E enjte, 28.03.2024, 09:30 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Henry Charles Woods; Gazetari londinez që raportonte nga Shqipëria

E marte, 07.04.2009, 05:51 PM


PROF. DR. URAN ASLLANI 

Në dokumentet e botuara të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës gjendet një telegram i Charles Woods-it i datës 9 gusht 1913, dërguar Ismail Qemalit si përgjigje e kërkesës së Kryeministrit shqiptar që publicisti anglez të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve. Ishte pikërisht koha, kur fatet e Shqipërisë po vendoseshin në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Qeveria e Vlorës, veç përpjekjeve për organizimin e administratës së re shqiptare, zhvilloi edhe një veprimtari të gjerësishme në fushën e politikës së jashtme për mbrojtjen e të drejtave të kombit në arenën ndërkombëtare.

Dokumenti më i rëndësishëm i diplomacisë së brishtë shqiptare ka qenë “Memorandumi” i datës 3 janar 1913. Asokohe, pavarësisht se Shqipëria nuk kishte shërbim diplomatik të rregullt, Ismail Qemali caktoi si ambasador “shëtitës” Rassih (Rasip) Dinon për në Austri, Itali dhe deri në Londër. Për në Londër, me porosi të Ismail Qemalit, ai mori me vete, nga Italia dhe Franca, ku ata jetonin, Mehmed Konicën, Filip Nogën dhe Sotir Kolean.

Kjo dërgatë përpiloi dhe i dorëzoi sir Edward Grey-t, kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve, memorandumin e Qeverisë Shqiptare, dokumentin e parë diplomatik. Ky memorandum i kushtohej kryesisht çështjes së caktimit të kufijve, duke paraqitur dhe duke argumentuar pikëpamjet dhe qëndrimin e shtetit shqiptar. Më 25 janar 1913, diplomatët shqiptarë i dorëzuan konferencës një memorandum të dytë. Në këtë memorandum të dytë, zbatimi i kriterit etnik, cilësohej, me dukshëm, si një kusht për sigurimin e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan.

Në formulimin e kërkesave të dy memorandumeve, rëndësi të veçantë ka pasur “tradita” e 4 vilajeteve shqiptare, që kish qenë motiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Armiqtë e Shqipërisë, grekët dhe serbët, mbështeteshin nga Franca dhe Rusia, ndaj edhe lufta e diplomatëve shqiptare ishte e fortë, e gjatë dhe e vështirë. Ndaj në ndihmë të dërgatës shqiptare, në prill të atij viti, vetë Kryeministri i asaj kohe, Ismail Qemal Vlora me një dërguatë të vogël u paraqit para Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Diskutimet dhe debatet në Konference ishin shumë të vështira, me gjithë mbështetjen e madhe që dha diplomacia austro-hungareze. Veprimtaria diplomatike e Qeverisë së Vlorës u intensifikua veçanërisht në periudhën e punës së komisioneve të kufijve të jugut dhe të veriut, kur me këmbënguljen e Austro-Hungarisë, në përcaktimin e vijës kufitare do të mbështeteshin mbi bazën e parimit të dyfishtë “etniko-gjeografik” si edhe me elementin plotësues të gjuhës së folur në familje. Pikërisht në këtë periudhë, më 29 korrik, Konferenca e Ambasadorëve mori vendimin për krijimin dhe dërgimin në Shqipëri të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, i cili shpërfilli plotësisht Qeverinë e Vlorës, duke marrë përsipër tërësisht atributet e qeverisjes së Shqipërisë. Në atë situatë, Ismail Qemal Vlora kërkoi telegrafisht ndihmën e mikut të shqiptarëve dhe të atij personalisht Charles Woods-it për të qenë përfaqësuesi zyrtar shqiptar pranë Konferencës së Ambasadorëve. Brenda një jave, më 9 gusht 1913 ai i ktheu përgjigje telegrafisht Ismail Qemalit, Charles Woods-i shkruante:

“Zoti kryeministër!

Para se të përmendim arsyet dhe konsideratat e ndryshme që, me keqardhjen time të madhe, më detyruan t’ju dërgoj një telegram për t’ju informuar se tani për tani nuk kam mundësi të pranoj vendin e përfaqësonjësit tuaj në Londër, për sa i përket çështjes shqiptare, e quaj të udhës t’ju shpreh, juve Zoti Kryeministër dhe anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, falënderjet e mia të sinqerta për nderin e madh që m’u bë, duke më ofruar një detyrë që në disa rrethana do të kisha qenë tepër i lumtur ta pranoja. Duhet të shtoj se sikur situata të kishte qenë e ndryshme, gjë që ju do ta gjykoni vetë pas leximit të kësaj letre, do të ndjeja kënaqësinë më të madhe të përfaqësoja interesat e një populli që është përpjekur gjatë shumë viteve të sigurojë zhvillimin e tij dhe që punon për çështjen e lirisë, të një populli që po bëhet ende viktimë e padrejtësive nga ana e kombeve që kujdesen më shumë për zmadhimin e tyre material sesa për çlirimin e popujve të qeverisur keq dhe të keqpërdorur.

Pasi studiova me kujdes kushtet e përgjithshme të sotme në Lindje, dhe pasi u mendova thellë mbi aspektet e ndryshme të çështjes së Shqipërisë, arrita në përfundimin se shërbimet e mia nuk do të mund të kishin për çështjen tuaj një vlerë që të ishte në përshtatje me shpenzimet e nevojës për sekretariatin, dhe për udhëtimet si edhe për honorarët e moderuar që ju do të ishit gati t’i bënit, veç po të njihet gjysma zyrtarisht pozita ime nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë. Po ta pranoja këtë detyrë, pa qenë i siguruar në këtë pikë, më duket se pozita ime do të kufizohej në atë të një agjenti të shtypit përballë qeverisë sime dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër. Me fjalë të tjera, do të isha në pamundësi të pranoja ndonjë detyrë për ju, Zoti Kryeministër, ose për Qeverinë Tuaj, po qe se nuk do të kryhej dot në një mënyrë sa më të frytshme dhe me sa më pak shpenzime nga një agjenci shtypi ose nga zyra e thjeshtë që merret me copat e prera të gazetave.

Në këto rrethana, unë arrita në përfundimin se e kisha për detyrë ndaj jush dhe me cilësinë time si shtetas britanik, t’i drejtohesha Sir Edward Grey për të ditur, se cili do të ishte qëndrimi që do të merrte Qeveria e Madhërisë së Tij në lidhje me një emërim si ai që ju më kini bërë nderin të më ofroni;

Sekretari i Shtetit, me anën e sekretarit të tij privat, m’u përgjigj kështu: “Në mungesë të një administrate të krijuar rregullisht në Shqipëri, çështja e një përfaqësonjësi të Shqipërisë në Londër duket e parakohshme”.

Pra s’më mbeti gjë tjetër, veçse të lajmëroja Ministrin e Punëve të Jashtme se nuk mund ta pranoja ofertën tuaj dhe se do t’ju tregoja arsyen e lartpërmendur. Nënkuptohet vetvetiu se, në rastin që Shkëlqesia Juaj do të marrë vendin, qoftë tani, qoftë në një kohë që ju e quani më të favorshme, për të bërë hapat e nevojshëm pranë Qeverisë Britanike, unë do ta shqyrtoja prapë me kënaqësi ofertën tuaj me shumë dashamirësi.

Duke ju shprehur përsëri, Zoti Kryeministër, keqardhjen time më të thellë dhe duke ju siguruar për ndjenjat e mia më të përzemërta ndaj Shkëlqesisë Suaj, Qeverisë Suaj dhe Kombit Shqiptar, ju lutem të pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të shquar.

P.S. Për ta bërë më të qartë, por duke mos dashur karakterin e prerë, e shkrova këtë letër me makinë shkrimi

Henry Charles Woodds (1).

Por cili ishte Henry Charles Woods?

Ai ishte një personalitet shoqëror, politik anglez, që sipas S. Qiriazi fillimisht kishte qenë oficer madhor anglez dhe më pas u bë i njohur si shkencëtar, gazetar, diplomat dhe personalitet publik i njohur. Ai kishte lindur në vitin 1881, në Danehill të Sussex-it, në afërsi të Mançesterit, ku edhe mori arsimimin e tij. Henry Charles Woods kishte përfunduar Universitetin e Mançesterit, në bibliotekën e të cilit gjendet koleksioni i artikujve dhe reportazheve të tij të shkruara për gazetën “Mançester Guardian” në vitet 1908-1924. Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë, ai ishte edhe anëtar i “The Royal Geographical” (Society-R.G.S). Veprimtarinë e tij si gazetar, sipas të dhënave të shoqërisë Mbretërore Gjeografike, e kishte filluar në vitin 1905. Asokohe ai ishte duke realizuar një vizitë nëpër Turqi, gjatë së cilës në muajt tetor-dhjetor i dërgoi shënime dhe vrojtime udhëtimesh si shoqatës, po ashtu edhe Foreing Office, Ministrisë P. Jashtme Britanike. Një vit më vonë kthehet sërish në Turqi edhe pastaj në Bullgari, duke vazhduar të dërguar shënimet përkatëse dhe vrojtime gjatë gjithë vitit 1909. Kryesisht ishin shkrime dhe reportazhe të përgatitura gjatë qëndrimit të tij njëvjeçar nëpër Perandorinë Osmane. Ato materiale ishin përgatitur si gjithmonë për Foreing Office, po ashtu edhe për Shoqatën Mbretërore Gjeografike (R.G.S.). Vizitën e tij të parë në Shqipëri e ka bërë në vitin 1911, si i dërguar special i Foreing Office, duke udhëtuar nga Manastiri, Korça e më pas nëpër të gjithë Shqipërinë Jugore.

Gjatë kohës që qëndroi në Korçë e Manastir, ai bëri të gjithë përpjekjet e duhura deri sa i liroi nga burgu atdhetarët korçarë të burgosur nga xhonturqit: Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon, Hasan Bitinckën, Stavre Karolin, Teufik Panaritin edhe shumë të tjerë. Pikërisht në atë vit, sapo u kthye në Londër botoi librin e tij “The Danger Zone of Europe”, ku ka shkruar një kapitull të gjatë për Shqipërinë. Fill mbas botimit të librit, Qeveria Britanike e dekretoi konsull në Adana, një qytet osman në juglindje të perandorisë, në kufi me Libanin, por ai nuk pranoi.

Në luftërat Ballkanike ai ishte dërguar në zonën e luftimeve si korrespondent i gazetës “Evening News”(8.237). Sipas gazetës “Përlindja Shqiptare” - Woodsi shkruante edhe për gazetat e mëdha londineze “The graphic”; “Daily Expres” dhe për gazetën “Manchester Guardian”(2).

Gjatë tetorit të vitit 1913, Woods i ka dërguar R.G.S. reportazhe dhe shënime udhëtimesh nga Beogradi, Cetinja dhe nga Durrësi, ndërsa gjatë nëntorit të atij viti korrespondencat dërgoheshin nga Korça, Berati dhe Vlora. Atje gjatë periudhës që qëndroi në kryeqytetin shqiptar u shoqërua vazhdimisht me Ismail Qemalin.

Nga Shqipëria në po atë muaj shkoi në Romë prej nga dërgonte shënimet përkatëse. Kthehet sërish në Shqipëri dhe gjatë muajit dhjetor 1913 dhe janar 1914, ai dërgonte korrespondencat nga pothuaj të gjithë qytetet e atdheut tonë (2) (8.237). Veçanërisht të rëndësishme dhe që bënin përshtypje të thellë në opinionin publik evropian, ishin reportazhet që tregonin barbarizmat e grekëve në Shqipërinë jugore, sidomos në Korçë, Kolonjë dhe Gjirokastër.

Në prill të vitit 1914, Woods vizitoi Austrinë dhe Belgjikën dhe për këto vizita dërgoi gjithë ato korrespondenca.

Aty nga maji i 1914-s, ai vizitoi Danimarkën dhe shtetet skandinave.

Gjatë Luftës I Botërore u caktua si korrespondent lufte dhe diplomatik të gazetave “Weekly Dispatch” dhe “The Evening News”. Në ato gazeta ai botoi artikuj dhe reportazhe të shumtë, nga të cilat më interesantet ishin ato për ngjarjet e Ballkanit. (8.237) Sipas «Diellit», H.Ch.Woods bëri një vizitë njëjavore nëpër Shqipëri dhe u largua me anije nga Vlora më 14 nëntor 1914. Në Shqipëri ai u prezantua si korrespondent i gazetës «London Times» (3). Në vitin 1915 Ch.Woods shkroi dhe botoi një tjetër libër me titull “War and Diplomacy in the Balkans”, ndërsa në vitin 1917 botoi veprën më interesante të tij “Communications in the Balkans” përmbledhje reportazhesh, shënime politike e historike, të cilat i referonte herë pas here në mbledhjet e “The Royal Geographical Society” gjatë gjithë viteve të luftës.(7)

Në fund të vitit 1917 Ch.Woods bën një vizitë në SHBA si i ftuar nga Federata “Vatra” dhe nga gazeta «Dielli»:

«… në mitingun e nesërme në Lawrence Hall, 724 Washington Street, Boston, do të kini të shikoni dhe dëgjoni, veç mikut tonë të shtrenjtë Charles Woods dhe atdhetarët Nuredin bej Vlora dhe Fotion Turtulli. Le ta nderojmë mikun tonë të shtrenjtë anglez, i cili veç të tjerave dha në Londër një darkë për delegatin tonë Mehmed Konicën, ku ishin ftuar përmbi 40 njerëz në sallonin e shtëpisë së tij të stolisur prej zonjushës Edith Durham me flamurët e Shqipërisë». (4)

Në vitin 1918, ai botoi një tjetër libër të titulluar “The Cradle of the War”, pjesë nga i cili, ai i lexonte në konferencat që organizoheshin nga Instituti “Lowell” (8,237).

Në vitin 1920 ai i rifilloi vizitat nëpër Ballkan dhe dërgonte R.G.S. (Royal Geographic Society) shënime dhe reportazhe nga Zagrebi, Beogradi, Athina, Stambolli, Izmiri, Sofja dhe Bukureshti. Për periudhën 1920-1924 mungojnë të dhënat. Gjatë vitit 1925 ai kreu udhëtime të gjata duke filluar nga Jerusalemi, Palestina, Transjordania, Siria, Turqia e duke përfunduar sërish në Ballkan, Jugosllavi dhe Bullgari.

Koleksioni i shënimeve të këtyre udhëtimeve ndodhen në arkivën e R.G.S së bashku me shënimet e viteve të tjera (7). Sërish në vitin 1927 Ch.Woodsi vjen në Shqipëri, duke ardhur nga Selaniku dhe Sofia, ai mbërriti në Korçë, më 21 prill dhe mbasi qëndroi tri ditë atje niset për në Tiranë, ku takon personalitete dhe u merr intervista si gazetar i fletores londineze “Daily Telegraph” (5). Në Tiranë gazetari anglez qëndroi disa ditë dhe në datën 8 maj, ai i merr intervistë edhe kolonelit W.F. Stirling, që dikur si miku i kolonel Lawrenc-it kishte qenë guvernatori i Jerusalemit. Ai asokohe ishte kryetari i departamentit të xhandarmërisë pranë presidencës shqiptare.

Gazetari anglez donte të informohej mbi gjendjen politike-shoqërore në Shqipëri dhe mbi rrezikun e një sulmi jugosllav, ndaj e vizitoi edhe Shkodrën prej nga dërgonte informacione.(6) Ch.Woods në vitin 1928 botoi një libër mbi arritjet e Shqipërisë gjatë atyre viteve dhe vizitoi për herë të fundit Rumaninë, Hungarinë, Austrinë. dhe Çekosllovakinë (7). Henry Charles Woods vdiq, i sëmurë, në Londër në vitin 1939 në moshën 58-vjeçare.

Bibliografi e përdorur

1.-A.Q.SH. Fondi 71- Dosja 3-Dokumenti 76103

2.-Gaz. “Përlindja Shqiptare” – 13.11. 1913

3.-Gaz. “Dielli”, dt.16.11.1914

4.-Gaz. “Dielli”, dt.29.12.1917

5.-Gaz. e Korçës, dt. 24.04.1927 dhe 3.05.1927

6.-Gaz. “Telegraf” - dt. 9.05.1927

7.- Internet- Google: Ch.Woods

8.-Qiriazi.S. -Revista «Ylli i mëngjesit», viti 1918, fq 236-237

Bibliografia ende e papërdorur

1.-Gazeta «Dielli», dt. 26.12.1912

2.-Gaz. «Dielli», dt. 5.12.1913

3.-Gaz. «Dielli», dt. 23.05.1918

4.-Gazeta «Dielli», dt. 29.07.1919

5.-Gaz. “Dielli”, dt. 04.09.1919

6.-Gazeta “Shqipëria e re”, dt.13.12.1913

7.-Gazeta “Koha”, dt. 28.03.1918

8.-Gaz. “Koha”, dt. 15.11.1918

10-.Gazeta «Albania», dt. 04.09.1919

11.-Revista “The Adriatic Review”, vol I/9/1919

12.-Gazeta Shqiptare, dt. 14.08.1927

13.-Gazeta e Korçës, dt. 20.08.1927

14.-Gazeta «Zëri i Korçës», dt. 3.05.1927

15.-Gaz. “Zëri i Korçës”, dt. 21.06.1927

16.-Gazeta «Telegraf», dt. 1.05.1927

17.-Gazeta “Bashkimi Kombëtar”, dt. 26.10.1928 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora