E enjte, 18.04.2024, 11:20 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: “Trajner-fobia” ose “Haan-fobia”

E hene, 06.04.2009, 09:51 AM


“Trajner-fobia” ose “Haan-fobia”

Nga Besnik Dizdari

Dje në një numër të vetme gazete e kam gjetë plot 30 herë emrin e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Arie Haan. Në një tjetër 26 herë. Ndërsa te një gazetë e tretë holandezi i famshëm kishte shpëtuar me vetëm 15 herë. E pra ai nuk ishte dhe nuk është në fushën e lojës, por në stolin e drejtimit, jashtë fushës. Çka do të thotë se ai nuk luan. Bie fjala, topin me krye aq bukur për të shënuar kundër Shqipërisë hungarezit Torghelle tri metra para portës së Hidit, nuk ia dhuroi trajneri Haan, por mbrojtësi Dallku, i cili ishte në fushë duke luajtur si futbollist mirëfilli, jo duke orientuar nga stoli i trajnerit. Po ashtu, siç ngjau në ndeshjen me Danimarkën mbrëmë: që topin e largët nga 35 metra të Andreasenit e lë t’i kërcejë në tokë me vetëm me centimetra larg duarve e syve të tij, këtu nuk ka punë trajneri, por punë Hidi. Ose siç ngjau po në ndeshjen me Danimarkën mbrëmë edhe në rastin e golit të tretë të Poulsen, që gjithashtu qe punë Hidi.

Nuk do ta harroj kurr çastin e mbasndeshjes së humbur 1-4 në Vollgograd kundër Rusisë më 2002. Po prisnim për shkak të kapriçove të aeroportit të Vollgogradit që për çudi kishte mbetë si i kohës së Betejës së Stalingradit. I mërzitur dhe i heshtur trajneri italian i Shqipërisë, Giuseppe Dossena, dukej si i ngrirë. Si për të dashtë ta zgjoj prej asaj letargjie, iu afrova duke i folur pak për ndeshjen, e cila mbas një 45 minutëshi të fuqishëm të Shqipërisë, e në tanësi mbas një loje vërtet tërheqëse pavarësisht nga shifrat dërmues 1-4, ngjallte diskutim. “Ndeshje normale”, tha Dossena, “e në të shumtën e barabartë”. “Mirëpo, 4-1”, ia ktheva unë. “Po”, u përgjigj ai, “për shkak të katër gabimeve vetjake (individuale) të katër lojtarëve, episode që nuk kanë të bëjnë as me mënyrën e lojës, as me taktikën, as me epërsinë e njërës palë apo tjetrës. Ky është futbolli”.

Më fliste kështu një ndër futbollistët më të mëdhenj të Italisë - Kampione e Botës 1982, përveç të tjerave një universitar i shkencave politike. Ndërsa mbrëmë, teksa përjetoja edhe golin e dytë të Danimarkës, për çudi të shkaktuar po prej një vonese reagimi të Dallkut, se si mu kujtua një Saldanha, trajneri brazilian i cili përgatiti Brazilin e madh të vitit 1970. Mbasi iu tregonte para çdo ndeshjeje vendosjen taktike apo detyrat kësisoji lojtarëve të tij, në fund ai iu thoshte: “Kjo është mënyra e lojës që mendoj unë, por në qoftë se deri në pesë a dhjetë minutat e para, kjo mënyrë iu dështon, atëherë luani si të dini ju vetë”.

Natyrisht, Saldanha kishte në fushë 11 “lojtarë – trajnerë”, emrat e të cilëve ishin Pele, Gerson, Tostao, Klodoaldo, Jairzinho…

Ndërsa Shqipëria është e vogël, madje e vockël në krahasim me një Brazil. E megjithate, mendimi i Saldanha-s në fund të fundit, na kujton qartë, se gjithçka varet tek ata që luajnë në fushë, të cilit nuk janë trajnerët, por futbollistët. Është i lumtur ai trajner i cili ia arrin të përçojë në fushën e lojës te lojtarët pesëdhjetë për qind të mendimit të tij, thotë një lojtar dhe trajner i dëgjuar, Johannes Cruijff. Ndërsa një tjetër ka lënë sentencën më “biologjike” që mund të jetë thënë ndonjëherë për futbollin: “Përderisa loja e futbollit”, ka thënë ai, “luhet me gjymtyrët më pak të kultivuar të organizmit të njeriut, që janë këmbët, në ndeshje gjithçka e paarsyeshme mundet me ndodhë”.

Mirëpo, Shqipëria ka do vjet, qysh kur Kombëtarja e saj ka marrë trajner të huaj, që përshkohet prej Trajner-fobisë (“phobia”, vjen nga greqishtja që nënkupton një lloj frike, kundërshtim, mospranim, antipati). Kësisoji, në Shqipërinë e viteve ‘2000 flitet kryesisht vetëm për trajnerin. Ai del në foto më fort se askush. Vetëm ai është në qendër të vëmendjes. Ai është fajtori dhe merituesi. Ai është trimi i madh i suksesit. Ai është rreziku. Ai është shpëtimi. Ai është shkaktari i humbjeve. Puna ka mbërritë deri aty, saqë ndonjë tifoz i vjetër, i cili mendon se ne që shkruajmë dijmë diçka më tepër, nuk më pyet më “Çka thotë Kombëtarja” apo “Çka thotë ndeshja”, por “Çka thotë Haan-i?”

Po mirë: Lorik Cana, i cili e dinte se një karton i vetëm i verdhë me hungarezët do ta linte pa luajtur në Danimarkë, e mori këte për faj të trajnerit? Kur dihet se kapiteni i O. Marseille është një titullar i shquar i cili vjen prej përvojës së një prej Kampionateve më të fortë të Botës, që është ai i Francës?

Dhe Shqipëria e cila ka gjetë kishën apo xhaminë ku me u falë për futbollin: Trajner-fobinë! Në rastin e tashëm “Haan-fobinë”!

Ajo që të bën përshtypje tejet, është se kjo Trajner-fobi ka nisur qysh mne Dosssena-n, ka vazhduar me vrull me Briegeli-n e Baric-in dhe po arrin kulme me Haan-in. Interesante është se mbasi kanë harruar se nuk i kanë lë gjë pa i kritikuar Briegeli-t e Baric-it, tash kanë filluar t’i ngrejnë në qiell. Harresa është e pafalshme sidomos në profesionin e gazetarisë.

Autori i këtushëm (dhe jo vetëm ai) gjatë viteve të gjata të tij profesionale, ka qenë një ndër kritikët edhe të trajnerëve të Kombëtares. Dhe vërtet ka pasë çaste që trajneri duhej të vihej disi më në qendër të vëmendjes. Por këto kanë qenë çaste, nuk ka qenë një “ideologji”, mani apo fobi, siç është bërë sot.

Është vërtet e papranueshme kur sheh se trajnerit të Kombëtares i sulen pa mëshirë edhe trajnerët e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, të cilët nuk shkëlqejnë e nuk kanë patur rastin të shkëlqejnë jo më në ndeshjet e Kupës së Botës apo të klubeve të Evropës, por as në vetë drejtimin e skuadrave të tyre në ndeshjet e Kampionatit Kombëtar, niveli i të cilit është një ndër shkaqet më kryesore të ritmeve të ulëta të formimit të lojtarëve me nivel të lartë edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, 21-vjeçarët e Shqipërisë e kështu me radhë.

Mbrëmë trajneri Arie Haan, i cili natyrisht nuk qe në fushën e lojës por në stolin e drejtimit, regjistroi në historinë e tij shqiptare ndeshjen më të dobët nën regjinë e tij. Dhe mbas 1-6 me Rumaninë më 21 nëntor 2007 të periudhës Bariç (në stolin e drejtimit Z. Kovaçiç), kjo qe ndeshja më e pa nivel e Shqipërisë, madje mbas kaq vitesh e vetmja pa asnjë gjuajtje në portë prej shqiptarëve. Dhe assesi nuk del jashtë përgjegjësisë jo të vogël edhe trajneri Haan. Për çka duhet të jenë gëzuar kushedi sa shqiptarë – anëtarë të Klubit të “Trajner-fobisë” e “Han-fobisë” së bashku. Mirëpo, teksa na vjen ndër mend të bëjmë një bilanc, kujtojmë se në ate që njihet se Renditja e jonë e “Trajnerit më rezultativ” të Kombëtares, edhe mbas ndeshjes me Danimarkën del se janë trajnerët e huaj ata që kryesojnë si më rezultativët:

1. Hans Peter BRIEGEL

2. Otto BARIÇ

3. Neptun BAJKO

4. Arie HAAN

Me këte nuk duam të themi se nuk do të dalin trajnerë shqiptarë që t’ia kalojnë atyre. Nuk na shkon ndër mend të zëvendësojmë një fobi me një tjetër. Vetëm deshëm t’i rikujtojmë harresës se qysh nga viti 1963, kur Shqipëria ka marrë pjesë në KE dhe KB dhe deri sa erdhi në krye Giuseppe Dossena e menjëherë mbas tij Hans Peter Briegel, Kombëtarja ka arritur të marrë vetëm 12 fitore në 39 vjet të tana! Me një fjalë, për të padijshmit, përmbledhim se në periudhën 1963-2002, Shqipëria ka marrë vetëm 12 fitore, ndërsa për periudhën 2002-2009, për vetëm 7 vjet Shqipëria ka marrë 9 fitore. Dhe duke qenë se opinioni sportiv në Shqipëri rrezikon të sundohet prej atyre që siç e kemi thënë edhe një herë tjetër, Patër Gjergji qysh më 1921 i përcakton si: “kush po di mâ pak, po shkruen ma shum”, jemi të detyruar t’i mëshojmë edhe më “shkencërisht” fakteve. Dhe kryefakti: na thotë se Shqipëria ka qenë 17.3 për qind rezultative në pjesëmarrjet e saj të 115 ndeshjeve të 39 vjetëve. Por Shqipëria e pjesëmarrjeve të saj të 37 ndeshjeve të vetëm 7 vjetëve të fundit ka qenë 36.4 përqind rezultative, çka do të thotë mbi dy herë më mirë mbrenda një kthese thuajse të rrufeshme në krahasim me të kaluarën: vetëm për 7 vjet! Nuk themi se është për të brohoritur, vetëm themi se është rritje.

Dhe as mos t’i shkojë ndër mend lexuesit se duam të mbrojmë Arie Haan-in, skuadra e të cilit mbrëmë pa tre titullarët e rangut Cana, Lala, Beqaj, u duk skuadër diletante. E dimë pra, që vjen një kohë që edhe një trajner mund të hiqet apo dorëhiqet, e sidomos kur rezultatet mbesin në vend trajneri nuk shpëton nga përgjegjësia. Vetëm se jemi kundër asaj që titulluam në këte editorial: “Trajner-fobisë”, në këte rast “Haan-fobisë”.

E thotë poeti i madh “farkëtari i poezisë moderne”, Ezra Paund: “Nuk ka asgjë më të mërzitshme se sa të përshkruash gabime që një njeri nuk i ka bërë”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora