotët e fillimeve / me petalet e shpërndara mbi flatrat e engjëjve/ të hapura për lutje”. Kjo është bota e poetit në të cilën prokurorët mbledhin llogaritë e politikanëve, një botë e harlisur ku “peshqit përpëliten në rrjetë duke qarë/ pas zogjve të djegur/ njerëzit bërtasin në brendi të tyre/ tërhiqen nëpërmjet shpirtërave të të tjerëve/ të trembur se ende jetojnë/ do të shenjtër që më presin nga fëmijëria/ m’i lexojnë poezitë e botuara mbi faqen e ditës së sotme/ ndjej se si bota rrjedh nëpër damarët e mi”.

Mbrëmja e ngrysur për poetin është “si një vetmi e braktisur/ me dritaret e mbyllura nga rrugica/ që përplaset mbi pasqyrën/ ku e kam harruar shëmbëlltyrën/ porsi një poemë në buzët e një femre”. Poeti shkruan për gra të bukura që “presin të izoluara si do nimfa në këtë sekondë/ në të cilën vdekja gjëmon nga pamundësia se të gjithë do të mbeten të rinj/ vallë a do të shpërndahen ndonjëherë kujtimet nëpër fushë / duke e ntrashur dheun mbi të cilin rriten sytë tanë/ pesha e vashës përballë shembet mbi murin përballë/ në valë gjaku/ mollat si do re shiu lotojnë në shuplakë / në të cilat do të duhej të jetë shpata. Poezia sipas Mariusit është Çelsi i syve të botës. “Poeti mbledh bërthamat e çveshura të zemrës dhe vdes duke heshtur me gjuhën e dashurisë”. Çdo jetë kultivon në kopshtin e saj vdekjen e fshehtë/ ndërsa unë jam një faqe e Librit”.