E premte, 29.03.2024, 04:52 AM (GMT)

Mendime

Blerta Dërvishi: Malet e Dibrës

E enjte, 09.04.2009, 09:54 PM


Malet e Dibrës

Shkruan Blerta DËRVISHI

Paradokset shqiptare

Kënga ”Malet e Dibrës” (ose ”Hajredin Pasha”) është një prej këngëve folklorike për të cilën kam një pikë të dobët ndjeshmërie. Është një këngë që më jep shpresë. Sa popuj në botë këndojnë, jo vetëm nëpër festivale folklorike, por nëpër ahengje, dasma, e në koncerte me shumë publikë, këngë për beteja para shumë shekujsh? Dhe publiku e di tekstin! Apo ndoshta nuk e di? Ndoshta e dimë tekstin, e megjithatë ndonjëherë më duket nuk e kuptojmë pa një vëmendje më të madhe. Kam hasur në interpretime të kësaj kënge ku fjalët ”Vallë- o (vall-o) ku janë o këto malet e Dibrës” janë kthyer në ”Vallah (valla) ku janë o këto malet e Dibrës”. Përkundër ngjashmërisë fonetike, ose në tingull, fjala ”vallo” dhe ”valla” kanë kuptime të ndryshme, e dyta nuk e ka vendin në atë këngë, dhe ia humb këngës kuptimin. Të mos futemi te dredhjet e zërit në tonacione (klaviaturë) turko-arabe, (ndaj të cilave nuk e kam asnjë gjë kundër, vetëm se nuk do t’i ndërroja me ato shqiptare, sepse mes tjerash as turqit, as arabët nuk e tradhtojnë traditën e tyre për ta zëvendësuar me atë shqiptare, ose ndonjë tjetër), te lëvizjet e gjestet melodramatike e patetike, që nëse ia ndal muzikës zërin dhe i shikon këngëtarët mendon se janë duke kënduar ndonjë këngë hinduse të dashurisë. Natyrisht, gjestet melodramatike e patetike, ku këngëtarët e aktrojnë vuajtjen, mbase e kanë motivin e tyre, por ky motiv nuk u ngjet dot këngëve luftarake si kjo mbi ”Malet e Dibrës”. Kjo këngë është këngë burrash, këngë që përshkruan heroizmin dhe vendosmërinë shqiptare për të mos rënë në duart e të huajve, ndaj pantomia e geget melodramatike nuk i bien bukur. Ajo që shpreh dinjitet dhe krenari, e fsheh mrekullueshëm pasionin sensual, që është karakteristikë orientale. Kam dëgjuar interpretime të “Maleve të Dibrës”, ku melodia është bastarduar aq shumë, sa që tingëllon si këngë turke, gjë që është simptomatike për paradokset shqiptare (që duket nuk kanë kufij). Të këndosh me karakteristikë melodike turke “Turkut Dibrën o mos me ja lanë” këngën e zhvesh nga motive i saj patriotik! “Turku” lëre që e morri Dibrën, por u përpoq ta merrte edhe shpirtin shqiptar. Pamundësisë për t’u vetëcensuruar nga “disonancat logjike” të melodisë, të detyron të pajtohesh me “fatin” e barbarizimit që është imponuar spontanisht nga ndikimet shekullore. “Malet e Dibrës” mora këtu si një shembull, por paleta e pentagrameve me nota të tilla është bërë thuaja karakteristike në dekulturimin e muzikës shqipe. Pak muzikë “ballkanike”, pak mungesë sipas “shijes ditore”, disa fjalë barbarizma të kultivojnë harresën historike… Kjo i detyron të tjerët që (“kalimthi”) të nënçmojnë çdo vlerë shqiptare, si tendencat e sotme “moderne” që në emër të diversiteteve kulturore imponojnë pak Kombe të Bashkuara, pak Bashkim Evropian, (e kështu me radhë) mbase përpiqen të bëjnë një sintezë “të re”, që shpie në ndonjë kulturë më “të mire” se na qenka kultura jonë shqiptare?

Ka vlera që mund të “sintetizohen”, por janë do vlera që nuk përkasin hiç me vlerën karakteristike, që do të thotë origjinale, që është ideal i artit. Krijimi ambivalencës, konfuzione “kreative” dhe deformimeve të traditës kulturore që huazon nga të tjerët, thellon procesin e rudimentimit, mbetjes së artit pa substancë. Të ishte vetëdestruktiviteti shqiptar i qëllimshëm, “është koha për të hequr dorë, për t’u dorëzuar, ose për ta ndërruar këtë kulturë derisa ta shkatërrojmë ose shndërrojmë në diçka tjetër”, atëherë disa konservatorë, ngjashëm si unë, gjithashtu do të duheshin të dorëzoheshin. Vetëdestruksioni është padyshim i qëllimtë te disa individë “krijues” panagjerikë, dhe destruksioni e presioni nga jashtë është 100% intecional, por shumica janë vetëm të mashtruar, të hutuar dhe injorantë (në përmasa vdekjeprurëse për kulturën). Mbase është në rregull të këndosh me melodi turke një këngë hipotetike që thotë “o turkut Dibrën me ja lanë”, por sa bën t’ia mohosh “turkut” Dibrën e t’ia falësh shpirtin “krijues”!

Mbase nuk ishte vetëm Hajredin Pasha “hutaq”, pak po dukemi edhe ne si të tillë. Ne jemi populli i vetëm (sipas sondazheve, që nuk më pëlqen t’u besoj, dhe do të më vinte më lehtë po të më dëshmohej se qëndroj gabim) që jemi edhe shumë pro-evropianë, edhe pro-okëbeistë, pro, pro... edhe nga e keqja, edhe nga e mira me një ”inercion”.

Të gjitha këto ”pro” janë paradoksale, ndaj nuk akordohen në ”sintezë”. Mirë që jemi pro-amerikanë, besojmë në ardhmërinë e NATO-s, por nuk është në rregull, ose së paku është komplet inkosistente të jemi njëkohësisht edhe pro-evropianë, të besojmë në OKB dhe të shpresojmë se EULEX-i është pro-shqiptar. Në palcë na kanë shtirë frikën nga nacionalizmi!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora