E enjte, 25.04.2024, 09:44 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Një mëhallë hebrenjsh

E merkure, 08.04.2009, 06:32 PM


Nga Ajet Nallbani
 
Portret i Sabatai Zevi-së, misionarit të shquar hebre, që jetoi në Berat, ku mendohet se gjendet një prej varreve-tempuj të tij

Berati ka qenë një nga qytetet më në zë në mesjetë. Ai përmendet si kryeqendër me një zhvillim të madh kulturor dhe ekonomik. Nga dokumente të shkruara, kjo qendër u bë vatër për të pritur banorët e Durrësit kur tërmeti shkatërroi pjesën dërrmuese të qytetit. Ishte fuqia ekonomike e Beratit që pëlqehej për të bujtur banorë të ardhur. Po kështu ndodhi dhe me komunitetin hebre.

Menjëherë mbas pushtimit turk, vihen re se nga trevat brenda perandorisë, kryesisht nga Janina dhe nga Vlora, vinin dhe vendoseshin në Berat familje të tëra hebrenjsh që merreshin me tregti. Nuk dihet saktësisht vendosja fillimisht e këtij komuniteti, por në shek. XVII përmendet se “në Berat ishte një mëhallë çifute”. Më 1670, Çelebiu që vizitoi Beratin, përmend 30 lagje: 10 të krishtera, 1 hebreje dhe të tjerat myslimane. Jahudinjtë e Beligradit shqiptar bëhen 18 shtëpi (të detyruara) me xhizje, e meqenëse këta i paguanin xhizjet e tyre bashkërisht me rajatë, në vitin 1675, janë shënuar për të paguar nevojat e stofrave të jeniçerëve të pallatit perandorak.

Nga hulumtimet e bëra, kjo lagje ndodhej pranë qendrës së qytetit, aty ku zhvillohej dhe tregtia më e madhe (pranë Xhamisë së Telelkave), ku ky komunitet ndihej i sigurt dhe në harmoni me banorët autoktonë. Sa herë që vinin familje hebreje në Berat, sistemoheshin pranë njëri-tjetrit, duke zgjeruar mëhallën ku ishin vendosur. Nga të dhëna dokumentare, në Berat kanë banuar 25-30 familje hebreje, të cilat herë rriteshin deri 40-50 familje dhe herë zvogëloheshin. Kjo ndodhte për arsye se këta merreshin me tregti, kryesisht me qendrat nga kishin ardhur, por dhe më gjerë dhe kishte raste shpërnguljeje në këto drejtime me gjithë familje.

Të dhëna jo fort të sakta jepen dhe për mënyrën se si ky komunitet kryente ritet fetare. Nuk kemi asnjë të dhënë deri më sot për ekzistencën e një sinagoge të mirëfilltë. Logjikisht, mungesa e saj vjen se prania e këtij komuniteti ishte në periudhën kur autoritetet turke nuk lejonin zhvillimin e ceremonive të tilla. Ky komunitet nuk trashëgonte ndonjë objekt kulti që të kishte dhe arsye ta mbronte. Ajo që është e pranueshme mund të thuhet se ritet kryheshin në mjedise të një faltoreje të sajuar nga një banesë e zakonshme me qëllim që të mos linin gjurmë. Por prania e komunitetit hebraik në Berat lidhet edhe me emrin e një figure të jashtëzakonshme, pikërisht të famshmit Sabatai Zevi. Sabatai Zevi ishte udhëheqësi shpirtëror i hebrenjve. Ai predikonte judaizmin në fshehtësi për shkak të përndjekjes nga qeveria turke. Për hebrenjtë Sabatai Zevi “ishte Mesia dhe shëruesi i pagabuar”. Ai u kap nga turqit dhe u syrgjynos në Shqipëri. Sabatai Zevi, i detyruar, u kthye në mysliman me emrin Aziz Mehmed apo ndoshta për ta pasur më lehtë predikimin e tij të fshehtë. Disa botues të huaj thonë se ka qenë i internuar në Berat ku dhe ka vdekur. Të dhëna gojore thonë se në lagjen “Vakëf” ka ngelur toponimi “Te varri i çifutit”, botuar në librin “Toponimet e Beratit”. Por disa autorë hebrenj, të cilët kanë ardhur dhe në Berat, kanë mendimin se mund të jetë edhe në Fterrë të Sarandës ose në Ulqin. Varri i tij kërkohej për t’u bërë vend peligrinazhi për besimtarët hebrenj.

Duke marrë shkas nga vizita e drejtores së Qendrës së Artit Hebre në Universitetin e Jeruzalemit, zonja Aliza Cohen Mushlin dhe grupi që e shoqëronte, të cilët në vitin 2003 qëndruan disa ditë në Berat, si dhe të studimit të Ivan Ceresnjes dhe Stephen Schwarz, hulumtova mbi këtë temë duke kërkuar lidhjen e komunitet hebre dhe Sabatai Zevi-t. Autorë të shumtë që kanë shkruar për këtë temë, i referohen njëri-tjetrit duke përshkruar mjedise dhe të dhëna të tjera për të dhënë një material sa më bindës, për të pasur autorësinë e një studimi shumë të kërkuar. Kështu, në një material, Ivan Ceresnjes i referohet shumë autorëve si Scholem, Glenn Harris, Karen Armstrong, P. P. Fenton etj.

Scholem mendon se Sabatai Zevi duhet të jetë varrosur në Ulqin, por mungesa e hebrenjve në qytet duket se ka nxitur një teori alternative, se ai është varrosur në Berat, tamam në Shqipëri. Deri në atë kohë, Berati kishte një lagje hebrenjsh, edhe pse, pothuaj, të gjithë hebrenjtë u larguan nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Pretendimi për Beratin u argumentua me shumë vendosmëri e këmbëngulje nga ish-Kryeministri izraelit Yitzhak Ben Zvi (1884-1963), i cili shkruante se një diplomat izraelit, jo vetëm që kishte konfirmuar vendin, por kishte gjetur dervishët shqiptarë të sektit bektashi sufit që ruanin varrin.

Shumë interpretime janë bërë nga ekspertë të çështjes hebreje për një lidhje bektashiane me lëvizjen sabatiane. Është më se e qartë se Sabatai Zevi kishte lidhjet e tij mes dervishëve osmanë. Sa sistematike mund të ketë qenë kjo, pak dihet. Përveç kësaj, me kalimin e shekujve, gjithnjë e më shumë sabatianë në zotërimet otomane, sa për dukje, shndërroheshin në myslimanë. Më i njohuri prej të cilëve ishte sekti donme, në Selanik dhe më vonë në Stamboll, të dyja qendra të fuqishme të bektashizmit në të kaluarën. Por, duke iu referuar Scholem-it, shumë spekulime janë bërë e shkruar për bektashinjtë, që janë pak të bazuara në kërkime serioze për këtë dukuri të kulturës otomane dhe ballkanike.

Scholem theksonte se të dy besimet karakterizoheshin nga huazime prej besimeve të tjera si edhe një vazhdimësi apo ringjallje e disa zakoneve pagane. Është treguar edhe për ngjashmëri të tjera midis dy sekteve: dhunim i qëllimshëm i ligjeve hyjnore, të kënduarit si një mjet ekstaze, lexime ezoterike nga Teurati dhe Kurani, gatim kolektiv etj.

Ivan Ceresnjes duke iu referuar Scholem-it, autor i kryeveprës “Sabatai Zevi: Mesia mistik”, jep mjaft të dhëna për jetën e tij dhe familjes, duke përmendur dhe emrat e konvertuar në myslimanë. Midis viteve 1666 dhe 1672, Sabatai Zevi duket se ka mbajtur një identitet publik mysliman, ndërkohë që vazhdonte t’u predikonte mësime hebrenjve, pa qenë shumë i shqetësuar nga turqit. Megjithatë, ai u riarrestua prej autoriteteve turke dhe u syrgjynos në Shqipëri në 1673. Të dhëna të tjera thonë se Sabatai Zevi kishte ardhur në Ulqin si dizdar otoman ose si administrator i kështjellës së qytetit dhe jetoi në Kullën e Balshajve si një figurë autoriteti për qytetin. Në këtë kontekst shtrohet pyetja: Si shpjegohet që një i internuar, një person që kërcënonte pikërisht themelet e vet Perandorisë Otomane, banon në pikën qendrore të një kështjelle, në vendin më të shquar të gjithë qytetit, nëse ai është dikush që detyra dhe pozicioni nuk ia kërkojnë këto? Kjo pyetje na çon tek misteri i pazbuluar i Shehadetit (shahadah-ut) të tij dhe lidhjeve me sulltan Mehmedin IV dhe Vezirin e Madh Ahmed Koprulu. Duket se është e pamundur të mos dyshohet për rolin e Vezirit të Madh Ahmed Koprulu, anëtar i familjes së fuqishme shqiptare Koprulu me origjinë nga Berati, i cili e dërgoi në një mjedis shqiptar për ta mbajtur nën mbikëqyrje, mbetet një nga shumë pyetjet pa përgjigje në dokumentet bashkëkohore.

Në Kosovë, në fillim të vitit 1991, është botuar një volum për historinë vendore Ulqini ndër shekuj, nga Ruzhdi Ushaku. Në këtë studim, Sabatai Zevi del si themelues i lëvizjes masive hebreje në Turqi, që aspironte “të reformonte Talmudin hebre”. Citoj librin: “Besohet se varri i tij ndodhet në oborrin e një shtëpie myslimane, si një tyrbe me karakter të shenjtë”. Në të njëjtin libër thuhet se “dy altarë hebre kanë mbetur në Kullën e Balshajve”, struktura më e lartë në pjesën e vjetër të qytetit, të cilën Zevi e përdori si rezidencën e tij.

Për variantin e Kullës së Balshajve si vendi ku Sabatai Zevi jetoi dhe vdiq kur u internua në Ulqin, pretenduesit bëjnë pyetjen: Përse është kaq tërheqëse panorama e qiparisave në murin jugor të dhomës, në të cilën Sabatai Zevi ka kaluar vitet e fundit të jetës?

Së pari, imazhet e qiparisave si simbol i peizazhit të Jeruzalemit, shfaqet në ikonografinë çifute, me përjashtime të rralla, vetëm në shekullin e 19-të, por janë shumë më të ndeshura në artin islam, kryesisht aty nga shekulli i 12-të. Ato i gjen në të gjitha faltoret islame. Qiparisi i stërzgjatur drejt qiellit është i dashur për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë afër Zotit. Kështu dhe arkitektët kanë futur elementë të tillë, si minaret, mihrabin në formë të selvisë së zgjatur deri në tavan, kupolat në mes të tavanit të lartësuara, kambanat e lartësuara etj. “Ndonjëherë, një numër pemësh që bëjnë pjesë në peizazhin e vendit, veçanërisht atij të Jeruzalemit, shfaqen në të dyja anët e vazos. Palmat dhe qiparisat janë veçanërisht të shpeshta. Në të vërtetë, këto të fundit mund të quhen si një nga simbolet e Jeruzalemit, përderisa mali i Tempullit, me peizazhin që ka, siç mbahet mend, karakterizohej nga qiparisat” (Cecil Roth). Duke analizuar përshkrimet për peizazhet në vendqëndrimet e imagjinuara të Sabatait, do të thosha se të gjitha peizazhet e lartpërmendura gjenden në xhami dhe teqe edhe të Beratit, kështu që nuk janë argument as për kullat e Balshajve, as për thëniet gojore të qytetarëve. Peizazhi i lartpërmendur është i pranishëm në të tri besimet: hebre, kristian e mysliman.

Berati është vendbanim i një komuniteti hebre, me banorë shumë tolerantë. Berati, veçmas për këtë temë, i dha Perandorisë Osmane katër vezirë, nga ku mendohet që Ahmed Qyprilliu të ketë ndikuar në mosdënimin me vdekje të Sabatait dhe e çoi në një vend ku kishte ndikimin dhe njerëzit e tij. Në konkluzion, do të thosha se më afër realitetit është që Sabatai Zevi jetoi dhe vdiq në Berat. Mbase një gërmim arkeologjik në një nga tyrbet dhe në vendin toponim të varrit të Sabatai Zevit do të hidhte më shumë dritë për këtë temë.

Box

Për hebrenjtë, një rrugë dhe një libër me fakte shteruese

Dje, në Berat, një rrugë merr emrin “Hebrenjtë”, ndërsa promovohet edhe libri “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës”, aktivitet për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Libri me rreth 300 faqe përfshin studime dhe dokumente më të reja të zbuluara për fatin edhe lidhjet e hebrenjve me shqiptarët dhe Shqipërinë, tashmë gjendet në libraritë kryesore të vendit. Libri është përgatitur nga gazetari Naim Zoto, nën përkujdesin shkencor të prof. dr. Shaban Sinanit, studiues i njohur në shkallë ndërkombëtare për çështjen e hebrenjve në Ballkan. Botimi i librit është mundësuar nga ambasada e SHBA-ve, si dhe Konsullata e Nderit e shtetit të Izraelit në Shqipëri. Në fakt, libri ka marrë shkas nga konferenca shkencore me titull: “Berati për shpëtimin e hebrenjve”, që u zhvillua vitin e kaluar, por që është pasuruar me materiale, të dhëna e dokumente të tjera, të cilat e sjellin argumentin në formatin shkencor. Hartuesit e librit bëjnë publike studimet më të reja për fatin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u përqendruar në sjelljen shqiptare ndaj holokaustit nazist, sjellje që ka mahnitur Perëndimin. Në librin “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës” gjenden të dhëna dhe studime mjaft interesante për aspekte të historisë së hebrenjve në Shqipëri, nga autorë e historianë, si prof. dr. Ferit Duka, prof. dr. Pëllumb Xhufi; prof. dr. Kostas Giakoumis, prof. dr. Shaban Sinani, prof. dr. Jovan Basho etj. Duke lënë mënjanë rrëfimet dhe motivimet folklorike që kanë karakterizuar deri vonë nismat për të shpjeguar “fenomenin Shqipëri” në sjelljen ndaj hebrenjve, libri “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës” shenjon një kontribut themelor për të pasur një histori realiste dhe të mbështetur në kritere shkencore. Një nga vlerat kryesore të librit lidhet me përfshirjen në të të një bibliografie gati shteruese. Në rreth 20 faqe jepen mbi 300 autorë dhe tituj veprash referenciale për historinë e hebrenjve dhe veçanërisht marrëdhëniet e tyre me shqiptarët në Ballkan. Bibliografia është hartuar nga prof. dr. Shaban Sinani. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora