E shtune, 20.04.2024, 12:29 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Hamit Aliaj: Ali Hamza i Ballabanit

E merkure, 08.04.2009, 06:47 PM


Ali Hamza i Ballabanit
 
Nga Hamit Aliaj

1. MBAMENDJA E GURIT

Në asnjë poezi të ballkanasve, gurit nuk i është kënduar si në poezinë shqipe. Në asnjë gjuhë tjetër të Ballkanit, në të folmen e përditshme, guri s’ka qenë objekt i qindra metaforave si në gjuhën shqipe. Ndoshta për shkak të rrethanave të rënda historike, shqiptarët e kanë gjetur gurin si aleatin më të madh. Kullat prej guri, ashtin si guri, “Guri i rëndë në vendin e vet”, i heshtur si guri, nxjerr xixa si guri etj., pafundësisht, në të folmen e shqiptarëve.

Të gjitha këto epitete do t’i shkonin denjësisht edhe njeriut për të cilin po rrekem t’i bëj një portret: Ali Hamëz Hykaj.

Sa herë shkoj në vendlindje, në Shipshan të Tropojës, ndjej një mungesë të madhe, kurrë të kompensueshme. Mungojnë njerëzit që i kam njohur, një burim i pashtershëm urtie e filozofie, drama të gjalla, që, mjerisht, për pakujdesinë e moshës, ne, njerëzit e letrave, s’i kemi “vjelë”, s’kemi shënuar në fletoret tona urtinë e tyre të pashoqe, urti që do të përbënte një lëndë të lakmueshme për çdo shkrimtar.

E ne kujtohemi për ta vonë, shumë vonë, atëherë kur na mungojnë, kur s’janë më në këtë jetë. E i drejtohemi mbamendjes së gurit. Po guri flet e s’flet.

Të gjitha këto përsiatje më erdhën ne mend vjeshtën e shkuar, kur me një mikun tim, operator i TVSH, ishim nisur për në Kosovë, për një emision televiziv. E prisha “protokollin” dhe e mora me vete në Ballaban (ose Papaj). Kur kam mbaruar fakultetin, vitin e parë të punës e kam bërë aty, në Buçaj (1 kilometër afër Ballabanit). Operatorit të TVSH i thashë të m’i filmojë të gjitha kullat.

- Nuk na duhen për dokumentarin tonë, por t’i kemi në arkiv, - i thashë.

U ula në një gur dhe pija duhan. Ishte një heshtim trishtues. Nuk më interesonin kullat si arkitekturë, por më trishtonte mungesa.

Në ato oda burrash, kisha kaluar net të tëra me burrat e moçëm që bartnin në memorien e tyre, shumë histori e shumë art. E, tash, ato kulla ishin të mbyllura me dry.

Livadhe të bukura, bahçe si ato, Shkëlzenin, mendoje se e prek me dorë, kaq afër ishte. Po mungonin njerëzit. Janë në Tiranë e anembanë botës.

- Po, varret këtu janë, - i thashë mikut tim të TVSH.

Dhe i tregova një episod të vitit 1980, kur unë isha mësues atje.

- Shihe kullën e Ali Hamzës, - i thashë.

Në 1980, po vdiste Josif Broz Tito dhe gazeta “Zëri i Popullit” botoi një shkrim: “Ç’do të bëhet me Jugosllavinë pas vdekjes së Titos”.

Udhëheqësit vendorë na thirrën ne, mësuesve, dhe na caktuan për çdo fshat që të lexojmë këtë shkrim dhe të marrim “opinionin e masave”. Mua më mbajtën të veçantë dhe më thanë: “Ty do të të çojmë në Ballaban (Papaj), sepse është vendi më i vështirë. Aty është një Ali Hamza (Hykaj) që do të bëjë pyetje shumë të vështira”. Dhe m’i thanë me hamendje pyetjet që do të më bënte Ali Hamza.

Po më testonin, mua që kisha botuar disa libra, shkruaja gazetave etj. Po më testonin ata që ishin pa shkollë. Kurrë s’e kam ndjerë veten më të fyer intelektualisht. U thashë:

- Më keni caktuar në vendin më të lehtë. Po e kuptoj se aty ka burra me mend. Asnjë pyetje s’do të më bëjnë.

Kisha nxënës në klasën e tetë Ramizin, djalin e Ali Hamzës dhe i thashë:

- Thuej babës tand se nesër në orën 14.00 i due gjithë fshatin në odën tënde se do të vijë Hamiti e do t’ju bëjë politikë!

Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen në orën 14.00 shkova në odën e burrave (ku kishte edhe gra) tek Ali Hamza.

Ata më donin sepse isha nga i njëjti trung, ndonëse fshati im ishte nja 3-4 kilometra larg. E lexova formalisht shkrimin dhe hyra në historinë e Kosovës që e kisha shumë përzemër.

Asnjë pyetje. “Njeriu i vështirë” Ali Hamza, pasi u dhamë leje të tjerëve, nuk më la të largohem. Ndenjëm edhe 2-3 orë bashkë dhe biseduam gjatë për Kosovën, të cilën ai e njihte me pëllëmbë dhe unë vetëm nga librat.

Të nesërmen, kur na mblodhën ne mësuesve, unë dola “shumë i suksesshëm” se askush s’më bëri një pyetje. Dhe unë, pa mëshirë, si Ali Hamza, u thashë udhëheqësve partiakë e shtetërorë:

- Ejani t’u jap mësim në shkollë nate për historinë tonë. Asistent e dua Ali Hamzën!

“Njeriu i vështirë” për shtetin, Ali Hamza ishte plot dinjitet, plot burrëri. Më fort fliste heshtja e tij. E për atë heshtje, në vjeshtën e vitit 2008, u ula në një gur, kundruall kullës së tij. Dhe m’u kujtua fjala e një plake dukagjinase, kur krerët e Maleve po udhëtonin për në Shkodër dhe u ndalën për të pushuar tek ajo kullë Dukagjini. “Krerët” e pyetën plakën që ishte e vetme atë ditë në shtëpi: “Ku janë burrat?!” Plaka u përgjigj: “Burrat janë te kisha, dy pash nën dhé!” (domethënë kanë vdekur).

Por në Ballaban gurët mbajnë mend. Burrat janë në Tiranë, Durrës, Bajram Curr, Londër, Amerikë e gjithkund.

S’ka fshat, burrat e të cilit kanë pas këngë për së gjalli si Ballabani: Ahmet Sadria, Sadri e Brahim Bardhi etj. Kullat janë atje. Dhe gurët e tyre mbajnë mend!

2. PORTRET NË GJYSMËHIJE

Ali Hazma u lind më 2 prill 1915. Jeta e tij është një dramë e vërtetë, dramë që shkon deri në kufijtë e legjendës. Dy vjet para lindjes së Aliut, gjyshi i tij, Bajram Zeneli ishte vrarë në përpjekje me serbo-malazezët që dogjën tërësisht Tropojën në 1913. Ishte i së njëjtës familje të Bardh Çunve, djemtë e të cilit Sadri e Brahim Bardhi u kthyen në legjendë në luftimet me serbët në 1913. Ali Hazma u lind tek dajat e vet në Zherkë (Bytyç). U lind atje sepse i ati, një djalosh aventurier e kishte lëshuar (ndarë) nënën e Aliut, sepse ishte bërë merak në një femër tjetër. Bash si në legjenda, qysh në moshën 4-muajshe, filloi udhëtimi homerik i Ali Hamzës.

Gjyshja e tij nga nëna, merr djepin me Ali Hamzën dhe udhëton nga Bytyçi fisnik për në Ballaban. Si e dalë nga legjendat, me ata foshnjë 4-muajshe në shpinë, ajo udhëton për ta çuar atë tek kulla e vet në Ballaban, tek Lisi i Gjakut siç e cilëson Kanuni.

- Lëshoje atë djep në oborr oj fisnike, - i thotë Sadri Bardhi asaj plake, - se ky është djalë Hykajsh e këtu do të rritet.

