Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“Gjenerali” i Kadaresë dhe “Shoku Zylo” i Agollit kapërcejnë Murin Kinez

| E enjte, 09.04.2009, 08:34 PM |


Kadare
Kadare
“Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare kohët e fundit është ribotur në Kinë, nga shtëpia botuese e Provincës Chongqing. Botimi i ri shoqërohet me një parathënie të gjatë të përkthyesit dhe albanalogut të njohur kinez, Zhen Enbo, ku Kadare cilësohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj kontenporanë, i përkthyer dhe botuar gjerësisht në Europë, Amerikë etj., fitues i çmimit ndërkombëtar për letërsinë anglofone “Man Booker Prize”, disa herë kandidat për çmimin Nobel. Marrja e çmimit “Man Booker Prize” nga Kadare, nuk ishte e rastësishme dhe këtë gjë e cilëson autori në parathënien e librit duke shtuar se “ky çmim i ka rrënjët në historinë e Shqipërisë, këtij vendi të vogël të Ballkanit, por me një kulturë të ndritur, të ngjashme me atë greke e romake, si dhe në traditën e letërsisë shqiptare, e cila ka nxjerrë një plejadë shkrimtarësh e poetësh të shquar e të vlerësuar jo vetëm në vendin e tyre... Më tej, në parathënie jepet një përmbledhje e veprave të Kadaresë si dhe një vlerësim mbi letrat shqipe në përgjithësi. Vlen të theksohet se përkthimi nga origjinali në gjuhën kineze i këtij libri, ka qenë një ndërmarrje mjaft e vështirë për përkthyesin Zhen En Bo, por që është përmbyllur me sukses prej tij, duke u dhënë lexuesve kinezë një vepër të bukur dhe të arrirë artistikisht por edhe nga ana gjuhësore. Për herë të parë “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” u botua në Kinë në vitin 1992 nga i njëjti përkthyes, Zhen Enbo, i cili për kontributin që ka dhënë në përkthimin e letërsisë shqipe në Kine është pranuar edhe si antar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Aktualisht, shtëpia botuese e Chongqing ka në process botimi romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, ndërkohë që po planifikon botimin e disa veprave të tjera të dy bohemëve të letërsisë shqipe.

“Vendi i Shqiponjave”

“Vendi i Shqiponjave” titullohet libri tjetër i ri, botuar së fundi në Kinë nga shtëpia botuese e Agjensisë XINHUA, me shënime të gazetarit Uang Hongqi, i cili ka shërbyer për më shumë se 20 vjet si korrespondent i saj në Shqipëri. Duke qenë njohës i gjuhës shqipe dhe për më tepër, korrespondent i Xinhua-së në Tiranë, Uang Hongqi ka përjetuar nga afër tre zhillimet dramatike në marrëdhëniet mes Kinës e Shqipërisë, miqësinë e ngushtë dhe marrëdhëniet spaciale (1960-1978), ftohjen dhe ndarjen e madhe pas vitit 1978, si edhe kthimin në normalitet pas ’90. Ai gjithashtu, ka ndjekur nga afër dhe ka pasqyruar me realizëm të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në venditn tonë, deri në vitin 2006, koha kur Uang përfundoi misionin e gazetarit. Për gati gjysmë shekulli jeta e tij dhe e bashkëshortes ka qenë e lidhur pazgjithshmërisht me Shqipërinë. Në gati 300 faqe të librit, Uang Hongqi përshkruan me ngrohtësi marrëdhëniet speciale mes dy vendeve tona (1960-1978) dhe flet me dhimbje për çarjen e ftohjen mes Shqipërisë dhe Kinës pas vitit 1978, duke pasqyruar ndryshimet dhe zhvillimet dramatike që ndodhën në vendin tonë pas ’90, e po kështu, kthimin e marrëdhënieve normale mes dy shteteve. Libri ndahet në katër kapituj; Kapitulli i parë i kushtohet marrëdhënieve mes dy vendeve, flitet për lindjen e miqësisë së madhe mes dy vendeve, për ndihmën e pakursyer të Kinës për Shqipërinë dhe luftën që Shqipëria bëri për rikthimin legjitim të Kinës në Kombet e Bashkuara. Më tej, gazetari Uang Hongqi tregon si filluan të çarat në marrëdhëniet shqiptaro-kineze, kontradiktat për çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe idieologjike, për të arritur te sulmet e hapura të Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe rrugës së saj të zhvillimit si dhe porosinë e Deng Xiaoping për ndërprerjen e të gjitha ndihmave për Shqipërinë, i cili ishte vendimi i parë i tij në politikën e jashtme, pas marrjes së pushtetit në vitin 1979. Ndërsa në fund të kapitullit përshkruhet shkrirja e akujve mes dy vendeve dhe noramlizimi i marrëdhënieve në fund të viteve ’80 e në vazhdim. Në kapitullin e dytë korrespondenti i Xinhua, Uang Hongqi, mbi bazën e ngjarjeve të kohës dhe nëpërmjet intervistave të realizuara në kohë të ndryshme tregon mbi situatën në Shqipëri pas prishjes me Kinën, spastrimet e njëpasnjëshme të Enver Hoxhës, për vitet e fundit të jetës së tij dhe politikën e vazhdimësisë pas vdekjes së Hoxhës.
Një kapitull i veçantë i kushtohet ngritjes dhe rënies së pushtetit të drejtuar nga Ramiz Alia dhe ndryshimeve demokratike në Shqipëri, që sollën pluralizmin partiak dhe fundin e regjimit komunist. “Vendi i shqiponjave pas ndryshimeve të mëdha” është titulli i kapitullit të katërt, në të cilin Uang Hongqi i rikthyer në Tiranë si korrespondent i Xinhua, tregon se si i ka përjetuar ditët e trazirave të vitit 1997 dhe si Shqipëria, në shekullin e ri është tashmë një vend që dita-ditës e ndjen zhvillimin dhe aspiron integrimin europian. Uang Hongqi në librin e tij bën edhe një pasqyrë të historisë së Shqipërisë, kulturës tonë, traditave e zakoneve kombëtare, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe te Nënë Tereza. “Vendi i Shqiponjave” është botimi i parë i këtij lloji në Kinë për Shqipërinë, i cili ka një vlerë të jashtëzakonshme për lexuesin kinez, sidomos brezin e ri, për tu njohur me historinë e marrëdhënieve të veçanta shqiptaro-kineze si dhe me zhvillimet politike, ekonomike e sociale në vendin tonë.

Gazeta Albania - Për ZSH: Alfred Papuçiu