E merkure, 24.04.2024, 01:19 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Gabimet e Fan Nolit për Skënderbeun

E premte, 10.04.2009, 07:20 PM


Gabimet e Fan Nolit për Skënderbeun*

(Ose: Pse Noli ndryshoi mendim për Skënderbeun)

Fan Noli i ka kushtuar Skënderbeut dy vepra, të parën botuar më 1921, të dytën në gjuhën angleze më 1947, në shqip më 1950 e më pas ribotuar në shqip tri herë (1962, 1967, 2004). Botimi i vitit 1947 është vazhdim i atij të vitit 1921, por me disa përmirësime, i mbështetur në më shumë dokumente. Disa nga vlerat e veprës së Nolit do të ishin: Së pari, historiani Fan Noli ka punuar me përkushtim për të dhënë një vepër, e cila i ndriçon më shumë disa aspekte të veçanta të epokës së heroit. Së dyti, autori është përpjekur ta vendosë Skënderbeun në një rrafsh historik, duke i trajtuar disa nga luftërat e Skënderbeut me turqit osmanë me një këndvështrim më realist. Në këtë sens nuk është pajtuar me mendimin e historianëve kritikë se historia që i është kushtuar Skënderbeut “është një balon i fryrë”. Së treti, duke u mbështetur tek Barleti, Frangu e Bardhi, ka argumentuar origjinën shqiptare të Kastriotëve, duke hedhur poshtë pikëpamjet që i kanë paraqitur me origjinë sllave. Së katërti, ashtu si Barleti, ka përcaktuar faktorët që vendosën fatin e luftërave, rezultatin e tyre në favor të forcave ushtarake shqiptare me prijës Skënderbeun, ku si më kryesore ka konsideruar karakterin popullor të luftës; doktrinën e përsosur ushtarake, të hartuar e të zbatuar nga Skënderbeu; cilësitë luftarake të popullit; pozitën gjeografike të vendit, si dhe faktorin e jashtëm, ndikues të vendeve të Adriatikut, sidomos të Papatit.

Në krahasim me librin e parë, vizioni i Nolit në botimin e dytë ka ndryshuar. Ai ka bërë disa ndryshime, të cilat kanë cenuar disa nga çështjet thelbësore që janë trajtuar në veprat e tyre për Skënderbeun, nga dy historianët më të hershëm shqiptarë, Marin Barleti e Dhimitër Frangu. Në kundërshtim me atë që kishte pohuar më parë, në veprën e dytë, ka shkruar një kapitull të titulluar “Trillime legjendare”, prej 22 faqeve, ku përpiqet të rrëzojë jo vetëm Barletin e Frangun, por edhe dhjetëra historianë e studiues të shquar për karakterin objektiv të veprave të tyre, veçanërisht për pozitën social-ekonomike të Kastriotëve, origjinën krahinore të tyre, për fëmijërinë e rininë e Skënderbeut dhe për vlerësimet që i janë bërë Heroit për fitoret me turqit osmanë.

Jo vetëm në kapitullin “Trillime legjendare”, por në mënyrë fragmentare, këtë qëndrim ai e ka shprehur edhe në pjesë të tjera të librit të tij, në vlerësimet që u ka bërë autorëve të veçantë, të cilët me prirjet e tyre kanë synuar të zhvlerësojnë veprën e Barletit e të Frangut për qëllimet e tyre të caktuara, siç do të shihet qartë gjatë shtjellimit që po i bëjmë kësaj teme. Vetë titulli “Trillime legjendare” zbulon qartë prirjen e Nolit për të revizionuar pjesë të rëndësishme të historisë së Skënderbeut. Që në hyrje ai shkruan: “Historia e Skënderbeut është një tregim i pabesueshëm, ashtu si çdo legjendë... Dy historianët shqiptarë (pra, Barleti dhe Frangu)... pa pikë dyshimi janë panegjiristë... historia e tyre mund të kontrollohet, të ndreqet e të plotësohet...”. Dyshimi i Nolit në vërtetësinë e veprave të këtyre historianëve duket edhe tek pyetja që shtron: “... A është vallë historia e Skënderbeut një mit apo një fakt historik?

Me këtë këndvështrim, Noli merr përsipër për të zgjidhur këtë problem që të “shpëtojë” Skënderbeun nga gjithçka që i kanë veshur me “të padrejtë”, dy historianët të “verbuar prej fanatizmit admirues për heroin”. Me këtë qëndrim Noli është ndikuar nga historianët kritikë, gjë që del edhe nga fjalët e tij: “Historianë kritikë në përgjithësi pretendojnë se më të shumtët e fitoreve të Skënderbeut kanë qenë pak a shumë të zmadhuara prej biografëve të tij, një gjë që është e vërtetë deri në një farë pike”.

Gabimi i Nolit është se duke iu përmbajtur formulës së kalimit të heroit në tri faza; në atë të ngritjes lart, të uljes poshtë dhe të ngritjes përsëri, ai nuk është mbështetur tek historianët që e kanë vlerësuar lart Skënderbeun e që përbëjnë shumicën, por tek pakica që e kanë ulur poshtë e që e kanë nismën që nga shekulli i XVII, konkretisht me historianët Spondano, Biemm, Voigt, Gibbon, Jorga e ndonjë tjetër. Skënderbeu nuk u përket atyre heronjve, për të cilët ndoshta kishte lindur nevoja të kalonin tri fazat e vlerësimit. Historianët e shquar shqiptarë dhe ata të huaj e kanë vënë atë në shkallën e parë, ku ka qëndruar e do të qëndrojë përgjithmonë.

Noli nuk u është shmangur edhe disa të metave e dobësive të tjera. Një ndër të metat e veprës së tij konsiston në atë që ka vërejtur Aleks Buda; te paaftësia për të përcaktuar drejt veçoritë e strukturës ekonomiko-shoqërore në atë fazë të zhvillimit mesjetar ku ka vepruar familja e Kastriotëve. Tiparet e marrëdhënieve feudale, Noli i ka analizuar e përcaktuar në kundërshtim me realitetin që ekzistonte. Duke mos dalluar marrëdhëniet tipike feudale, ai arrin në përfundimin e gabuar se Kastriotët, pra, dhe Skënderbeu, nuk ishin krerë feudalë, por krerë patriarkalë të fshatarësisë së lirë. Me këtë përcaktim Skënderbeu përjashtohet nga klasa feudale. Kjo cektësi e Nolit lidhet me faktin se ekzistencën e bujkrobërve dhe të fshatarësisë që u paguante feudalëve haraçin e detyrimet e tjera, nuk e ka parë si veprim që kryhej edhe në marrëdhëniet me Gjon Kastriotin e më pas edhe me Skënderbeun. Pikërisht, kjo është një marrëdhënie tipike feudale dhe kjo familje hynte në këtë raport në funksionin e feudalit. Që Kastriotët kishin një pozitë ekonomike e shoqërore të kësaj shtrese e përcakton qartë edhe një indikacion i një dokumenti të Venedikut më 25 maj 1433, në të cilin flitet për të “ikurit” (bujkrobërit e skllevërit), të cilët me vendim të senatit të Venedikut iu kthyen Gjon Kastriotit sipas kërkesës së tij. “Nga ky dokument, thotë A. Buda, rezulton qartë se në domenet e Gjon Kastriotit sundonin raporte feudale tipike për gjithë mesjetën”. Është e kuptueshme që këto raporte tipike feudale në kohën e sundimit të Skënderbeut lulëzuan edhe më shumë. Mbi bazën e marrëdhënieve feudale që ekzistonin, feudalët në zotërimet e tyre kishin krijuar aparatin e vet të sundimit dhe ishin forcuar politikisht. Nëse Skënderbeu nuk do të kishte një pozitë ekonomike-shoqërore të tillë, nuk mund të luante rolin e tij në kapërcimin e anarkisë feudale, që është “konditë paraprake e domosdoshme” për forcimin e një shteti të centralizuar nacional. Noli shkruan se “ishte e natyrshme për Skënderbeun ti heq qafe këta krerë centrifugalë dhe ti aneksojë kantonet e tyre, të bashkojë vendin kundër turqve dhe venecianëve”.

Por në interpretim Noli gabon, kur duke u mbështetur tek analiza e cekët e Gjon Muzakës, thotë: “Krerëve su mbetet gjë tjetër veçse të kërkonin mbrojtje tek këta turq ose venecianë”. Ai, nga ana tjetër, nuk ka analizuar drejt se masat shtrënguese që përdori Skënderbeu ndaj feudalëve të pabindur u bënë faktori kryesor që ai mundi të përballojë me sukses rivalitetin e krerëve feudalë, lëkundjet e tyre, por edhe faktin, se ai me politikën e tij të zgjuar e shfrytëzoi me efektivitet kontributin e tyre për qëllimin kryesor, luftën kundër pushtuesve osmanë. Të vetmit që mbetën deri në fund jashtë ombrellës së Skënderbeut ishin Dukagjinët, të cilët në fund edhe ata duket se u penduan për qëndrimin e tyre. Lekë Dukagjini ishte ai që u përlot, që shprehu dhimbjen e madhe dhe vlerësoi më shumë se kushdo Skënderbeun, kur ndërroi jetë.

Është politika e zgjuar e Skënderbeut që feudalët, kush më shumë e kush më pak, dhanë kontributin e tyre sipas premtimeve të marra në Kuvendin e Lezhës. Ishte po kjo politikë frymëzuese që duke ndjekur shembullin e Skënderbeut, disa prej tyre e kuptuan si të domosdoshme lidhjen e aleancave me vendet e Adriatikut, sidomos me mbretërinë e Napolit, pavarësisht sa të qëndrueshme ishin këto aleanca. Në këtë periudhë me luftëra të njëpasnjëshme me turqit osman, politika pragmatiste ishte dominuese. Mendojmë se përjashtimi i Kastriotëve nga klasa feudale, është ngritur tek Noli edhe për një arsye tjetër. Ai i është përmbajtur pikëpamjes së shprehur që në librin e parë të tij, më 1921, se Kastriotët kishin prejardhjen nga një shtresë e ulët fshatare. Në kristalizimin e këtij mendimi ka ndikuar shumë shtrembërimi që i ka bërë kësaj çështje Gjon Muzaka, i cili ka pohuar se Kastriotët kanë zotëruar dy fshatra në Dibër, pohim, i cili, siç do ta shohim gjatë trajtesës sonë, hidhet poshtë me analizën që do të bëjmë dhe argumentet që do të sillen.

Fan Noli është njohur me dokumente të shumta, të autorëve që përkojnë me tregimet e Barletit për epokën e heroit dhe, në mënyrë të veçantë, pa përjashtim, të atyre që janë treguar të pakursyer në kritikat ndaj këtij autori. Në vlerësimet që ka bërë për veprën e Barletit, sidomos për jetën e Skënderbeut dhe famën e tij, Noli është treguar jo më pak kritik. Sipas tij, në këtë vepër Skënderbeu është pasqyruar si një “mit” jo real. Kjo përbën thelbin e kritikës së Nolit ndaj veprës së Barletit. Ky qëndrim e ka burimin tek njëanshmëria në vlerësimin e dokumenteve. Ai ka shfaqur dyshime në vërtetësinë e dokumenteve më të hershme, të dorës së parë, jo vetëm të autorëve shqiptarë, por edhe atyre të huaj, si të kohës së Skënderbeut ashtu dhe të periudhave të mëvonshme. Duket prirja për tu mbështetur në dokumente të dorës së dytë; pajtohet me autorë të dyshimtë, madje edhe me disa nga ata që janë kritikuar si falsifikatorë, manipulues e me doza të shumta antishqiptare. Që këtyre autorëve u ka dhënë përparësi, shihet edhe në referimet e citimet e shumta. E dëshmojnë këtë edhe statistikat formale. Kështu, në plan të parë Noli ka vënë Biemm-in me mbi 76 referime e citime, Fallmerajer me mbi 36, Hoph, Jorga, Jireçek, Makushev etj. Ndërsa, Dhimitër Frangut i është referuar vetëm 10 herë dhe më shumë për raste që nuk pajtohet, siç ka bërë të shumtën e herës edhe me M. Barletin.

Te Noli, në jo pak çështje esenciale, bien në sy trajtimet me doza subjektiviste. Në trajtimet e njëanshme të tij kanë ndikuar edhe dy faktorë të tjerë: e para, prirja për të konsideruar të vërteta të dhënat e Biemmit dhe vlerësimet e pabazuara në dokumente të disa autorëve të huaj, të njohur për anësi nacionale. Së dyti, Noli nuk ka qenë në gjendje të bëjë si duhet analizën e tërësisë së faktorëve veprues, në kushtet e rrethanat e caktuara të jetës e të veprimtarisë së Skënderbeut, në periudhën e luftërave të vazhdueshme me turqit osmanë.

Këto dy dobësi të Nolit bëjnë që trajtimet e tij të jenë kontradiktore, larg nga të vërtetat që kanë shprehur për të njëjtat çështje Dh. Frangu dhe M. Barleti. Veçanërisht Biemmi është mbështetur pa rezerva nga ana e Nolit. Tek Noli është krijuar mendimi se me që Biemmi ka zbuluar veprën e Anonimit Tivaras (2 prill 1480) mbi Skënderbeun, me referencat e citimet e shumta nga kjo vepër, që konsiderohet më e hershmja në historiografinë shqiptare për epokën e heroit, duhet të besohet si e vërtetë në informacionet që ka sjellë. Ai thotë se: “Pikësëpari, libri i Tivarasit, siç mund të vërtetohet fare mirë nga referencat dhe citatet e shpeshta të Biemmit, është në mënyrë të pamohueshme një burim i pavarur, plot të dhëna që vërtetohen nga burime të tjera. Nga ana tjetër... është shumë e vështirë të besohet që një historian si Biemmi të ketë bërë një falsifikim”.

Nëse i përmbahemi mendimit se libri latinisht i vitit 1480 me autor anonim “Antivarino”, identifikohet me Dhimitër Frangun, nuk vihet në dyshim vërtetësia e kësaj vepre, siç e pohon edhe Noli, botimi i së cilës, tashmë është bërë i njohur për lexuesin shqiptar. Noli nuk ka analizuar vërtetësinë e referimeve dhe të citimeve të Biemmit që thuhet se i ka marrë nga Antivario, për të thurur veprën e vet mbi Skënderbeun. Kështu, ky autor nuk ka bërë dallimin ndërmjet Dh. Frangut si historian i mirëfilltë dhe Biemmit, si pirat e falsifikator i ngjarjeve e fakteve të treguara me vërtetësi nga Dhimitër Frangu. Duke u mbështetur tek Biemmi, u ka dhënë karakter jo realist disa prej të vërtetave thelbësore të historisë së Skënderbeut të Dh. Frangut.

Biemmi ka luajtur rolin e piratit e të shtrembëruesit të fakteve jo vetëm për veprën e Dh. Frangut, por edhe të M. Barletit, ku në mënyrë identike ka kopjuar ato që i kanë interesuar, ndërsa plot të tjera i ka ndryshuar e interpretuar si profesionist falsifikimesh. Siç shihet, Fan Noli, duke pasur Biemmin si më të besuarin, në referencat e tij, dhe Barletin si më të dyshuarin, ka qenë i prirur për ta rrëzuar këtë të fundit.

Përveç Biemmit e disa autorëve të tjerë që u është referuar, trajtesën e Nolit e kanë dëmtuar edhe mbështetja në të dhënat e Gjon Muzakës, të cilat i ka marrë nga përkthimi që i ka bërë Hoph, të njohur më 1864, në një vepër të titulluar “Croniques” (Kronikat). Është një “gjenealogji” e Muzakës, dorëshkrim, e vitit 1510, të cilin Hoph e zbuloi në një bibliotekë të Napolit. Në këtë “gjenealogji” familjare, Gjon Muzaka trajton në mënyrë fragmentare edhe pak gjëra nga historia e Skënderbeut, ndër të cilat duken edhe kopjimet për disa dëshmi që ka marrë nga vepra e Frangut dhe e Barletit, duke qenë se këtë “gjenealogji” e shkroi pas këtyre dy autorëve. Noli, të dhënat që shpreh Muzaka për Skënderbeun, ndryshe nga Barleti dhe Frangu, i vlerëson si të një rëndësie “nga më të mëdhatë për historinë e Skënderbeut”. Dhe për shkeljet e përditshme nga turqit, ai e vlerëson aq lart atë sa shprehet se “efektet demoralizuese (të këtyre shkeljeve) përshkruhen në mënyrë madhështore prej Gjin (Gjon) Muzakës”. Noli i bën këto vlerësime kur Gjon Muzaka nuk është i njohur si historian, studiues apo krijues në ndonjë fushë të caktuar. Dhe për më tepër i quan të sakta pohimet e tij, të ndryshme nga ato të dy historianëve të Skënderbeut, kur ato janë vetëm një thënie e këtij personi, kur nuk tregohet asnjë burim tjetër dokumentar referimi. Nga ana tjetër, Noli nuk ka mbajtur parasysh se Gjon Muzaka në mënyrën më të shfrenuar ka shfryrë urrejtjen e tij të thellë ndaj Skënderbeut, duke e akuzuar atë pa drejtësisht për inate krejtësisht personale.

Për të kuptuar këtë qëndrim të këtij personi ndaj Skënderbeut, mjafton të përmendim këto shembuj:

Së pari, Gjon Muzaka që të ngrejë lart veten, është përpjekur të injorojë Skënderbeun, duke e quajtur me prejardhje nga fshatarësia patriarkale, me të cilën është pajtuar edhe Noli në analizën sociale-ekonomike të Kastriotëve. Duke marrë shkas nga kjo, Noli arrin deri atje që të pohojë se Skënderbeu mohoi edhe “llagapin e tij”, gjë që bie në kundërshtim me dokumentet historike. Në çdo korrespondencë Skënderbeu ka nënshkruar: Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).

Së dyti, e ka konsideruar Skënderbeun si “arrivist dhe uzurpator që u mor me aneksimin e tokave të principatave fqinje”. Noli e përqafon këtë mendim duke u shprehur: “Dëshmia e tij është, pra, shumë më e vlefshme se ajo e biografëve të tjerë, që janë pak a shumë lavdërues (të Skënderbeut)”. Është një arsyetim pa analizë, që e ka bërë Nolin të mos kuptojë dobinë e madhe që solli ky veprim i drejtë i Skënderbeut. Nëse nuk do të ndiqej kjo rrugë, Skënderbeu nuk arrinte të krijonte bashkimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë nga turqit osmanë. Kuptohet që kjo është një urrejtje e diktuar nga interesa të ngushta personale të Gjon Muzakës, të cilin ashtu siç bëri me të tjerët, edhe atë, Skënderbeu, për hir të interesave të atdheut, e zhveshi nga zotërimet e veta.

Së treti, që Gjon Muzaka përpiqet të ulë rolin e Skënderbeut si prijës të shqiptarëve në betejat kundër turqve osmanë, duket me shtrembërimet flagrante që ai u ka bërë trimërive dhe fitoreve të shqiptarëve dhe të Heroit, sa konkludoi se ata kishin arritur në një gjendje disfatiste, të dëshpëruar dhe pa shpresë. Këtë gjendje ai e përshkruan me nota dramatike: “Atëherë nisën luftërat e paprera të turqve në Shqipëri, në të cilat humbën jetën shumë kapedanë e trima fisnikë; ... pothuaj gjithë djemtë e rinj të Shqipërisë ishin vrarë, edhe nuk kishin mbetur veçse disa pleq të pakët, edhe fuqitë e tyre ishin rraskapitur...”. Dhe Noli këtë situatë demoralizuese e quan një përshkrim në mënyrë madhështore prej Gjon Muzakës.

Nëse do të ishte e vërtetë ajo që pohon Gjon Muzaka, atëherë tërë dokumentet që kanë vërtetuar të kundërtën do të duhej të bëheshin të pavlefshme. Fitoret e Skënderbeut kanë qenë fakt historik gjatë njëzetë e pesë vjetëve. Përveç dy betejave të humbura, Skënderbeu ka njohur vetëm fitore, disa nga të cilat kanë qenë edhe të bujshme. Dhe, pra, kuptohet se këto luftëra nuk mund të kurorëzoheshin me sukses me ata “pak pleq të rraskapitur”, pa forcën e gjallë të rinisë dhe të mbarë shqiptarëve.

Gjon Muzaka bën pjesë në radhën e atyre që të dhënat e tij duhen analizuar me rezervë dhe vetëm kur ato dëshmohen edhe me dokumente të tjera, ngaqë në jo pak raste është treguar edhe kontradiktor me thëniet e tij.

Noli është pajtuar edhe me thëniet e paargumentuara të N. Jorga e Pall se biografët vendas të Skënderbeut janë “panegjiristë”, se ata duhen marrë “me rezervë”. Ka kopjuar e bërë pronë të tij kritikën që i është bërë Barletit për stilin “tuqididian”, të përsëritur edhe nga Falmerajer dhe Biemmi që me sarkazëm thotë se Barleti “desh të na jepte një epope me stilin antik”. Hedh poshtë të vërtetat e Barletit e të Frangut mbi dorëzimin peng të Gjergjit (Skënderbeut) në moshën 8-9 vjeç, duke u bazuar te të ashtuquajturat kontradikta që kalvinisti Spondano paska zbuluar tek vepra e Barletit dhe e Frangut. Ka kundërshtuar praninë e Skënderbeut në oborrin e sulltanit, vetëm me një thënie të Jireçekut se Skënderbeu u rrit në malet shqiptare pranë prindërve e jo në oborrin e sulltanit, duke marrë për bazë edhe dokumentin e Hilandrit të vitit 1426, vetëm nga fakti se aty figuron emri i Skënderbeut. Ka pranuar, siç e thotë vetë, “të vërtetë deri në një farë pike” thëniet e autorëve kritikë se “të shumtat e fitoreve të Skënderbeut kanë qenë pak a shumë të zmadhuara prej biografëve të tij (Barleti e Frangu)”, kur shumica e historianëve pohojnë se Skënderbeu i mundi turqit në të gjitha betejat që bëheshin vit për vit, përveç dy disfatave të njohura, asaj të Sfetigradit dhe Beratit. Noli është treguar i lëkundur edhe për këtë fakt historik. Ai, duke mos u dhënë përgjigje kritikave për “zmadhimet” e fitoreve të Skënderbeut, mbështetet tek një pohim që ka bërë Fallmerajeri se “Ekspeditat kryesore të dy sulltanëve të mëdhenj përfunduan me dështim të plotë dhe formojnë thelbin e tregimit (të Barletit e të Frangut)”. Pothuajse të njëjtën gjë pohon Noli, kur thotë: “...po të jenë fakte të vërtetuara këto ekspedita të mëdha të udhëhequra personalisht prej dy sulltanëve të mëdhenj...do me thënë që sulltanët dështuan në përpjekjet e tyre për ta mundur Skënderbeun dhe për të shtënë në dorë kështjellën e tij. Ky është, në bërthamën e tij, problemi qendror i historisë së Skënderbeut”.

Është e vërtetë që me këto fitore të bujshme përballë një armiku të egër, të përgatitur e armatosur plotësisht dhe me forca dhjetëra herë më të mëdha se ato të Skënderbeut, dëshmohet se ai i ka mundur turqit osmanë edhe në të tëra betejat e tjera të njëpasnjëshme.

Por nuk është e mjaftueshme të pohoheshin vetëm fitoret e Krujës, ndërsa për të tjerat të heshtej, siç ka bërë Noli, ose ti vinte ato në pikëpyetje duke shprehur mendimin se “megjithatë, problemi i ngadhënjimeve të tjera të Skënderbeut sduhet tu shpëtojë syve tanë; në rast se këto fitore mund të vërtetohen në mënyrë të qartë...”. Me këto lëkundje e dyshime ndaj Barletit e Frangut, Noli ka lënë shteg për të krijuar shumë dyshime. Këtë bindje e krijojnë edhe shembuj të tjerë. Siç e përmendëm më lart, Noli për të rrëzuar të vërtetat e dy historianëve shqiptarë mbi marrjen peng të Gjergjit në moshën 9 vjeç, ka kopjuar pa asnjë ndryshim fjalët e kalvinistit Spondano mbi “kontradiktat” tek vepra e Barletit. Sipas Spondanos dhe Nolit, që është pajtuar me të, Gjergji nuk ka qenë 9 vjeç kur Gjon Kastrioti ia dorëzoi peng Sulltan Muratit II, sepse viti i lindjes së tij, 1405, me ardhjen e Sulltan Muratit II në front më 1421, nuk përputhen. Siç e ka marrë tek Spondano, këtë mospërputhje ai përpiqet ta analizojë duke shpjeguar se kjo kundërshtohet prej “aritmetikës dhe kronologjisë” . Këtë Noli e quan “kontradiktë të brendshme”.

Në veprën e M. Barletit nuk ka pasaktësira as për moshën e dorëzimit peng, as për kohën e qëndrimit në Turqi të Skënderbeut dhe as për fitoret dhe luftërat me turqit osmanë. Në vazhdim të trajtimit që përpiqet tu bëjë kontradiktave, Noli thekson: “Kontradiktat e brendshme të legjendës janë krejt fantastike. Një djalë i vogël dërgohet në një shkollë ushtarake pranë një pallati perandorak, e ndjek atë 15 vjet rresht (cituar tek Lybyer kap. Mbi kolegjin e pazhëve, f. 73-74), dhe e mbaron shkollën si më i papërmbajturi i gjithë kapadaive”. Edhe ky hamendësim hidhet poshtë nga historianë e kronistë të shumtë. Dhe në vazhdim përsëri vë në dyshim pamundësinë që “ky djalë i vogël rritur si një mysliman i mirë që prej moshës para njëzetë vjetëve e gjer në dyzetat dhe bëhet një nga kryqtarët e krishterë më fanatikë të gjithë kohëve!”.

Edhe këtë çështje e ka shpjeguar në mënyrë bindëse M. Barleti, i cili shkruan se “Ai (Skënderbeu) vetëm sa për sy e faqe mbante emrin mysliman, por për brenda ruante të fortë mësimet e krishtere”. Edhe Fallmerajer pajtohet me këtë mendim. “Për Skënderbeun vetë mund të besohet që në fillim se, brenda në zemër, kurrë nuk pushoi se qeni i krishterë”. Kur u kthye në Krujë, thotë Barleti, edhe “nipi i tij, Hamza Kastrioti, me rastin e festës së krishtlindjeve u pagëzua”. Si përfundim, duhet thënë se feja nuk mund të merret si argument për të vërtetuar atë që përpiqet të bëjë Noli, se Skënderbeu ka vepruar me fenë si i ati dhe se ai ka qenë pranë familjes.

Për të zhvlerësuar “legjendën” e Barletit, Noli përpiqet të kapet edhe tek pohime të tjera të kalvinistit francez Spondano. “Spondano, thekson ai, ka qenë i pari, që e mori me mend se Gjon Kastrioti ishte detyruar pas 1430-s ti jepte të bijtë si peng dhe se atëherë Skënderbeu ishte 26 vjeç”. “...Gjon Kastrioti, kur e pa se nuk mund të matej në luftë me Sulltanin, kërkoi të bënte paqe me të dhe dorëzoi si pengje besnikërie Krujën, kryeqendër të zotërimeve të tija qytet shumë të fortifikuar, bashkë me të bijtë, ndër të cilët edhe Gjergjin më të voglin e tyre...”

Noli, ashtu si për mjaft aspekte të tjera, nuk ka mundur të konstatojë dy gënjeshtra të Spondanos. E para, kështjellën e Krujës, turqit e kishin nën zotërimin e tyre që nga viti 1415 dhe aty kishin vendosur garnizonin ushtarak. Është jashtë mendjes që Gjon Kastrioti tu pohonte turqve si peng besnikërie Krujën, kur këtë kështjellë turqit e kishin vetë në dorë. E dyta, dorëzimi i bijve peng pas vitit 1430 nga Gjon Kastrioti hidhet lehtësisht, veç të tjerash, edhe me këtë arsyetim: Historikisht është pranuar se Reposhi, vëllai i Skënderbeut ka qenë martuar me një turkeshë, kuptohet pasi ka shkuar si peng në Turqi. Nga kjo martesë ka lindur Hamza Kastriotin, i cili gjithashtu është dëshmuar se edhe ai ka qenë i martuar me një turkeshë dhe se ka pasur me të dy fëmijë. Kjo është vërtetuar me largimin e tij në Turqi, pasi e pati burgosur Skënderbeun për tradhti. Nëse pranohet se Gjon Kastrioti i dorëzoi të bijtë peng pas 1430-s, nuk mund të shpjegohet që Hamza, i lindur në Turqi pas 1430, të kthehej në Shqipëri bashkë me Skënderbeun në vitin 1443, kur ai nuk do ishte më shumë se 13 vjeç. Duke gjykuar nga mosha është absurde të mendohet se Hamza duhet të jetë martuar pas 1430-s me një turkeshë edhe të kishte dy fëmijë. Fakti që Hamza u kthye bashkë me Skënderbeun duke lënë familjen në Turqi, tregon se ai ka qenë edhe vetë atje. Kjo përjashton hamendësimet se ai do të ketë qenë i martuar në Shqipëri, para se i ati të merrej peng më 1430. Fakti që edhe i ati është martuar me një turkeshë, lë të nënkuptohet se edhe ai këtë akt martese e ka kryer kur ishte në Turqi dhe, duke qenë se familja e fëmijët ishin atje, nuk mund të mendohet se ai qëndronte pranë prindërve në Shqipëri. Nga ky arsyetim del se Gjon Kastrioti, bijtë e vet, ku përfshihej edhe Gjergji si ka dorëzuar peng më 1430, siç pohon Spondano e siç e pranon Noli, por shumë kohë më parë.

Mungesa e besimit të Nolit ndaj dy historianëve vihet re edhe në një detaj që në pamje duket pa rëndësi, por në thelb ka mjaft rëndësi. Në tërë veprën e tij ai u referohet atyre vetëm në rastet kur ato përputhen me mendimet e tij dhe asnjëherë kur ky mendim bie ndesh me të vërtetën. Dhe ajo që bie në sy është se edhe kur citon, paralel me to, vë edhe autorin që ai preferon, madje i jep përparësi edhe pse ai është shumë më i vonshëm në kohë. Kështu janë fare të pakta citimet e Barletit, ku krahas tij, të mos ketë cituar edhe Biemmin, që kopjon Barletin për të njëjtën gjë.

Një nga të metat e rëndësishme që ka cenuar veprën e Nolit është se ngjarjet e faktet ai i ka marrë të shkëputura nga kushtet e rrethanat ku ato kanë ndodhur. Ai nuk bën analizë konkrete në kushte konkrete. Nuk përdor metodën krahasuese e ballafaquese dhe logjikën historike. Pa këtë analizë nuk mund të bëhet histori, nuk mund të arrihet tek e vërteta, ngjarjet e faktet nuk mund të pasqyrohen drejtë e me vërtetësi siç e kërkon rregulli i historisë.

Pozicioni kritik i Nolit ndaj Barletit del edhe më qartë kur citon dhe pajtohet me përfundimet që kanë nxjerrë historianët që e kanë shtrembëruar atë. Ai shkruan: “Posi Tuqididi, Barleti e koncepton historinë si një degë të retorikës të përberë prej betejash e fjalimesh. Ai rrallë jep ditën, muajin ose vitin... Me disa përjashtime të pakta datat e tij janë të gabuara. Ai ngre në qiell fitoret e heroit, ndërsa fatkeqësitë e tij i kalon në heshtje. Të vrarët turq i shumëzon me mijëra, ndërsa humbjet shqiptare i pakëson me disa dhjetëra, megjithëse e pranon se një gjë e tillë duhet të ngjasë vetëm në poezi dhe jo në histori. Për ta thënë shkurt, sa disa historianë kritikë, si Spondanoja, Gibboni dhe Jorga arritën në përfundimin se vepra e tij “Vita” është krejt pavlerë”.

Këto përfundime me të cilat Noli pajtohet, siç kemi theksuar dhe më lartë, i ka të huazuara nga autorë të ndryshëm. Në radhë të parë ai kritikon Barletin për përshkrimin e betejave dhe fjalimet që i ka pasqyruar në veprën e tij. Është e vërtetë që Barleti në veprën e tij ka pasqyruar betejat e zhvilluara me turqit osmanë dhe ndërkohë ka theksuar se Skënderbeu u fliste ushtarëve para dhe pas betejës. Fjalët e Skënderbeut ishin për ushtarët udhërrëfyese për format e luftimit, për mënyrën e mbrojtjes së tyre gjatë përleshjeve me armikun dhe shërbenin si burim frymëzimi për ta. Barleti nuk ka thënë se Skënderbeu mbante fjalime, por ka shkruar fjalët që u thoshte ushtarëve. Nuk e kuptojmë se çhistori tjetër mund të jetë ajo që kërkon Noli, e cila nuk përmban betejat e fjalët e prijësit e të komandantëve para luftëtarëve dhe korrespodencat me të tjerët. Histori pa një lëndë të tillë nuk mund të ketë. Kjo formë të shkruari ekziston edhe në historinë e kombeve të tjera. Gjen aty fjalë të Napolon Bonapartit edhe të figurave të tjera historike, para forcave të tyre ushtarake me të cilët kanë marrë takime në vendet e në frontet ku ato luftonin.

Ajo që bie në sy te Noli është se veprat e Barletit dhe të Frangut nuk i ka përfillur për shumë fakte., por për të mos dalë hapur, është hequr sikur po i mbron nga kritikat e studiuesve të huaj. Kjo vihet re nga vlerësimet e përgjithshme që bën, por kur vjen puna për të shprehur qëndrimin e tij ndaj këtyre autorëve më shumë hesht, vetëm sa i citon ata. Kështu ai sjell një varg citimesh nga autorë si Spondano, i cili pohon se “Dhe këtë (që thotë Barleti) askush nuk do ta besonte, përveç atij që kënaqet me përralla”. Nga Gibbon që thotë se: “Në historinë e vjetër e nacionale të M. Barletit ... veshjet e tij të shkëlqyeshme dhe të rënda për Skënderbeun janë stolisur me shumë xhevahire të gënjeshtërta”, dhe nga Jorga që shkruan “italiani i jugut”, Barleti, desh të shkruante një epope sipas stilit antik”. Nëse Noli do ti referohej Dh. Frangut dhe Barletit nuk do të arrinte ne lajthitje të tilla sa vdekjen e Gjon Kastriotit e çon më 1442, kur ai ka vdekur më 1438; në Has shpik një fshat, Kastriot, që nuk ka ekzistuar kurrë; të shoqen e Skënderbeut e quan Andronika, kur ajo quhej Donika; ditëlindjen e Skënderbeut në fillim e jep më 1400, pastaj e ndryshon dy herë, 1404-1405; origjinën e Kastriotëve herën e parë e jep në Mat, pastaj në Kastrat e më vonë në Sinë. Madje, të çudit pozicioni i tij i kundërt. Ndërsa Barletin e zhvlerëson në problemet esenciale, në librin e tij, në një faqe e gjysmë e citon atë për fjalën e Skënderbeut para krerëve dhe popullit të Krujës, me rastin e kthimit të tij. Kritikon Barletin për ëndrrat e përshkrimet, kur një ëndërr të gjatë që sjell Biemmi jo vetëm e citon, por edhe e beson.

Nëse studiohen me kujdes, tregimet e Nolit janë jo vetëm me tone letrare poetike, por në to nuk mungon as fryma dramatike, që kur i lexon të ngjethet trupi. Shihet kjo tek dueli dramatik ndërmjet Lek Zaharisë e Lek Dukagjinit në dasmën e Mamicës, ku shënon të vrarë 105 dhe të plagosur 200 pjesëmarrës në dasmë, siç i ka kopjuar nga Biemmi. Si është e mundur të lejonte Skënderbeu të dhunoheshin zakonet e vendit në dasmën e motrës së tij dhe të ulet aq poshtë dinjiteti i tij, sa njerëzit ta merrnin nëpër gojë për vrasjen e miqve në dasmë? E merr të mirëqenë Noli këtë falsifikim të Biemmit, kur është bërë e qartë që kjo ngjarje ka ndodhur diku tjetër, në një pusi të organizuar nga Lek Dukagjini, siç e kanë shpjeguar hollësisht atë Dhimitër Frangu dhe Barleti.

Vërejtjet ndaj Barletit nuk kanë munguar as për kronologjinë e ngjarjeve historike. Për këtë, F. Noli shkruan se Barleti “Rrallë jep mot, muaj e ditë, e, me disa përjashtime, datat e tij janë të lajthitura” . Së pari, në linjën kronologjike të një vepre historike përcaktimi i kohës së zhvillimit të ngjarjeve shton edhe më tepër vlerën e saj. Kur ka qenë i sigurt Barleti këtë e ka bërë gjithnjë. Por, nuk duhet harruar se ai për kohën është mbështetur në burime gojore të bashkëkohësve të Skënderbeut. Dokumentet, për fat të keq, kanë qenë të pakta dhe, kuptohet, që gjatë shfrytëzimit të tyre, nuk ka mundur të sigurojë të dhënat e duhura për kohën kur ai jetoi. Dhe jo se nuk i ka konsideruar të nevojshme. Lidhur me këto shqetësimi vjen menjëherë kur thuhet se Barleti ka dhënë ekzakt moshën dhe ditën e vdekjes së heroit (17 janar dhe 63 vjeç), por vitin të pasaktë (1466). Vrojtuesit e kanë parë mirë këtë, por nuk kanë parë dëshminë që tregon se ai nuk gënjen, por është i ndershëm ku thotë se “... vdiq duke ia dorëzuar veten dhe shpirtin zotit të madh më 17 janar në vitin një mijë e 466 pas Krishtit... pra, thuhet nga të tjerë se u nda nga kjo jetë në moshën 63 vjetësh, në vitin 24 të mbretërimit të tij. Manë tjetër, Skënderbeu e filloi mbretërinë në 28 Nëntor, në vitin një mijë e 443” . Siç shihet, edhe në këtë rast Barleti pohon një kohë të përcaktuar nga të tjerët. Por, diku në veprën e tij, ka thënë se edhe të pasigurtat ndonjëherë duhen përmendur, duke ja lënë kohës ti bëjë të sigurta... Pastaj, nuk duhet menduar se është absolutisht i sigurt as viti 1468 që ka përcaktuar kronisti bizantin Frantes, i njohur për ngatërrim datash, në veprën e tij të botuar 328 vjet pas Barletit dhe 360 vjet pas Dhimitër Frangut. Aq më tepër, kur nuk sqaron se tek çburim e ka marrë vitin 1468. Duke nënvizuar këtë nuk mendojmë për ta lënë të dyshuar vitin 1468, sa kohë që është bërë zyrtar.

*jesë nga libri i sapobotuar “Skënderbeu, nga M. Barleti tek O. Schmitt” i autorëve Qamil Alushi dhe Mexhit Demiri, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora