Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhaxhi doktor, mos i merrni lekë babit tim..

| E premte, 10.04.2009, 03:19 PM |


Nga Mark Brunga

Xhoni ishte një vogëlush i varfër 11-vjeçar. Xhoni nuk është më! Trupi i tij pa jetë, një ditë më parë është varrosur në Tepelenë.

Xhoni R. sapo kishte ardhur familjarisht në Durrës me prindërit e tij dhe me një motër me të madhe. Banonin përkohësisht (sa "të rregulloheshin") tek shtëpia e hallës (kishte migruar përpara tyre në Durrës), pasi nuk kishin aq para sa të paguanin një qira banese.

I kishte tërhequr bukuria e qytetit bregdetar, e cila ngjall edhe shpresa, dhe, prindërit, duke luftuar për një të ardhme më të mirë për Xhonin dhe motrën e tij, u joshën në këtë ëndërr të shkurtër.

Xhoni jetonte me këto ëndrra, deri në momentin kur një makinë, që drejtohej nga një vajzë pa patentë, e përplasi tek luante në breg të detit. Shteti paguan zyrtarë për patentat, paguan policë për t'i kontrolluar ato, paguan prapë policë për të mbajtur rend e rregull në një zonë ku nuk lejohen makinat.

Por ja që ia morën jetën vogëlushit, në bregun e detit të ëndrrave të tij. Policia, po ajo polici që ka për detyrë të ruajë që në atë breg të mos shkelin goma makinash, njoftoi vdekjen e fëmijës, me një gjuhë të thatë zyrtare:

"Dje, rreth orës 17.30 të pasdites, në sektorin Hekurudha Plazh, duke lëvizur në bregdet, një veturë në pronësi të shtetasit K.D., me targa DR 8161 e ka aksidentuar shtetasin Xhoni Recka, 11 vjeç, banues në lagjen nr.13.

Është dërguar në spitalin rajonal të qytetit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, ka ndërruar jetë".
Këto thoshte komunikata e shtetit për "shtetasin Xhoni Recka, 11 vjeç" (!).

Mjekut Met Kaci, i mbushen sytë me lot kur flet. Kujton momentet kur fëmija u soll në sallën e urgjencës së Spitalit Rajonal të Durrësit dhe mezi merrte frymë. E, ashtu në grahmat e fundit të jetës, tha një frazë, që dr. Metit dhe mjekëve të këtij spitali, do t'u mbetet përjetë në kujtesë: "Xhaxhi doktori, mos i merrni lekë babit tim, se ne jemi të varfër...".

Kërthiu kishte mbyllur sytë paqësisht, pa akuzuar askënd, vetëm me merakun e fukarallëkut të prindërve të tij, të cilët do t'i linte edhe më të varfër tashmë.
Dr. Meti e ka të vështirë këtë rrëfim: "Po i bllokohej frymëmarrja dhe, pasi na tha atë frazën për babanë, bëri një pauzë dhe foli prapë, duke na parë në sy: "Nuk marr dot frymë...".

I vumë oksigjenin. Ka qenë një operacion që e kemi bërë me dhimbje të pashoqe. Zgjati 3 orë e gjysmë dhe u krye me profesionalizëm nga kirurgët Ilir Shani dhe Naim Mediu. Ata bënë të pamundurën, por aksidenti i kishte dëmtuar, me pasoja të pariparueshme, shpretkën dhe shkatërruar enët e mëdha të gjakut. Pas marrjes së gjakut, u duk sikur u përmirësua, por..."

Nuk rezistoi dot më shumë trupi i dobët i Xhonit. Dhe iku. Iku me kërkesën-akuzë: "Xhaxhi doktori, mos i merrni lekë babit tim...". Në Spitalin e Durrësit janë ende të shokuar.
Ky është shteti ynë sot. Vetëm fjalë dhe demagogji.

Deklaron reforma dhe reformat nuk zgjidhin kurrë asgjë. Ku e dinte fëmija se duan para mjekët? Sepse kjo është temë e ditës. Sepse fukarallëku e ndez përditë këtë bisedë në shtëpitë e të varfërve...

Xhoni tashmë është varrosur në Tepelenë. Por, edhe që atje, AI AKUZON me kërkesën e tij fëmijërore.

G. Shekulli