E enjte, 28.03.2024, 05:52 PM (GMT)

Shtesë » Historia

7 prill 1939 – 7 prill 2009: 70-vjetori i qëndresës antifashiste

E enjte, 09.04.2009, 07:07 PM


70 vjet më pas, bash më 7 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel po valëvitet flamuri shqiptar krahas flamurëve të anëtarëve të NATO-s dhe atij italianë.

Heroizmi dhe drama e një luftëtari të (PA)HARRUAR, Stefan Maliko – bashkëluftëtar i Mujo Ulqinakut

- Intervistë me shkrimtarin Sazan Goliku -

Bisedoi Albert Zholi

U mbushën 70 vjet nga dita e zezë kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë në mënyrën më të paturpshme e barbare, për të realizuar ëndrrën sa utopike, aq dhe absurde të ringjalljes së Perandorisë Romake në shekullin XX. Shqipëria e vogël, e varfër, e copëtuar, e porsa dalë nga pushtimi shumëshekullor osman, nga dy luftëra ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore u gjet e papërgatitur përballë sulmit të pabesë të "aleatit" të madh që synonte ta "shpëtonte" nga pavarësia e saj. Por sidoqoftë, shqiptarët luftuan.

Pyetje: Në gjakun e derdhur të luftëtarëve shqiptarë të lirisë në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë ishte edhe gjaku i Stefan Maliko Gogës. Ju e keni njohur nga afër. Cili ishte ai?

Përgjigje: Unë kam pasur lidhje familjare me Stefanin. Ai ishte martuar me Vanon, një nga vajzat e xhaxhait tim, Koço Koçit, dhe unë e kam njohur që i vogël. I ati i Stefanit kishte ardhur në Durrës nga fshati Prongji i Gjirokastrës, për të punuar si murator. Stefani mbaroi shkëlqyeshëm shkollën dhe hyri në marinë, së pari si marinar i thjeshtë, pastaj u bë nënoficer. Në udhëtimet e shërbimit Durrës – Vlorë – Sarandë – Korfuz -  Shëngjin - Ulqin kishte zënë shokë e miq. Në Vlorë bujte te hoteli i babait tim, Mihalit, me të cilin zuri miqësi dhe shkëmbenin haptas opioinenet e tyre politike. Që i vogël unë shkoja me gëzim nga Vlora në Durrës, ku Stefani dhe fëmijët tij më prisnin me shumë dashuri, si djalë i familjes. Kam qenë në gjimnaz, kur i kam çuar romanin "Lufta e paqja" të L.Tolstoit në italisht. Më vonë ai më tha: "Ky roman nuk është vetëm vepër artistike, po dhe filozofike e psikologjike". Detarët lexojnë dhe Stefani kishte përvojë jete dhe horizont kulturor. Ishte i sjellshëm. Nuk e ngrente kurrë zërin. Përpara qëndrimeve arrogante të ndonjërit, me zë të ulët thoshte: -Mirë, mirë, qetësou – me një nënqeshje të lehtë ironie. Të tillë , të përkushtuar  në punë e studime, të dashur e të edukuar i ka dhe fëmijët. Kur e takoje e flisje me Stefanin, nuk të shkonte në mendje se kishe përpara një nga "kokëkrisurit" që, edhe pse e njihnin mirë forcën e kuçedrës fashiste, u "ngujuan" atje në breg të detit për t'i treguar vetes e botës se liria është vetë njeriu. Ai nuk fliste për veten. Me këmbënguljen time më tregonte vetëm pak gjëra nga akti i tij.

Pyetje: Çfarë të ka treguar ai për 7 prillin e 1939-ës?

Përgjigje: 7 prilli mbeti lavdia dhe drama e Stefanit. Kur u mor vesh se flota dhe ushtria italiane u nisën për të pushtuar Shqipërinë, Stefani, bashkë me Mujo Ulqinakun, që e kishte epror dhe shok të hershëm, edhe pse nuk morën ndonjë urdhër nga lart, hapën depot e armëve dhe ua shpërndan qytetarëve  të Durrësit që ishin turrur të dëshpëruar e të revoltuar si asnjëherë nga lajmi kobzi i sulmit që pritej. (Shumë vite më vonë këta qytetarë shkonin te Stefani për të marrë vërtetim, se ai u kishte shpërndarë armë e municion më 6 e 7 prill, për të marrë 1000 lekëshin e Luftës. Paradoksi, vetë Stefanit ky pension plus nuk iu dha kurrë). Atë mëngjes të 7 prillit sulmi fashist nga deti  dhe qielli mbi portet e Shqipërisë ishte i pabarabartë; shqiptarët qëndruan burrërisht deri sa u vranë e u plagosën dhe iu mbaruan municionet. Stefani hapte zjarr me mitralozin e tij "breda", ndërsa Mujo Ulqinaku, rreth njëqind metra më në jug pranë Tores, gjuante me mitralozin e tij dhe jepte urdhra. Në librin "Mujo Ulqinaku" (1975, faqe 183) të M.Zeqos, shkruhet: "Hamit Dollani u vra dhe mitralozi i tij heshti. Pas pak u plagos rëndë Stefani dhe humbi ndjenjat. Kështu që heshti dhe mitralozi i tij". Për saktësi, siç më ka treguar vetë Stefani, ky u plagos përpara se të vritej Mujoja.

Këtu nuk është vendi për të përshkruar luftën, aq më tepët që kjo është detyrë e historianëve, por dua të vë në dukje faktin se pasi u pushtua Durrësi, italianëte çuan Stefanin për mjekim në Brindiz. Në anije kishte dhe shumë ushtarë të plagosur italianë. Krahas barbarisë fashiste ishte e pandarë edhe demagogjia e hipokrizia e pushtuesve. Në spital mjekët i thanë Stefanit se krahune majtë  duhet t'ia prisnin që në rrëzë, përndryshe do t'i bëhej gangrenë, por ai nuk pranoi. Meqenëse plumbi i kishte mbetur në damar nuk ia hoqën. E pati në krah atë plumb gjithë jetën deri në varr. Nuk pranoi të qëndronte në Itali, po ashtu, me krahun e fashuar u kthye në Durrës.

Pyetje: Ç'qëndrim mbajti Goga gjatë Luftës?

Përgjigje: "Ai mbeti invalidi i parë i Luftës për liri", e ka quajtur Xh. Lluri, një bashkëluftëtar i tij. Stefani ishte nga të parët që u aktivizua në veprimtaritë ilegale dhe në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ai ishte i pari që e ngriti lart, te pushtetarët e rinj pas Çlirimit të vendit, figurën heroike të Mujo Ulqinakut. Ishte e paçmueshme ndihmesa e tij në organizimin e flotës sonë detare në ato vite. Ai u emërua komandant  i distriktit detar të Durrësit dhe komandanti i parë i Kapitenerisë së Përgjithshme.

Pyetje: Ç'mund të na thoni për incidentin që i ka ndodhur Stefanit në Detin Adriatik?

Përgjigje: Atdhetaria e lartë e këtij luftëtari u shfaq qartë me gjithë përmasat e saj në një ngjarje tjetër dramatike. Duke lundruar me shërbim nga Vlora për në Durrës u këput kavoja e dragaminës dhe Stefani me 11 marinarë të rinj mbetën në det të hapur në mëshirë të dallgëve. Pas ca ditësh rrymat i nxorën në afërsi të Barit në Itali. Në Shqipëri i quajtën të humbur, sepse s'kishte asnjë informacion për fatin e tyre. Vetëm me ndërhyrjen e Ambasadës sonë në Bullgari u morr vesh se ishin gjallë në Itali. Stefani, bashkë me marinarët, me gjithë propagandën dhe presionin e autoriteteve italiane që ata të qëndronin atje si të arratisur politikë (duhet të kemi parasysh se kishte nisur Lufta e Ftohtë), nuk pranuan dhe vetëm pas disa muajsh u lejuan të ktheheshin në Atdhe, ku u pritën me nderime dhe u dekoruan.

Pyetje: Pse më pas u hesht, nuk u përmend ky luftëtare kuadër i vlefshëm, por u persekutua deri me rrëzimin e diktaturës?

Përgjigje: Ai u godit rëndë, u hoq nga të gjitha funksionet dhe u çua të punonte punëtor krahu në bonifikimin e fushave të Kavajës për vite të tëra. Ai nuk u thirr asnjëherë  në ceremonitë që zhvilloheshin në Durrës në përkujtim të rezistencës së popullit tonë më 7 prill 1939. Kur ishte me një këmbë në varr, organet e diktaturës mbajtën në Degën e Brendshme 5 ditë dhe i bën shantazhe dhe presione që të pranonte se ishte bërë agjent  i italianëve. Një akt i tillë e vrau shumë shpirtërisht këtë atdhetar të vërtetë. Dhe i gjithë ky persekutim konsekuent – vetëm pse gjoja nuk i kishte rrëfyer Partisë se italianët i kishin akorduar një dekoratë (për efekte propagandistike) me rastin e "unifikimit" të ushtrisë shqiptare me atë italiane, dekoratë që, siç më ka treguar vetë Stefani, nuk e mori kurrë.

Pyetje: Si është vlerësuar sot?

Pergjigje: Vetëm në nëntor të vitit 1997 Presidenti i Republikës i dha "Urdhrin e Artë të Shqiponjës". Nëse sot historianët duan të kenë një relike, një fakt material të padiskutueshëm të sulmit të 7 prillit dhe të qëndresës shqiptare, le të hapin varrin Stefan Maliko Gogës. Mes eshtrave të këtij luftëtari do të gjejnë edhe plumbin e armikut pushtues, që ai e mbajti në trup tërë jetën e tij të dallgëzuar.

70 vjet më pas, bash më 7 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel po valëvitet flamuri shqiptar krahas flamurëve të anëtarëve të NATO-s dhe atij italianë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora