Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frrok Kristaj: Pashkët – kremtja e ringjalljes

| E shtune, 11.04.2009, 08:46 PM |


Vezët e ngjyrosura për Pashkë
Vezët e ngjyrosura për Pashkë
Pashkët – kremtja e ringjalljes

Kjo festë, që te të krishterët çmohet më e madhja pas Kërshëndellave, edhe te populli shqiptar është ngulitur dhe tash e shumë shekuj përcillet edhe me rite të ndryshme. Festa e Pashkëve fillon me Krezhmet shtatëjavëshe, me "Oj mamët", ditën e luleve, darkën e mbramë, ngjyrosjen e vezëve, bekimin e bukës dhe të bereqeteve të tjera dhe përfundon me Pashkët

Shkruan Frrok KRISTAJ

Nga festat e shumta të të krishterëve, përkatësisht të besimtarëve katolikë, pas Kërshëndellave, që paraqesin lindjen e Jezu Krishtit, festa e Pashkëve është pa dyshim më e madhja, që paraqet ngjalljen e Tij. Pra, Pashkët janë festim i kthimit në jetë të Krishtit pas kryqëzimit të tij, përkatësisht festimi më i shenjtë ndër festat e krishtera.

Në fakt, shtatë javë para Pashkëve fillojnë Krezhmet (zgjasin 40 ditë, në mënyrë që të përkujtohet 40 ditë të qëndrimit të Jezusit në pyll), apo Moti i lidhur, që identifikohen me mundimet e Jezu Krishtit, që te shqiptarët njihet si Udha e Kryqës. Gjatë kësaj periudhe besimtarët e krishterë nuk e përdorin për ushqim as mishin, as bylmetin. Kryesisht përdoren perimet dhe ushqime të përgatitura me vaj dhe peshk.

Pashkët kremtohen të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit, që zakonisht kremtohen brenda 22 marsit dhe 25 prillit. Festa e Pashkëve, që identifikohet me ngjalljen e Krishtit, është ngjarje kulminante fetare në jetën e të krishterëve, sepse në te bazohet triumfi mbi mëkatin, mbi vdekjen, triumfi i dritës mbi errësirën, i lirisë mbi robërinë dhe triumfi i të mirës mbi të keqen (djallin).

Kalimi nga errësira në dritë

Me ngjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e madhe (kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq) në të Dielën e Pashkëve (kur ngjallet), përkatësisht kalimi nga errësira në dritë.

Edhe filozofia e krishterë e pranon faktin se shpirti i njeriut për nga natyra e tij është i pavdekshëm, ai hyn në pavdekshmërinë hyjnore pasi të jetë liruar nga verigat e trupit. Si rrjedhojë e kësaj del se ngjallja paraqet themelin e shpresës, e cila kurrë nuk mposhtet, dhe përsosmërinë e dashurisë. Pra, Krezhmet paraqesin përgatitjen për ngadhnjimin mbi të keqen, kurse Pashkët paraqesin fitorën mbi mëkatin, dashurinë mbi urrejtjen, mbi vdekjen. Këtu jeta na paraqitet si ngadhnjim.

Kjo e vërtetë mund të zbatohet edhe në realitetin tonë shoqëror. Procesi i ngjalljes

ngjan edhe me bashkësinë, me popullin. Bile, dihet se Kosova kohën e Krezhmeve e kaloi në Kalvarin e vet mbi vuajtje e sakrifica për të arritur deri te dita e shumëpritur me shekuj - dita e lirisë dhe e gëzimit. Këtë liri duhet me përkushtim ta përforcojmë me vepra e dashuri, sepse liria është një sfidë, që kërkon vetëmohim dhe bashkim të të gjitha forcave në mënyrë që t'i arrijmë të mirat e përbashkëta, që janë edhe të mira personale. Po ashtu, ana materiale nuk bënë që të ta rrënojë botën e brendshme. Jemi të thirrur ta dëgjojmë Zotin, që problemet t'i zgjidhim me ndihmën e Tij, sepse tek e fundit festa e Pashkëve, sikurse edhe vetë fjala pashkë, do të thotë festë, kërcim, ngjallje e çlirim nga robëria, që na vjen nga të tjerët, por edhe nga vetvetja.

Pashkët – kremte e madhe

Te populli shqiptar është ngulitur festa e Pashkëve, e cila përcillet edhe me rite të tjera autoktone, që janë bërë pjesë e kulturës shqiptare.

Festa e Pashkëve fillon me kohën e krezhmëve shtatëjavëshe, në të cilat bëjnë pjesë (në javën e katërt, të pestë dhe të gjashtë) dhe "Oj mamët".

"Oj mamet" janë grupe meshkujsh, që veshën me rrobe të leckosura, vëjnë mustakë artificialë dhe dalin e lypin vezë. Te dyert e çdo shtëpie kërcejnë duke thënë:

"Oj mamë, oj mamë 

del-e moj dele  

del-e o moj vashë 

a m'i jep nja dy-tri vo për Pashkë?".

Kështu vezët e fituara i ruajnë për t'i ngjyrosur në festën e Pashkëve.

Pastaj, në të dielen e parafundit të Pashkëve, është Festa e Luleve apo e Dielja e Ljarit, kur merren kryesisht lulet e thanës dhe nga thupra të thanës punohen nga 10 kryqa të vegjël, të cilët së bashku me lulet bekohen dhe pastaj vëhen mbi dyer të shtëpive, dhomave, hamarëve, koshave, ahureve, në kryeara (në krye të arave) dhe te varret.

Java, nga e Diela e Luleve e deri të Dielën e Pashkëve, quhet Java e Madhe. Dita e enjte para Pashkëve, njihet edhe si Vojimi i Shenjtë, apo Darka e Fundit (darka e ndarjes). Në atë darkë Krishti i gostiti nxënësit e vet vetëm me bukë dhe verë. Me bukë sepse buka përveç që ushqen, e mban trupin, ajo e ka edhe një veçori mjaft të rëndësishëm në jetën tonë: edhe na bashkon. Na bashkon kur ulemi të gjithë së bashku rreth tryezës (rreth sofrës), ndërsa buka gjendet në midis. Nga ajo bukë marrim të gjithë nga një pjesë, përkatësisht të gjithë pjesëtarët rreth sofrës bëhemi edhe pjesëtarë të një buke. Dihet se buka bëhet prej miellit, mielli prej kokrrave të grurit, e kokrrat prej kallinjve, që kanë qenë të shpërndarë nëpër ara. Pastaj, sa kokrra gruri e sa kallinj janë bashkuar për t'u bluar dhe tani janë bërë bukë, ashtu edhe njerëzitë bashkohen. Pra buka është shenjë bashkimi dhe njësimi, ashtu edhe Krishti me themelimin e eukaristisë, meshës, kungimit e ka menduar bashkimin në një zemër me bukën e tij - kungimin. Mesha, eukaristia, kungimi janë shenja bashkimi me Krishtinë dhe me njëri-tjetrin. Po vera? Bashkimi është shenjë gëzimi, domethënë se edhe bashkimi rreth bukës është shenjë gëzimi, e gëzimi e do edhe verën. Ndërkaq, ditën e enjte - të Enjten e Madhe në kishë organizohet larja (nga ana e famullitarit) e këmbëve të 12 aktivistëve (veprimtarëve), të cilët paraqesin 12 apostuj (nxënës) të Jezu Krishtit.

Ngjyrosja e vezëve

Ditën e enjte, diku dhe të premten, bëhet ngjyrosja e vezëve. Në fakt, veja qysh në kohët e lashta te popujt e ndryshëm kishte të bënte me zgjimin e natyrës në stinën e pranverës, ndërsa më vonë u mor si simbol i jetës së re dhe i ngjalljes së Jezu Krishtit. Bile, një prej simboleve më të vjetra pranverore në botë është veja. Forma ovale e vezës simbolizon formën e pikës së shiut dhe të farës. Këto të dyja kanë qenë elemente të rëndësishme për jetë.

Në fillim vezët u ngjyrosën me ngjyrë të kuqe, sepse gjaku ka ngjyrë të kuqe. Duke shikuar misterin e jetës, veja e kuqe merret si simbol i rruzullimit në të cilën çdo jetë përsëritet në heshtje dhe përjetësohet në drejtim të Provanisë hyjnore. Ajo na paraqet një botë të vogël të plotësuar, një harmoni të bukur, që asgjë nuk mund t'i shtohet e as t'i heqet. Në fakt, në mitologjitë e popujve, veza paraqet idenë e plleshmërisë së jetës dhe dhuntitë e çmueshme të njerëzimit dhe të natyrës. Kështu, prej simbolizimit të lashtë krishterimi e shndërroi idenë lëndore dhe ia përshtati misterit të Pashkëve. Në shembullin e vesë i krishteri sheh varrin në të cilin e vendosën Krishtin, duke menduar (armiqtë) se e kishin lënë për jetë të jetës, ndërsa ai përgatitet në heshtje për të dalë ngadhnjyes me një jetë të re, të pavdekshme. Për Krishtin dhe në Krishtin merr dritë enigma e dhembjes dhe e vdekjes, përkatësisht Krishti ngjallet duke e shkatërruar vdekjen me vdekjen e vet. Pra, të ngjallurit e Krishtit konsiderohet peng i sigurt i të ngjallurit tonë. Për këtë veja e kuqe simbolizon jetën, dritën dhe gëzimin (në këtë rast të Pashkëve). Veja e kuqe është edhe shenjë e lidhmërisë, miqësisë, afërsisë. Për ketë edhe vezët e kuqe dhe bekimi i tyre me bukën e bekuar kanë fituar edhe kuptimin e krishterë. Ngjyrosja e vezëve kuq na përkujton vdekjen e Krishtit dhe derdhjen e gjakut të tij për të mirën e njerëzimit. Së këndejmi, veja e Pashkëve te të krishterët është simbol i ngjalljes së Krishtit, sikur që krijesa e re shpërthen lëvozhgën e vesë, ashtu edhe Krishti, duke i rrënuar muret e varrit të tij dhe duke ngjadhënjyer mbi vdekjen, del në jetë të re.

Dita e premte është dita e vdekjes së Krishtit në kryq, për këtë arsye nëpër kisha bëhet puthja e Krishtit (trupores), si dhe ditën e shtunë në mbrëmje mesha fillon në mbrëmje para kishës me ndezjen e zjarrit, i cili edhe bekohet nga ana e famullitarit. Në kishë hyhet me qirinj të ndezur, që simbolizojnë dritën, e më pastaj mbahet mesha. Pas meshës famullitari bën bekimin e bukës (pogaçe, përkatësisht nore) dhe të bereqeteve të tjera, bekim që lidhet me Agapët (sipas gjuhës greke që do të thotë dashuri shpirtërore, dashuri ndaj Zotit, shenjtërve, vëllait, mikut, shokut) e të krishterëve të parë, përkatësisht me Korpin e Krishtit, kurse të dielën kremtohet ngjallja e Krishtit, Pashkët.

Ditën e Pashkëve, që njihet edhe si  Diela e Pashkëve, së bashku në familje dhe në shoqëri festohet fitorja e Zotit, Jezu Krishtit, ngjallja e tij prej së vdekuri, po sa të zgjohen besimtarët hanë bukën e bekuar dhe ushqimet e tjera (djath, hudhra, vezë, kripë etj). Pas mëngjesit lahen duart në një enë të veçantë, në mënyrë që uji që tashmë konsiderohet i bekuar, të mos derdhët kudo, por në vendet e pastërta e ku nuk shkilet, kurse më pastaj bëhet urimi i festës së Pashkëve me "Me shëndet Pashkët!" apo "Për shumë mot Pashkët!"

Legjenda: Vezët e ngjyrosura për Pashkë

Për ZSH: Baki Ymeri