Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Paolo Borsellino

| E enjte, 19.07.2007, 07:11 PM |


15 vjet nga masakra e rrugës "Amelio" në Palermo

Paolo Borselino u lind në Palermo më 19 janar 1940. Po aty përfundon shkollën fillore dhe të mesme. Në vitin 1958, regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Palermos, ku diplomohet me rezultate të shkëlqyera në vitin 1962.
Në vitin 1965 Borselino emërohet gjyqtar pranë Gjykatës Civile të qytetit Ena. Më 1967 caktohet Pretor në Mazara del Vallo. Viti 1968 e gjen të martuar. Më 1969 transferohet në Gjykatën e Monrealit, ku punon krah për krah me kapitenin e armës së Karabinierisë Emanuele Basile, një hetues i shkëlqyer në luftën kundër "Cosa Nostras". Më 1975 Borselino transferohet pranë Gjykatës së Palermos dhe në muajin korrik, të po këtij viti, caktohet hetues në Prokurorinë e Palermos, me shef Roko Cinici. Me kapitenin Basile realizon hetimin e parë kundër mafies dhe, që nga ky moment nis rruga e tij pa kthim për të goditur atë organizim kriminal që quhet "Cosa Nostra". Në vitin 1980 arrin arrestimi i parë për gjashtë mafiozë dhe pikërisht atë vit, do të vritet nga "Cosa Nostra", kapiteni Basile. Për familjen Borselino vendoset eskorta ruajtëse dhe vështirësitë do të vazhdojnë. Nga ky moment klima në shtëpinë Borselino ndryshon, duke ndryshuar edhe vetë prokurori, i cili do të përshtatet me sjelljen dhe veprimet e rojeve të tij që i qëndrojnë përherë në krah. Ndryshojnë njëherë e përgjithmonë zakonet e lëvizjes, rrugët e nisjes dhe kthimit në banesë, oraret e daljes dhe hyrjes. Do të vijnë mungesat në ambientet publike, privacionet për familjen, fëmijët. Nga fjalët e bashkëshortes së tij, lehtësisht mund të kuptosh respektin dhe vuajtjen që alternohej në zemrat e tyre (familjareve): "Mënyrën e tij të ushtrimit të funksionit të prokurorit e kam pranuar sepse edhe unë besoja në vlerat që e inspironin atë..., nuk kam menduar kurrë me egoizëm, nuk ka kërkuar kurrë për një jetë të thjeshtë në mënyrë që ta pengoja…, nuk ka qenë kurrë një sakrificë imorale jeta e tij në profesionin e prokurorit. Ai ka dashur gjithmonë të gjejë të vërtetën, cilado të ishte ajo...". Eskorta e detyronte prokurorin dhe familjen e tij të jetonte me një ndjesi të re: Frikën. Borselino fliste për të dhe e përballonte: "Frika është një ndjesi normale që e ka kushdo, çdo njeri. E rëndësishme është që ajo të shoqërohet me kurajë. Nuk duhet të lihet kuraja të mbytet nga frika, nëse nuk dëshiron që të shndërrohet në një pengesë që nuk të lë të shkosh përpara.
Borselino, megjithatë nuk ishte vetëm një prokuror i antimafies. Ai vepronte krahas njerëzve të thjeshtë dhe kërkonte të demonstronte se drejtësia është nga ana e popullit. Bërthama antimafie e Prokurorisë së Palermos përbëhej nga katër prokurorë, Borselino, Falkone dhe Barrile, të cilët punonin përkrah njëri-tjetrit, duke dhënë në punë gjithçka, profesionizmin e tyre, nën drejtimin mjeshtëror dhe kurajoz të shefit të hetuesisë, Roko Kiniçi. Me kohë do të strukturohej një lidhje e natyrshme ndërmjet katër prokurorëve që bënin pjesë në këtë bërthamë. Janë të ndërgjegjshëm se secili prej tyre ishte i pazëvendësueshëm në rolin e tij, se të punoje së bashku në grup, me forcë dhe profesionizëm mund të arriheshin rezultate të paparashikueshme. Pikërisht për këtë, bërthama "lëvizte" si një bllok guri dhe kokulur vazhdonte të bënte punën e saj.
"Duke punuar së bashku, dora e djathtë duhet të dinte se çfarë bënte dora e majtë dhe kjo ishte e domosdoshme".

Falcone dhe Borsellino
Eshtë tek të rinjtë forca tek e cila duhet të mbështetesh për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve dhe këtë të katër prokurorët e dinin mirë. Kërkonin të zgjonin ndërgjegjen e njerëzve dhe të dëgjonin përreth tyre, pikërisht respektin e njerëzve. Si Falkone ashtu edhe Borselino, gjithmonë kanë kërkuar njerëzit. Borselino do të fillonte të promovonte dhe të merrte pjesë në debate të nxitura ndër nxënësit e shkollave. Do të fliste me të rinjtë në festat e rinisë në sheshe, në tavolina të rrumbullakëta e kudo për të shpjeguar se kultura mafioze, kultura e krimit është e humbur njëherë e përgjithmonë. Dhe, në atë kohë në Sicili ishte tepër e vështirë "të implikoje" në manifestime njerëz të thjeshtë, por edhe njerëz të shquar të jetës politike dhe institucionale të vendit, mbasi ende bëhej fjalë për "geto",
por për Borselinon nuk ishte një problem. E ndjente misionin e tij nga fillimi deri në fund dhe ndërhynte për të dëgjuar të gjithë të rinjtë, që institucionet ishin dhe punonin për të garantuar një të ardhme të re, pa vdekje dhe dhunë.
Dëshironte që të rinjtë të ndjenin rëndësinë e çrrënjosjes së kulturës së krimit. Deri në fund të jetës së tij, Borselino, në kohën që i mbetej pas punës, kërkonte të takonte të rinjtë, të komunikonte me ta, këtë ndjesi të re në mënyrë që edhe ata ta ndjenin veten në një farë mënyre si protagonistë të luftës kundër mafies dhe krimit…. Dhe lufta kundër mafies vazhdonte. Bërthama antimafie do të ecte gjithmonë përpara, pavarësisht nga pengesat, disa nga të cilat ishin me të vërtetë të pakthyeshme. Mafia, që ndjente goditjet, fillonte të lëvizte. Do të kërkonte të rrëzonte me dhunë protagonistët. 4 gusht 1983, do të vritej shefi i hetuesisë, Roko Kiniçi, së bashku me rojet, me një autobombë. Borselino është i dëshpëruar. Pas kapitenit Basile edhe Kiniçit do t'i copëtohej jeta dhe boshllëku ishte shumë i madh. Megjithatë lufta do të vazhdonte. Në vend të Kiniçit, vjen Antonino Kaponeto, një hetues tjetër i sprovuar, që do t'i jepte një tjetër impuls punës së bërthamës antimafie… Do të kristalizoheshin hetimet e shkëlqyera të kësaj bërthame dhe do të vinin arrestimet e njëpasnjëshme të bosëve mafiozë, anëtarë të komisionit provincial dhe rajonal të "Cosa Nostras". Do të përvijohej i pari proces i madh që në vitin 1986, që do të sillte vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të të gjithë eksponentëve të Komisionit-Kupolës, që sipas të penduarit të madh Busheta, ishte një farë gjykate apo qeverie e mafies siciliane. Dhe ky proces i madh, vendimi i të cilit do të konfirmohej në datën 30 janar 1992, do të shënonte dënimin me vdekje edhe të Falkones dhe Borselinos. Do të dënoheshin të gjithë këta bosë mafiozë, madje do të shkohej edhe më tej. Shumë prej tyre, do të fillonin të bashkëpunonin me drejtësinë, falë teknikës së shkëlqyer hetimore të bërthamës antimafie. Dhe këta të penduar do të flisnin për lidhje të krimit të organizuar dhe politikës, institucioneve, etj. Dhe do të ishte pikërisht ky moment, që do të vendoste edhe përfundimisht "fatin" e dy prokurorëve të bërthamës antimafie, Falkones dhe Borselinos. Dikush apo shumë kush, nuk dëshironte që dy prokurorët të ecnin më tej në punën e tyre, sepse ata kishin filluar të ecnin në "tokë të ndaluar", sepse ata kishin filluar të preknin interesa deri atëherë të paprekshme, sepse shikonin se ata nuk ndiheshin vetëm. Më parë "rrëzohet" Falkone, më 23 maj 1992 dhe pas tij, në kuadrin e 56 ditëve, më 19 korrik 1992, do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të skortës Agostino Catalano, Valter Kosima, Vincendo Li Muli, Emanuela Loi dhe Klaudio Traina. Kush i ka parë atë në ditë në TV, pamjet rrënqethëse të kësaj tragjedie do t'i kujtohen patjetër, fjalët dëshpëruese të shefit të bërthamës antimafie, Antonino Kaponeto: "Gjithçka ka mbaruar". Kuptohet që ishin fjalë dhimbjeje per shokun dhe mikun e humbur…. E megjithatë, pavarësisht boshllëkut të pazëvendësueshëm që shkaktoi humbja e dy prokurorëve, falë punës që ata kishin ndërtuar deri atë moment, të tjerë prokurorë kurajozë, si Xhankarlo Kazeli, Piero Graso, Guido Lo Forte, Roberto Skarpinati, Xhovani Tinebra, Pierluixhi Vinja, Francesko Paolo Xhordano, Luka Teskaroli, Xhani De Xhenaro, etj., do t'i çonin më tej sukseset në luftën kundër mafies. Do të dërgoheshin prapa hekurave të gjithë shefat mitikë të "Cosa Nostras", Toto Riina, Bernardo Provencano, Pietro Alieri, Antonio Troia, Xhovani Bruska, Leoluka Bagarela, etj. Hetimi dhe procesi gjyqësor për dënimin e ekzekutorëve të vrasjes së prokurorit Paolo Borsellino kanë përfunduar dhe ata aktualisht janë në burg. Në të kundërt, urdhëruesit e vrasjes së Borselinos janë ende të lirë, janë ende kush e di se ku, mbase edhe në funksione të larta. Sidoqoftë, hetimi për zbulimin dhe vënien e tyre para përgjegjësisë vazhdon. Sipas shtypit italian, pikërisht këto ditë, po hetohet në drejtim të disa segmenteve të devijuara të shërbimeve sekrete italiane. Janë domethënëse fjalët e prokurorit Teskaroli, i cili mbrojti akuzën në proceset penale për vrasjet "Falkone" dhe "Borsellino": Duhet të vazhdohet të punohet, jo vetëm sepse ky është një detyrim ligjor, por sepse është kujtimi i Falkones dhe Boselinos, dhe ndërgjegjja kritike e morale e shoqërisë civile, që imponon këtë detyrë, pa të vërtetë nuk ka drejtësi.

Dy jetë të lidhura, një fat i keq Një Palermo "hipokrite" dhe "mizore". Më parë të vret dhe pastaj të birëson. I quanin Kapelja dhe Topi goditës, me një ironi vulgare, tipike për palermitanët. Pastaj, pas dy "masakrave shpërthyese", (kështu do t'i quanin vrasjet e dy magjistratëve), papritmas u shndërrua, në të dashurit Paolo e Xhovani. Dhe skena e miqve e të dy gjyqtarëve, befasisht, është fryrë shumë, si një lumë dimëror. "Më ka thënë Xhovani kështu", "më ka thënë Paolo ashtu". Të gjithë fillojnë të hiqen si miqtë e tyre, sikur kanë afërsi me të dy. Sikur dinë shumë gjëra nga bisedat me ta. Dhe janë këta politikanë, deputetë, ministra, prokurorë dhe gjyqtarë e kështu me radhe. Hipokrizi me brirë… Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino ishin lindur në Sicili, këtu ku integroheshin kasaphanat e luftës. Asnjeri prej tyre nuk kishte siguruar ndonjë vend në pallatet me shkëlqim. Të dy jetët e tyre gërshetoheshin shpejtë, si të ishin manjetike, që as tritoli i mafies nuk arriti t'i ndante dot. Ndeshjet e futbollit, festat e ballot, që atëherë bëheshin nëpër shtëpi dhe ai padurim i mallkuar që rritej e rritej për t'u ndeshur me gjithçka që ishte e padrejtë, për gjithçka që cënohet, për qytetarinë, për këtë përbindësh që quhet, "Mafie". E ndërkohë, Xhovani, më 23 maj 1992, vdes në duart e Paolos. Pranë trupit të mikut, Paolo kishte pasur vetëm një impresion, por tepër të fortë: "Duke e mbajtur me fytyrë të kthyer ndaj meje Xhovani Falkonen, në frymëmarrjen e fundit, mendova se bëhej fjalë për një takim të mëvonshëm me të". Kemi të bëjmë me një profeci? Mos kemi të bëjmë me të jetuarit e një realiteti? Me siguri. Plot 56 ditë më pas, Paolo do të shkonte pranë mikut të tij Xhovani, për t'u takuar me të…. Dy jetë që gërshetoheshin, një fat i keq. Dy njerëz thellësisht të ndryshëm: Njëri katolik, praktik, i djathtë - Paolo Borselino. Tjetri, i tërhequr, fjalëpakë, pak snob, i majtë, Xhovani Falkone. Dy makina të punës. Dy makina të palodhura, 12 deri 14 orë në ditë, duke punuar mbi makinën e shkrimit, njëri përballë tjetrit. Syzet mbi hundë. Dy jetë të gërshetuara, një fat i keq. Të dy të lidhur në harkun e tre vjetëve me karrigen e zëvendësprokurorit të Palermos. Disa mosmarrëveshje me shefin e tyre, prokurorin e Palermos. Sulmuan njërin, për të bërë që të heshtin të dy. Veproi kështu keq, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur i refuzoi Falkones detyrën e shefit të hetuesisë pranë Prokurorisë së Palermos, duke preferuar në atë detyrë një të moshuar, në prag të pensionit. Ndërkohë është Borsellino, që hap problemin e parë në Palermo, duke denoncuar një fare "implikimi" të organeve të drejtësisë në luftën kundër mafies. Një fazë, që vetë Borselino e përkufizonte në mënyrë figurative, si periudhë të "normalizimit" (në sensin e kundërt). Këshilli i Lartë i Drejtësisë përsëri reagon duke e quajtur ëndërrimtar dhe luftën kundër mafies si tepër të fryrë. Dhe këtë, Paolo Borselino nuk e kishte menduar. Ai pas kësaj, emërohet prokuror i qytetit të Marsales, qytet bregdetar në perëndim të Sicilisë. Në realitet ky "gradim", për të tjerët i merituar, akordohet për t'i ndarë edhe fizikisht në punë, miqtë Paolo e Xhovani. Brenda një kohe tepër të shkurtër, Paolo Borselino bën të mundur që Prokuroria e Marsales të shkëlqejë si një pararojë e luftës kundër mafies dhe krimit të organizuar. Ngjarjet e mëvonshme do të tregonin se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si për Falkonen ashtu dhe për Borselinon, do të ishte një pengesë në rrugën për detyrën e Prokurorit Nacional të Antimafies. Është tepër interesante të shihet në retrospektive ky qëndrim i atij këshilli. Ende sot e kësaj dite, ka një qëndrim të ashpër në këtë drejtim. Mendohet se janë luajtur lojëra të ndyra nga politikanë e pushtetarë. Menjëherë pas kryerjes së masakrës së Kapaçit, ku u vra Xhovani Falkone, Italia e Paolos dhe Xhovanit nuk do të gjente prokuror më të mirë për të vazhduar luftën kundër mafies, se sa kandidatura e Paolo Borselinos për postin e Prokurorit Nacional të Antimafies. Por ndërkohë, mafia kishte menduar më parë, se sa ngurrimet e zvarritjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo vazhdonte të hiqte pengesat në rrugën e saj. Dy jetë të gërshetuara, një fat i keq. E pra, ishin armiqtë më të mëdhenj të mafies. Njerëz të nderuar. Po. Këta ishin Paolo dhe Xhovani, siç thonë të penduarit, nga Tomazo Busheta e deri tek Salvatore Kançemi. Vërtetë të nderuar. Dy sicilianë të vërtetë e të drejtë, që nuk mund të vdesin. 

Zamir Poda