Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arsim Halili: Intervistë me Tahir Berishën - veteran i arsimit dhe krijues

| E premte, 10.04.2009, 10:27 AM |


Tahir Berisha
Tahir Berisha
Intervistë  me  Tahir Berishën - veteran i arsimit dhe krijues

Nga Arsim Halili

Një prezantim të shkurtër për jetën dhe veprimtarinë tuaj?

U linda në Vërban të Vitisë në vitin 1928. Shkollën fillore në gjuhën serbokroate e kreva në vendlindje, maturën e mësuesisë në Pejë, Shkollën e Lartë Pedagogjike – Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Fakultetin Filozofik – Degën e Historisë së Letërsisë Jugosllave në Shkup dhe u regjistrova në studimet post-diplomike, Dega e Informatikës në Zagreb.

Karrierën e mësuesisë për herë të parë e fillova si 18 vjeçar në vitin shkollor 1945/46 në Zarbicë të Bujanocit dhe e vazhdova në Prishtinë dhe në vendlindje. Si mësimdhënës shërbeva në Gjimnazin e Lartë në Gjilan, mandej si shef i Entit Arsimor – Pedagogjik dhe drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan. Karrierën e përfundova si inspektor dhe kryeinspektor i arsimit të Kosovës

Në vitin 1956, gjatë aksionit për mbledhjen e armëve dhe shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi, u përjashtova nga arsimi, por pas Plenumit të IV të PKJ dhe rënies së Rankoviqit, u rehabilitova. Por, në vitin 1986, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, prapë u përjashtova nga Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ dhe u pensionova para kohës (në moshën 58 – vjeçare).

Krahas punës në arsim si mësues, drejtor shkolle, shef i entit arsimor – pedagogjik, inspektor dhe kryeinspektor shumëvjeçar i arsimit të Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës, u mora edhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Deri më tash i kam shkruar dhe botuar 10 vepra.

Ju keni dhënë një kontribut të madh në fushën e arsimit, cila është ndjenja e juaj për kohën që punuat në këtë mision edhe fisnik, por edhe human?

 Unë jam tepër krenar që edhe pse në kushte dhe rrethana mjaft të vështira, arrita që ta jap një kontribut modest në arsimimin e popullsisë shqiptare në trevat tona, e cila ishte gati 90% analfabete dhe kishte nevojë tepër të madhe për t'u shkolluar, sepse pa arsim nuk ka zhvillim dhe përparim për një komb.

Ju lutem  një opinion tuajin për kohën kur punuat në fshatin Zarbicë të Bujanocit?

Ka kaluar më tepër se një gjysmë shekulli (63 vjet) prej kohës kur kam shërbyer në Zarbicë. Mirëpo, sa herë më kujtohet kjo kohë mua më kaplojnë emocionet dhe më shtohen kujtimet, sepse atëherë ende nuk i kisha mbushur të 18-tat dhe ishte hera e parë që ndahesha nga familja për të jetuar dhe vepruar si i pavarur. Më kujtohen udhëtimi i parë kur m'u dashtën dy ditë për të mbërri nga Vërbani i Moravës së Epërme në Zarbicë. Automjete të rregullta udhëtimi nuk kishte. Prandaj, u detyrova që në udhëtim e sipër një natë të buaj në Shkollën e Rogaçicës ku punonin si mësues Xhevat Alia dhe Babush Tali. Ata u befasuan kur e kuptuan se isha emëruar mësues në Zarbicë dhe gati iu dhimbsa se isha tepër i ri dhe pa përvojë jetësore. Më thanë se atje ka pas ekzistuar një mejtep, por shkollë shtetërore kurrë nuk kishte pasur. Një kolegë i tyre kishte tentuar që të hapë shkollën e rregullt, por nuk kishte pasur sukses. Në pyetjen time se ku gjendet kjo Zarbica, Xhevati që ishte më serioz heshti, ndërsa Babush Tali, që ishte më shakaxhi, tha: "Zarbica është atje, ku bënë dreqi ve!". Dhe vërtetë, në fillim popullsia e atjeshme më priti me një kureshtje dhe mos besim. Për dy javë nuk u paraqit asnjë nxënës. Kryetari i komunës, Halil Islami, që e kishte shtëpinë afër shkollës, më vendosi përkohësisht në shtëpinë e vet. Mirëpo, populli kur më panë se isha i ri dhe pa "sherr", filluan dalëngadalë të më afrohen. Por, ndihmën më të madhe ma dha xha Kamber Lata, kur e mori vesh se isha i biri i Zeqë Vërbanit, i cili duke shkuar në Vranjë, ku ka qenë një mandat deputet rajonal, disa herë kishte bujt në shtëpinë e tij. Iu ankova se fëmijët ende nuk po regjistrohen në shkollë. Ai në një ditë Xhumaje, i tuboi Xhematin dhe unë për herë të parë iu drejtova publikisht një mase të gjerë, duke u thënë se më ka dërguar pushteti që t'i regjistroi të gjithë fëmijët të obligueshëm për shkollim dhe t'ua dërgoj emrat e tyre, dhe prindërit t'i dënojnë nëse nuk regjistrojnë fëmijët në shkollë. Unë këtë nuk do ta bëjë, por iu luta që ta dërgojnë së paku nga një fëmijë për shtëpi. Atëherë u ngrit xha Kamberi dhe u foli "A po e shihni sa mirë na e shpjegoi ky farë daskalli i ri! Nuk ka nevojë që dikush të dënohet, se shkollimi i fëmijëve është për të mirën tonë", dhe vazhdoi: "Na shyqyr fëmijë kemi boll, e nuk bën që t'i qesim telashe as këtij daskalli. Ky vetëm pak në i pastë ngja babait të vet Zeqë Vërbanit, s'e ka qare pa vyej!". Dhe që të nesërmen shkolla filloi të vlonte nga nxënësit e shumtë.

Lajmi për punën e suksesshme të shkollës së Zarbicës dhe mirëpritjen që popullsia e atjeshme i kishte bërë mësuesit të ri, i kishte rënë në vesh edhe inspektorit të atëhershëm krahinor të arsimit, zotit Mehmet Gjevori. Prandaj, kishte vendosur të vizitojë shkollën dhe me anë të disa fshatarëve kishte njoftuar mësuesin që në filan hoteli në Vranjë të vijë dikush për ta marrë. Shkuam në këmbë maleve me kuririn e shkollës dhe e morëm, pasi andej nuk qarkullonin kurrfarë automjetesh. Edhe atë ditë ishte e premte dhe Xhamia që ishte afër shkollës, ishte përplot Xhemat. Këtë e shfrytëzoi M.Gjevori dhe u foli për rëndësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre. Me atë rast xha Kamberi dhe disa prindër më lavdëruan duke thënë se mësuesi ishte shumë i kujdesshëm, nuk po rrahte fëmijët, siç vepronin më parë disa hoxhallarë në mejtepe etj. Kjo i pëlqeu M.Gjevorit dhe kur mori vesh se isha i izoluar dhe s'kisha mundësi të merrja pjesë në takimet e mësuesve, në fund të vitit 1947, si mësuesin më aktiv, më transferoi në Shkollën Fillore Qendrore në Prishtinë. Kështu, pra shërbimit të parë si mësues në Zarbicë, ia kam pa hajrin dhe kurrë nuk e harrova mikpritjen e popullsisë së atjeshme.

Mirëpo, me pikëllim të thellë lexova në gazetën "Bujku" dt.8 janar 1993, se ishte djegur ndërtesa e Shkollës Fillore "Skënderbeu" në Zarbicë. Edhe më tepër u brengosa kur mora vesh se afër 3-400 nxënës shqiptarë të fshatrave Zarbicë, Ramabuqe, Suharnë, Novosellë, Priboc dhe Qarr, kishin mbetur jashtë në pikë të dimrit, ndërsa organet lokale të pushtetit serb, heshtnin dhe nuk e thoshin asnjë fjalë për shkaqet e djegjes së saj e as për mundësitë e ndërtimit të godinës së re.

Aty për aty, si mësues i parë i kësaj shkolle, më lindi ideja që të bëjmë një apel publik për ndihmë për ndërtimin e një objekti të ri shkollor. Ky apel pas 4 ditësh u botua në të përditshmen "Bujku", ku i pari e premtova shumën e pensionit tim mujor. Ky apel bëri jehonë të madhe dhe gëzoi përkrahje të madhe si te mësuesit që kishin shërbyer pas meje në atë shkollë, ashtu edhe tek popullsia arsimdashëse e asaj treve, e sidomos tek punëtorët tanë me punë të përkohshme në botën e jashtme. Nuk vonoi dhe nga kolektivi i shkollës më arriti falënderimi me shkrim (nr.124 dt.3.4.93) dhe autorizimi që edhe në Prishtinë ta formojmë një nënkëshill për grumbullimin e ndihmave. Kështu edhe veprova. Mblodhëm një sasi të ndihmave dhe më 2 korrik, me një delegacion shkuam në Zarbicë dhe i dorëzuam. Me atë rast në shkollë u organizua edhe një lloj parapromovimi i veprës sime të parë "Trojet që nuk shuhen", Prishtinë 1993.

Edhe gjatë shërbimit si drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan, nxënësit e Zarbicës dhe të trevave të Luginës së Preshevës, gjithmonë i kanë pasur dyert e hapura. Po i përmendi vetëm dy raste. Në vitet 60-ta një grup kandidatësh prej rreth 30 vetash nga këto treva ishte vonuar për provimin pranues. Unë ndodhesha në një mbledhje në qytet dhe ndihmësi im serb, burokrat dhe shovinist nuk i kishte lejuar që të hyjnë në provim pse ishin vonuar për një gjysmë ore. Kurierit plak iu kishin dhimbur dhe tinëzisht u kishte thënë rrini këtu dhe priteni drejtorin se, ndoshta, ju lejon që t'i nënshtroheni provimit ose ju regjistron në shkollën e natës. Kur hynë në korridor, u befasova nga ky grumbull i nxënësve që menjëherë u ngritën në këmbë. Më thanë se ishin vonuar për provim se nuk kishin pasur autobusë. Ua shikova disave dokumentet dhe e pashë se gati të gjithë ishin nxënës shumë të mirë dhe të shkëlqyeshëm. Meqenëse në shkollë kishim më pak nxënës shqiptarë (sepse shumica vijonin mësimet në gjimnaz dhe në normale) vendosa që t'i pranoj edhe pa provim pranues. Hyra në zyrën e sekretarit plak që ishte malazez. Aty kishte qenë edhe ndihmësi. I thashë se këta nxënës ishin vonuar pak për shkak të autobusëve jo të rregullt, por gati të gjithë ishin me sukses shumë të mirë dhe të shkëlqyeshëm. Me siguri sikur t'iu kishin nënshtruar provimit, do ta kalonin. Prandaj duhet t'i pranojmë! Dhe sekretari pa kurrfarë vërejtje, ua pranoi dokumentet dhe i regjistroi. Ndihmësi heshti dhe më vonë, si zakonisht, e kishte informuar sekretarin serb të komitetit të LKJ të Rrethit, i cili në tubime të ndryshme më kritikonte se drejtori po i pranon nxënësit shqiptarë nga Presheva, Kaçaniku etj. pa kurrfarë dallimi e kriteri si në shkollën e rregullt, ashtu edhe në atë të natës.

Një rast tjetër interesant ka qenë kur një plak nga Vërbani i Bujanocit e solli të birin për regjistrim tre muaj pasi kishte filluar mësimi. U arsyetua se kishte qenë i sëmurë e s'ka pasur mundësi që ta sjellë me kohë. Ia shikova dëftesën shkollore dhe e pashë se kishte qenë nxënës i shkëlqyeshëm. Ky ka qenë Dr. Musa Limani. Unë vërtetë e shkela një dispozitë ligjore, por nuk u pendova se më vonë e fitova një doktor të shkencave ekonomike.

Në kohën kur punuat në këtë trevë këto fshatra ishin plotë gjallëri dhe dinamikë, sot shkolla e Zarbicës është vetëm me një nxënës dhe një  mësues, çka do të shtoni për këtë çështje kaq shqetësuese që po e kalon ky cep i atdheut?

Ky nuk është vetëm rasti i Zarbicës dhe i trevës së Luginës së Preshevës. Këtë fat e kanë pasur edhe trevat tjera të banuara nga shqiptarët si Toplica, Sanxhaku i Nishit, Leskovcit etj. Që nga "Nacertania" e Ilija Garashaninit para më tepër se një shekulli (1844), me projekte zyrtare të Vasa Çubrilloviçit, Ivo Andriqit dhe politikave diskriminuese të regjimit të A.Rankoviqit, e S.Millosheviqit, shqiptarët janë përndjekur e shpërngulur nga trojet e tyre shekullore dhe vazhdimisht është bërë pastrimi etnik i këtyre viseve. Edhe sot, kur Kosova, më në fund, e shpalli pavarësinë e vet, e cila si shtet i pavarur dhe sovran u njohë nga shtetet më të fuqishme në botë, Serbia zyrtare, ende nuk e njeh si të këtillë dhe haptazi lufton kundër pavarësisë së saj. Mirëpo, si duket tanimë e ka kot që të ndali zhvillimin e historisë, sepse tërë bota e ka kuptuar politikën e saj diskriminuese dhe gjenocidiale.

Ndërkaq, shqiptarët kurrë më nuk duhet të pajtohen dhe të dorëzohen, por haptazi të luftojnë për të drejtat e veta me ndihmën dhe përkrahjen e miqve të vet në botë. Tani kur përveç shtetit amë, edhe Kosova u pavarësua, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë e të Malit të Zi, e kanë më lehtë. Ata vazhdimisht duhet të kërkojnë reciprocitet me të drejtat që serbët i gëzojnë në Kosovë. Kështu. b.f. edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kenë universitet, siç kanë serbët e Veriut të Kosovës dhe beneficione të tjera. (Dhe i vetmi deputet shqiptar i kësaj treve në Parlamentin e Serbisë, z.Riza Halimi, haptazi dhe pa kurrfarë hezitimi duhet të kërkojë kthimin në vendlindje të  gjithë shqiptarëve të shpërngulur dhe të përndjekur përpara dhe gjatë kësaj lufte si dhe për lirimin nga burgu të ish luftëtarëve etj.)

Ju padyshim se dhatë kontribut të madh me ditar në dorë por jo vetëm kaq ju keni botuar edhe disa libra.  A mund të na thoni për opinionin  lexues sa botime i keni nxjerr dhe cilat janë ato?

Përveç shumë artikujve në revista dhe shtypin e përditshëm, deri më tash i kam botuar edhe këto vepra:
Monografia e Shkollës Ekonomike në Gjilan, Shkup 1960;
Dhjetë vjet të shërbimit të inspeksionit arsimor të KSA të Kosovës (1970 – 1980), Prishtinë 1981;
"Trojet që nuk shuhen – Shënime nga Vërbani dhe Anamorava", Prishtinë, 1993 (ribotuar 1995);
"Emra që nuk harrohen – Arsimtarët Veteranë (1941 – 1951) dhe Arsimi shqip në Kosovë", Vëllimi I, Prishtinë 1994;
"Emra që nuk harrohen – Arsimtarët Veteranë (1941 – 1951)", Vëllimi II, Prishtinë 1996;
"Rrëfime në vetën e parë", Prishtinë 1998;
"Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", Londër 2001;
"Emra që nuk harrohen – Arsimtarët Veteranë (1941 – 1951)", Vëllimi III, Prishtinë 2005;
"Në fokus të ngjarjeve – Bisedë me Sinan Hasanin", Prishtinë 2005;
 "Emra që nuk harrohen – Arsimtarë shqiptarë në diasporë", Vëllimi IV, (koautor), Prishtinë 2006

Shënim: Jam i përfshirë edhe në Antologjinë e krijuesve shqiptarë në Angli, "Lërmëni Pak Atdhe", Tiranë 2004.

Ju në botimet tuaj  keni publikuar edhe shumë figura “veteranë të arsimit” që kontribuuan në vite dhe rajone të ndryshme të trojeve shqiptare. A mendoni se e keni larë borxhin ndaj atyre njerëzve që kontribuuan shumë në këtë drejtim?

Në tre vëllimet e monografisë "Emra që nuk harrohen – Arsimtarët Veteranë (1941 – 1951)", janë përfshirë rreth tre mijë biografi të arsimtarëve të parë, të cilët, në bazë të apelit të ish ministrit të arsimit të Shqipërisë, prof.Ernest Koliqi, në vitin 1941, vullnetarisht erdhën në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, i hapën shkollat e para shqipe dhe ia vunë themelet e forta arsimit shqip në këto vise. Mendoj se duke i mbledhur shënimet e nevojshme (dokumentet dhe fotografitë e tyre) në një mënyrë i kam siguruar që emrat e tyre mos të harrohen dhe në këtë mënyrë mendoj se e kam larë një pjesë të borxhit ndaj tyre. Mirëpo, mendoj se ende nuk janë përfshirë të gjithë ata pishtarë të parë që dhanë një kontribut aq të çmuar. Më vjen keq që nuk munda t'i përfshijë, sidomos ata arsimtarët e parë që punuan në shkollat e para shqipe në Çamëri (I kam shënuar vetëm emrat e rreth 20 arsimtarëve që punuan në shkollat e para shqipe në trojet e Çamërisë, por pa biografi të gjëra).

Në vëllimin IV (si koautor), kam përfshirë me të njëjtin titull "Emra që nuk harrohen" edhe arsimtarët shqiptarë në diasporë, të cilët kanë dhënë dhe aktualisht po japin kontribut të madh në ruajtjen e gjuhës shqipe e të identitetit kombëtar dhe në pengimin e asimilimit të fëmijëve shqiptarë në diasporë. Nën moton "Ku unë mbeta – t'i vazhdoje; Çka lash mangu, ti plotësoje!", po shpresoj se në këtë drejtim do ta vazhdojë punën edhe dikush tjetër.

Ju ka një kohë që jetoni në Londër. A mund të na thoni sa ju mungon vendlindja dhe në përgjithësi Kosova?

Është e vërtetë se pas qëndrimit disa mujor në kampet e refugjatëve në Bllacë, Stankovec të Maqedonisë dhe "Gazi Osman Pasha" të Turqisë, prej qershorit të vitit 1999, jetoj në Londër. Ju them sinqerisht se vendlindja dhe përgjithësisht Kosova më mungojnë shumë. Arsyeja që shkova në Angli, është se i biri im gjendej aty. Ai ishte student në Zagreb në vitet 1990-92, në fillim të luftës, dhe u detyrua të shkojë jashtë, pasi nuk pati mundësi të kthehej në Kosovë. Por, arsyeja kryesore tash që ende më detyron të qëndroj këtu është mosha e shtyer dhe gjendja shëndetësore (kurimi dhe kontrolli permanent mjekësor). Përpara dhe në ndërkohë në Angli u detyruan të vijnë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes (bijat me bashkëshortët e tyre etj.), kështu që qëndrimi vetëm në Kosovë, me bashkëshorten time, në këtë moshë dhe në këtë gjendje shëndetësore dhe materiale, do të kishte qenë i pamundur. Mallin dhe nostalgjinë për vendlindjen, deri diku i kam shuar me vizitat për çdo vit gjatë gjithë verës, si dhe me botimin e disa veprave të reja, promovimin e të cilave rregullisht e kam bërë në Prishtinë. Këtu më ka ndihmuar djali që të mbahem aktiv në veprimtarinë krijuese, një gjë që me siguri nuk do ta kisha arritur në këtë moshë, vetë në Kosovë. Kjo më ka mbajtur dhe më mban gjallë, dhe mbaj shpresë të madhe që situata në Kosovë, pas pavarësisë, të përmirësohet edhe më tutje, sidomos në fushën e shëndetësisë, për çka ne të moshuarit kemi nevojë më së shumti.

Me gjithë moshën e shtyrë z.Berisha, a mund të presim ndonjë projekt nga ana e juaj në fushën e letrave?

Nëse më lejon shëndeti, e kam në plan një foto-dokumentar ku do të përfshihen pamjet nga promovimi i veprave (në Prishtinë, Zarbicë, Preshevë, Shkup, Tiranë, Elbasan, Stamboll, Londër dhe Gllasgou të Skocisë), vizitat, ekspozitat dhe manifestimet e ndryshme në Angli etj.

Një opinion për Luginën  e Preshevës për këtë cep të atdheut të ndarë padrejtësisht?

Edhe pse është ndarë dhe copëtuar padrejtësisht, ky cep i atdheut ka mbijetuar pastrimet etnike dhe ajo ende njihet si Kosova Lindore. Nga radhët e asaj popullsie, gjithmonë ka pas krerë patriotë dhe intelektual të shquar, që i kanë përballuar çdo tentative për t'i asimiluar dhe për t'ua humbur identitetin kombëtar. Tani kur u krijua edhe një shtet shqiptar i pavarur e sovran në Kosovë, Lugina e Preshevës do ta ketë edhe më lehtë që të mbijetojë e të përparojë, me kusht që shqiptarët e atjeshëm të jenë sa më unik dhe këmbëngulës në kërkimin e të drejtave të tyre në bazë të reciprocitetit me popujt fqinjë.

Mesazhi i juaj drejtuar lexuesve të Perspektivës?
 
Fillimisht e shfrytëzoj rastin që edhe lexuesve të "Perspektivës", t'ua uroj Një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe t'u dëshiroj ardhmëri më të mirë dhe jetë më të lumtur! Njëherit ata i këshilloj që me pjesëmarrjen e tyre aktive, të ndikojnë në politikën redaktuese të revistës, e cila duhet të bëhet tribunë e zëshme, ku do të iniciohen, shqyrtohen e trajtohen temat e ndryshme nga jeta dhe problematika e popullsisë së Luginës së Preshevës me qëllim që të sigurohet një ardhmëri më e lumtur për ta.