Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Deklaratat më qesharake të njerëzve të famshëm të artit

| E enjte, 19.07.2007, 07:49 PM |


Njerëzit më të famshëm janë autorët e deklaratave qesharake më të famshme. Të qenit në qendër të vëmendjes, jo gjithmonë është në favor të tyre. Ata duhet t'u shpëtojnë gërricjeve të gazetarëve, kuriozëve dhe gjithmonë duhet të jenë vigjilentë në atë çfarë thonë dhe bëjnë. Por disa prej tyre, duket se jo gjithmonë e kanë në maksimum nivelin e vigjilencës. Fjali të gjata me fjalët që s'kanë lidhje me njëra-tjetrën, shpeshherë kanë shtangur dëgjuesit dhe, në pjesën më të madhe të rasteve kanë krijuar humor në ambientet ku janë thënë. "Duhani të vret dhe, nëse ti je i vrarë, ke humbur një pjesë shumë të rëndësishme të jetës tënde". Një deklaratë e tillë e aktores së famshme Brooke Shields, gjatë një interviste për t'u bërë zëdhënëse e një fushate antiduhan, jo vetëm që s'e ka bërë fituese, por e ka nxjerrë edhe qesharake para publikut. Një shpjegim i thellë i Sylvester Stallones, që thotë se artisti vetëm kur vdes është i lumtur dhe, se do të dëshironte që pas vdekjes të mishërohej në një penel, gjithashtu ka krijuar një situatë komike, sado që ai foli seriozisht. Por për t'u shënuar janë edhe batutat e trajnerëve të ndryshëm. "Çuna, rreshtohuni alfabetikisht sipas gjatësisë suaj", është thënia më qesharake e trajnerit të kombëtares së futbollit në Florida, Bill Peterson. Ose ajo e trajnerit të boksit, Lou Duva, që ndërsa fliste për angazhimin e një boksieri të ri tha: Ai është një djalë që çohet në orën gjashtë të mëngjesit, pavarësisht se sa është ora". Por ngatërresa të tilla gjatë të folurit gjithsesi komentohen më me dashamirësi sesa gabimet gjeografike, të tipit Britney Spears. "Asnjëherë s'kam dashur të shkoj në Japoni. Thjesht sepse nuk më pëlqen të ha peshk. Dhe e di, se ky ushqim është shumë popullor në Afrikë", ka thënë këngëtarja e famshme duke folur për vendin aziatik. Por ky s'është gabimi i parë, as i fundit për të. Në median amerikane qarkulloi për shumë kohë deklarata e Spears, kur tha se, "Unë udhëtoj shumë jashtë Amerikës, madje kam shkuar edhe në Kanada". Po me gjeografinë ngatërrohet edhe basketbollisti i famshëm, Shaquille O'Neal, ndërsa pyetet nga gazetarët nëse e kishte vizituar Panteonin në Acropolis-in në Athinë. "T'ju them të drejtën nuk i kujtoj emrat e klubeve që vizitova", përgjigjet ai.

Brooke Shields, aktore
“Duhani të vret dhe, nëse ti je i vrarë, ke humbur një pjesë shumë të rëndësishme të jetës tënde”. Kështu ka thënë aktorja e famshme, Brooke Shields, gjatë një interviste për t’u bërë zëdhënëse e një fushate federale antiduhan. Ndërkohë një tjetër deklaratë e bujshme e saj, ndërsa pyetej se, pse ishte mirë që në kolegj të kishte një fjetore të përbashkët me çuna e goca, ajo tha: Është mirë sepse të jep ndjenjën e sigurisë, që nëse dikush hyn për të vjedhur, ti e di se mund të thërrasësh një djalë dhe ai do të sjellë një trapan apo diçka tjetër.

Christina Aguilera, këngëtare
“Pra, ku do zhvillohet Festivali i Filmit të Kanës këtë vit?” Kjo është pyetja e këngëtares me famë botërore, Christina Aguilera, që ka shtangur të gjithë gazetarët dhe sigurisht që ka shkaktuar buzëqeshje në fytyrat e tyre.

Kylie Bax, supermodele
“Kur jam bionde, mund të them se bota është ngjyrë vjollcë dhe të gjithë do të më besojnë sepse asnjë s’ka qenë duke më dëgjuar”, ka thënë supermodelja dhe aktorja e njohur Kylie Bax, gjatë një interviste në një revistë.

Greg Norman, lojtar golfi
“Unë ju detyrohem shumë prindërve të mi, veçanërisht babait dhe nënës sime”. Kjo është deklarata më qesharake që ka thënë Greg Norman, lojtar i famshëm i golfit, gjatë një interviste për media.

Paris Hilton
“Unë jam kaq e zgjuar tani. Gjithkush e ka mendjen të më thotë “Hiqe bluzën”. Më vjen keq, por jo. Ata gjithmonë duan t’i kenë paratë kështu si unë. Nuk jam budallaqe”. Kjo deklaratë e Paris Hilton, trashëgimtares së familjes së pasur, e dhënë në dhjetor të vitit 2003, xhiroi të gjithë mediat duke u shënuar si një nga prononcimet më qesharake të vajzës së famshme.

Mariah Carey, këngëtare
“Gjithmonë kur shikoj televizor dhe shikoj fëmijët e varfër që vdesin për bukë nëpër botë, unë s’mund t’i mbaj lotët. Dua të them, do vdisja që të bëhesha e dobët si ata, por jo me ato miza, me vdekjen e gjëra të tilla”. Kjo është fjalia më qesharake e thënë në media nga Mariah Carey, këngëtarja e famshme e pop-it.

Yogi Berra, bejsbollist
“Parashikimet janë të vështira, sidomos ato për të ardhmen”, ka thënë Yogi Berra, lojtari i njohur i bejsbollit. Kjo deklaratë shkaktoi shumë të qeshura, duke u bërë thënia më qesharake e ditës edhe në median e shkruar.

Dizzy Dean, bejsbollist
“Doktorët futën në rreze X kokën time dhe nuk gjetën asgjë brenda”. Kjo ishte përgjigjja e bejsbollistit të famshëm, Dizzy Dean, gjatë një interviste. Gazetari e pyeti nëse kishte pësuar dëmtime pasi ishte qëlluar në kokë me top në vitin 1934.

Linda Evangelista, supermodele
“Unë nuk mbaj dietë. Thjesht nuk ha aq shumë sa do të doja të haja”. Kjo deklaratë e thënë nga supermodelja Linda Evangelista, erdhi pas pyetjes së gazetarëve nëse mbante dietë për të ruajtur elegancën. Përgjigjja ishte mjaft e sinqertë në pjesën e dytë të saj.

Sylvester Stallone, aktor
“I vetmi artist i lumtur, është artisti i vdekur. Sepse vetëm atëherë nuk mund të ndryshosh. Pasi të vdes, do të doja të mishërohesha në një penel”. E kush e mendonte se ishte kaq natyrë filozofike, aktori Sylvester Stallone? Po ja, kjo fjali e fut Stallonen në kategorinë e deklaratave qesharake.

Britney Spears, këngëtare
“Asnjëherë s’kam dashur të shkoj në Japoni. Thjesht sepse nuk më pëlqen të ha peshk. Dhe e di, se ky ushqim është shumë popullor në Afrikë”. Japonia e Afrikës së Britney Spears qarkulloi gjatë si një nga deklaratat më qesharake të këngëtares, që jo rrallë këput gafa të tilla.

Jessica Simpson, këngëtare
“Unë s’jam anoreksike. Unë jam nga Teksasi. A ka ndonjë njeri nga Teksasi që të jetë anoreksik? Unë s’kam dëgjuar të ketë. Dhe kjo më përfshin edhe mua”. Ky është shpjegimi nervoz i këngëtares Jessica Simpson, në lidhje me elegancën e saj, të cilën shpesh e lidhnin me anoreksinë.

Lou Duva, trajner boksi
“Ai është një djalë që çohet në orën gjashtë të mëngjesit, pavarësisht se sa është ora”. Prononcimi qesharak i trajnerit veteran të boksit, Lou Duva, është kthyer në barsoletë në ambientet e këtij sporti. Për të treguar angazhimin e madh të një boksieri të ri, Lou Duva lëshoi edhe deklaratën e mësipërme.

Michael Barrymore, prezantues
“Pra Carol, ti je një shtëpiake dhe një nënë. A keni fëmijë?” Kjo është pyetja e prezantuesit të njohur britanik të emisioneve, Michael Barrymore. Këtë pyetje ai ia bëri të ftuarës së tij gjatë emisionit. Barrymore është edhe një komedian dhe aktor i njohur.

Ted Turner, filantropist
“Nëse do ktheja detyrimet e mia, nuk do të zotëroja asgjë. Bashkëshortja ime është një detyrim, fëmijët e mi janë detyrime, por unë s’i kam kthyer ata”. Kjo është cilësuar si një fjali qesharake e filantropistit dhe pronarit të një pjese të masmedias amerikane, Ted Turner. Ai e dha këtë prononcim ndërsa shiste pronat që i shkaktonin humbje. Turner ka pasur probleme të mëdha me alkoolin dhe kumarin.

Bill Peterson
“Çuna, rreshtohuni alfabetikisht sipas gjatësisë suaj”. Kjo është thënia më qesharake e trajnerit të kombëtares së futbollit në Florida, Bill Peterson.

Dorina Topollaj