Dhe e rriti me shumë mundime gjyshja nga i ati.

Por kishte qenë e shkruar që vuajtjet për Ali Hamzën të fillonin qysh në bark të nënës.

Në moshë 4-vjeçare i vdes i ati dhe mbetet me gjyshen, xhaxhain e gruan e xhaxhait. Por vuajtja s’kishte të sosur. Në moshën 12-vjeçare i vdes gjyshja, i vdes xhaxhai dhe 12-vjeçari mbetet zot shtëpie. Mbetet vetëm me gruan e xhaxhait me dy fëmijë: Rexhep e Isuf Haxhinë (Hykaj).

Por ky zot shtëpie 12-vjeçar (shokët e tij luanin në livadhe), kishte ku të mësonte. Shipshani kishte nxjerrë burra në zë. Të tillë kishte edhe në fëmijërinë e rininë e Aliut. Brah Ali Nezaj, Sadri e Brahim Bardhi (kushërinj të Aliut, Hykaj), Brahim Hamza i Trezhnjevës, Brahim Sejda i Kuçanës etj., ishin të njohur jo vetëm në Tropojë, po në Kosovë e më gjerë.

Odat në Ballaban (Papaj), pak metra larg shtëpisë së Aliut ishin të njohura në krejt Malësinë e Gjakovës. Në këto oda burrash, si në parlamente moderne, buronte vetëm urti. Përmenden edhe sot odat e burrave në Papaj si ato të Sadri e Brahim Bardhit, Ram Zeqirit, Adem Musës, Uk Bajramit. Këtu flas vetëm për odat në Ballaban, se të tilla kishte në krejt Shipshanin. Këto mjedise burrash e poqën dhe e burrëruan para kohe. Tema e parë e bisedave në këto oda ishte atdhetaria, patriotizimi.

Ato i dhanë Ali Hamëz Hykajt pikërisht tiparin kryesor të tij: Atdhetarinë. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Ali Hamza u shqua si nacionalist i rrallë. Bashkë me disa djem të tjerë të Shipshanit, ai merr pjesë në shumë takime me Gani Beg Kryeziun në Bytyç dhe u rreshtua përkrah nacionalistëve të tjerë me forcat e Ram Mujës e Tahir Hoxhës. Theksojmë se Rama Mujë Hoxha ishte komandanti i së parës çetë ndoshta në Shqipëri dhe janë të njohura aksionet e tij të bujshme kundër pushtuesit fashist në Rrape të Pukës, në Kam, Prizren, Gjakovë etj.

Në shtator 1943, në luftime me fashistët italianë në Çabrat të Gjakovës, Ali Hamza u plagos. Më vonë u arrestua nga gjermanët dhe po nisej për në kampin e përqendrimit në Prishtinë. Por qe ndërhyrja e disa të njohurve të tij që punonin xhandarë (këtu përmendim bashkëfshatarin e tij Selim Kuca) dhe gjermanët e liruan.

Por rreshtimi i tij me forcat nacionaliste, ndonëse kishte qenë edhe në kontakte të vazhdueshme me shtabin nacionalçlirimtar të Kosovës, do t’i kushtonte rëndë, gjatë gjithë jetës. “Njeriu i vështirë” që nuk zbutej kurrë, do të shihej përgjithnjë me sy dyshues nga regjimi komunist. Megjithëse pas Luftës, ai iu kushtua bujqësisë, lindi e rriti 8 fëmijë, disa prej të cilëve i shkolloi, prapëseprapë drama e shoqëroi gjithnjë. Syri dyshues i shtetit shënonte se edhe gruan e kishte nga Kosova e kjo mjaftonte për të krijuar alibinë e agjentit etj.

Një njeri i saktë, i prerë, fisnik, i drejtë dhe me mençuri të rrallë, Ali Hamza mbeti përgjithnjë një burrë shumë i respektuar i krahinës së tij. Në hallet familjare, konfliktet, dilemat etj., njerëzit i thoshin njëri-tjetrit: “Shko në Ballaban e pyete Ali Hamzën. Ai të jep rrugëzgjidhje!”

ORËT E TERRIT OSE TERRORI

Fillimi i viteve ’80 të shekullit të kaluar ka qenë nga më të egrit për shqiptarët. Kryeministri i vendit kishte vrarë veten, ministra, zyrtarë etj., pushkatoheshin përditë. Vendi ishte në mjerim të plotë. Terrori shkonte valë-vala deri në zonat më të largëta. Duhej gjetur “armiku” me çdo kusht e kudo. Dhe goditjet duheshin dhënë ndaj njerëzve me peshë që pastaj të tjerët të mbyllnin gojën e sytë, përgjithnjë. Në këtë situatë ferri, në vitin 1982, sigurimi arrestoi Ali Hamzën, ndonëse ai po u afrohej të 70-ve. Akuzat ishin të rënda: agjitacion e propagandë për përmbysjen e pushtetit socialist, tradhti ndaj atdheut etj. Ngjarja ngjalli pezmatim të madh në të gjithë zonën.

Djemtë e vajzat e tij, nipërit e mbesat ishin njerëz të nderuar në Tropojë.

Asokohe, unë punoja në gjimnazin e Bajram-Currit bashkë me djalin e madh të Ali Hamzës, Mehmet Hykën. Unë jepja lëndën e letërsisë e Mehmeti, matematikën. Mehmet Hyka (Mësues i Merituar) ishte një nga figurat qendrore të arsimit në Tropojë. As atëherë, as sot, kurrkush nuk i thërret në emër, por “profesor”. Pedagogu i talentuar, përmbi 30 e sa vjet kishte nxjerrë studentë të shkëlqyer. Vëllai tjetër, Haziri, drejtonte sektorë bujqësie në Tropojë. Disa nga pjesëtarët e familjes ishin mësues të respektuar: motra, kunata etj.

Pra, goditja djallëzore ishte jo për një plak, po për këta intelektualë dhe një rreth shumë të gjerë.

Ne, kolegët e Mehmetit në gjimnaz, e mbajmë mend atë vit, si vit të zi. Profesori i nderuar, i qeshur e i dashur me të gjithë, u rrudh, u zymtua. Mbaronte atë orë mësimi dhe një rruge dytësore shkonte e mbyllej në shtëpi. S’pinte më kafe me ne, nuk fliste. Kur e ftonim për një kafe gjente një pretekst dhe ikte. Nuk donte që ne të hynim në listat e zeza.

Por Ali Hamza e përballoi me dinjitet betejën e tij të fundit. Ai e dinte se me të donin të kapnin peshq të tjerë. Donin që me të të godisnin jo vetëm familjen e ngushtë, por edhe të afërm të tjerë si Isuf Haxhinë (Hykaj) burrë i nderuar që kishte kryer studime për ekonomi në Moskë, Ramadan Shabanin (Hykaj) burrë i spikatur, për shumë vite drejtues në pushtetin vendor. Miftar Uka, trim, bujar dhe i besës etj.

Ai burrë shtatshkurtër, i zeshkët e me sy zhbirues, që rrallë kishte qeshur në jetë, nga i akuzuar u kthye në akuzues. Pa iu dridhur qerpiku. Dhe gjarpri u tërhoq. Bëri tre muaj hetuesi dhe u detyruan ta lirojnë. Jeta i kish ofruar shumë rrallë buzëqeshje, tashmë u bë më i zymtë, me serioz. Buzëqeshja i erdhi vetëm në vitin ’90.

Nacionalisti i hershëm po shihte fillimin e realizimit të ëndrrës së atyre që luftuan për Shqipërinë e fjalës së lirë, të mendimit e veprimit të lirë. Ndërroi jetë më 19 mars 1999. Me një ëndërr të pambaruar: Ta shihte edhe një herë Kosovën që u çlirua vetëm pak muaj më pas. Mehmeti më ka thënë se dy-tre ditët e fundit të jetës pyeste në mënyrë të vijueshme: “Ç’ka po bëhet me Kosovën?”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora