E premte, 29.03.2024, 01:41 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Historianët, ku kanë gabuar për Skënderbeun...

E merkure, 08.04.2009, 11:04 PM


Nga Gazeta Metropol

Padyshim ka përmasat e një legjende. Madje, mes së vërtetës dhe ireales duket se nuk mund të vendosësh kufij kur flitet për të. Gjergj Kastriot Skënderbeu ka qenë thuajse gjithmonë në qendër të diskutimeve dhe debateve. (Mjafton të përmendim polemikat që ngjalli botimi i librit të Oliver J. Schmitt). Këtë herë dy studiues: Qamil Alushi dhe Mexhit Demiri “marrin përsipër“, me një studim të tyrin shumëvjeçar, të gjejnë përgjigje ndaj këtyre shkrimeve apo studimeve të bëra deri më tani për heroin. "Skënderbeu, nga M. Barleti tek O. Schmitt", libri më i fundit studimor, botim i shtëpisë botuese "Naim", rimerr çështjen e Skënderbeut. Autorët, njohës arkivash, kanë rimarrë dhe analizuar veprat kryesore të shkruara për heroin dhe duke i përballur me dokumente e burime të rëndësishme nxjerrin në pah të metat e secilit.

Veprave të Fan Nolit, Kristo Frashërit e Oliver Schmiditt, ata i kanë vënë përballë veprat e Marin Barletit, Dhimitër Frangut e të tjerëve autorë, qofshin dhe të huaj, bashkëkohës e më të vonë të Skënderbeut. Në libër trajtohen përgjithësisht çështje, të cilat janë vënë më shumë në pikëpyetje mbi figurën e Gjergj Kastriotit. Një ndër këto tema është ajo e prejardhjes së tij fisnike shqiptare, vendi i lindjes, marrja peng qysh në vogëli, shkollimi në Turqi, ndërrimi i fesë, etj. Së pari, në libër merret në shqyrtim vepra e Fan Nolit, e botuar fillimisht në vitin 1921 e më pas e plotësuar në vitin 1947. Sipas autorëve, Noli në veprën e tij u referohet më së shumti burimeve dytësore, historianëve të dorës së dytë, madje që janë akuzuar për shtrembërime të së vërtetës. Ai u referohet më së shumti autorëve si Spondano, Biemm, Voigt, Gibbon, që hyjnë në radhën e atyre historianëve, që e shohin me dyshim figurën e Skënderbeut, ndërsa thuajse shpërfill autorët gati bashkëkohës të heroit, si Barleti, Frëngu dhe Bardhi, të cilëve u ka kushtuar edhe një kapitull më vete të titulluar "Trillime legjendare", ku vë në dyshim veprat e tyre dhe shumë autorëve të tjerë të huaj. Duket se Noli ka qenë shumë më i "përmbajtur" në trajtimin e figurës së Skënderbeut, madje edhe shumë dyshues. I kundërvihet historianëve Kristo Frashëri dhe Oliver Schmitt, duke eliminuar mundësinë që Gjergj Kastrioti ka lindur në Dibër, madje në një fshat të quajtur Sinë. Duke iu referuar burimeve, vendlindja e Skënderbeut afrohet më shumë me Krujën, ndërsa origjina me Matin, duke iu larguar Dibrës, një kufiri të "brishtë", i cili mund të banohej nga popullsi e përzier, shqiptare e serbe. Ashtu si edhe historiani Kristo Frashëri, Fan Noli vë në dyshim edhe faktin që Gjergj Kastrioti është marrë peng në oborrin e Sulltanit në moshë fare të re. Sipas tyre, ai është larguar drejt Turqisë në një moshë madhore, madje vihet në dyshim edhe fakti që ai të jetë shkolluar në këtë oborr. Përveçse i referohen Barletit, autorët marrin si "dëshmitarë" enciklopedistin italian Raffaele Maffei Volaterrano, humanistin Francesco Filefi, i cili në vitin 1463, kur Skënderbeu ishte gjallë, në një letër dërguar doxhit të Venedikut, Ludvig Maurit, thotë: "Skënderi është një luftëtar i madh dhe i stërvitur shumë kohë pranë turqve, se i ati e pat dërguar si peng pranë tyre që fëmijë". Këtë fakt e mbështet edhe kronisti turk Kemal Pashë Zade, i cili e përmend në veprën e tij "Tevarhi al-i Osman", kronistët Ashik Pash-Zade dhe Mehmet Neshriu. Kur vjen çështja për të hedhur poshtë pretendimin e Nolit, sipas të cilit, Kastriotët i përkisnin "aristokracisë së ulët", madje ishin "fshatarë", sipas dëshmive të Gjon Muzakës (kundërshtar i Skënderbeut", autorët nuk e kanë shumë të vështirë. Burimet që dëshmojnë se Kastriotët kishin shumë zotërime, se ishin zotër të Krujës, etj., janë të shumta, duke filluar që nga burimet italiane dhe kronikat turke, sipas të cilave dëshmohen marrëdhëniet tregtare mes Kastriotëve dhe Raguzës, Venedikut, vetë Perandorisë Osmane, etj.

Në librin e tyre Alushi dhe Demiri marrin në shqyrtim edhe çështje, si: marrëdhëniet me vendet e Adriatikut, luftërat dhe fitoret e tij ndaj turqve. Por autorët janë ndalur disi më gjatë në tezat e Schmitt-it, i cili sipas tyre nuk sjell asgjë të re, asnjë argument dhe asnjë dokument të rëndësishëm. E para është ajo e prejardhjes, sipas së cilës Skënderbeu kishte origjinë serbe. Duke iu referuar të njëjtit dokument si edhe Shmitt, ata dalin në përfundimin se përkthimi i Schmitt-it është i gabuar dhe se Gjon Muzaka në kujtimet e tij nuk e përmend asgjëkund fjalën "natyrë serbe". Ndërsa nuk ngrenë ndonjë peshë argumentet emërore, sipas të cilit i ati i Skënderbeut ishte Ivan, apo prejardhja sllave e Vojsavës, nënë së Gjergjit, duke qenë se për të përcaktuar origjinën merret gjithnjë në referencë linja e babait. Tjetër tezë është ajo e nisjes së luftës për shkak të hakmarrjes. Schmitt i referohet një dokumenti, sipas të cilit thuhet se Skënderbeu nisi luftën me oborrin, pasi sulltani i kishte vrarë të atin. Ata u referohen disa burimeve të kohës, duke filluar që nga Papa Piu II, i cili thotë: "Në këtë tokë qe i fuqishëm Gjon Kastrioti, i cili... qe lindur prej princërish të krishterë... vdiq nga një sëmundje". Për të vijuar me Volaterrano dhe historianë të mëvonshëm, që pohojnë se Gjon Kastrioti ka vdekur nga një vdekje natyrale, që e rrëzon kategorikisht arsyen e hakmarrjes për vrasjen e tij. Teza e hakmarrjes ishte një nga çështjet që ngjalli debatet më të mëdha rreth figurës së Skënderbeut, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi qëllimin e luftës së tij 25-vjeçare. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora