Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Sot në Pogradec “E kuqja në dhomën e gjumit” e piktorit Fate Velaj

| E premte, 10.04.2009, 09:34 AM |


Sot në Pogradec  “E kuqja në dhomën e gjumit” e piktorit Fate Velaj

Nga Albert Zholi

Sot në qytetin e Pogradecit hapet ekspozita e piktorit të talentuar vlonjat (prej vitit 1991 jeton ne Austri), Fate Velaj “E kuqja në dhomën e gjumit. Sipas tij  "…mendimet e para mbi ciklin “the red in the bedroom“ (e kuqja në dhomën e gjumit) më erdhën mbasi lexova romanin “l'amour fou”(dashuri e çmendur) të André Breton”. Në këtë ekspozitë, gjatë realizimit të këtyre veprave, ai nuk ka dashur kurrë të hyjë në detaje.
Bile kjo as që i ka interesuar ndonjëherë, në dhjetra ekspozita që ai ka hapur në katër anët e globit. Kushdo që ka ndjekur ekspozitat e tij në pikturë (por edhe fotografike), me penelin e tij Fatja gjithmonë ka dashur të analizojë atmosferën…dhe në këtë rast atë “brenda dhomës së gjumit“... Doma e gjumit! Kujtdo që ka krijuar familje (apo ka kaluar moshën e adoleshëncës) i qas pranë, apo i përcjell parafytyrime nga më befasueset, më të bukurat, më ëndërrashfrenuarat, më të qëndisurat, elegantet, epshndjellëse, apo qetësuese, relaksuese. Tek dhoma e gjumit, imagjinata njerëzore merr përmasat më reale. Ajo dhomë është e shenjtë ku gjithmonë ka mbizotëruar atmosfera e kënaqësisë dhe rrallëherë kanë qenë të pranishme tragjeditë.
.Aty ndjen aromën e gjithshçkaje, të mallit, të së bukurës, të xhelozisë e frikës, të seksit, dëshirës, e pasionit dhe mbi të gjitha të dashurisë…".  Kjo është në themel të kësaj ekspozite apo pikturës mbi të cilën është mbështetur ekspozita...Dashuria. Ajo për të cilët poetët kanë derdhur talentin pa kursim në miliarda vargje që nga koha e lashtësisë. Atë që shkrimtarët nuk kanë kursyer me miliona libra, atë për të cilën kënga nuk rresht kurrë, për atë që njerëzit e bekojnë si mjaltin njerëzor të perëndisë. Në këtë ekspozitë gjithkush do të ketë kënaqësinë të njohë dhe shohë një artist dinamik, kalimin e tij elegant në telajo të ëndrrave, imagjinatave, përjetimeve, të gjendjes së tij të brendshme, të marrë edhe nga leximet apo bisedat miqësore. Pasi Ftaja është gjithmonë në lëvizje. Në të katër anët e globit dhe eksperiencat e tij janë të pafundme. Ky dinamziëm ka bërë që ai të njohë mirë botën njerëzore, kohën në të cilën jeton, ku jeta e ka bërë si një “aventurier” për të fituar lirinë, por dhe si një vëzgues të sinqertë për të përcjellë mes dhimbjes dashurinë. Atë, dashurinë e sinqertë, njerëzore, të brishtë, që shpesh herë e anashkalojmë me indiferencë. Fate në pikturat e tij është i vërtetë, esencial, virtuoz, por edhe rebel. Kjo veti e tij e ka zanafillën tek prejardhja e tij prej labi. Ai në emër të së bukurës, të së vërtetës, nuk fal dhe veten e tij. Por tek një ngjyrë ai shtanget, hutohet, qetësohet... Tek e kaltërta, sidomos ajo e detit (apo e liqenit). Jo më kot ekspozitat më të bukura ai i ka hapur në dy qytete, në qytetin e lindjes Vlorë dhe në qytetin e Lasgushit Poradecit. Pikturat e tij për detin janë ndoshta unike për formën, mënyrën, tematikën, gjetjet dhe realizimin. Deti, liqeni atë e çarmatos. E rrëmben të tërin. E merr brenda në misteret e tij. I jep frymën e vërtetësisë. I humb nocionin kohë. Dhe kjo ekspozitë e hapur në Pogradec ka lidhje me blunë e liqenit, pasi në këtë liqen janë thuruar me mijra vargje për dashurinë. Lasgushi i ka kënduar më shumë dhe më bukur se kushdo kaltërisë së liqenit dhe dashurisë. Ndoshta dhe “E kuqja në dhomën e gjumit”  mbetet një emblemë midis së kuqes së dashurisë dhe blusë së frymëzimit erotik. Një emblemë që përkon me idenë e ripërtëritjes së jetës, brenda dhomave të gjumit, që është flladi jetësor i çdo familje shqiptare.