E shtune, 20.04.2024, 02:46 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Familja Gjylbegu disidencë të hapur komunizmit

E premte, 10.04.2009, 08:14 AM


Nga Ledia Lleshi

U vranë, u persekutuan dhe iu mohuan çdo e drejtë. Jetuan në skamje deri në mbërritjen e demokracisë

Njerëz dhe studentë të shkëlqyer u mënjanuan nga jeta shoqërore. Kujton Bardhyl Gjylbegu

ELBASAN-Familja Gjylbegu me orgjinë nga Shkodra është vendosur prej vitesh në Elbasan. Pjesë e trungut të Gjylbegasve kjo familje i vuajti pasojat e komunizmit që pas çlirimit. Shumë e vështirë ka qenë gjithçka për Hamidin, i cili në formimin e tij dhe në përpjekjet patriotike, shok i afërt i Avni Rustemit nuk e pranoi vendosjen e diktaturës. Madje në mënyrë të hapur ai refuzoi të votonte, nuk pranoi as elektrifikim e as televizor dhe derisa vdiq e kaloi jetën në heshtje të plotë dhe në refuzim të ideve komuniste. Më pas historinë e tij e ndoqi djali Virtyti, i cili në moshë fare të re teksa merrte pjesë në një gjyq popullor komunist reagoi duke thyer heshtjen e atij gjyqi fals dhe për këtë u dënua me 5 vjet heqje lirie. Historinë e përcjell tek ne Bardhyli, mësuesi i biokimisë, i cili qysh në fëmijëri e provoi dorën komuniste dhe pa sesi u arrestua Virtyti në kinema “Nacional”. Kjo familje me tradita dhe madje me prona dhe pasuri përfundoi në skamje dhe në vështirësi të mëdha mbijetese.

Bardhyl Gjylbegu e renditi veten tek ata njerëz që të zhytur në vuajtje e përndjekje jo vetëm mundën të mbijetojnë, por u bënë shembulli për punë e dituri për të gjithë të tjerët. Nxënës i shkëlqyer, por që nuk përkrahej, emri i tij nuk mund të renditej tek shembullorët e shkollës. Familja e tij ishte përcaktuar si e deklasuar dhe për shumë vjet me radhë nuk iu dha triskë fronti. Xhaxhai i tij, Hamid Gjylbegu, akademik ushtarak e poet u burgos e u demaskua si antikomunist i vendosur. Ai ishte një ndër shqiptarët e rrallë që nuk pranoi të votonte asnjëherë gjatë diktaturës, Virtyti, djali i tij 22-vjeçar u pushkatua në kampin famëkeq të Maliqit. Nëna e Bardhylit e kishte mjaft të vështirë të siguronte ushqimin për tre jetimët. Kur të gjithë fëmijët çlodheshin në verë, Bardhin 12-vjeçar e gjeje punëtor krahu në ullishta dhe vështirësitë për familjen skishin të mbaruar. Vëllai i madh i tij Luani pati guximin të bëjë pyetjen në klasë “Përse kinezët luftojnë në Kore?”. E dëbuan nga shkolla si armik të pushtetit popullor duke e akuzuar edhe për ndarje traktesh antiqeveritare. Vetë Bardhi mbaroi shkëlqyeshëm, shkollën Normale dhe u emërua mësues në fshatrat më të largëta të Skraparit. Teksa e çojnë ushtar, për të do të ishin të gatshme vetëm repartet e punës, por ai nuk u dorëzua. Krahas shërbimit ushtarak përfundon Universitetin e Tiranës në fakultetin Biologji-Kimi me një mesatare të admirueshme për periudhën e vështirë që po kalonte 8.3. mësuesi që ishte diplomuar për shkollën e mesme përfundon në fshatrat e thella të Librazhdit. Ai arrin të tregojë talentin e tij në mësimdhënie kur në 1973 në një konkurs kombëtar për biologjinë duke përfaqësues rrethin e Librazhdit me nxënës nga fshati i la prapa në klasifikim disa qytete të mëdha mes tyre edhe Elbasanin. Por puna e përkushtuar e Gjylbegut do të shpërblehej me pushim nga puna për arsye politike më 1975. Drejtori i shkollës, një komunist i verbër i thur mësuesit të shkëlqyer sentencën “Nuk dallon botën bimore nga ajo shtazore”. Për pasojë Bardhi dënohet me 15 punë të rënda në ndërtim ndërsa gruan e tij 4 vjet punë fizike dhe më pas e lenë të papunë për 12 vjet. Për vite me radhë e mbajtën frymën dhe me ardhjen e demokracisë kjo familje u mbush me oksigjenin e lirisë. Mësuesi i pasionuar emërohet në gjimnazin Dhaskal Todhri derisa doli në pension. Një veteran i arsimit, Sefedin Trungu e ka cilësuar mësuesin Gjylbegu si shembullin e dashurisë për arsimin. “Me njerëz të tillë si Bardhi që nuk janë të paktë në qytetin tonë, duhet të krenohet Normalja dhe arsimi ynë kombëtar”.

Vuajtjet dhe përçmimi

Kujtime të Bardhyl Gjylbegut në pasvitet e çlirimit

Ishin ditët e para të nëntorit 1944. Unë një çunak 5-vjeçar, qëndroja i habitur në portën e madhe të shtëpisë dhe vështroja rrugën. Në shtëpinë tonë u futën me nxitim oficerë dhe ushtarakë gjermanë...

Unë çunak 5-vjeçar dhe motra ime 3 vjeçe me një fustan të vjetër, por të pastër u nisëm për në kopshtin Aqif Pasha vetëm 11 metra poshtë shtëpisë sonë. Kjo shkollë ku ishte edhe kopshti me emrin e patriotit të shquar elbasanas e ndërroi emrin dhe pas ca vitesh u bë shkolla 7-vjeçare “Ptolome Xhuvani”. Trokitëm në derën pak të hapur ku dëgjoheshin zërat e zhurmshëm të fëmijëve. Doli edukatorja Marije Llulla, një grua e bukur, e shoqja e një ushtari italian nga Trieste, me një zë të butë na pyeti: Çkërkoni?

I thamë me gjysmë zëri dëshirën tonë për të mësuar në kopsht si të zënë në faj. Na përkëdheli të dyve dhe vazhdoi me zërin e saj të ëmbël: Nuk mund tju pranoj se nuk ka vend... U larguam kokulur dhe të përlotur u kthyem në shtëpi. Kur na panë prindërit në pyetën: Çkeni?

U treguam gjithçka. Në të vërtetë zhvillohej lufta e tmerrshme e klasave që vazhdoi mbi ne edhe më e pamëshirshme. Kur filloi mbi fëmijët e vegjël që ne nuk e kuptonim pse dhe kush ishte faji ynë.

Unë i paditur çndodhte u nisa përsëri për në kopsht, por tashmë nuk guxoja të trokisja në derë. Dëgjoja me vëmendje nga brenda derës, fjalët e edukatores që përziheshin me zërat dhe thirrjet e fëmijëve. Ishte gëzim i madh për mua, kur rastësisht qëllonte që dera nuk mbyllej plotësisht dhe ishte pak e hapur pasi dëgjohej mirë.

Një ditë një nga fëmijët, një vajzë e vogël flokë-verdhë më pa pas derës dhe më pyeti: Pse rri këtu? I tregova me gjysmë zëri dëshirën time për të mësuar në kopsht. Pa pritur vogëlushja u zhduk brenda dhomës ku gumëzhinin zërat e bashkëmoshatarëve të saj dhe pas pak në derë i shfaq edukatorja. I trembur me sytë me lot prisja...

Ajo me dhembshuri, pasi mori vesh dëshirën time të madhe për të mësuar më futi në dhomë duke më përkëdhelur. U ula duke pushuar së qari fshiva sytë me duart e vogla dhe dëgjoja. Herë pas here i hidhja sytë në mure duke parë për herë të parë figura me ngjyra, pamje të ndryshme të pakuptueshme dhe më dukej se isha futur në botën e përrallave.

Mbrojti intelektualët në gjyqet fals

Virtyt Gjylbegu, si u vra pasi reagoi në kinema “Nacional”

Frika endej nëpër qytet… kishin filluar gjyqet kundër armiqve të klasës, siç quheshin antikomunistët. Një propagandë e shfrenuar, terrorizonte popullin. Gjyqet zhvilloheshin në kinema “Nacional”, ndërtuar nga patrioti Xhavit Biçaku, e cila mbushej plot e përplot me popull, i cili i bombarduar nga propaganda komuniste në shumicë, si në kor dhe në ekstazë thërriste: “Kriminelët në litar”, “Vdekje tradhtarëve”… në një nga këto në periudhën vjeshtë-shtator 1946, salla e kinemasë zhurmonte nga ulërimat shtazarake të turmës, që klithte me sa fuqi kishte. Unë me 5-6 fëmijë 7-vjeçarë, lëviznim të shqetësuar në rrugën para kinemasë. Nuk kuptonim çpo ndodhte, por e ndjenim që diçka e keqe po kurdisej…Në sallë dhe pikërisht në një nga llozhat përballë ishte ulur edhe Virtyti ynë. Zhvillohej gjyqi kundër intelektualëve më të shquar të qytetit nga familjet Fagu, Maçi, Gurmani, Ceka…ajka e inteligjencës elbasanase. Këto njerëz të shkencës, diturisë dhe arsimit përballeshin me prokurorë, gjyqtarë xhahilë të pashkollë, zbritur nga mali. Fjalët mezi dëgjoheshin. Njerëzit që mbushnin sallën me frikë në zemër, prisnin me ankth çdo të ndodhte prisnin dënimin e të pafajshmëve. Asnjë nuk guxonte të fliste, por jo… Një zë i fuqishëm buçiti nga llozha përballë skenës. Ishte zëri i fortë, i paepur i Virtytit 21-vjeçar, që i çori maskën këtij gjyqi farsë. Ai doli i patrembur në mbrojtjen e të akuzuarve, si një avokat i fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës, që donin ta shtrembëronin. Në një kohë kur të gjithëve u kishte hyrë frika në palcë, një vigan liberator, një hero doli haptazi pa frikë në mbrojtje të lirisë. Të gjithë kthyen kokën nga ky trim që po sfidonte diktaturën komuniste, e cila po instalohej në Shqipëri. Shumë e njihnin Virtytin, që siç kishte emrin, ishte personifikim i virtyteve më të larta morale, inteligjencës dhe guximit. Ai ishte normalisti i shkëlqyer, që dilte në skenën e historisë së qytetit në mbrojtje të së vërtetës, lirisë së fjalës dhe të drejtës. Elbasani e ka borxh ta nderojë këtë trim të paepur vetëm 21-vjeçar, që sfidoi hapur në fillimet e saj kuçedrën komuniste. Qyteti ka nevojë për imazhin e tyre. Prokurorët, gjyqtarët, për një çast u shtangën, u shtang edhe populli që mbushte sallën. Ata nuk prisnin asnjë kundërshtim në atë atmosferë tmerri jakobin. Si e mblodhën veten, urdhëruan policët ta prangosnin aty për aty, prangosën një të ri vetëm për fjalën e lirë dhe në çast e dënuan me 5 vjet burg të rëndë dhe sekuestrim të pasurisë. Lajmi tronditës u përhap me shpejtësi në familjet elbasanase. Merret me mend tmerri dhe llahtaria që përfshiu familjen tonë. Qanim pa pushim. Nëna qante për djalin e vetëm, motrat vëllain e adhuruar dhe ne 3 fëmijët e vegjël jetimë në heshtje si të ngrirë me sy të përlotur qanim për dajën, shtyllën e shtëpisë, që e kishim mbrojtje. Kush do të na përkrahte tani? Kush do të na ushqente? Ku do të mbështeteshim? Familja jonë mbeti pa një mashkull të rritur, me tre femra të tronditura dhe 3 fëmijë të vegjël, që kërkonin mbrojtje, që kërkonin të jetonin. Burgu dhe qelia ku e mbyllën Virtytin tonë ishte brenda kalasë së qytetit bashkë me të burgosur të tjerë. Unë duke u dridhur çdo ditë futesha tek porta e kalasë dhe me frikë drejtohesha drejt burgut, për ti dërguar pak ushqim që mund të përgatiste familja. Nga Elbasani ata u çuan të burgosur në kampin famëkeq të Vloçishtit për tharjen e kënetës së Maliqit. Nga Ndriçim Plangarica, fqinji ynë dhe shok i afërt i Virtytit, mësuam të vërtetën e tragjedisë së tij. Kjo e vërtetë është shkruar në librin e Plangaricës “Rrethi i fundit i ferrit të kuq” fq. 190. Virtyti kishte punuar për tharjen e kënetës së Maliqit. Veç punës së rëndë shkatërruese, shushunjave, që u ngjiteshin në trup, kur punonin të zhytur në ujë, veç torturave të veçanta, keqtrajtimeve, poshtërimeve dhe rrahjeve, të burgosurit i trajtonin si kafshë madje duke i qëlluar dhe me armë. Në këto kushte të tmerrshme të kampit, Virtyti ishte i qeshur e i dashur me të gjithë të burgosurit. Kjo nuk u pëlqente drejtuesve të burgut, të cilët nuk mund të harronin sfidën e Virtytit në gjyqin, që u zhvillua në Elbasan, ku guximi dhe trimëria e tij bënë jehonë kudo. Ngarkuan gardianët për poshtërimin e tij. E akuzuan se kishte marrë nga ushqimi i një shoku të tij të burgosur. Për këtë duhej dënuar...

Pasi të burgosurit hëngrën mëngjes, copën e bukës bajate pa sheqer, i rreshtuan në sheshin para barakave të kampit. Dy gardianë morën me forcë Virtytin dhe e lidhën pas një shtylle elektriku. Në këtë shtyllë duhet të kalonin të burgosurit me radhë e ta pështynin. Kush nuk e bënte detyrohej ta përsëriste. Si mbaroi ky rit shtazarak i tiranit komunist, rojtarët e gardianët e nisën të burgosurin në punë. Tërë kohës në punë Virtyti nuk foli. Kur u kthye në kamp nuk u përgjigj as kur u bë apeli. Supën e qelbur të drekës nuk e hëngri. Në kohën e lirë nuk foli me njeri, por qëndroi i ulur para kaparonit të fjetjes duke shikuar telat me gjemba, që rrethonin kampin anash kullës së rojës që kishte përballë. Nuk e hëngri as supën e darkës. Pas mesit të natës në fjetoren e të burgosurve u dëgjua një zë i fortë. Ndal, Ndal, Ndal !

Pas thirrjes u dëgjua një breshëri mitralozi dhe plumbat përshkruan trupin e djaloshit. Të gjithë të burgosurit e dinin të vërtetën e hidhuri... Rrethimi me tela me gjemba nuk kalohej pa lënë kokën. Virtyti nuk kishte tentuar të arratisej, por me vetëdije të plotë shkoi për ti dhënë fund jetës. Duke prekur kufirin e fundit të ferrit komunist. Ai ndërroi jetë duke fituar lirinë e amshuar. Kështu u shua jeta e një të riu të pafajshëm i talentuar në shumë fushë duke u kthyer në një kujtim që mbeti i gjallë në mendjet dhe në zemrat tona.

Pushimi nga puna i Bardhyl Gjylbegut

Me medalje ari në shkollë, i shënohet “nuk dallon botën bimore nga ajo shtazore”

Sipas ligjit antikushtetues të diktaturës komuniste, u pushuan në të gjitha rrethet arsimtarë, prindërit e të cilëve qenë dënuar nga mortaja e kuqe me pushkatim ose dënimet të tjera rënda. Në rastin tim këto persekutorë e shkelën edhe këtë ligj famëkeq. Pushohem nga puna sepse daja u dënua me burg politik. Im atë, Sait Gjylbegu vritet më 1942 si pasojë e hakmarrjes, krejt i pafajshëm dhe nëna ime na rriti ne tre fëmijët jetimë nën 5 vjeç me punë të rënda fizike në fermë ullishtë. Në dosjen time shkruhej: Daja i tij është dënuar me burg politik, ndërsa drejtori injorant i shkollës plotëson: “Nuk dallon botën bimore nga bota shtazore?!, kur unë kisha mbaruar shkëlqyeshëm, kur unë kërkoja: Pse shkelej ligji? Dy binjakët e Nënës Parti përgjigjeshin duke çkërrmitur dhëmbët. Atë e di Partia. Se nga familje pronares; nëna jote nuk ka triskë fronti e të tjera slogane komuniste. Megjithëse kisha merituar “Medalje Ari” për mbarimin e Institutit të Lartë, prej tyre detyrohem bashkë me gruan të kryejmë punë të rënda fizike për 15 vjet me radhë me të gjitha pasojat morale, ekonomike, politike, që pasojën këtë punë të detyruar si në kampe përqendrimi pa tela.

Letër Enver Hoxhës: “Çlirimin e banë njerëz ma tmdhenj”

Hamid Gjylbegu refuzoi votimet deri dhe energjinë elektrike

Hamid Gjylbegu lindi më 1887 në Shkodër në një familje me tradita ndër më të vjetrat. Atdhetarizmi qe trashëgimia më e vyer e kësaj familjeje. Babai i Hamidit u plagos më 1835 merr pjesë edhe në mbrojtjen e trojeve dhe gjithashtu shërben në kryengritjet kombëtare 1911-1912. Hamidi studimet e mesme i kreu në Selanik dhe të lartat në shkollën e lartë ushtarake në Stamboll. Më vonë specializohet në akademinë ushtarake të Berlinit dhe pas përfundimit të këtij specializimi emërohet pranë shtatmadhorisë turke në Stamboll. Pas shpalljes së pavarësisë ai refuzon një pagë të majmë dhe spaletat, por niset drejt Shkodrës bashkë me Goxhë Kadrinë më 1913. Aty caktohet oficer madhor në ushtrinë kombëtare. Më 1914 si komandant njësie siguron ardhjen e princ Vidit. Më vonë e shohim të shërbejë si komandant i batalionit të ushtrisë kombëtare në Elbasan me gradën kapiten. Me njësinë e tij në vitet 1913 merr përsipër ruajtjen e komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufijve. Duke qenë njohës i mirë i gjermanishtes, frëngjishtes, italishtes, turqishtes së re dhe të vjetër si dhe persishtes ai caktohet edhe anëtar i këtij komisioni dhe ndihmon në lehtësimin e komunikimit midis anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar. Në Kongresin e Lushnjës njësia që drejtonte merr në mbrojtje këtë tubim kombëtar. Në gusht-korrik 1920 kur forcat serbe sulmojnë Koplikun, Hamidfi caktohet komandant i këtij fronti. Ndonëse në raporte të pabarabarta forcash dhe në minorancë ai e kurorëzoi me fitore këtë betejë. Sa nacionalist aq edhe demokrat ai përkrahu revolucionin demokratik të Nolit dhe sfidoi qysh në ditët e para monarkinë duke dhënë dorëheqjen nga karriera ushtarake. Megjithatë, kundërshtari i tij politik Ahmet Zogu ia njohu meritat e ushtarakut të zellshëm, majorit Gjylbegu duke i lidhur një pension shtetëror të denjë. Në pushtimin e Shqipërisë nga nazi-fashizmi i kërkohet të rikthehet në jetën ushtarake madje i ofrohet edhe grada e gjeneralit, por ai mbajti të njëjtin qëndrim si dikur Porta e Lartë e propozoi ta bënte komandant të përgjithshëm ushtarak në Liban, përsëri spranoi. Por edhe pse e ruajti figurën e tij dhe kishte një karrierë të ndritur në mbrojtje të atdheut më 1946 kur sapo ishte instaluar komunizmi ai së bashku me dy kushërinjtë e tij Gjyl e Qamil Gjylbegu arrestohen me akuzën e pjesëmarrjes në kryengritjen e Postribës në gestapon e kuqe të Shkodrës. Hamidi pësoi torturat nga më çnjerëzoret që i bënin xhelatët komunistë, por ai nuk u përfshi. Për një vit zgjati kjo epope e tij dhe lirohet për mungesë provash. Për herë të dytë ai sfidon diktaturën duke shkëputur çdo marrëdhënie me shtetin. Vetëburgoset në shtëpi, ndërpret furnizimin me energji elektrike të shtëpisë, bojkoton me vendosmëri çdo votim. Ashtu i varfër gjer në skamje pa pension nën ndriçimin e kandilit kalon ditët dhe vitet më të errëta të komunizmit. Pasojat e hakmarrjes komunistet do të binin pikërisht mbi djalin e tij Virtytin, i cili u vra në burg. Në 50-vjetorin e pavarësisë në vitin 1962 ai i drejtohet me një letër diktatorit Hoxha ku mes të tjerash i thoshte: “Ju nuk keni ba çlirim kombëtar, por çlirim shoqëror. Shqipëria nuk është çlirue, atë çlirim që përmendni ju e kanë disa burra më të mëdhenj se ti”… Vdes në vetmi të plotë në moshën 92-vjeçare.

Hamid Gjylbegu ka qenë edhe një njeri letrash. I janë botuar 17 libra kryesisht poezi, një pjesë e të cilave ndodhen në bibliotekën e Elbasanit. janë pjesë, ese, poezi të karakterit filozofik lëvrimi i të cilave do të zbulonte edhe një anë tjetër të këtij njeriu me vlera kombëtare. Ai ishte shok e mik me Ismail Qemalin, Bjaram Currin, Lugj Gurakuqnin, Avni Rustemin me te cilin ekziston edhe një foto. Po kështu kishte miqësi me Fishtën, Mjedën, Petrushin e Zaden. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora