E enjte, 28.03.2024, 08:40 PM (GMT)

Faleminderit

Skënder R. Hoxha: Familja emblematike e Janoshave shquhet për merita kombëtare

E merkure, 08.04.2009, 07:04 PM


FAMILJA EMBLEMATIKE  E JANOSHVE TË FSHATIT ROSUJË TË KOMUNËS SË PEJËS SHQUHET PËR MERITA KOMBËTARE  

Shkruan Prof. Skënder R. HOXHA   

Familja Janoshi e fshatit Rosujë të Pejës, e ardhur këtu nga Janoshi i Dushkajës, komuna e Gjakovës (në vitin 1963),  tradicionalisht ishte e njohur si familje bujare dhe e brumosur me atdhetarizëm. Kjo familje, mbiemrin zyrtar e kanë Berisha, mirëpo gjithandej e quajnë me mbiemrin Janoshi, sipas emrit të fshatit nga kishin ardhur, e për këtë edhe vetë familjarët krenohen.

Të ndjekur e të përsekutuar nga regjimet...

Kemi mësuar për të kaluaren e tyre se kjo familje asnjëherë nuk ishte pajtuar me pushtuesit, për çka gjithmonë ishin halë në sy për regjimet okupatore.  
     Në vitet ’50 të shekullit XX, sidomos nga viti 1953, kjo familje ishte e përndjekur, e torturuar, e përsekutuar. Në atë kohë, kryefamiljar ishte plaku Mehmet Sadiku, i cili për-jetoi tortura të papara serbe. Ishin të ndjekur nga UDB-ja serbosllave, të maltretuar në mënyra të ndryshme të gjithë meshkujt e kësaj familjeje. Si pretekst për të gjitha ato vuajtje ishte se, po në ato vite, biri i kësaj familjeje, Fazli Azllani (Berisha), ishte inkuadruaur në Organizatën Ilegale, (Grupi diversant), që për qëllim themelor kishte zgjidhjen e çështjes nacionale, respektivisht bashkimin e trojeve shqiptare. Ndaj, shtëpia e tyre shpesh rrethohej nga forcat e sigurimit, bastisej dhe maltretoheshin të gjithë anëtarët e familjes.

Sylë Berisha – Janoshi
Tetë vjet në burgun e Goli Otokut

Ngase nuk e pranonin atë pushtet barbar, kjo familje gjatë gjithë kohës mbahej nën kontroll dhe të detyruar që rregullisht të paraqiten në stacionin e policisë në Hereq, rrethinë e Gjakovës. Në atë kohë, UDB-ja famëkeqe i kishte rënë në gjurmë veprimtarisë atdhetare të Fazliut dhe pas shumë përpjekjeve, në një mëngjes të hershëm të gushtit të vitit 1953, pasi ua kishin rrethuar shtëpinë, e arrestojnë Fazliun, e lidhin dhe ashtu të lidhur e dërgojnë në burgun e Gjakovës. Me akuzën për veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav të atëhershëm, Fazliun e dënuan me 13 vjet burgim të rëndë, 8 prej të cilave i kishte vuajtur në burgun famëkeq të Goli Otokut. Bashkëvuajtës të atij burgu Fazliu i kishte pasur edhe atdhetarët e tjerë, si: mulla Zekë Bërdynën, Arif Rekun, Muharrem Gashin etj. Mirëpo, as maltretimet e përjetimet e tjera të rënda, as burgosja e Fazliut, kësaj familje nuk ia thyen moralin e fortë patriotik, por me dinjitet vazhduan rrugën e shenjtë. 
     Për shkak të qëndrimeve të papërkulshme dhe veprimeve patriotike të vazhdueshme, vuajtjet, përcjelljet dhe maltretimet ndaj kësaj familjeje nga pushteti serbosllav vazhdojnë deri në vitin 1998…

Atdhetarizma e kësaj familjeje kulmon edhe gjatë viteve ’90 të shekullit të XX:
    
Që nga formimi i UÇK-së, shtëpia e janoshve, përkatësisht e pasrendësit Sylë Janoshit (Berishës), ndër të parët, hapi dyert për djemtë e luftës, për ata që do t’i dilnin zot trojeve tona, pra, për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
     Kur bëheshin përgatitjet për luftën vetëmbrojtëse që pritej të ndodhte në Kosovë, meshkujt e kësaj familje, pa hezituar, u rreshtuan në radhët e UÇK-së, ndërsa kontaktet, lidhjet dhe organizimet për shkuarje për armatim në Shqipëri, nga  kjo anë, filluan.pikërisht në këtë familje – rrëfen kryefamiljari Sylë Janoshi (Berisha), shtatëdhjetëvjeçar. Kështu, në mars të vitit 1998, arriti nga Shqipëria grupi i parë me armatim, prej 27 vetave, në shtëpinë e Sylë Berishës, në Rosujë të komunës së Pejës. Këtu përgatitet edhe vendkalimi (korridori) Rosujë – Trestenik. Aksione të tilla, që niseshin nga kjo shtëpi, u organizuan disa herë.
     Lagjja e janoshve, gjatë luftës, e kishte pseudonimin “Te Ferma e Pulave”. Njihej me këtë emërtim kjo pikë strategjike gjatë gjithë kohës së luftës. Organizoheshin këtu edhe shumë shërbime të tjera që kërkonte lufta, si: stërvitja e ush-tarëve të UÇK-së, ardhja e medikamenteve, karburanteve etj., e prej këndej bëhej edhe distribuimi i tyre. Këtu iu ofrohej ndihma njerëzve që vinin nga zonat më të rrezikuara, kështu që kjo familje ishte bërë urë lidhëse për orientime e sistemime, si të ushtarëve ashtu edhe të popullatës. Ishte kjo si qendër strategjike për rrugëlidhje të shumta. Kur e kërkonte situata, në këtë shtëpi bëheshin planet dhe përgatitjet për të ndihmuar luftimet nëpër zonat e tjera të luftës. Me ndihmën e kësaj familjeje, barteshin të plagosurit rëndë për në zonë të Lugut të Trestenikut. Lëvizjet me të plagosur bëheshin vetëm natën,  shumica e të cilëve duhej të barteshin me kuaj, se mundësi të tjera nuk kishte. Në këtë shtëpi, gjatë lëvizjeve të popullatës, ka pasur edhe të strehuar përkohësisht, ka pasur edhe raste të lindjeve të grave, që vinin nga zona të tjera, të cilave këtu iu vinin në ndihmë me shërbime, medikamente, etj. … Këtu zbarkoheshin edhe grupet që kishin shkuar për t’u furnizuar me armë nga Tresteniku e fshatra të tjera, të cilët ktheheshin të lodhur e të rraskapitur. Në këtë shtëpi ata gjenin mbështetjen, pushimin dhe strehimin. Po këtu mobilizoheshin dhe armatoseshin grupe ushtarësh të UÇK-së.
     Vlen të theksohet se kjo familje kishte ofruar të gjitha rezervat ushqimore që kishte, për t’iu dhënë bukë ushtarëve të lirisë. Gjatë kohës së luftës, zjarri s’u fik ditë as natë në këtë shtëpi, duke  përgatitur bukë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gratë e kësaj familjeje (rejat e Sylës), me ndërrime, gatuanin bukë e ushqime të tjera për UÇK-në.
     Bazuar në të kaluarën atdhetare të familjes Janoshi, po edhe në atë të viteve ‘90,  nga okupatori ishin të përcjellë veçanërisht. Për këtë, shtëpia e Sylë Janoshit në Rosujë, gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, granatohet disa herë nga forcat serbe – shkëput këto fragmente kujtimesh të hidhura, por krenare, Syla…
     Janë këto edhe si dëshmi kohe që flasin për atë se kjo familje gjithmonë u sakrifikua dhe nuk kurseu asgjë për lirinë dhe pavarësinë e trojeve shqiptare.Vepra e tyre ishte vazhdimësi e jetësimit të amanetit të të parëve të tyre.
     Të gjitha këto që bëri kjo familje, i bëri në rrethana të vështira, të rrezikuar e me sakrificë, me idealin patriotik, për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe identitetin kombëtar.
   Ndaj, familjet si kjo e Janoshve të Rosujës, janë nderi dhe krenaria e kombit. Ato janë emblematike dhe mbesin si shembull për breznitë që vijnë.
   
/Në emër të familjes së Janoshve të Rosujës, të dhënat janë  nga kujtesa e         kryefamiljarit të sotëm, Sylë Berisha – Janoshi (1940), dhënë autorit në shtator të vitit 2008, në Pejë./



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora